Lajmet

Avokati ‘busy” shtyhet rigjykimi për korrupsion ndaj kryetarit të Klinës

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Kujtim Kërveshi.

Published

on

Nuk ka arritur të mbahet seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, i cili nga Prokuroria Themelore po akuzohet për korrupsion me rastin e punësimit të vajzës së tij si mjeke në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Kujtim Kërveshi,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova bëri të ditur se avokati Kërveshi me parashtresë e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në gjykatë pasi është i zënë në një seancë tjetër.

Tutje Husaj-Rugova, deklaroi se mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kërveshi nuk ka paraqit dëshmi që ka pranuar thirrjen me herët për seancën në Gjykatën e Prizrenit.

“Avokati Kërveshi e ka njoftuar Gjykatën se në të njëjtën ditë dhe të njëjtën kohë ka një seancë tjetër, e cila është caktuar të mbahet në Gjykatën Themelore në Prizren, e cila është në fazën e shqyrtimit kryesor dhe për këtë kanë pranuar thirrjen me herët, andaj në pamundësi që të marrë pjesë në këtë seancë, i njëjti ka kërkuar që kjo seancë të shtyhet.”, ka thënë gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.

I pandehuri Zenun Elezaj, ka thënë se nuk është i gatshëm të lëshohet në seancën e rigjykimit pa prezencën e mbrojtësit të tij.

Ndërkaq, prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, ka kërkuar që për seancën e radhës mbrojtësi i të pandehurit, avokati Kërveshi të prezanton një dëshmi dhe arsyet për shtyrje të seancës.

Pas këtyre deklarimeve, gjykata ka marrë vendim që seanca radhës të mbahet me 1 tetor, nga ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me 28 prill 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, kolegji i gjykatësve të Apelit, i kryesuar nga Tonka Berisha, kanë konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte rezultat i shkeljeve procedurale dhe mungesë e vërtetimit të plotë gjendjes faktike, për çka rastin e kanë kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit për mosdeklarim të pasurisë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë. Konkretisht, ai akuzohet se nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Prokuroria bën të ditur se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600 eurosh.

Rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Continue Reading

Lajmet

30 të dënuar përfundojnë me sukses programet rehabilituese në burgun e Smrekonicës

Published

on

By

Në burgun e Smrekonicës, kanë përfunduar me sukses dy programe rehabilituese për të burgosurit. Programi “Menaxhimi i Zemërimit” është ndjekur nga 20 të burgosur, ndërsa programi “Vendimmarrja Sociale” nga 10 të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se programet janë zbatuar në përputhje me politikat rehabilituese, planprogramin institucional dhe standardet profesionale të trajtimit.

Sipas njoftimi të ShKK-së, fokusi ka qenë zhvillimi i aftësive psikosociale, rritja e vetëkontrollit emocional, përmirësimi i sjelljes ndërpersonale dhe forcimi i aftësisë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme.

Me rastin e përfundimit të programeve është organizuar edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, derisa gjatë eventit u theksua rëndësia e programeve rehabilituese në përmirësimin e sjelljes së të burgosurve dhe në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Continue Reading

Lajmet

Prattipati takon kryetarët e komunave veriore, kërkon qeverisje transparente

Published

on

By

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Përmes një postimim, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë tha se Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Amerikës për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq dhe përfaqësues të shoqërisë civile serbe kosovare në veri të Kosovës. Ajo nënvizoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Me ShBA-në diskutuam për rikthimin e dialogut strategjik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.

Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara