A.C.Milan lojën e fundit të sezonit në Serie A e zhvilloi kundër ekipit të Atalantas në transfertë. Tre pikët e kësaj ndeshjeje kryesore ishin vendimtare për ekipin “Rossoneri” që siguroi një vend në garën më të fortë të klubeve evropiane.
Kuqezinjtë fituan me rezultat 2-0, nga një dy golësh i mesfushorit nga Bregu i Fildishtë, Frank Kessie, i cili realizoi dy herë nga penalltia. Kjo fitore e pozicionoi gjigandin italian në vendin e dytë me gjithsej 79 pikë (pozicioni më i lartë që nga viti 2013). Dy vendet e fundit për hyrjen në Ligën e Kampionëve i siguruan Atalanta dhe Juventusi, ndërsa Napoli u ndal pas barazimit 1-1 me Veronën duke humbur shancin për kualifikimin në Champions.
Historia e A.C.Milan në Ligën e Kampionëve përgjatë viteve
A.C.Milan është klubi i dytë me më së shumti tituj kampioni të fituar në Evropë me gjithsej shtatë kupa të ngritura. Për herë të fundit kuqezinjtë kishin ngritur titullin prestigjioz në vitin 2007 pas fitores 2-1 ndaj Liverpool FC në Athinë. Përgjatë viteve ata kanë pasur ulje dhe ngritje në formulimin e ekipit. Menaxhimi i dobët i klubit shkaktoi humbje të mëdha parash si dhe mungesën e rivalitetit për të sfiduar zonat Champions si dhe klubet e tjera.
Gjashtë herët e tjera klubi ka fituar Ligën e Kampionëve në vitet 1963, 1969, 1989, 1990, 1994, 2003.
Lojtarët e Milanit festojnë titullin kampion të fituar në vitin 2007
Cilat janë objektivat e klubit për sezonin e ardhshëm?
Milan do të synojë të luftojë për titullin në Serie A në sezonin 2021-2022. Kuqezinjtë kanë ekipin e tyre më të mirë ndër vite me shumë lojtarë të rinj të cilët janë të vendosur për të shkruar histori.
Trajneri Stefano Pioli ka bërë të qartë se ekipi është gati të përballet me çdokënd, si dhe të tentojë të arrijë fazat eliminatore në Champions. Ai ka bërë të ditur se lojtarët kryesorë nuk janë në shitje, ndërkaq ka mirëpritur mundësinë për blerje të reja.
Milan tani po kalon momentet më të mira prej kohës kur së fundi fitoi titullin kampion në Serie A në vitin 2011. Ata sërish duken një ekip i frikshëm, që askush nuk do të dëshironte të përballej./UBTNews
(Arbnora Pllana, Florinda Kelmendi, Ulis Hamiti, studentë të vitit të parë në Media dhe Komunikim në UBT)
FIFA e ka aprovuar rritjen prej 50% të fondit të shpërblimeve për Kupën e Botës, dhe sipas kësaj rritje, fituesi do t’i merrte plot 50 milionë dollarë, derisa nënkampioni 33 milionë dollarë.
Kurse, ata që dështojnë të kualifikohen tutje nga faza grupore, do t’i marrin 9 milionë dollarë.
Derisa, kostoja shtesë për përgatitje shkon deri në 1.5 milion dollarë. Pra, nga kjo përllogaritje, del se një kombëtare që arrijnë të kualifikohet i ka të garantuara 10.5 milionë dollarë.
Në këtë rast, nëse edhe Kosova e arrijnë këtë sukses historik pas ndeshjeve të playoff-it do t’i marrë të paktën kaq para.
Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të shtëpisë më të madhe të futbollit, 727 milionë dollarë, do të shpërndahen mes federatave anëtare si rezultat i Botërorit 2026.
Nga kjo shumë, 655 milionë dollarë do të ndahen si shpërblime direkte për kombëtaret pjesëmarrëse.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u shpreh se Botërori 2026 do të jetë revolucionar për kontributin financiar ndaj futbollit global.
FIFA pret të arkëtojë 13 miliardë dollarë gjatë ciklit 2022–2026, pothuajse dyfish më shumë se cikli paraprak, rritje që lidhet kryesisht me zgjerimin e Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve.
