Lajmet

Çka tha James Rubin gjatë dëshmisë së sotme në Speciale?

Published

on

E përditësuar

14:14 – Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin deklaroi se shqiptarët vriteshin nga serbët vetëm për shkak të etnisë së tyre. Ai tha se qëllimi i politikës së SHBA në atë kohë ishte që të parandalonin përsëritjen dhe krizën e Bosnjës. Kështu u shpreh ai gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, teksa theksoi se “donim të ishim në anën e viktimave”.

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon e pyeti dëshmitarin, James Rubin lidhur me ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.

Na shqetësonin shumë raportet që merrnim, familje që vriteshin, që u digjeshin shtëpitë, dhe vriteshin thjesht sepse ishin shqiptarë të Kosovës. Kjo filloi të ngjasonte me krizën e Bosnjës, ku u vranë njerëz e u masakruan thjeshtë për shkak të etnisë së tyre dhe jo për diçka që kishin bërë dhe filluam të shihnim që po shfaqej e njëjta politikë, e njëjta gjë, dhe kjo na bëri të vepronim, ata ishin viktima, jo vetëm se ishin të shtypur me dhjetra vite, por po masakroheshin nga forcat ushtarake serbe, dhe ne nuk donim që të përsëritej tmerri i Bosnjës në Kosovë, ky ishte qëllimi i politikës sonë – të parandalonim të përsëritej e njëjta gjë”, u shpreh ai.

Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Rubin tha se qëllim kishin mbrojtjen e civilëve të pafajshëm.

Pas Bosnjës ku menduam se e ndaluam një luftë dhe ndihmuam krijimin e një shoqërie tolerante, të mos ishte kaotike, ne ishim krenarë për këtë që bëmë, dhe pamë situatë të re në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim të ishim në anën e engjëjve themi ne, në anën të mirëve, nuk nuk donim që ata të ishin viktima. Por s’mund të ishin viktima nëse do të kryenin krime lufte, as nuk do të ishin viktima nëse do të kishin qasje ekstremiste islamiste. Në këtë kohë Amerika ishte superfuqi, donim të ishim në anën e viktimave …Ne nuk donim të bënim operacione ushtarake apo të harxhonim me miliarda dollarë për persona apo organizata që nuk shprehnin tolerancë të paktën publikisht. Këta janë persona pa pushtet, këta ishin viktima, ne takoheshim me ta, ndërkohë ata ishin viktimat e një shtypësi. Ishin persona që ishin në anën e kundërt të pushtet në Kosovë, dhe ne donim të siguroheshim që të ishin të lirë dhe të mos ndiqnin politikat e shtypësit”, shtoi ai gjatë dëshmisë në Hagë.

Paraprakisht James Rubin është intervistuar nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç. Dëshmia e tij ka nisur sot në mëngjes dhe kjo është e para e mbrojtjes.

Gjatë pyetjeve të Misetiç, Rubin u pyet nëse i kujtohet që ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte thënë Thaçit se do të mbante përgjegjësi penale për krimet që mund të kryheshin në Kosovë, pas hyrjes së KFOR-it.

“A ju kujtohet se më pas atë ditë ajo u takua me zotëri Thaçi?

Rubin: Po.

Misetiç: Ju keni qenë i pranishëm në takimet me zotëri Thaçi.

Rubin: Absolutisht po.

Misetiç: A ju kujtohet gjatë këtij udhëtimi që sekretarja e shtetit t’i ketë thënë Hashim Thaçit se ai do të mbante përgjegjësi penale për krimet që do të kryheshin në Kosovë pas hyrjes së KFOR-it?

Rubin: Absolutisht jo.

Misetiç: A i tha ajo atij që ai do t’i hetonte dhe të ndiqte penalisht krimet që po kryheshin.

Rubin: Nuk më kujtohet, mund të ju them nëse më kujtohet mua, ajo mund të donte të ja jipte këtë mesazh, do të donte thoshte që do të ketë tolerancë, ju lutem të ketë parasysh të jeni tolerantë dhe jo në formën siç e thatë ju”, u përgjigj Rubin.

Në dëshminë e tij, Rubin tha se Albright në atë takim i kishte kërkuar Thaçit që të tregonte tolerancë dhe që populli të ishte tolerant.

Dëshmia e James Rubin është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejtri përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright./KP

Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”.

13:51 – Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka treguar se kishte qëndruar për disa ditë në Kosovë në qershor të vitit 1999, ku çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin. Ai gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ish-sekretarja e Shtetit, Madeliene Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është dëshmitar i parë i mbrojtjes.

Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Diplomati amerikan, James Rubin tha se ishte kthyer në Kosovë në qershor të vitit 1999, për të marrë pjesë në “negociatat që kishin të bëjnë me de-militarizimin e UÇK-së”.

Para trupit gjykues, ai tha se ishte ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë, duke i thënë që “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën”.

Unë isha zëdhënësi i zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha ‘ndalo së bëri çdogjë që t’i po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, duhet të shkosh atje në mënyrë të tillë që të ndihmoni Mike Jackson që të realizojë betimet e veta dhe po ashtu sigurohu që Hashim Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen. Kjo është arsyeja pse shkova në rajon”, tha ai.

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin tregoi se gjatë asaj periudhe kishte qëndruar në një hotel në Shkup dhe se çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin.

“Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase tri ose katër ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, kam qëndruar në një hotel në Shkup, në Maqedoni dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së. Pra, çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty.

Misetiç: A ju kujtohen datat?

Rubin: Ka qenë diku fundi i qershorit të vitit 1999”, shtoi ai.

Para trupit gjykues, Rubin tha se Thaçi ishte i ri në moshë krahasuar me komandantët tjerë, teksa shtoi se “ishte e qartë për mua që Thaçi nuk kishte aftësinë dhe kompetencë që të merrte vendime për UÇK-në”.

Unë jam takuar vet me komandantët dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin. Këta komandantë i kanë thënë atij çfarë të bënte, marrëdhënia ishte e tillë, që nuk i thoshte Hashimi komandantëve se çfarë të bënin por komandantët ishin ata që i thonin Hashimit se çfarë të bënte”, theksoi më tej ai.

Dëshmitari i parë i mbrojtjes, dëshmia e të cilit ka nisur sot tha se ishte takuar edhe me Agim Çekun për të festuar transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për dëshminë e tij janë paraparë katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.

Gjatë dëshmisë së tij gjatë ditës së sotme, James Rubin ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright.

Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”./KP

12:47 – Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëgjimi i dëshmitarit, James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Ai ka treguar se si Hashim Thaçi fillimisht e refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes gjatë Konferencës së Rambujesë. Gjatë dëshmisë së tij, Rubin tha se Thaçi kishte një rol politik në UÇK por jo një rol udhëheqës dhe se “nuk diktonte rregulla dhe kushte”.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes i cili po dëgjohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Aktualisht po merret në pyetje nga avokati i Thaçit, Luka Misetiç.

James Rubin para Dhomave të Specializuara në Hagë, tregoi se si Thaçi nuk kishte nënshkruar marrëveshjen sepse ishte “nën presionin e komandantëve të UÇK-së”.

Misetiç: A ju tha zotëri Thaçi se nuk mund ta firmoste, nënshkruante marrëveshjen sepse ishte nën presion e komandantëve të UÇK-së dhe financuesve nga Evropa, sepse do ta konsideronin tradhtar nëse do ta nënshkruante?

Rubin: “Po”, tha ai.

Dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se Hashim Thaçi nuk mund të pranonte marrëveshjen, pa qenë e përfshirë pavarësia në dokument.

Ai na tha [Hashim Thaçi] që nuk mund të na thoshte ne po, pa pasur një deklaratë specifike për pavarësinë, sepse ai duhet të diskutonte me komandantët e UÇK-së. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalisht, i donin të gjitha, donin çdogjë të mundshme. Sigurisht që diplomacia nuk mund të jetë gjithmonë perfekte. Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë që mos t’i thonim as jo, as po pavarësisë në atë dokument, kështu që ne thamë mund të shprehni vullnetin e popullit pa e bërë të qartë dhe pa e thënë specifikisht fjalën pavarësi, ai na tha po nuk përdora fjalën pavarësi, atëherë mua do të më konsiderojnë si person që ka hequr dorë nga pavarësia e vendit. Pra, ishte moment shumë i vështirë dhe ai na shpjegoi se nuk ishte përgjegjës për këto, ai ishte thjesht personi që po komunikonte me ne. Sepse kishte një rol politik në UÇK por jo një rol udhëheqës. Nuk kishte kompetenca, nuk kishte autoritet, ai ishte thjesht pasqyrim i një lëvizjeje dhe shumë persona në atë lëvizje donin pavarësi tani, ose më së paku të shprehin në dokument, të konfirmohej në dokument se do të realizohet pavarësia. Ideja ishte si t’i kënaqim të gjithë dhe mënyra e vetme për ta bërë këtë ishte që një dokument të vagullt sa i takon pavarësisë, ai këtë nuk mund ta pranonte se atij i kishin thënë që nëse e bën këtë, siç e tha edhe me fjalë të veta, do të ishte një tradhtar ”, tregoi Rubin para trupit gjykues.

Rubin tha se ishte moment i vështirë dhe se gjatë komunikimeve me Thaçin kishte kuptuar se “ishte mjedis me shumë presion”.

Ka qenë një mjedis me shumë presion. Kjo ka qenë situata më e vështirë që më kujtohet mua, sepse fati i një milion personave ishte në fjalë. Nëse lëvizja kosovare do të përqafonte perëndimin, perëndimi do të ishte pro tyre. Përndryshe do të kishte masakër, ne kishim parashikuar masakër ku do të vdisnin me qindra mijëra persona. Dhe kjo krijon një situatë shumë të tensionuar. Përshtypja ime aso kohe ishte që ai [Hashim Thaçi] ishte një person që ishte caktuar që të komunikonte me të. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet, as nuk kishte mundësi të diktonte asgjë. Por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra dikur e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që po merrnin vendime në grup, që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhet ta merrte lejen prej tyre. Ai nuk kishte në gjendje diktonte rregulla dhe kushte”, shtoi ai.

Derisa foli për takimin e parë në vitin 1999 me Hashim Thaçin, James Rubin tha se ai e kishte njohur atë nga televizori.

Rubin: Më kujtohet takimi i parë që ju sapo përmendet që kishte regjistruar në kabllogram dhe më kujtohet që ai më njohu menjëherë përmes televizionit, sepse unë isha edhe zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe isha shpesh në televizor, kryesisht për ata që ishin të interesuar për atë që ndodhte në ish-Jugosllavi, por ai më njohu. Kur dikush të njihte, ata lëvizën shprehën fizikisht, shtrëngojnë dorën apo japin shenja fizike. Dhe zonja Albright e vërejti këtë gjë që ai bëri kështu, që më njohi. Ajo ishte shumë e zonja për marrëdhëniet njerëzore dhe më tha menjëherë ‘James bisedo me të, njihu më të’, sepse unë se njihja, askush nuk e njihte në fakt në Qeverinë e Shteteve të Bashkuara, të paktën unë nuk e njihja”, u shpreh ai, duke shtuar se donin të dinin më shumë se kush ishte udhëheqës i delegacionit.

Gjatë atyre dy javëve, Rubin tha se kaloi shumë kohë me Thaçin, ashtu edhe siç tha se e kishte udhëzuar sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

“Madeleine Albgriht se ishte e dobishme dhe unë i njihja pikëpamjet e saj, i njihja pikëpamjet e saj më mirë se askush tjetër, edhe sot është e njëjta gjë. Dhe ajo donte që unë ta njihja atë, që të bëhesha koleg, mik, shok, diplomat dhe kjo është arsyeja pse kaluam kaq shumë kohë me atë atje”, përfundoi ai.

Për dëshminë e James Rubin janë paraparë katër orë nga mbrojtja, katër nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, dhe tri orë e gjysmë nga të tjerët.

James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë.

Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës./KP

10:01 – Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti./D.B/KP

08:05

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të dëshmoj sot para Gjykatës Speciale, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Seanca do të fillojë në orën 9:00, përmes transmetimit me 45 minuta vonesë. Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 shtator 2025, Trupi Gjykues pranoi si prova disa aktekspertiza të dorëzuara nga Mbrojtja e Viktimave dhe një provë materiale të dorëzuar nga Mbrojtja.

Gjykatësit nuk pranuan një provë materiale tjetër që u kërkua të pranohej nga Mbrojtja.

Më 8 shtator 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të vendosur disa garanci gjatë pyetjeve të dëshmitarëve të thirrur nga ekipet e tjera të Mbrojtjes.

Këto përfshinin kufizimin e objektit të pyetjeve dhe moslejimin e palëve që pyetjet në cilësinë e palës jothirrëse të jenë në lidhje me veprimet dhe sjelljen e një të akuzuari që nuk e ka thirrur atë dëshmitar.

Në vendim, Trupi Gjykues shpjegoi se, kuadri i lejuar dhe kufizimet e pyetjeve nga palët jothirrëse janë të përcaktuara në Rregulloren e Procedurës dhe Provave dhe në Urdhrin e Trupit Gjykues për Zhvillimin e Gjykimit.

Palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve lidhur me temat e trajtuara nga pala thirrëse si dhe lidhur me besueshmërinë e dëshmitarit, dhe në përgjithësi janë të autorizuara t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve për aspekte që lidhen me argumentet e tyre, me kusht që dëshmitari të jetë në gjendje të japë dëshmi relevante për lëndën.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Përndryshe Rubin nuk është i vetmi mes emrave të njohur që pritet të dëshmojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara