Lajmet

Raporti 24 orësh nga Policia e Kosovës

Published

on

Në raportin e fundit 24 orësh nga Policia e Kosovës, në disa qytete të Kosovës ka pasur incidente kriminale dhe shifra të larta të gjobave të shqiptuara në kundërvajtje.

AKSIDENTE TRAFIKU DHE GJOBA

Gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2587 tiketa trafiku, janë shkaktuar 48 aksidente me dëme materiale dhe 23 aksidente me të lënduar. Zyra e Informimit nga PK ka njoftuar se 23 persona janë arrestuar, kurse 16 janë dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-PRISHTINË

PËRDORIM I ARMËS

Obiliq/ 27.08.2025 – 15:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se në drejtim të veturës së tij një person I dyshuar ka shtënë me armë tri herë. Në vendin e ngjarjes njësia policore ka gjetur dhe sekuestruar një predhë dhe një gëzhojë. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti, ndërsa i dyshuari në kërkim policor.

 SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM

Hajvali / 27.08.2025 – 11:43. Është përfshirë nga zjarri një deponi e veturave të vjetra si dhe një plantacion i mbjellur me pemë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa i dyshuari në kërkim policor.

KANOSJE

Gllogoc / 27.08.2025 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se e ka kanosur viktimën femër kosovare. I dyshuari pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Prishtinë / 27.08.2025 – 13:14. Është shoqëruar në Stacion Policor e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta ka telefonuar në linjën emergjente 192 dhe ka kanosur zyrtarët përmes telefonit. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërsa e dyshuara është dërguar në trajtim mjekësor Psikiatrik. Rasti procedohet në procedurë të rregullt.

LËNDIM I RËNDË TRUPORË

Prishtinë/27.08.2025-23:00 Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në bashkëveprim edhe me 3 të dyshuar tjerë, të cilët gjenden në arrati, kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

VRASJE NË TENTATIVË

Lipjan / 27.08.2025 – 21:40. Janë arrestuar 4 të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit dyshohet se kishin sulmuar fizikisht 4 viktimat meshkuj kosovarë. Gjatë përleshjes është përdorur edhe një mjet i mbrehtë (thikë). Si pasojë e përleshjes fizike viktimat kanë pësuar lëndime trupore për çka dhe janë dërguar në tretman mjekësor. Tre nga viktimat pas pranimit të tretmanit mjekësor janë liruar, kurse njëri ka ta vazhduar për trajtim mjekësor në QKUK. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

DHUNË NË FAMILJE

Prishtinë / 27.08.2025 – 03:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull shtetas i huaj, kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe dy viktimave tjera femra kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe po hetohet nga ekipet relevante policore.

Prishtinë / 27.08.2025 – 16:00-17:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj viktimave femra kosovare. Viktimat nuk kanë dashur të marrin trajtim mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.

Prishtinë / 27.08.2025 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare.Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit është liruar. Rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

AKSIDENT TRAFIKU ME LËNDIME

Prishtinë / 27.05.2025 – 15:55. Raportohet se ka ndodhur aksident trafiku në mes të dy veturave. Si pasojë tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.

AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET

Gllogoc / 27.08.2025 – 02:08. Raportohet se viktima mashkull kosovar derisa ka qenë duke drejtuar veturën, humb kontrollin mbi veturë dhe është rrokullisur. Si pasojë, i njëjti pëson lëndime trupore dhe transportohet në Emergjencën e Drenasit ku mjeku kujdestar konstaton vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

INCIDENTE KRIMINALE-GJILAN

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL APO POSEDIM I PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Viti / 27.08.2025 – 14:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar arma e zjarrit pushkë e gjatë pa fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

INCIDENTE KRIMINALE-FERIZAJ

LËNDIM I RËNDË TRUPOR

Kaçanik / 25.08.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

HETIM MBI VDEKJEN

Ferizaj / 27.08.2025 – 09:10. Raportohet se viktima mashkull kosovar dyshohet se ka rënë nga ashensori. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

INCIDENTE KRIMINALE-PRIZREN

SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR

Prizren / 27.08.2025 – 18:30. Është arrestuar se i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti në shenjë revolte pas shqiptimit të një gjobe në trafik ka sulmuar zyrtarët policor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-GJAKOVË

VJEDHJE E RËNDË

Gjakovë / 24.08.2025 – 13:15. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, më 27.08.2025 është arrestuar i dyshuari shtetas I huaj për shkak se i njëjti dyshohet se më 24.08.2025 kishte vjedhur një trotinet elektrik nga viktima mashkull kosovar. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË JUG

LËNDIM I RËNDË TRUPOR

Vushtrri / 27.08.2025 – 08:45. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar pasi që pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit një i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

LËNDIM I LEHTË TRUPOR

Skenderaj / 27.08.2025 – 09:15. Viktima femër kosovare ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga I dyshuari mashkull kosovar. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL APO POSEDIM I PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Vushtrri / 27.08.2025 – 14:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me karikator dhe dy fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

INCIDENTET KRIMINALE-MITROVICË VERI

VJEDHJE E RËNDË

Mitrovicë Veri / 13.06.2025 – 03:00. Më 27.08.2025 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se më 13.06.2025 kishte kryer vjedhje në lokalin e ankuesit mashkull kosovar. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

ARMËMBAJTJE PA LEJE

Mitrovicë Veri / 27.08.2025 – 20:50. Njësitë e hetuesisë gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarës femër kosovare kanë gjetur dhe sekuestruar dy fishekë, dhe një sprej. Në konsultim me prokurorin është inicuar rasti, ndërsa e dyshuara gjendet në arrati.

INCIDENTET KRIMINALE-DEPARTAMENTI I POLICISË KUFITARE

KALIMI I PAAUTORIZUAR I VENDKALIMEVE KUFITARE APO I VIJËS KUFITARE

Leposaviq / 27.08.2025 – 15:30. Janë arrestuar dy të dyshuar, njëri kosovar e tjetri shtetas i serbisë, pasi që të njëjtit kanë kaluar ilegalisht kufirin nga Serbia në Kosovë. Me vendim të prokurorit, një i dyshuar është dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara