Lajmet
REL: Shëndeti në QKUK pret, pavarësisht investimeve milionëshe
Published
2 months agoon
By
UBTnewsDy ditë në javë, korridoret e Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbushen me dhjetëra pacientë që presin një vendim mjekësor me rëndësi jetike për ta – nëse do t’u kryhet koronarografia apo do t’u vendoset stenti.
Përpara tyre është një komision i përbërë nga mjekë dhe infermierë, i cili shqyrton dokumentacionin mjekësor, analizat dhe, kur është e nevojshme, kërkon ekzaminime shtesë, para se pacientët të përfshihen në listat e pritjes.
Koronarografia shërben për të identifikuar ngushtimet ose bllokimet në arteriet që furnizojnë zemrën me gjak, ndërsa stenti është një tub i vogël metalik që vendoset për të mbajtur arteriet e hapura dhe për të rikthyer qarkullimin normal të gjakut.
Sipas stafit të Klinikës së Kardiologjisë, aktualisht janë rreth 2 mijë pacientë që presin për këto shërbime, përfshirë edhe raste të regjistruara në muajt e parë të vitit 2024.
Një nga arsyet kryesore të këtij grumbullimi, sipas mjekëve dhe infermierëve me të cilët bisedoi REL-i, është mosfunksionimi i disa aparaturave për së paku dy muaj gjatë këtij viti.
Ngarkesën e ka shtuar edhe fluksi i madh i pacientëve nga komunat e Kosovës, përfshirë ato ku më herët janë kryer ekzaminime të tilla, si dhe numri i madh i referimeve nga klinikat e tjera brenda QKUK-së.
Stafi, megjithatë, siguron se rastet urgjente trajtohen menjëherë dhe nuk mbeten në listat e pritjes.
“Kam më shumë se një vit që pres”
R. Shala nga Mitrovica e Jugut ishte më 18 dhjetor në mesin e pacientëve që prisnin në korridoret e Kardiologjisë për një termin për vendosjen e stentit.
“I kam vendosur 12 stenta – njëherë katër, njëherë gjashtë dhe njëherë dy. Katër i kam vendosur në spital privat, të tjerat këtu, në QKUK. Terminin për koronarografi e kam bërë para më shumë se një viti dhe ende nuk më kanë thirrur. Erdha të interesohem, sepse kam probleme dhe nuk jam mirë”, tha Shala për Radion Evropa e Lirë, teksa mbante një grumbull dokumentesh në duar.
Edhe pacientë të tjerë thanë se nuk kishin marrë një datë të saktë për procedurën.
“Jo, nuk më caktuan datë. Vetëm më thanë se do të më thërrasin në telefon”, tha një burrë në të 40-at.
Në Klinikën e Kardiologjisë punojnë rreth 40 kardiologë, prej të cilëve afërsisht 12 janë kardiologë invazivë.
Ata kryejnë ekzaminime për identifikimin e ngushtimeve dhe bllokimeve në arteriet e zemrës, ndërhyrje për hapjen e arterieve të bllokuara, si dhe vendosjen e stentave.
Sipas të dhënave të klinikës, çdo ditë realizohen 10 deri në 13 koronarografi.
Këto procedura kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por janë ndjeshëm më të kushtueshme krahasuar me sektorin publik.
Investime pa efekt në zvogëlimin e listave të pritjes
Gjatë viteve të fundit, në QKUK janë realizuar investime në disa klinika, përmes fondeve qeveritare dhe donacioneve.
Për shembull, në Klinikën e Kardiokirurgjisë, për renovim, shtretër dhe hapësira të reja janë investuar vitin e kaluar 750 mijë euro, ndërsa në Klinikën Emergjente rreth 800 mijë euro.
Janë siguruar edhe aparatura të reja, përfshirë skanerin PET/CT për herë të parë, për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit dhe disa sëmundjeve të tjera.
Në Klinikën e Kardiologjisë, sipas mjekëve, investimet kanë qenë kryesisht infrastrukturore, pa blerje të pajisjeve të reja.
Megjithatë, ata thonë se materialet dhe barnat janë të mjaftueshme dhe se pacientët nuk kanë nevojë t’i sigurojnë vetë.
Pritje të gjata edhe në klinika të tjera
Problemi i listave të pritjes nuk kufizohet vetëm në Kardiologji.
Në Klinikën e Ortopedisë, pavarësisht ndërtimit të një objekti të ri dhe renovimeve, pritja për një protezë gjuri mund të zgjasë mbi tre vjet.
Pacientët, ndërkohë, detyrohen të blejnë shumicën e barnave dhe implanteve.
“Nuk kemi asnjë nga protezat e nevojshme, prandaj kemi numër të madh pacientësh. Aktualisht, ky numër shkon mbi një mijë”, tha një ortoped për REL-in, në kushte anonimiteti.
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, pritja për trajtimin e problemeve me venat tejkalon dy vjet e gjysmë, për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe vendeve për hospitalizim, ndonëse gjatë vitit janë kryer rreth 500 ndërhyrje.
Në maj të këtij viti është përuruar rinovimi i Klinikës së Onkologjisë, ku trajtohen pacientët me lloje të ndryshme të kancerit, por me vetëm 60 shtretër, edhe aty ka shpesh pritje të gjata, ose mjekim të pacientëve në salla të improvizuara.
Në Klinikën e Oftalmologjisë, pritja për ndërhyrje kirurgjikale mund të zgjasë deri në nëntë muaj, varësisht nga lloji i operacionit.
Haki Hoti nga Gjilani, që kreu një operacion për katarakt më 18 dhjetor, i tha REL-it se kishte pritur rreth pesë muaj për këtë intervenim.
Kritika dhe kërkesa për llogaridhënie
Në fillim të këtij muaji, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) kërkoi një raport të detajuar për listat e pritjes.
Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha se tashmë ekzistojnë kushte, aparatura dhe medikamente për trajtimin e rasteve dhe se është caktuar një zyrë e veçantë për përpilimin e këtij raporti.
Për Bujar Vitinë, kryeredaktor i gazetës “Shneta”, që mbulon shëndetësinë në Kosovë, situata mbetet shqetësuese.
“Investimet milionëshe nuk i kanë ulur listat e pritjes. Duhet identifikim i pengesave reale dhe shpërndarje më e mirë e stafit, përfshirë orët shtesë të anesteziologëve”, tha ai për REL-in.
Sipas raportit të Zyrës së Auditorit Kombëtar, vitin e kaluar, QKUK-ja ka qenë e mbingarkuar me rreth 10 mijë pacientë në lista pritjeje, ndërsa pritja mesatare e tyre ka arritur në gati tre vjet.
Auditorët kanë vlerësuar se situatës i ka kontribuar mungesa kritike e personelit mjekësor, sidomos e anesteziologëve, që ka çuar në shtyrjen e operacioneve.
Një problem kronik i sistemit shëndetësor
Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, mbi 100 mjekë largohen nga Kosova çdo vit, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë për listat e pritjes në QKUK, tha se menaxhimi i tyre është në kompetencë të SHSKUK-së.
Ndërkohë, tollovitë në QKUK nuk shkaktohen vetëm nga pacientët, por edhe nga shoqëruesit e tyre, të cilët shpesh, në mungesë të infermierëve, kryejnë edhe punë që nuk u takojnë.
Në disa reparte, mungesa e furnizimeve bazike – si sapunët apo çarçafët – mbetet gjithashtu e dukshme, duke nxjerrë në pah boshllëqe elementare në organizimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve.
E, këto probleme nuk janë të reja. Ato e shoqërojnë sistemin shëndetësor të Kosovës që nga paslufta, pavarësisht investimeve të herëpashershme, ndërrimit të qeverive dhe premtimeve të vazhdueshme për reforma.
Në vlerësimin e shumë profesionistëve të shëndetësisë, kjo nuk buron vetëm nga mungesa e resurseve, por edhe nga menaxhimi joefikas i kapaciteteve ekzistuese dhe planifikimi i dobët i shërbimeve.
You may like
Lajmet
52 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë
Published
7 hours agoon
March 10, 2026By
UBTNews
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.
Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.
Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.
Lajmet
Inspektorati vazhdon mbikëqyrjen intensive të çmimeve të naftës
Published
9 hours agoon
March 10, 2026By
UBTNews
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur një aksion intensiv monitorimi në pikat e shitjes së derivateve.
Ky vendim, i cili u nënshkrua para pak dite nga ministrja Mimoza Kusari Lila, synon mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çrregullimeve në treg përmes rregullimit të përkohshëm të çmimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për ditën e hënë ka qenë 1.44 € për litër naftë dhe 1.17 € për litër benzinë.
Ndërkohë, në tregun vendor, nafta po shitet nga 1.44 € deri në 1.55 €, ndërsa benzina nga 1.26 € deri në 1.31 €. Për të kontrolluar këto diferenca, ministria ka vendosur që marzha maksimale e fitimit të jetë 2 centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjen me pakicë.
Inspektorati, në bashkëpunim me ATK-në dhe Doganën, po analizon me kujdes çmimet e importit përkundrejt atyre që u ekspozohen qytetarëve.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa rigoroze ndaj të gjithë operatorëve që nuk respektojnë marzhën e lejuar apo që dëmtojnë konkurrencën e ndershme, duke siguruar publikun se monitorimi do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë.
Lajmet
Osmani takon ambasadorin britanik: Diskutohet për partneritetin dhe diskursin publik
Published
9 hours agoon
March 10, 2026By
UBTNews
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.
Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme britanike për popullin e Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që forcojnë objektivat e përbashkëta mes dy vendeve.
Një fokus i veçantë gjatë bisedës iu kushtua ruajtjes së mjedisit demokratik dhe rëndësisë së debatit publik të përgjegjshëm.
Osmani dhe Hargreaves theksuan se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është tërësisht e papranueshme, duke bërë thirrje që praktika të tilla të mos kenë vend në diskursin publik në Kosovë.
Lajmet
Suharekë: Katër policë të lënduar gjatë arrestimit të një 45-vjeçari
Published
10 hours agoon
March 10, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Samadrexhë të Suharekës një 45-vjeçar me inicialet B.K., pasi I njejti kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” me shufra metalike dhe tela, duke penguar qarkullimin e banorëve.
Gjatë ndërhyrjes së policisë rreth orës 08:30, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët me thikë dhe u ka bërë rezistencë të dhunshme.
Si pasojë e kësaj përleshjeje, katër policë kanë pësuar lëndime trupore, ndonëse policia sqaroi se lëndimet nuk erdhën nga goditjet me thikë, por gjatë procesit të neutralizimit të sulmuesit.
Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku po priten hapat e mëtejshëm ligjorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.
Libani kërkon bisedime me Izraelin për planin që i jep fund konfliktit me Hezbollahun
52 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë
Inspektorati vazhdon mbikëqyrjen intensive të çmimeve të naftës
Gjykimi i rrjetit të spiunazhit në Portland gjatë Luftës së Ftohtë
Osmani takon ambasadorin britanik: Diskutohet për partneritetin dhe diskursin publik
Suharekë: Katër policë të lënduar gjatë arrestimit të një 45-vjeçari
Pentagoni paralajmëron ditën më intensive të sulmeve
Elldin Uglari gjyqtar në sfidën Bullgari–Azerbajxhani te femrat
Veldin Hoxha zgjedh zemrën, nga Kroacia në fanellën e Kosovës
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
