Lajmet

​Rreth 680 profesionistë shëndetësorë vaksinohen në sallën “1 Tetori”

Published

on

Sot është dita e tretë që në qendrën kryesore të vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë po vazhdon vaksinimi me dozën e parë AstraZeneca të profesionistëve shëndetësorë.

Për dallim nga ditët tjera kur në këtë qendër u vaksinuan kujdesi parësor shëndetësor, tashmë në hyrje të kësaj salle është vendosur një njoftim me orarin për stafin mjekësor të klinikave të Qendrës Klinike Universitare.

Që nga dita e martë kur edhe zyrtarisht nisi vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve të Kosovës, në sallën “1 Tetori” janë vaksinuar rreth 679 persona.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit, Niman Bardhi tha se vetëm deri në mesditë janë vaksinuar 58 persona, ndërsa presin që deri në orën 19:30 kur mbyllet qendra të vaksinohen edhe të tjerë. Ai tha se procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, dhe se nuk është raportuar ndonjë shqetësim nga ata që janë vaksinuar.

“Deri më tani nga këta profesionistët shëndetësorë që e kanë pranuar vaksinën kanë qenë gjithsej 679 në total, ndërsa vetëm sot kanë arritur në 58 aktualisht. Nëse nuk gabohem, e keni parë edhe listën që e kemi vendosur te dera jashtë që janë të renditura klinikat që sot do të kryejnë vaksinimin me qëllim që të mos kemi mbipopullim brenda. Por për shkak të orarit të punës që kanë presim ndërkohë që sapo të lirohen nga puna apo të përmbyllin orarin zyrtar të jenë këtu për vaksinat. Deri tani procesi ka shkuar si është më së miri, nuk kemi pasur ndonjë ballafaqim apo problem eventual. Siç kam deklaruar edhe dje, po ashtu edhe sot deri në këtë çast që po flasim, asnjë shqetësim, asnjë ndonjë reaksion i mundshëm për më vonë apo shqetësim deri më tani nuk kemi marrë. Sipas listës që kemi paraparë, jemi diku te 750 për sot, tani sa do të jenë në gjendje të na vijnë jemi në pritje, por ne jemi të përgatitur për 750 persona për klinikat që kemi paraparë”, theksoi Bardhi.

Me vaksinat AstraZeneca është paraparë të bëhet edhe vaksinimi i kategorisë mbi 80-vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, por sipas Bardhit për këtë do të vendoset më vonë.

“Aktualisht, siç e dini, ata veçse kanë filluar aplikimin e tyre në linkun e paraqitur nga ana e jonë, por nga momenti kur bëhet gjenerimi i të dhënave me automatizëm do të na informojnë neve dhe pastaj vetë qendra e thirrjes do të jenë ata që do të bëjnë informata për aplikimin e kësaj vaksine. Kur do të realizohet, mbetet çështje për të cilën do të vendoset pak më vonë”, u shpreh Bardhi.

Mjekët e infermierët që tashmë e kanë marrë vaksinën po apelojnë te të gjithë që të vaksinohen.

Mirishahe Rexhepi vetëm 15 minuta nga momenti që u vaksinua, tha se po ndihet mirë që tashmë e mori vaksinën. Rexhepi e cila është infermiere e pensionuar apelon që posa të krijohen mundësitë vaksinën, ta marrin të gjithë qytetarët e Kosovës pasi kjo është mbrojtja më e sigurt ndaj COVID-19.

“Që 15 minuta shumë mirë, do t’iu preferoja të gjithëve ta marrin. Sezonale e kam marrë gjithmonë. E kam marrë pa kurrfarë dileme. Gjithsesi të vaksinohen, sepse kjo është mbrojtja e sigurt”, tha ajo.

Sot dozën e parë të vaksinës AstraZeneca e mori edhe Turkane Sylejmani, mami në Klinikën Gjinekologjike, e cila pati lëvdata për organizimin e shpërndarjes së vaksinës. Ajo kërkoi që sa më parë të nisë vaksinimi masiv me qëllim të krijimit të imunizimit kolektiv.

“E morëm vaksinën që 15 minuta. Për besë, nuk kam hezituar se e di që duhet marrë ku është një e mirë që t’i jepet të gjithë popullatës dhe me u kalua kjo situatë. Iu kisha rekomanduar me marr të gjithë qytetarët sa më shpejt e bë një imunizim të popullatës se pa vaksinë nuk hiqet virusi. Procesi më ka pëlqyer shumë, por po më duket është herët, shpresoj të shkoj kështu gjithë, njëherë për njëherë mirë ishte”, tha ajo.

Edhe infermierja Safete Berisha, e cila nuk e ka kaluar COVID-in shprehet e lumtur që i erdhi momenti të vaksinohet.

“Mirë tani sa e mora mirë shumë. Jam e kënaqur që e mora. Mua më është dukur shumë mirë tani sa erdhëm përfundoi si më së mirë. Kam pasur pak dilema, por më mirë. Jo, nuk kam qenë e infektuar as nuk e kam pasur familjen”, tha Berisha.

Kosova dozat e para të vaksinës AstraZeneca i mori më 28 mars si donacion nga COVAX-i. Me këto 24 mijë vaksina është planifikuar të vaksinohen mantel-bardhët si personat mbi moshën 80-vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit për mosdeklarim të pasurisë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë. Konkretisht, ai akuzohet se nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Prokuroria bën të ditur se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600 eurosh.

Rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Continue Reading

Lajmet

30 të dënuar përfundojnë me sukses programet rehabilituese në burgun e Smrekonicës

Published

on

By

Në burgun e Smrekonicës, kanë përfunduar me sukses dy programe rehabilituese për të burgosurit. Programi “Menaxhimi i Zemërimit” është ndjekur nga 20 të burgosur, ndërsa programi “Vendimmarrja Sociale” nga 10 të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se programet janë zbatuar në përputhje me politikat rehabilituese, planprogramin institucional dhe standardet profesionale të trajtimit.

Sipas njoftimi të ShKK-së, fokusi ka qenë zhvillimi i aftësive psikosociale, rritja e vetëkontrollit emocional, përmirësimi i sjelljes ndërpersonale dhe forcimi i aftësisë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme.

Me rastin e përfundimit të programeve është organizuar edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, derisa gjatë eventit u theksua rëndësia e programeve rehabilituese në përmirësimin e sjelljes së të burgosurve dhe në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Continue Reading

Lajmet

Prattipati takon kryetarët e komunave veriore, kërkon qeverisje transparente

Published

on

By

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Përmes një postimim, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë tha se Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Amerikës për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq dhe përfaqësues të shoqërisë civile serbe kosovare në veri të Kosovës. Ajo nënvizoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Me ShBA-në diskutuam për rikthimin e dialogut strategjik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.

Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara