Lajmet

​Drafti i Raportit të Progresit për Kosovën: Përparim i kufizuar për shkak të ngërçit politik

Published

on

Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.

Kështu thuhet në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Kosovën për vitin 2024, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, transmeton KosovaPress.

BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.

Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.

Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur.

Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese.

Kosova ishte ndëshkuar me masa prej BE-së në verën e vitit 2023, meqë blloku kishte vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kishin bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar trazirat që patën shpërthyer në veriun e banuar me shumicë serbe.

“Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Këto komuna janë udhëhequr nga shqiptarët prej vitit 2022, kur kryetarët serbë dhe serbë tjerë kishin hequr dorë nga institucionet e Kosovës, si shenjë proteste për disa vendime të marra nga Qeveria e Kosovës.

Një raport i publikuar në maj nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në Prishtinë ka nxjerr në pah se masat ndëshkuese të BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro për projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar. Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, ndërsa sektorët më të prekur janë: mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura.

Në draftin e raportit të BE-së është përmendur edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga vetë blloku.

Dyja vendeve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh, të arritur më 2023 dhe aneksin e zbatimit, të arritur po atë vit.

Kosovës i kërkohet të angazhohet në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata që të gjitha komunitetet të kenë qasje në shërbime publike bazike, në përputhje me obligimet e dialogut të nisur qysh më 2011.

Dialogu në nivelin e lartë është zhvilluar për herë të fundit në shtator të vitit 2023, ndërsa në nivel teknik palët janë takuar disa herë, por pa arritur ndonjë marrëveshje.

Kritikat ndaj Serbisë

Në pjesën për Serbinë përmendet se ky vend, ndonëse i ka hapur 22 prej 35 kapitujve në kuadër të negociatave për anëtarësim, ai duhet të marrë më shumë përgjegjësi për komunikim më proaktiv dhe objektiv në procesin e anëtarësimit dhe që duhet ta shmangë retorikën kundër BE-së.

“Polarizimi i shoqërisë serbe është thelluar për shkak të protestave masive që janë organizuar nga studentët dhe qytetarët tjerë prej nëntorit të vitit 2024, duke reflektuar zhgënjimin e qytetarëve lidhur me çështje si korrupsioni dhe perceptimi për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, shoqëruar me raste të përdorimit të tepruar të dhunës kundër protestuesve si dhe presionit ndaj shoqërisë civile”.

Mes tjerash, Serbia është kritikuar për mospërshtatje të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së, andaj i është kërkuar që të përafrohet me bllokun.

“Sigurimi i shpejtë i të drejtave të udhëtimit pa viza në BE për shtetasit e Rusisë duke u dhënë atyre shtetësi serbe, paraqet rreziqe potenciale sigurie për BE-në”, është përmendur gjithashtu në raport.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, dhe vazhdon të kultivojë lidhje të ngrohta me Moskën.

Serbia është kritikuar edhe për tentimet për të zvogëluar pavarësinë e gjyqësorit, çka më pas minon sundimin e ligjit dhe demokracinë, si dhe për kufizimet në liritë e tubimit dhe shprehjes.

Përparimi i shpejtë i Shqipërisë

Bashkimi Evropian përmend se procesi i zgjerimit është duke u zhvilluar me ritmin më të shpejtë në 15 vjetët e fundit, dhe që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare – prej tyre pesë vetëm me Shqipërinë.

Shqipëria përmendet për përparim të madh në reforma, dhe që ky vend ka arritur me shpejtësi të pashembullt që t’i hapë negociatat në pesë grupe kapitujsh.

“Kjo e reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vettigut”, përmendet në draft-raport, pa harruar edhe rezultat e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në rastet kundër korrupsionit, bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe zhvillimin e kapaciteteve për hetime financiare.

Mes tjerash përmendet se Shqipëria tashmë e ka shprehur ambicien për t’i mbyllur të gjitha negociatat për anëtarësim më 2027 dhe që Komisioni Evropian është i përkushtuar në mbështetjen e shteteve në plotësimin e kushteve që janë të domosdoshme për anëtarësim në BE, dhe që procesi bazohet vetëm në parimin e meritave.

Sa u përket vendeve tjera të Ballkanit, në raport përmendet edhe përparimi i dukshëm i Malit të Zi.

Mali i Zi përshkruhet si vendi që ka arritur përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në BE me hapjen e pothuajse të gjithë kapitujve të nevojshëm dhe mbylljen e shtatë prej tyre.

Si Shqipëria, ashtu edhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë lavdëruar për përputhjen e politikës së jashtme me atë të bllokut evropian.

Në pjesën për Maqedoninë e Veriut përmendet se ky shtet ende nuk i ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i përfshirë në Kushtetutë edhe banorët që jetojnë në zonat kufitare dhe e identifikojnë veten me shtetësi tjera, përfshirë atë bullgare.

Sipas draftit të raportit, autoritetet maqedonase kanë vazhduar të punojnë për të shënuar përparim në fushën e sundimit të ligjit, në reformën e administratës publike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e minoriteteve.

“Maqedonia e Veriut duhet t’i intensifikojë përpjekjet për mbështetje të sundimit të ligjit, sidomos për ruajtje të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe të rrisë luftën kundër korrupsionit”.

Në pjesën për Bosnje-Hercegovinën, përmenden tensionet e brendshme gjatë gjithë vitit 2024 për shkak të veprimeve të Republikës Sërpska – entitetit serb – përfshirë miratimin e ligjeve që më pas janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese vendore.

“Vendi duhet të ndërmarrë hapa relevantë për të mbajtur konferencën e parë ndër-qeveritare, duke nisur me miratimin e reformës në drejtësi dhe emërimin e një shefi negociator”.

Sa u përket vendeve tjera që synojnë BE-në, janë lavdëruar përparimet e Moldavisë dhe Ukrainës, megjithëse po përballet me pushtimin rus, ndërsa është kritikuar Gjeorgjia për kthimin e madh mbrapa.

Kritika ka pasur edhe për Turqinë, vend që e ka statusin e vendit kandidat prej vitit 1999.

BE-ja ka vlerësuar se sfidat gjeopolitike në përgjithësi e kanë përforcuar idenë e një Evrope të bashkuar dhe që evropianet duhet të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur vlerat e tyre.

“Kjo mund të arrihet vetëm duke punuar ngushtë me fqinjët tanë për të krijuar një Evropë të fuqishme, stabile, të sigurt dhe të bashkuar, bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike. Në botën e sotme, politika e zgjerimit është mjeti kryesor gjeopolitik që kontribuon në siguri dhe prosperitet të përbashkët”, është thënë mes tjerash në draft-raport.

Në këtë drejtim, në dokument është theksuar se teksa vendet e ardhshme anëtare përgatiten për përgjegjësitë e anëtarësimit, BE-ja duhet të mësohet me një familje më të madhe, dhe të punojë në kryerjen e detyrave të nevojshme.

Kroacia është vendi i fundit që është anëtarësuar në bllokun evropian, më 2013./KP

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara