Kulturë

Si ta ruani qetësinë kur diçka shkon keq në punë

Angazhohuni në një tjetër detyrë.

Published

on

Të gjithë kemi qenë aty: Në mes të një argumenti me një koleg, gjërat papritmas bëhen serioze. Fjalët me zemërim shkëmbehen. Një gjë dërgon tek tjetra, dhe nuk shkon shumë gjatë dhe jeni në gjendje të shkulni flokët e njëri tjetrit. Ju me siguri e keni të vështirë të qetësoheni pas këtyre ngjarjeve.

Të mësuarit se si të rifitoni vetëpërmbajtjen tuaj është më shumë se sa zhvillim personal. Humbja e temperamentit në vend të punës mund të jetë shkatërruese për karrierën tuaj. Këtu janë pesë mënyra për të pasur një energji më pozitive.

Largohuni

Është mënyra më e vjetër në librin e qetësimit dhe padyshim një mënyrë të cilën nëna juaj ua ka sygjeruar shumë herë. Nga kjo taktikë mund të përfitoni të dyja palët dhe gjithashtu të balanconi ambientin e punës, nëse e kuptoni se kur është e duhur.

Nëse jeni në mes të diskutimit, mos u tërhiqni derisa të dëgjoni se çfarë ka për të thënë personi tjetër. Nëse gjatë bisedës, asnjëri prej jush nuk thoni diçka produktive dhe keni filluar të lëndoni ndjenjat e njëri tjetrit, atëher me siguri është koha të largoheni.

Flisni me qetësi dhe qartë që personi tjetër t’a dijë se do të largoni veten tuaj nga situata. Pastaj bëjeni këtë, pa shumë zhurmë. Largimi juaj nuk është pjesë e argumentit tuaj.

Kthjelloni mendjen tuaj

Një mendje e kthjellët ju sjell shumë përfitime, dhe ju do të zbuloni shumë mënyra të dëshmuara për të arritur aty. Pasi keni larguar veten nga argumenti, shkoni të ecni. Merrni ajër të pastër. Largoni të gjitha nga truri juaj dhe zëvendësoni me kujtime të kënaqshme, si p.sh. një fundjavë e mirë ose një mbledhje e fundit me shokët. Ky zëvendësim neurologjik mund të bëjë mrekulli.

Nëse ecja juaj ju dërgon në një vend të qetë, merrnë në konsideratë një pushim të shkurtër për të medituar dhe për t’u ripërqendruar. Me aplikacione të meditimit, e gjitha që ju duhet është telefoni juaj dhe një palë kufje.

Angazhohuni në një tjetër detyrë

Nganjëherë, një përpjekje e re është mënyra më e mirë për t’u qetësuar. A keni një projekt të madh i cili po vjen?. Shumë mirë. Qetësohuni duke punuar për të arritur atë qëllim.

Në fakt, është dëshmuar se nivelet e larta të stresit mund të ju bëjnë të punoni në mënyrë më efikase. Ndoshta diçka e mirë mund të dalë nga argumenti juaj i keq.

Merrni në konsideratë natyrën e argumentit

Sipas Drejtoreshës së Quirky Gina Waldhorn, ‘’Ndjeshmëria është një tipar i rëndësishëm për marrëdhënie afatgjatë dhe pozitive me kolegët. Nëse keni një përballje, mbani në mend se perspektiva unike e kolegut tuaj vjen nga detyrat, streset dhe marrëdhëniet tjera me të cilat ata përballen çdo ditë, sikur ju.

Veçanërisht në një biznes fillestar, çdo anëtar i ekipit mund të mbushë role të shumta çdo ditë. Nuk mund t’i shmangni. Në fund, ju duhet të pajtoheni. Është e rëndësishme të merrni në konsideratë se çfarë, saktësisht, ju bëri ju dhe personin tjetër aq të nervozuar. A ishte përmbajtja e diskutimit apo diçka tjetër?

Vetëm nëse drejtoni një dyqan shumë të vogël, ju keni një departament për të ju ndihmuar në këtë gjë. Nëse reflektimi i sinqertë zbulon se ju dhe kolegu juaj mund të keni probleme më të mëdha, flisni me dikë në burimet njerëzore. Kjo është veçanërisht e dobishme nëse nuk jeni në gjendje të rregulloni situatën vetë dhe kërkoni një palë të tretë.

Ndreqeni situatën

Ky është shpesh hapi më i vështirë. Pas një argumenti, shumë njerëz e mendojnë veten si viktima dhe perceptojnë individin tjetër si autor të konfliktit. Por në fund: Të dy njerëzit zakonisht ndajnë fajin. Për këtë është e rëndësishme të ndreqni situatën. Kërkoni falje për rolin tuaj në argument, provoni të tregoheni të ndjeshëm me individin tjetër, dhe nisni procesin për të rregulluar rrugën që marrëdhënia juaj po merr. Në fund, do të jetë gjëja më e mirë për ju dhe vendin e punës.

Është ironike se nisja e një argumenti mund të jetë shumë e lehtë, përderisa largimi nga ai shumë i vështirë. Nëse gjeni veten në këtë pozitë, kuptoni se ju lëndoni vetëm veten dhe reputacionin tuaj.

Continue Reading

Kulturë

Fatlume Bunjaku ndër aktorët më premtues evropianë të European Shooting Stars 2026

Published

on

Aktorja shqiptare Fatlume Bunjaku do të përfaqësojë Shqipërinë në programin prestigjioz European Shooting Stars 2026, një iniciativë e European Film Promotion (EFP) e organizuar si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale). Lajmin e bëri të ditur vetë EFP.

Çdo vit, European Film Promotion zgjedh 10 aktorë e aktore nga 37 vende evropiane, që konsiderohen talentë me potencial ndërkombëtar.

Programi ka për qëllim promovimin e aktorëve të rinj dhe ndihmën për të ndërtuar një karrierë në film dhe televizion jashtë vendit.

Fatlume Bunjaku është nominuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë për rolin e saj në Hana, të regjisorit Ujkan Hysaj.

Ajo do të ketë mundësinë të marrë pjesë në katër ditë intensive me intervista, prezantime, workshop-e dhe takime me emra të mëdhenj të industrisë së filmit ndërkombëtar. Programi do të kulmojë me një paradë në tapetin e kuq të Berlinale Palast dhe ndarjen e çmimeve.

European Shooting Stars ka shërbyer si një trampolinë për karrierën ndërkombëtare për aktorë të njohur si Daniel Craig, Maisie Williams, Carey Mulligan, Riz Ahmed, Alicia Vikander dhe George MacKay.

Për Shqipërinë, Bunjaku është aktorja e tretë që merr pjesë në këtë program, pas Nik Xhelilaj më 2011 dhe Arta Dobroshi në vitin 2013. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Muzetë e Kosovës bëhen më të qasshme përmes teknologjisë 3D

Published

on

Vizitat virtuale po shndërrohen në një mjet të rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë kulturore, duke u ofruar qasje muzeve edhe vizitorëve që ndodhen larg, por njëkohësisht duke nxitur edhe vizitat fizike.

Organizata “EC Ma Ndryshe” ka lansuar versionin virtual të Muzeut të Kalasë së Prizrenit, me synimin që çdo muze në vend të ketë një portë digjitale drejt vizitës reale.

Kjo nismë vjen si vazhdim i digjitalizimit të Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Muzeut Arkeologjik të Prizrenit, në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore për të gjithë”, që synon qasje të hapur, inovative dhe gjithëpërfshirëse ndaj trashëgimisë kulturore.

Vizita virtuale në 3D e Muzeut të Kalasë së Prizrenit u mundëson vizitorëve të eksplorojnë çdo hapësirë dhe detaj, nga ilustrimet historike e deri te artefaktet që datojnë nga Epoka e Hekurit, Mesjeta dhe periudha osmane.

Përvoja digjitale ofron pamje të qarta, materiale shpjeguese të digjitalizuara dhe një ndjesi të ngjashme me vizitën fizike.

Drejtori ekzekutiv i “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali, ka theksuar se vizitat virtuale në 3D janë hap i rëndësishëm drejt modernizimit të muzeve, duke i bërë më të qasshme dhe duke eliminuar barrierat gjeografike dhe fizike, përfshirë edhe për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas tij, realizimi i një vizite virtuale është proces kompleks që zgjat nga tre deri në katër muaj, varësisht nga madhësia dhe kompleksiteti i muzeut, dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me institucione kulturore dhe profesionistë për të ruajtur autenticitetin historik.

Xhabali ka shtuar se vizitat virtuale, të cilat u bënë trend gjatë pandemisë, tashmë janë shndërruar në një praktikë të qëndrueshme dhe shërbejnë si “portë hyrëse drejt vizitave reale”, duke rritur interesimin e publikut për trashëgiminë kulturore.

Qëllimi afatgjatë i organizatës “EC Ma Ndryshe” është që digjitalizimi në 3D të shtrihet në të gjitha muzetë e Kosovës, duke e bërë trashëgiminë kulturore më të qasshme, më edukative dhe më tërheqëse për publikun e gjerë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

150 vjet nga lindja e Kristo Luarasit, mjeshtri i shtypshkronjës dhe i çështjes shqiptare

Published

on

Kristo Luarasi (15 dhjetor 1875 – 8 korrik 1934) ishte një nga patriotët e shquar të Rilindjes Kombëtare dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i cili i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare.

Pas shërbimit si mësues i gjuhës shqipe në Kolonjë, ai emigroi fillimisht në Bukuresht dhe më pas në Sofje, ku hapi shtypshkronjën “Mbrothësia”, duke botuar libra, gazeta dhe revista shqipe që shpërndaheshin falas tek shqiptarët kudo.

Në vitin 1897, Luarasi nisi botimin e Kalendarit Kombiar, të cilin e botoi për 17 vjet, si dhe publikoi gazetat “Drita” dhe “Liria e Shqipërisë” dhe mbi 150 tituj librash të autorëve të njohur shqiptarë, përfshirë Naim, Sami dhe Mit’hat Frashëri, Faik Konicën e të tjerë.

Ai punoi si tipograf, botues dhe drejtues gazete, duke qëndruar gjithmonë aktiv në publicistikë dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Pas periudhës në Sofje dhe Selanik, përshëndeti Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe riktheu botimin e gazetës “Liri e Shqipërisë” (1915-1920). Më 1920, u vendos në Tiranë, ku themeloi Shtypshkronjën “Luarasi”, që u bë edhe Shtëpia Botuese Luarasi, duke botuar dhjetra libra, revista dhe tekste shkollore deri në vitin 1947.

Për veprimtarinë patriotike, Kristo Luarasi u vlerësua edhe nga regjimi komunist me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Dytë (1962) dhe pas viteve ’90 me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Fan Noli e konsideroi Luarasin si një nga 28 pionerët e krijimit të shtetit shqiptar.

Luarasi ndërroi jetë më 8 korrik 1934 në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe patriotike për Shqipërinë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Talenti i ri shkëlqen! “Amadeus” feston një vit të suksesshëm me koncert artistik

Published

on

Shkolla e Muzikës “Amadeus” ka mbajtur koncert të jashtëzakonshëm artistik me rastin e përfundimit të gjysmëvjetorit shkollor, përmbylljes së projektit “Nxitja e talentëve të rinj dhe diversitetit kulturor”, si dhe festave të fundvitit.

Koncerti me titull “Da Capo al Fine”, i organizuar nga Ambasada Gjermane dhe Ambasada Franceze, solli në skenë performanca të mrekullueshme nga nxënësit e shkollës, të cilët falë përkushtimit të vazhdueshëm kanë shënuar suksese edhe jashtë Kosovës.

Në këtë mbrëmje u prezantuan Ansambli i Kitaristëve, Orkestra Harkore, Orkestra Frymore, Orkestra Kamertale dhe Kori i shkollës, të cilët dhuruan emocione të veçanta për publikun.  “Profesionalistët e vegjël” të skenës dëshmuan talentin duke interpretuar me sukses vepra nga repertori vendor dhe ai botëror.

Ansambli i Kitaristëve krijoi peizazh të ngrohtë tingujsh që rridhnin natyrshëm me ritmin e veprave, Orkestra Harkore solli ndjeshmëri të veçantë emocionale, e ndërtuar tingull pas tingulli. Orkestra u dallua për elegancën dhe lirshmërinë e tingujve që mbushnin sallën, ndërsa Orkestra ofroi interpretim të rafinuar, të karakterizuar nga precizion i lartë ritmik.

Kulmi i koncertit ishte performanca mbresëlënëse e Korit të shkollës, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit. Qershia mbi tortë ishte interpretimi i solistes Anna Krasniqi, e cila me zërin e saj të ngrohtë dhe njëkohësisht të fuqishëm i dha jetë veprave me kërkesa të larta vokale.

Gjatë koncertit u interpretuan veprat: “Ding! Dong! Merrily on High” (Traditional French Carol), “You Raise Me Up” – Rolf Løvland, “Die Loreley” – Friedrich Silcher, “Sous le ciel de Paris” – Hubert Giraud dhe “Feliz Navidad” – José Feliciano.

Pjesë e këtij koncerti ishin dirigjenti Gentian Aliu dhe korepetitorja Elsa Gashi. Drejtoresha e shkollës, Hana Petrovci-Fetahu, theksoi se përmbyllja e suksesshme e projektit përbën një arritje të madhe për mbi 100 fëmijë, të cilët kanë performuar në instrumente sfiduese.

“Përveç përfundimit të gjysmëvjetorit, ky koncert shënon mbylljen e një projekti që ka filluar në janar e po përfundon në dhjetor. Projekti kishte për qëllim nxitjen e talenteve të reja nga mosha 7 deri në 17 vjeç dhe u mbështet nga Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane, Instituti Francez dhe Goethe-Institut. Ky bashkëpunim i mrekullueshëm na dha besimin për ta realizuar projektin, ku u përfshinë mbi 100 nxënës në mësimet e korit dhe instrumenteve”, u shpreh ajo.

Petrovci-Fetahu vlerësoi sukseset e nxënësve, duke theksuar se shumë prej tyre ishin fillestarë, por arritën të performojnë në skenë brenda një periudhe të shkurtër kohore, shtoi se sukseset në koncerte ndërkombëtare, si në Vjenë e Itali, janë motivim i fuqishëm për vazhdimësi.

Ndërkohë, dirigjenti Vehbi Shosholli e cilësoi këtë vit shkollor si dinamik dhe tejet të suksesshëm. Sipas tij, puna intensive me formacione të ndryshme muzikore dhe koncertet e shumta kanë sjellë një përvojë të jashtëzakonshme artistike.

Edhe solistja Anna Krasniqi e përshkroi koncertin dhe vitin mësimor si një përvojë të paharrueshme, duke theksuar suksesin e saj në një festival ndërkombëtar në Itali, ku arriti të triumfojë dhe të përfaqësojë Kosovën me dinjitet.

Drejtoresha paralajmëroi plane të reja për 2026, duke bërë të ditur se Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve të Prishtinës është pranuar të marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare garuese – një në Spanjë në muajin mars dhe një tjetër në Pragë të Çekisë në muajin korrik të vitit 2026.

“Synimi është që këta talentë t’i prezantojmë më gjerë e ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ajo. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara