Lajmet

​Rreth 4 mijë e 300 kosovarë janë vaksinuar me AstraZeneca, deri më tani asnjë problem

Published

on

Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” po vazhdon shpërndarja e vaksinës për personelin shëndetësor. Aty aktualisht janë duke u vaksinuar stafi mjekësor i sektorit privat dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga fillimi i vaksinimit e deri më sot janë vaksinuar rreth 4 mijë e 300 persona, ndërsa vetëm në mesditë në këtë qendër me AstraZeneca janë imunizuar 95 mjekë dhe infermierë.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi deklaroi se ky proces i imunizimit në Kosovë po vazhdon të shkojë pa ndonjë telashe. Ai thotë se sot do të vendoset se kur do të nisë vaksinimi i të moshuarve.

“Çdo gjë deri më tani ka shkuar si më së miri, pa pasur ndonjë të veçantë që duhet të diskutohet. Aktualisht deri më tash sot janë të vaksinuar 95 persona në qendrën ‘1 Tetori’, por duke mos pasur numrin e gjeneruar nga regjionet dhe që presim në çdo moment të na përcjellin të dhënat e sakta. Por nëse i referohemi numrit total të të vaksinuarve kemi rreth 4 mijë e 300 persona të vaksinuar deri në këto çaste që po flasim. Ne jemi duke vazhduar vaksinimin e personelit shëndetësor privat dhe atyre të FSK-së që kanë mbetur dje pa u vaksinuar. Sa i përket çështjes së vaksinimit të të moshuarve, prapë ngelet që mbi bazën e rekomandimit që do të dalë sot do të jeni të informuar se si veprohet tutje qoftë me të moshuarit apo profesionistët shëndetësorë”, theksoi Bardhi.

Me qëllim që të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi moshën 80-vjeçe dhe ata me sëmundje kronike, Bardhi tha se do të angazhojnë edhe ekip mobile për vaksinim.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë thekson se nuk janë ballafaquar me fluks për vaksinim, por që kanë kapacitet që brenda ditës t’i imunizojnë deri në 1 mijë persona.

“Ne jemi të përgatitur për të vaksinuar nga 750 e tutje persona dhe me komoditet mund t’i kryejmë deri 1 mijë raste brenda ditës, por siç e keni parë çdo ditë kur keni qenë këtu fluksi nuk ka qenë shumë i madh këtu, prandaj kemi komoditet në këtë pjesë dhe pa asnjë problem do e menaxhojmë”, deklaroi ai.

Meqenëse për vaksinën AstraZeneca tashmë janë ngjallur dilema, Bardhi thotë se ata që janë vaksinuar nuk kanë shpërfaqur asnjë shqetësim.

“Sipas asaj që ne kemi parë gjithmonë tani brenda kësaj salle nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo reagim nga doza e parë dhe marr në tërësi nuk kemi dëgjuar që mund të themi ndonjë rast shumë i veçantë që ka pasur ndonjë shqetësim dhimbje dore apo ndonjë shqetësim tjetër”, tha Bardhi.

Gjatë ditës së sotme dozën e parë të vaksinës antiCOVID e mori edhe mjeku veteran Behxhet Osmani. Ai apelon që askush të mos hezitojë ta marrë vaksinën antiCOVID, pasi që thekson se kjo është mënyra më e mirë për të çrrënjosur virusin.

“Unë jam mjek dhe mjekoj një numër të madh të të sëmurëve me COVID, edhe është apeli im që të gjithë njerëzit që e kanë mundësinë me e marr këtë vaksinë ta marrin mos të hezitojnë fare, sepse e vetmja mënyrë për ta çrrënjosur këtë virus është vaksinimi. Tani për tani nuk kemi ndonjë bari që e shkatërron virusin”, tha ai.

Edhe Ajsha Xhambazi, mjeke pensioniste pasi u vaksinua thotë se fillimisht ka hezituar për shkak të telasheve me alergjinë që ka ndaj një bari, por më pas vendosi të vaksinohet dhe tani po ndihet mirë.

“Tani mirë jam nuk kam problem duhet të pres pak se kam alergji në Cefaklor aktualisht shumë mirë… Pak po por vetëm për shkak të alergjisë përndryshe çdo kush duhet ta merr”, theksoi ajo.

Krahas vaksinimit në qendrën e vaksinimit “1 Tetori” në Prishtinë, personeli shëndetësor po vaksinohet edhe nëpër komunat ku veprojnë. Kosova më 28 mars ka pranuar 24 mijë dozat e para të vaksinës AstraZeneca.

Ata që kanë prioritet për vaksinim me këto doza janë stafi mjekësor, të moshuarit mbi moshën 80 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike.

Lajmet

Ndërhyrje në disa zona të kryeqytetit nga ujësjellësi, mund të ketë ndërprerje të ujit

Published

on

By

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë me dije se në disa zona kryesore të kryeqytetit sot do të ketë ndërhyrje nga ekipet e mirëmbajtjes.

Në një njoftim thuhet se ekipet do të intervenojnë në rrugët: “Igballe Prishtina”, “Rruga e Mitrovicës”, “Selim Berisha”, “Xhon Sereqi”, “Ismajl Ismajli”, “Sadete Mekuli”, “Agim Ramadani”, dhe “Bill Klinton”.

Gjatë zhvillimit të punimeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë” , njofton KRU “Prishtina”.

Continue Reading

Lajmet

Edi Rama niset për në Hagë për ta takuar Hashim Thaçin

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas sa kohësh do ta takojë ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në Hagë. Tashmë ai ka marrë edhe rrugën drejtë  Hagës, e ku thekson se Thaçi bashkë me bashkëluftëtarët e tij po mbahet peng në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare, duke e quajt edhe turp të madh të të gjithë atyre që sponsorizojnë këtë gjykim.

Rama teksa ka kritikuar gjykimin që po bën Specialja, ka uruar që Thaçi bashkë me të tjerët vitin e ardhshëm të lirohen dhe se ata nuk bën asgjë më shumë përveçse mbrojtën lirinë dhe dinjitetin njerëzor.

Jam rrugës për në Hagë ku do të takojë pas disa kohesh nga takimi i mëparshëm, komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin e Republikës së Kosovës i cili u mor nga zyra e tij dhe mbahet peng tanimë vitesh në një qeli të drejtësisë ndërkombëtare për turpin e madh të gjithë atyre që e sponsorizojnë të lloj drejtësie ku shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor, në fakt është e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë ku ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratisht nga populli së bashku me te bashkëluftëtarë që kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmen Republikën e Kosovës mbahen të mbyllur, të izoluar dhe tani që ka mbaruar ekspozeja e pseudo provave të akuzës dhe që ka mbaruar edhe parada e dëshmitarëve qesharak të sjellë në sallën e drejtësisë ndërkombëtare me akuza si dhe kanë mbaruar dëshmitë tejet serioze të dëshmitarëve të mbrojtjes pritet vendimi.”, tha Rama në një video paraqitje.

Rama madje tha se nuk ka dy apo tre të drejta dhe se të vërtetën nuk e tundë dot askush e as edhe një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare.

Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë nuk e tundë dot askush dhe lere më pastaj një çekiç absurd i një drejtësie ndërkombëtare që në këtë rast ka lënë kokën e namit. Dua shumë të besoj që në fund e drejta do të fitojë e këtu nuk ka dy apo tre të drejta. Këtu ka vetëm një të drejtë dhe që është e drejta e bekuar përjetësisht mbi gjakun e heronjve, martirëve me dhimbjet e pa tregueshme të nënave. Motrave, grave e vajzave dhe të përdhunuarave e të sakatuarave gjatë një periudhe nga më të zymtat nga vetë Evropa, në zemër të Evropës”, thekson Rama.

Continue Reading

Lajmet

Vrasja e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë ndaj R.M

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale  “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në Burim të Komunës së Malishevës më 31 mars 1999.

Në komunikatë për media PSRK ka njoftuar se veprën penale R.M e kishte kryere në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe.

Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhet në komunikatën për media.

I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të  krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Hamza për heqjen e masave të BE-së: Vendim i drejtë, qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie

Published

on

By

Kryetari i PDK-së, njëherit kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Bedri Hamza e quan lajm të mirë heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie.

Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie. I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, ka shkruar Hamza.

Continue Reading

Të kërkuara