Lajmet

​Procesi i Bërdo-Brionit: Kërkohet që zgjerimi i BE-së të jetë më i shpejtë dhe efikas

Published

on

E përditësuar

16:25 – Nikoqirët e samitit të sotëm të Procesit të Bërdo-Brionit kanë theksuar nevojën që procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian të jetë më i shpejtë dhe efikas. Në mbyllje të samitit që u mbajt në Durrës u nënvizua nevoja edhe e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për anëtarësim në bllok.

Në konferencën për media të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentes së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq, u tha mes tjerash që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë element thelbësor për ruajtjen e paqes në rajon, zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal. Në samit mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, krahas liderëve të rajonit, përfshirë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Shqipëria synon t’i përfundojë negociatat teknike me BE-në deri në vitin 2027, ndërsa të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030. Krahas kësaj, ai tha se rajoni po ballafaqohet me sfida të sigurisë që kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë mes vete.

Ky samit përfaqëson një platformë të rëndësishme rajonale për shkëmbimin e ideve dhe vizioneve mbi të ardhmen e rajonit tonë. Bashkë me liderët e tjerë të rajonit diskutuam sfidat aktuale gjeopolitike si dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal. Shqipëria e mbështet dialogun rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si element thelbësor për ruajtjen e paqes, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal. Në samitin e sotëm theksuam se Ballkani Perëndimor ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe forcimit të marrëdhënieve ekonomike. Megjithatë, rajoni ynë përballet me sfida të sigurisë të cilat kërkojnë rritje të bashkëpunimit dhe koordinimit më të ngushtë mes nesh. Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përbën një mundësi të çmuar për zhvillimin ekonomik…Shqipëria synon të përfundojë negociatat teknike deri në vitin 2027, ndërsa të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030”, theksoi ai.

Ndërsa presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë evropiane për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë. Sipas saj, zgjerimi i BE-së duhet të jetë lartë në agjendën politike, ndërkaq procesi më i shpejtë dhe efikas.

Takimi i sotëm që u mbajt nën moton ‘interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët, e ardhme e përbashkët’ – së bashku përpara drejt Bashkimit Evropian – dhe të respektuar, kjo moto nuk është thjesht simbolike, ose të paktën nuk duhet të jetë. Është drejtimi që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për një perspektivë evropiane, sepse është mjeti më efektiv politik për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë. Prandaj e kam theksuar përsëri sot se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të jetë lart në agjendën politike, procesi duhet të jetë më i shpejtë dhe më efikas, por në të njëjtën kohë standardet e besueshme nuk duhet të ulen, por duhet të zbatohen vazhdimisht”, tha ajo.

Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, përmendi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për të adresuar nevojat dhe problemet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin në arenën ndërkombëtare, pasi politikat botërore kanë ndryshuar. Presidenti Milanoviq shprehu, gjithashtu, dëshirën që samiti i radhës të mbahet në Kroaci.

Qeveria kroate ofron mbështetje për të gjitha vendet e rajonit aq sa mundet. Deri tani më duket që nuk diskriminon, dhe besoj që edhe kështu do të vazhdojë. Por ky forum është diçka tjetër dhe, sipas mendimit tim, edhe më i rëndësishëm kur flasim për bisedime dhe dialog në këtë nivel. Ky është një dialog i cili është parakusht i çfarëdo marrëdhënieje dhe, posaçërisht, i raporteve të mira. Dhe ky është qëllimi – i vetëm, por shumë i rëndësishëm. Nuk do të marrim vendime të rëndësishme apo të nisim ndonjë iniciativë të re për ta sjellë para – këtë nuk mund ta bëjmë në këtë format. Por mund të flasim dhe të shohim se cilat janë përvojat dhe, në fund të fundit, cilat janë problemet e Bashkimit Evropian. Dhe ka shumë prej tyre në këtë moment. Një nga problemet më të mëdha për momentin është paaftësia, pamundësia ose ngurrimi i atyre që janë udhëheqës të vërtetë, ose të ashtuquajtur evropianë, për të folur me aktorët në botë. Sepse rrethanat kanë ndryshuar, dhe BE nuk është më fuqi – siç ka menduar deri së fundmi që është. Thjesht nuk është”, deklaroi ai.

Krahas këtyre tre liderëve, në samit morën pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Procesi i Bërdo-Brionit është një ngjarje shumëpalëshe vjetore në Ballkanin Perëndimor. Ai u iniciua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia.

Procesi i Bërdo-Brionit përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, shtete anëtare të BE-së, dhe kandidatët e kandidatët potencialë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina./D.B/KP

14:35 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar detaje nga përballja e saj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në samitin e sotëm të Procesit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Durrës.

Ajo pas përfundimit të samitit, tha se homologu i saj serb, Aleksandër Vuçiq, iu drejtua samitit në të cilin morën pjesë edhe presidentët e rajonit me ofendime dhe arrogancë, duke tentuar që të prishë takimin, mirëpo në fund arritën që të miratojnë deklaratën e përbashkët me unanimitet.

Osmani tha se çdo propagandë të Vuçiqit që synonte ta prezantonte para pjesëmarrësve, ajo kishte argumentet të cilat janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare.

Sipas Osmanit, presidenti serb u ankua edhe për aleancën që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, kanë nënshkruar në fushën e mbrojtjes gjatë këtij viti, por që mori rikonfirmimin që ky bashkëpunim ka për qëllim vetëm mbrojtjen e tri vendeve.

Krahas kësaj, Osmani nënvizoi se Kosova është për bashkëpunim rajonal, por të njëjtën kohë dëshiron të mbrojë interesin shtetëror të saj, sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin që të prishë takimin. Arritëm në fund që të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet dhe natyrisht për çdo propagandë që Vuçiq synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme. Argumentet në anën e së drejtës dhe ato që janë fuqizuar edhe nga e drejta ndërkombëtare. Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por të njëjtën kohë do të mbrojmë interesin tonë shtetëror, do të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial. Edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë dhe marrëveshjen e përbashkët Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes. Ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët se kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës tonë si komb, ne askund nuk kemi sulmuar dhe pushtuar askënd, por gjithnjë kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë vetveten. Aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë konkret, rreziku vjen nga Serbia”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, presidentja Osmani u shpreh e ashpër me Bashkimin Evropian në lidhje me moslargimin e masave ndëshkuese, si dhe mosshqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në union.

Ajo tha se vendet anëtare të BE-së nuk po e bazojnë procesin e integrimit në merita, por në bazë të agjendave politike.

Kosova mbetet akoma nën sanksionet e Bashkimit Evropian për të cilat askush nga shtetet anëtare nuk është e gatshme të japë një arsye se pse janë ende në fuqi, edhe pse se të gjitha kushtet e parapara në marrëveshjen e Bratisllavës janë plotësuar. Njëkohësisht, edhe pse aplikacioni ynë është dorëzuar për anëtarësim qysh në vitin 2022, deri tani për shkak të disa shteteve anëtare as nuk është mandatuar Komisioni Evropian për t’u marrë me çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën. Kjo na sjell te konkluzioni se procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike, konsiderata vetanake që shtetet anëtare i marrin parasysh për të përkrahur një shtet apo jo. Sikur të ishte e bazuar në merita, Kosova si reformatorja numër një, jo vetëm në rajon, por sipas Institutit Gallup për sundimin e ligjit jemi numër një në Evropë dhe numër tre në botë, do të ecte shumë përpara dhe tani do të ishim shumë afër anëtarësimit. Fatkeqësisht, zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”, tha ajo.

Krahas presidentes Vjosa Osmani, në samitin e sotëm morën pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj,presidentja e Sllovenisë, Natash Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Procesi i Brdo-Brijunit është një ngjarje shumëpalëshe vjetore në Ballkanin Perëndimor. Ai u iniciua në vitin 2010 nga Sllovenia dhe Kroacia.

Procesi i Brdo-Brijunit përfshin Slloveninë dhe Kroacinë, shtete anëtare të BE-së, dhe kandidatët e kandidatët potencialë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se pati mosmarrëveshje mes tij dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Imagjinoni kur Vjosa Osmani vjen dhe flet për integritetin territorial dhe mbrojtjen e integritetit territorial. Dhe pastaj barku juaj kthehet përmbys, dhe të gjithë të tjerët dëgjojnë, duke tundur kokën…Kështu që ne ia kujtuam ditët e saj të turizmit në Kombet e Bashkuara, uruam më shumë turizëm në jetën e saj dhe kaq”, tha Vuçiq./D.B/KP

11:43 – Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit të mbajtur sot, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Ai vlerësoi këtë platformë si një mekanizëm të rëndësishëm për nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe shkëmbimit të përvojave mes vendeve të rajonit.

Sot Shqipëria mirëpret samitin e Procesit të Brdo-Brijuni-t, së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë si bashkë kryesues të presidentes të Procesit të Brdo-Brijuni-t ne vlerësojmë për rolin e kësaj platformë si mekanizëm të rëndësishëm rajonal, temat që do të diskutohen sot lidhur me bashkëpunime rajonal, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, planin e rritjes së Bashkimit Evropian, rininë. Shqipëria mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian, vlerësojmë progresin e arritur në këtë drejtim. Për ne bashkëpunimi mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE. Duhet të vazhdojmë të shkëmbejmë eksperiencat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme të këtij procesi në Procesit të Brdo-Brijuni-t”, ka deklaruar Begaj./D.B/EO

Në Durrës sot pritet të nis Samiti i Iniciativës Bërdo-Brioni, i cili do të fokusohet në perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, ku prezente pritet të jetë edhe presidentja Vjosa Osmani.

Samiti mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së” dhe organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, ndërsa drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Samiti dyditor i Brdo-Brijunit mbahet këtë vit në Shqipëri, në Golem dhe në fokus pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.

Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë.

Veç seancës plenare dhe konferencës për shtyp që Presidenti Begaj do të mbajë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të “Brdo-Brijuni-t”, përgjatë punimeve të këtij samiti janë parashikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.

Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre.

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijuni-t, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara