Lajmet
Klimë e rënduar e të bërit gazetari në Kosovë
Published
5 years agoon
By
Betim GashiKlima e të bërit gazetari në Kosovë është duke u rënduar dhe këtë e tregon edhe rritja e rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, thotë Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Muhamet Jahiri, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, shpreh mendimin se që nga muajt e parë të vitit 2020 e deri më tash, është shënuar periudha më e vështirë në dy dekadat e fundit për mediat dhe gazetarët.
Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias, e cila shënohet më 3 maj, e gjen Kosovën me liri të përkeqësuar të medias, kryesisht për shkak të pandemisë COVID-19, vështirësive financiare dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve që mbesin të pandëshkuara, vlerëson Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias. Për më shumë, sipas saj, në përkeqësimin e gjendjes ka ndikuar qasja e fillestare dhe e gabuar e pushtetit ndaj medias. Shembull për këtë, siç thotë ajo, është edhe incidenti me portalin online Insajderi, që sipas saj, eskaloi deri në masën e ndërhyrjes flagrante të policisë dhe prokurorisë përballë të drejtës së gazetarëve për të mbrojtur burimet.
Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit, të publikuar më 20 prill, Kosova u radhit në vendin e 78-të, përkatësisht tetë pozita më keq se vitin paraprak.Reklamë
Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për të drejtat e njeriut në botë, për vitin 2020, kur bëhet fjalë për Kosovën, në pjesën ku flitet për lirinë e shprehjes dhe për mediat, është thënë që ekzistojnë raporte të besueshme se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, janë përpjekur t’i frikësojnë përfaqësuesit e medias.
Sistemi i drejtësisë “dekurajon gazetarët”
Gentiana Begolli, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), thotë që gjatë tre vjetëve të fundit, është shënuar rritje të rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve. Sipas saj, në vitin 2018 janë shënuar 17 raste për të cilat AGK-ja ka reaguar, në vitin 2019 janë shënuar 21 raste, ndërkaq në vitin 2020, janë shënuar 24 raste. Që nga fillimi i vitit 2021 e deri më tash, AGK-ja ka reaguar në gjashtë raste, që janë sulme fizike, përdorim i gjuhës linçuese dhe seksiste, kërcënime dhe pengime në detyrë të gazetarëve.
Siç thotë Begolli, ekziston një marrëveshje me institucionet e drejtësisë që rastet e gazetarëve të trajtohen me prioritet, por kjo nuk ka ndodhur.
“Të gjithë kolegët tanë që janë të sulmuar, kanë shqetësime e tyre për sa i përket prolongimit të rasteve në sistemin e drejtësisë. Kjo, realisht është duke i dekurajuar çdo ditë e më shumë rastet në organet përkatëse, marrë parasysh që sa më i fortë të jetë sulmuesi, aq më shumë prolongohet rasti. Andaj, të gjitha këto të dhëna që janë raportuar së fundmi në raportet ndërkombëtare, tregojnë realitetin e sotëm në Kosovë dhe që klima e të bërit gazetari, çdo ditë e më shumë është duke u rënduar në vendin tonë”, theksoi Begolli.
Përkeqësimi i klimës për të bërë gazetari, sipas Muhamet Jahirit, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka disa arsye. Siç thotë ai, ndër shkaqet kryesore është skena e armiqësuar politike, e cila ka reflektuar mbi mediat dhe ato shumë herë janë cenuar, kërcënuar, si dhe janë sulmuar fizikisht gazetarët. Për më shumë, sipas tij, gjendja e vështirë ekonomike nëpër të cilën po kalojnë mediat, është një nga shkaktarët që e ka vështirësuar punën e tyre, si dhe situata me pandeminë e cila edhe më shumë ka rënduar këtë gjendje.
“Është shfrytëzuar situata e pandemisë për të rritur presionin mbi mediat dhe për t’i drejtuar ato t’i nënshtrohen grupeve të ndryshme politike apo grupeve të interesit. Një gjë e tillë është reflektuar edhe në raportin e Reporterëve pa Kufij, ku Kosova ka humbur tetë vende në renditjen e përgjithshme. Për këto tetë vende të humbura do të duhet një kohë e gjatë të rikuperohen, sepse gjendja po vjen duke u keqësuar dhe realisht, sot në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, kemi një gjendje të vështirë të gazetarëve dhe të mediave në përgjithësi”, theksoi Jahiri.
Probleme të reja, por edhe sistematike
Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në Kosovë ka probleme sistematike, por edhe probleme të reja që kanë nisur së fundmi.
“Ta zëmë, siç është ky abuzimi online që po ndodh, sidomos kundër gazetareve gra, por edhe në përgjithësi ndaj gazetarëve. Por, kemi edhe probleme sistematike që janë duke u thelluar, siç janë: gjendja financiare e mediave dhe problemi i kualitetit të përmbajtjes. Besoj që problemi kryesor te ne është mungesa e vetqëndrueshmërisë financiare, për të cilën ende nuk po munden mediat të gjejnë zgjidhje – përgjegjësi këtu ka edhe shteti – dhe pastaj, prej asaj rrjedhin plot probleme të tjera, si vetcensura, kualiteti i dobët i raportimeve dhe të tjera”, vlerësoi Kusari.
Ajo shtoi se sfidë shumë e madhe mbetet çështja e sulmeve fizike ndaj gazetarëve dhe mungesa e rezultateve në hetimin e atyre sulmeve.
Begolli: Të gjenden modalitete për të ndryshuar gjendjen
Adresimi i problemeve me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe mediat në përgjithësi në Kosovë, siç thotë Gentiana Begolli nga AGK-ja, është shtruar në mjaft konferenca vendore dhe ndërkombëtare. Sipas saj, janë kërkuar edhe modalitetet se si të gjenden zgjidhjet, por sipas Begollit, është mjaft problematike të ndërhyhet në zgjedhjet që kanë bërë mediat e caktuara për sa i përket financimit të tyre. Në disa raste, media të caktuara, sipas saj, nuk e shohin si shumë të rëndësishme interesin e publikut, në krahasim me interesimin e publikut.
Jahiri: Të mos tolerohet presioni i politikës
Për përmirësimin e klimës së të bërit gazetari në Kosovë dhe në përgjithësi përmirësimit të lirisë së mediave, Muhamet Jahiri vlerëson që mediat duhet të bëjnë presion mbi politikën dhe institucionet, që t’i lënë të lira mediat dhe jo, siç thotë ai, që politikanët e ndryshëm të luajnë rolin e redaktorëve të lajmeve dhe informacioneve dhe t’iu bëjnë presion gazetarëve apo mediave se si duhet të raportojnë.
“Do të duhej të ishte e patolerueshme nga ana e mediave, sepse në qoftë se tolerohet një gjë e tillë prej politikës dhe pushtetit, kjo do të ndikonte që ato gradualisht ta humbin edhe lirinë e tyre të plotë, por në të njëjtën kohë edhe të humbin edhe kontributin e tyre në promovimin e vlerave dhe të demokracisë së vendit”, theksoi Jahiri.
Kusari: Një strategji kombëtare për mbrojtjen e mediave dhe gazetarëve
Flutura Kusari shpreh mendimin se qeveritarët e vendit, duke nisur nga kryeministri, por edhe njerëzit tjerë që mbajnë pushtetin qoftë në kuvend, qoftë në institucione tjera, duhet të nisin menjëherë hartimin e strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit për mbrojtjen e gazetarëve.
“Ajo duhet të bazohet në dy shtylla. Pra, në sigurinë e gazetarëve dhe reduktimin e abuzimeve që ndodhin online. Në qoftë se një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë kjo do të ishte një indikator shumë i mirë nga ana e pushtetit të ri, se janë të interesuar që, së pari, të mos përkeqësohet gjendja e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave dhe së dyti, të tregojnë që janë të interesuar ta përmirësojnë atë”, theksoi Kusari.
Ajo shtoi se në rast se Qeveria aktuale e Kosovës do të vazhdojë që të mos bëjë asgjë për ta përmirësuar gjendjen lidhur me lirinë e mediave, Kosova do të përfundojë në listën e vendeve ku të bërit gazetari lirshëm është bërë gati se e pamundur.
Gjatë vitit 2020, sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, në këtë institucion janë paraqitur 35 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Aktakuzat janë ngritur në pesë raste. Sipas kësaj zyreje, në 14 raste nuk kanë filluar fare procedurat penale, për shkak se gazetarët nuk i kanë paraqitur rastet në polici apo në prokurori ose thjesht, prokurori nuk ka gjetur elemente të veprës penale. Ndërsa, për 17 raste të tjera, procedurat janë në verifikim të informacioneve.
Nga të gjitha këto raste, vetëm në një rast gjykata ka marrë vendimin e formës së prerë.
You may like
Lajmet
Vrasja e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj R.M
Published
3 minutes agoon
December 18, 2025By
UBTnews
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në Burim të Komunës së Malishevës më 31 mars 1999.
Në komunikatë për media PSRK ka njoftuar se veprën penale R.M e kishte kryere në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe.
“Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në komunikatën për media.
I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Lajmet
Hamza për heqjen e masave të BE-së: Vendim i drejtë, qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie
Published
25 minutes agoon
December 18, 2025By
UBTnews
Kryetari i PDK-së, njëherit kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Bedri Hamza e quan lajm të mirë heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie.
“Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie. I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, ka shkruar Hamza.
Lajmet
Meloni: Pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të shtyhet
Published
26 minutes agoon
December 18, 2025By
UBTnews
Shqipëria dhe Mali i Zi kanë mundësi konkrete për anëtarësimin në BE në një të ardhme shumë të afërt, deklaroi sot kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
“Italia është plotësisht e përkushtuar për të siguruar që Këshilli Europian i nesërm të dërgojë një mesazh të fortë politik mbi zgjerimin, për të dërguar një sinjal uniteti dhe besueshmërie kolektive. Anasjelltas, pa përparim në udhëtimin e partnerëve tanë drejt pranimit në BE, ne rrezikojmë t’ua dorëzojmë ata rivalëve tanë sistemikë, duke destabilizuar përgjithmonë fqinjësinë tonë dhe duke e lënë BE-në të parëndësishme”, theksoi kryeministrja Meloni në fjalimin e saj para Dhomës së Deputetëve përpara Këshillit të BE-së.
“Në veçanti, ne nuk mund të përballojmë vonesën e mëtejshme të pranimit të Ballkanit Perëndimor, i cili tashmë është pjesë e familjes europiane dhe është themelor për autonominë tonë strategjike”, shtoi ajo.
“Do ta përsëris këtë përsëri sonte në samitin BE-Ballkan, ku do të mbërrij menjëherë pas përfundimit të debatit në Dhomën e Deputetëve. Rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Mali i Zi gjatë vitit të kaluar janë me të vërtetë shumë inkurajuese dhe tregojnë se të dy vendet kanë një shans të vërtetë për pranim në një të ardhme shumë të afërt”, theksoi ajo./ANSA/ATSH
Lajmet
NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026
Published
1 hour agoon
December 18, 2025By
UBT News
Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.
Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.
Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, shkruan Anadollu Agency.
Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.
Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere./S.K/EO/
Vrasja e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj R.M
Hamza për heqjen e masave të BE-së: Vendim i drejtë, qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie
Meloni: Pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të shtyhet
NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026
50 vjet nga themelimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës
Sot shënohet dita ndërkombëtare e emigrantëve
Hakohet Ministria e Brendshme e Francës
Ursula von der Leyen: Në fillim të vitit të ardhshëm lëshojmë 205 milionë euro për Kosovën
PSG fiton Kupën Ndërkontinentale 2025, Safonov pret katër penallti
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
