Lajmet

Asnjë kandidat i Listës Serbe nuk merr votat e mjaftueshme për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës

Published

on

E përditësuar:

11:51 – Nëntë deputetët nga radhët e Listës Serbe kanë dështuar që të marrin më shumë se nëntë vota për tu bërë nënkryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një nga një, në tri tentime për secilin, asnjëri nuk mori votat e mjaftueshme.

I pari që u kandidua ishte nënkryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ndërsa i fundit, Igor Simiq.

Më poshtë sjellim votimin për secilin kandidat veç e veç:

Kandidati tjetër i propozuar nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ishte  deputeti Igor Simiq, i cili nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme në të tri raundet për këtë pozitë.

Ai në raundin e parë mori 9 vota për, 49 kundër dhe 36 abstenime.

As në raundin e dytë, deputeti Simiq, nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Ai në këtë raund mori 9 vota për, 51 vota kundër dhe 37 abstenime.

Simiq edhe në raundin e tretë nuk i morri votat për, ai në këtë raund mori 9 vota për, 51 vota kundër dhe 39 abstenime. Me këtë rast, Simiq është ezauruar si kandidat, dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka kërkuar nga Lista Serbe që të propozojë një kandidat të ri./D.B/EO

11:07 – Kandidatja e radhës e propozuar nga Lista Serbe për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës është deputetja Liliana Stefanović, e cila nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për këtë pozitë. Ajo mori 9 vota për, 51 kundër dhe 41 abstenime./D.B/EO

10:57 – Kandidati i radhës i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, deputeti Zlatan Elek, nuk i mori votat e mjaftueshme për këtë post. Ai mori 9 vota për, 52 kundër dhe 42 abstenime.

Votat s’i mori as në raundin e dytë e të tretë.

Elek që është edhe kryetar i kësaj partie, mori sërish 9 vota për, 53 vota kundër dhe 42 abstenime.

Me këtë rast, Elek është ezauruar si kandidat, dhe kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka kërkuar nga Lista Serbe që të propozojë një kandidat të ri./D.B/EO

10:56 – Sllavko Simiq, nga Lista Serbe, as në raundin e tretë nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave serbe.

Ai edhe në këtë raund mori 9 vota për, 53 vota kundër dhe 41 abstenime. Me këtë rast, Simiq është ezauruar si kandidat, dhe kryetari i Kuvendit ka kërkuar nga Lista Serbe që të propozojë një kandidat të ri./D.B/EO

 Kuvendi i Kosovës po vazhdon sot seancën konstituive të legjislaturës së nëntë.

Deputetët e Kuvendit janë mbledhur nga ora 10:00 në përpjekje për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, transmeton KosovaPress.

Në seancën e sotme konstituive janë të pranishëm 106 deputetë, kurse deputetët e Nismës nuk janë parë në sallë.

Në sallë nuk janë parë as deputetët e AAK përveç, Lahi Brahimaj dhe Time Kadrijaj./D.B/KP

10:07 – Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, i cili, sipas tij, nuk i jep ndonjë të drejtë ekskluzive Listës Serbe për postin e nënkryetarit.

Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese. Ka konstatuar që deputeti apo nënkryetari i pestë duhet të vijë nga deputetë që janë përfaqësues të komunitetit jo shumicë serb. Në asnjë pikë, në asnjë paragraf, në asnjë faqe nuk përmend që kjo e drejtë i jepet Listës Serbe. Mund të jetë njëri nga 10 deputetët serbë. Ka konstatuar që edhe mekanizmat debllokues, siç është rasti i tre tentativave për një kandidat, vlejnë edhe për nënkryetarin, si dhe mekanizmi tjetër debllokues ka konstatuar që është në rregull, që është zgjedhje përmes shortit,” ka thënë Murati./D.B/EO

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se kjo parti nuk do të votojë për asnjë kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga pakicat serbe.

Sipas saj, situatën duhet ta zhbllokojnë “ata që e kanë bllokuar”.

Nuk do të votojmë asnjë, thashë ata që e kanë bllokuar këtë situatë le ta zhbllokojnë. Ne kemi dashur t’i japim epilog, kemi ardhur deri këtu. Asnjëherë zgjedhja e nënkryetarëve nuk është politizuar në këtë formë”, ka deklaruar Kadrijaj./D.B/EO

10:02 – Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, ka deklaruar se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është qartësuar se askush nuk ka të drejtë vetoje në konstituimin e Kuvendit.

Ai tha se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe se Vetëvendosje nuk ka votuar asnjëherë për kandidatët e Listës Serbe. Konjufca shtoi se Dimal Basha, i zgjedhur kryetar i Kuvendit, ka legjitimitet dhe do ta udhëheqë mirë institucionin.

