Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit nxorrën lista kandidatësh që përfshijnë figura politike me përvojë, emra të rinj dhe personalitete nga fusha të ndryshme si arti, gazetaria, mjekësia e fusha të tjera.
Si antarësime të reja konsiderohen edhe ata që më parë ishin deputetë të një partie tjetër, si Ardian Kastrati, Shkumbin Demaliaj, Andin Hoti.
Gjithashtu shumë kandidatë të zgjedhjeve lokale që dështuan të zgjidhen kryetar komunash në zgjedhjet lokale po tentojn të fitojnë postin e deputetit në zgjedhjet parlamentare si Refki Suma, Arbër Ismajli, Bekë Berisha, Vildane Latifi, Hajrullah Çeku dhe Uran Ismaili.

Kjo tregon se partitë politike po përdorin strategji të ndryshme për të arritur votuesit në të gjithë vendin.
Sipas ligjit për zgjedhjet në Kosovë, kandidatët për deputetë përzgjidhen nga partitë politike, koalicionet ose nismat qytetare, dhe jo nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Çdo subjekt politik paraqet një listë kandidatësh te KQZ-ja, e cila verifikohet për përputhshmëri me ligjin zgjedhor.
Lista duhet të plotësojë kriteret ligjore, përfshirë përfaqësimin gjinor, ku të paktën 30% e kandidatëve duhet të jenë nga gjinia tjetër. Përfaqësimi i grave edhe këto zgjedhje vazhdon të mbetet përreth limiteve të kuotës gjinore të përcaktuar me ligj.
Përveç kritereve ligjore, partitë vendosin edhe kriteret e brendshme të përzgjedhjes, duke marrë parasysh angazhimin dhe aktivitetin në parti, eksperiencën profesionale, popullaritetin mes qytetarëve, si dhe balancimin gjeografik dhe gjinor. Kjo siguron që lista e kandidatëve të përfshijë një kombinim të profileve të ndryshme dhe të përfaqësojë qytete dhe zona rurale.
Edhe pse sistemi zgjedhor në Kosovë është proporcional dhe i bazuar në lista kombëtare pa ndarje zyrtare rajonale, përfaqësimi gjeografik mbetet një element i rëndësishëm për partitë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Kandidatët shpesh identifikohen më shpesh me komunat ose zonat ku janë aktivë, duke reflektuar lidhjen e tyre lokale me votuesit.
Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare të 9 shkurtit 2025, partitë kryesore mbajtën lista që përfshinin një përzierje të figurave të njohura dhe emrave lokalë nga qytete e zona rurale, gjë që ndikoi në mënyrën se si partitë u përpoqën të siguronin përfaqësim të gjerë në të gjithë vendin./FjollaGashi