Lajmet

Detyrat e vështira të Bidenit në turneun evropian

Biden do të bëjë ndalesën e tij të parë në fshatin bregdetar të Shën Ives në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar,

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të mërkurën (9 qershor) niset për Evropë, në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit.

Turneu i tij tetëditor përfshin një sërë takimesh në kuadër të samitit të G7-s, pastaj bisedime me partnerët evropianë dhe të NATO-s, si dhe një takim ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Përmirësimi i raporteve transatlantike dhe diskutimi i mosmarrëveshjeve me Rusinë pritet të jenë çështjet kyç të kësaj vizite.

Udhëtimi shihet edhe si një provë e aftësisë së presidentit Biden për të menaxhuar dhe përmirësuar raportet me aleatët kyç të SHBA-së, të dëmtuara ndjeshëm gjatë udhëheqjes së paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili e kishte tërhequr SHBA-në nga traktatet ndërkombëtare dhe kishte vendosur tarifa tregtare ndaj aleatëve, raporton Reuters.

Presidenti Biden në një opinion të publikuar në Washington Post, para nisjes për në Evropë ka thënë:

“A do të dëshmojnë institucionet, aleancat demokratike aftësinë e tyre kundër kërcënimeve dhe kundërshtarëve të ditëve moderne? Unë besoj se përgjigjja është po. Dhe këtë javë në Evropë, ne kemi mundësinë ta dëshmojmë atë”.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan u tha gazetarëve se Biden shpresonte që takimet e tij të G7-s dhe NATO-s do të forcojnë një ndjenjë të unitetit mes aleatëve para takimit të tij me Putinin.

“Në samitin e SHBA-BE, presidenti dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të fokusohen në përafrimin e pikëpamjeve ndaj tregtisë dhe teknologjisë në mënyrë që demokracitë dhe jo dikush tjetër, Kina ose autokracitë e tjera, të diktojnë rregullat për tregtinë dhe teknologjinë në këtë shekull”, ka thënë Sullivan.

Biden do të bëjë ndalesën e tij të parë në fshatin bregdetar të Shën Ives në Kornuall të Mbretërisë së Bashkuar, ku ai do të marrë pjesë në samitin e G7-s (vendeve më të industrializuara të botës: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia).

Në këtë takim do të diskutohet për pandeminë e koronavirusit, tregtinë, çështjet klimatike dhe një iniciativë për rindërtimin e infrastrukturës në botën në zhvillim.

Zyrtarët amerikanë e shohin këtë si një përpjekje për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të Kinës.

Biden mund të përballet me presion për të bërë më shumë në shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit me vendet e tjera.

Biden do të ketë një takim me kryeministrin britanik, Boris Johnson të enjten në Kornuall, si një mundësi për të forcuar “marrëdhëniet e posaçme”, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Pas tre ditësh të samitit të G7-s, Biden dhe gruaja e tij Jill do të vizitojnë Mbretëreshën Elizabeth në Kështjellën Windsor.

Hera e fundit që 78-vjeçari Biden u takua me Mbretëreshën ishte në vitin 1982, kur ai ushtronte pozitën e senatorit.

Nga atje, Biden do të fluturojë për në Bruksel për samitet me BE-në dhe aleancën ushtarake të NATO-s.

Agjenda e bisedimeve pritet të dominohet nga Rusia, Kina dhe çështja shumëvjeçare në lidhje me kontributet financiare të vendeve aleate ndaj NATO-s.

Një takim i ndjeshëm në kuadër të samitit të NATO-s, pritet të jetë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Biden e ka inatosur Erdoganin, një aleat i Trumpit, duke theksuar situatën e rëndë të të drejtave të njeriut të Turqisë dhe duke njohur gjenocidin e Perandorisë Osmane kundër armenëve. Uashingtoni rrezikon “të humbasë një mik të çmuar”, ka paralajmëruar Erdogan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i tha Kongresit të martën se Turqia shpesh “nuk po vepron siç i takon si një aleat i NATO-s”, por Uashingtoni ka “interes të vazhdojë përpjekjen për ta mbajtur Turqinë të afërt me Perëndimin”.

Samiti i Bidenit me presidentin rus, Vladimir Putin, më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës, po vlerësohet të jetë si një gurthemel i këtij udhëtimi. Pasi ky takim mund të jetë një mundësi për të ngritur shqetësimet e SHBA-së për sulmet kibernetike, agresionin e Moskës kundër Ukrainës dhe një mori çështjesh të tjera.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk presin shumë nga takimi, megjithatë Shtëpia e Bardhë e sheh zgjatjen e traktatit të ri të armëve bërthamore START, si një shembull se “ku mund të bëhet biznes”.

Biden gjithashtu ka nevojë për Kremlinin për të bërë përparim me Iranin, i cili është i afërt me Rusinë.

Lista e tensioneve, megjithatë, është shumë më e gjatë.

Biden fajëson Rusinë për sulmin kibernetik ndaj institucioneve amerikane dhe të paktën strehimin e kriminelëve që qëndrojnë prapa sulmeve kundër tubacionit kryesor të karburantit në SHBA dhe degës amerikane të fabrikës braziliane për përpunimin e mishit – JBS.

Biden gjithashtu do të bëjë presion mbi Putinin në lidhje me situatën në Ukrainë, burgosjen e kundërshtarit të Kremlinit, Alexei Navalny dhe mbështetjen e Alyaksandr Lukashenkas në Bjellorusi.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se gjatë shërbimit me dekada në Senat dhe tetë vjet si nënpresident i SHBA-së, presidenti Biden ka “bërë detyrat e shtëpisë”.

Continue Reading

Lajmet

Orav: Sulmet ndaj gjykatësve dhe ndërhyrja politike në gjyqësor, të papranueshme

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë të mërkurën se ndërhyrja politike në gjyqësor është e papranueshme, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës e kritikoi një vendim të Gjykatës Supreme në lidhje me një udhëzim administrativ për pajisjet fiskale.

Në një shkrim në X, Orav tha se shefat e misioneve të BE-së në Kosovë kanë biseduar për gjendjen pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Sulmet kundër gjykatësve individualë dhe ndërhyrja politike në gjyqësor janë të papranueshme”, shkroi ai.

Të martën, Supremja e shpalli të paligjshëm dhe e shfuqizoi një udhëzim administrativ të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se një ministër i certifikuar si deputet nuk mund të ushtrojë funksione ekzekutive.

Pak orë më vonë, Qeveri në detyrë e cilësoi si “të pabazuar në ligj” dhe “arbitrar” vendimin e Supremes për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë.

Edhe ministri në detyrë, Murati, e kundërshtoi këtë vendim në një status në llogarinë e vet në Facebook të martën, duke e cilësuar si “absurd” dhe duke i kritikuar ashpër me emër gjyqtarët e Supremes.

Udhëzim administrativ ishte publikuar në gazetën zyrtare më 16 prill, një ditë pasi ishte nënshkruar nga ministri në detyrë, i cili është gjithashtu i betuar si deputet i legjislaturës së re pas zgjedhjeve të shkurtit.

Në lidhje me vendimin e Supremes se një ministër në detyrë nuk mund të nxjerrë akte nënligjore dhe udhëzime administrative pasi të jetë bërë deputet i Kuvendit, Qeveria në detyrë tha se Gjykata Kushtetuese e “lejon një gjë të tillë”, pasi Kuvendi nuk është konstituuar ende pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Supremja iu përgjigj Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar reagimin e saj si tendencioz dhe ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se gjykata e “qartësoi përfundimisht” se ministrat, tashmë me mandat si deputetë, nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë funksione ekzekutive pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ-ja i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të shkurtit më 27 mars.

Ligji për Qeverinë saktëson se një qeveri në detyrë nuk mund të tejkalojë autorizimet e saj të kufizuara dhe ndalon qartë ndërmarrjen e vendimeve madhore./REL

Continue Reading

Lajmet

Komisarja për Zgjerim e BE-së: Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë përparojnë me një ritëm të paparë

Published

on

By

Komisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se negociatat e anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paparë, transmeton Anadolu.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, komisarja Kos tha se negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë për në BE përparojnë më shpejt se kurrë.

Negociatat e anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së po përparojnë me një ritëm të paparë, siç dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura tashmë në muajt e fundit dhe të tjera që do të vijnë“, tha Kos në videon që ajo shpërndau në postimin e saj.

Duke theksuar se Shqipëria është angazhuar seriozisht në çështjen e zgjerimit, ndërsa BE-ja i përmbush detyrat duke respektuar qasjen e bazuar në meritë, Kos theksoi se vazhdojnë të ruajnë një fokus shumë të fortë në reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Shqipëria pritet të konsolidojë më tej progresin shumë të mirë në këtë fushë. Progresi i shpejtë në negociatat e anëtarësimit është një sinjal i qartë se ne qëndrojmë pranë Shqipërisë dhe jemi vërtet të përkushtuar për të shënuar një rrugë të qartë për anëtarësimin në BE. Zgjerimi është një projekt i të gjithë shoqërisë dhe do të nevojitet një mbështetje e plotë e të gjithë shoqërisë shqiptare për të arritur qëllimin ambicioz, por realist të Shqipërisë për të mbyllur të gjitha kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027“, vlerësoi Kos.

Së fundmi, Parlamentit Evropian miratoi rezolutën mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023-2024.

Raporti i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder u miratua me 502 vota pro, 120 kundër dhe 64 abstenime.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe aktualisht ka hapur disa kapituj në negociatat për anëtarësim.

Continue Reading

Lajmet

Policia jep detaje për vdekjen e personit të rënë nga lartësia nga hoteli “Grand”

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person ka humbur jetën pasi ka rënë nga lartësia e hotelit “Grand” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, bëri të ditur se rreth orës 11:30 është raportuar se në rrugën ”Garibaldi” në Prishtinë, një person ka rënë nga lartësia e një objekti .

Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilë kanë konstatuar se, viktima mashukull rreth 25 vjeç, është pa shenja jete. Aktualisht policia po punon për zbardhjen e rrethanave që karakterizojnë rastin”, tha Borovci.

Continue Reading

Lajmet

Përfundon bastisja në arkivën shtetërore dhe institucionin kadastral, arrestohen disa persona

Published

on

By

Ka përfunduar bastisja në institucionin e arkivës shtetërore dhe institucionin kadastral.

Pas përfundimit të këtij aksioni, janë arrestuar edhe katër persona.

Aksioni i Policisë së Kosovës u krye në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës nën dyshimin e keqpërdorimeve e pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institutcionin e arkivës shtetërore dhe institutcionin kadastral te Republikës së Kosovës për veprën penale “ Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ju mbajë të informuar“, thuhet në përgjigjjen e zyrtares nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Kaltrina Shala.

Continue Reading

Të kërkuara