Nicole Scherzinger përmbylli me emocion të thellë rrugëtimin e saj si Norma Desmond në hit-muzikën Sunset Boulevard në Broadway, me një performancë të fundit që la audiencën pa frymë.
47-vjeçarja u ngjit për herë të fundit në skenë të dielën në mbrëmje, duke rrëmbyer zemrat e publikut me interpretim që u përmbyll me lot e ovacione të gjata. Nicole u shfaq me gjak teatral që i rridhte në qafë, simbol i dramës dhe intensitetit që mbarti ky rol për të.
Pas gati dy vitesh me personazhin e Normës, ajo e përshëndeti publikun dhe kastin me një mesazh prekës: “Sot, dielli perëndon në Sunset Blvd për herë të fundit… Norma më ka ndryshuar përgjithmonë”.

Në një postim në Instagram, Nicole rrëfeu se roli ishte për të më shumë se vetëm një shfaqje, ai përfaqësonte të gjithë ata që ndihen të vetmuar, të harruar apo të flakur tej nga bota, dhe një himn për ëndërrimtarët dhe luftëtarët që nuk dorëzohen. Fjalët e saj ngjallën emocione të mëdha te ndjekësit, që e vërshuan me komente mirënjohjeje dhe admirim për rolin e saj të paharrueshëm.
Roli i Normës, i luajtur më parë nga legjenda Glenn Close, e cila e cilësoi interpretimin e Nicole si akt “trimërie mahnitëse”, i solli Scherzinger-it edhe një çmim Tony për interpretimin më të mirë në një musical. Me një kast të talentuar dhe regji nga Jamie Lloyd, produksioni në Teatrin St.
James u shndërrua në një nga sukseset më të mëdha të sezonit në Broadway. Pas suksesit në Londër dhe New York, Nicole largohet nga skena me duartrokitje dhe respekt të jashtëzakonshëm, duke lënë pas një trashëgimi artistike të fuqishme.
Fansat e saj thonë se ajo “i dha Normës skenën që meriton për një brez të ri”, një rol i madh që, në duart e Nicole, mori jetë të re dhe u bë i pavdekshëm.