Kampionati i ardhshëm botëror zhvillohen në tri shtete, ShBA, Kanada dhe Meksikë, nga 11 qershori i 2026-tës e deri më 19 korrik./S.K/EO/
Paris Saint-Germain është shpallur fitues i Kupës Ndërkontinentale, duke mposhtur Flamengon në finale pas një serie dramatike penalltish, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet nuk dhanë fitues.
PSG e nisi ndeshjen me ritëm të lartë, duke krijuar disa raste që në minutat e para. Një gol i Fabian Ruiz në minutën e 9-të u anulua pas rishikimit me VAR, pasi topi kishte dalë jashtë fushës gjatë aksionit.
Goli i parë i ligjshëm erdhi në minutën e 38-të, kur Khvicha Kvaratskhelia përfitoi nga një pasim perfekt dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë PSG-së 1-0. Pjesa e parë u karakterizua nga ndërhyrje të forta dhe kartonë të verdhë për të dyja skuadrat.
Në pjesën e dytë, Flamengo reagoi dhe shtoi presionin. Momenti kyç erdhi në minutën e 60-të, kur pas një faulli në zonë, gjyqtari Ismail Elfath u thirr nga VAR dhe akordoi një penallti për brazilianët.
Në serinë e penalltive, më të saktë dolën lojtarët e PSG, duke fituar 2-1 dhe duke ngritur trofeun e Kupës Ndërkontinentale për klubin francez.
Ky triumf vjen pas një ndeshjeje të balancuar dhe dramatike, që dëshmoi fuqinë dhe qetësinë e lojtarëve të PSG-së në momentet vendimtare. /S.K/EO/
Trajneri Xabi Alonso bëri disa ndryshime në formacion, duke pushuar disa nga emrat kryesorë, por duke ruajtur mundësinë që ata të hyjnë nga stoli nëse situata nuk shkon sipas planit.
Formacionet:
Në portë, Andriy Lunin merr vendin e Thibaut Courtois, si zakonisht për ndeshjet e kupës. Në mbrojtje, debuton David Jiménez, lojtarë i akademisë së klubit, ndërsa Dean Huijsen luan në qendër të mbrojtjes pranë Álvaro Carreras. Fran Garcia starton në krahun e majtë, ndërsa Raul Asencio mungon për shkak të etheve.
Në mesfushë, Jude Bellingham dhe Aurélien Tchouaméni qëndrojnë në stol, duke dhënë hapësirë për Franco Mastantuono, Dani Ceballos dhe Arda Guler. Mastantuono fillon për herë të parë pas një periudhe dëmtimi.
Në sulm, Gonzalo Garcia, Endrick dhe Kylian Mbappe janë startues, me francezin që surprizon si titullar.Formacioni i Real Madrid:
Portier: 13. Lunin
Mbrojtës: 35. D. Jimenez, 24. Huijsen, 18. A. Carreras, 20. F. Garcia
Mesfushorë: 19. Ceballos, 15. Guler, 30. Mastantuono
Sulm: 16. Garcia, 10. Mbappe, 9. Endrick
Me disa nga yjet në bank rezervë dhe të rinjtë që marrin hapësirë, Real Madrid synon të sigurojë një fitore të qetë dhe të vazhdojë rrugëtimin në Copa del Rey. /S.K/EO/
Pas kritikave të ashpra ndaj çmimeve të larta të biletave të shpallura përpara Kupës së Botës 2026, FIFA ka vendosur të bëjë ndryshime në kategoritë e biletave.
Pas reagimeve të grupeve të tifozëve që i cilësuan si biletat më të shtrenjta në historinë e Kupës së Botës, u mor vendimi për të futur në shitje një opsion më të përballueshëm.
Do të ketë tarifë speciale prej 60 dollarësh për çdo ndeshje.
Sipas njoftimit të FIFA-s, për tifozët e dy ekipeve kombëtare që zbresin në fushë në çdo ndeshje do të ketë bileta me çmim 60 dollarë. Ndërkohë, në kategoritë e tjera të biletave dhe në çmimet e tyre nuk është bërë asnjë ndryshim.
FIFA njoftoi se gjatë pesë ditëve të para të procesit të shitjes së biletave janë marrë 20 milionë aplikime. Gjithashtu u bë e ditur se tifozët që kanë aplikuar për kategorinë standarde të biletave do t’i mësojnë rezultatet në muajin shkurt.
Kupa e Botës 2026, e cila do të organizohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, do të zhvillohet në gjithsej 16 stadiume./S.K/EO/