Pas këtij aktgjykimi të plotë të Gjykatës Kushtetuese u bë e qartë se nuk ka kurrfarë te drejte te vetos të askujt në konstituimin e Kuvendit ky është përfundimi i parë i rëndësishëm. I dyti i rëndësishëm është që të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm të votojnë. Dhe i treti është që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kurrëfarë vote për Listën Serbe asnjë të propozuarit. Kështu di të zhvillohet seanca mendoj që deputet marrin pjesë prej gjitha partive politike. Kur do të dështojnë të gjitha opinionet atëherë mbete i fundit Nenad Rashiq dhe zgjedhja e tij nuk është antikushtetuese. Kështu ka thënë aktgjykimi dhe kështu mendoj që do te ndodh. Sot ma merr mendja që do të përfundojnë të gjitha ju e dini që maksimalisht do te kishte 27 opsione që të votohen derisa të shterren propozimet e Listës Serbe besoj që më së miri është që kuvendi të mos e zgjas dhe të kryhet të gjitha sot”, ka thënë Konjufca.

Konjufca gjithashtu u shpreh se deputeti Dimal Basha, i cili tani mban postin e kryetarit të Kuvendit, është zgjedhur me legjitimitet dhe do ta udhëheqë mirë institucionin.

Ai është i propozuar i Vetëvendosjes është votuar nga gjithë ne, është zgjedhur me legjitimet mendoj që do ta udhëheq mirë kuvendin./D.B/EO

Lidhja Demokratike e Kosovës po mban një mbledhje para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sot pritet që deputetët që të votojnë për zgjedhjen e një nënkryetari serb, për çka deputeti i LDK-së, Arben Gashi tha se “detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen”.

Para fillimit të seancës, ai tha para gazetarëve se bllokimi nuk është kushtetues, por politik.

Bllokimi nuk është kushtetues, bllokimi është politik. Mungesa e konsensusit, mungesa e vullnetit për konsensus dhe mungesa e fuqisë politike për të formuar institucionet. Krejt këto tjerat janë lojëra dhe taktizime kushtetuese dhe nuk është aspak bllokadë kushtetuese”, deklaroi Gashi.

“Ajo është detyrim kushtetues por tash po shkojmë në mbledhje të Grupit Parlamentar për të parë një vendimin final. Unë mendoj se detyrimet kushtetuese duhet të zbatohen”, shtoi ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb./D.B/KP

9:53 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, është shprehur optimist se deputeti nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, do të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ai, në vazhdimin e seancës konstituive për herë të 60-të, ku deputetët pritet të votojnë për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë nga komuniteti serb, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka votë për asnjë kandidat nga Lista Serbe.

Madje nënvizoi se “më përpara e pres dorën, sesa votoj ndonjë kandidat nga Lista Serbe”.

Sigurisht se Rashiq do të zgjidhet (nënkryetar). Unë kam deklaruar se e pres dorën dhe nuk votoj për Listën Serbe. Kështu e kanë vendimin edhe kolegët në Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo është e bazuar në problemet që i kanë bërë në veri dhe janë të kyçur direkt në atë pjesë. Nuk votoj njerëz që kokën e kanë në Beograd dhe trupin në Prishtinë”, tha ai.

Megjithatë, Bahtiri nuk tregoi sesi do ta zgjedhin deputetin Rashiq si nënkryetar të Kuvendit, pas aktgjykimit të tretë të Kushtetueses në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe procedurat për zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

“Tash është e qartë se edhe gjërat kanë ndryshuar për momentin dhe janë vetëdijesuar”, theksoi Bahtiri./D.B/KP

9:43 – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka kërkuar që të votohet kandidati i Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.

Ai, në vazhdimin e seancës konstituive për herë të 60-të, ku deputetët pritet të votojnë për ta zgjedhur nënkryetarin e pestë nga komuniteti serb, tha se ata që e duan dhe mbrojnë shtetin e Kosovës duhet ta votojnë nënkryetarin, qoftë edhe nga Lista Serbe, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Hasani u shpreh optimist se përmes një marrëveshjeje politike do të konstituohet Kuvendi, madje, siç tha, deri të hënën e javës së ardhshme.

Ata që e duan shtetin e Kosovës, e mbrojnë shtetin e Kosovës dhe kanë luftuar për shtetin e Kosovës, për me bë shtetin e Kosovës, duhet ta votojnë…(Vota e tij) Varet prej Grupit Parlamentar”, tha ai.

Megjithatë, deputeti i PDK-së kritikoi Gjykatën Kushtetuese që ka publikuar aktgjykimin dy ditë para zgjedhjeve lokale.

Sot do të kemi një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe sigurisht do të dalim me një qëndrim. E shoh si jo të drejtë daljen e aktgjykimit dy ditë para zgjedhjeve, që do t’i vë të gjitha partitë politike në presion. Besoj në një marrëveshje, do t’ia dalim, nëse jo tash, të hënën besoj po”, theksoi Hasani.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor./D.B/KP

Kuvendi i Kosovës rikthehet sot në seancë të re konstituive në orën 10:00 si një tentativë për të përfunduar procesin që ka ngecur tash e sa kohë.

Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të parlamentit, ku theksohet se një nga pikat kryesore është zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj të plotë, ka konstatuar se seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kishte përmbyllur seancën e kaluar më 30 gusht pa zgjedhjen e këtij nënkryetari, duke lënë procesin pezull për më shumë se një muaj./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara