Botë
SHBA-ja i kundërpërgjigjet Kinës me tarifa prej 125 për qind
Published
9 months agoon
By
UBTnewsPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se do t’i rrisë menjëherë tarifat ndaj mallrave kineze në 125 për qind, pasi Kina vendosi tarifa prej 84 për qind ndaj një sërë importesh nga Amerika.
Ky vendim shënon përshkallëzim të ri në konfliktin tregtar mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj Tregjeve Botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm“, deklaroi Trump në rrjetet sociale.
“Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme“, shtoi ai.
Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, këmbënguli se kjo ka qenë strategjia e Trump që në fillim, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Pekini “është treguar para botës aktor i keq”.
Në një intervistë të mërkurën për Fox Business, Bessent e dënoi veprimin e Kinës, duke thënë se është për keqardhje qysh kinezët nuk duan të negociojnë, “sepse ata janë shkelësit më të mëdhenj të sistemit tregtar ndërkombëtar”.
Njoftimi i Kinës për vendosjen e tarifave prej 84 për qind ndaj importeve amerikane fillimisht shkaktoi tronditje në tregjet globale.
Por, tregjet u rritën ndjeshëm pasi Trumpi i pezulloi për 90 ditë tarifat më të mëdha “reciproke” ndaj pjesës më të madhe të botës, përballë frikës së një recesioni ekonomik.
Pekini vendosi tarifat prej 84 për qind ndaj mallrave amerikane, pasi SHBA-ja kishte vendosur paraprakisht tarifë 104 për qind për importet nga Kina.
Pekini e përshkroi këtë vendim si masë mbrojtëse përballë asaj që e quajti “agresion të vazhdueshëm tregtar” nga Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara importuan mallra nga Kina me vlerë 439 miliardë dollarë vitin e kaluar. Telefonat e mençur, laptopët, bateritë litiumjon, lojërat dhe lodrat ishin ndër artikujt më të vlefshëm.
Ndërsa eksportuan mallra në Kinë në vlerën e 144 miliardë dollarëve, prandaj deficiti i tyre tregtar arriti në 295 miliardë dollarë.
Tarifat e Kinës ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10 prill.
Tarifat do të vlejnë për produktet bujqësore amerikane, elektronikën dhe makineritë industriale – shtylla kyçe të ekonomisë eksportuese të SHBA-së.
“Nëse SHBA-ja këmbëngul në përshkallëzime të mëtejshme ekonomike dhe tregtare, Kina ka vullnet të fortë dhe mjete të bollshme për të marrë kundërmasa të nevojshme dhe për të luftuar deri në fund”, tha Ministria e Tregtisë së Kinës.
Wendong Zhang, profesor i ekonomisë së aplikuar dhe politikave në Universitetin Cornell, tha se Kina kufizoi varësinë nga mallrat amerikane, përfshirë produktet bujqësore, pas luftës tregtare me administratën Trump në vitet 2018-2019.
“Kësaj radhe, udhëheqësit kinezë kanë mbështetjen e një opinioni publik më të vendosur për t’i bërë ballë SHBA-së dhe për t’u orientuar më shumë drejt konsumit të brendshëm”, tha Zhang.
Ndërkohë, Trump njoftoi se do t’i pezullojë për 90 ditë tarifat e reja për më shumë se 75 vende të botës që, sipas tij, kanë bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me zyrtarët amerikanë.
Frika nga pasojat ekonomike të tarifave kishte shkaktuar kolaps të tregjeve të aksioneve në mbarë botën. Data 8 prill shënoi rënien më të madhe ditore që nga pandemia e Covid-19 në vitin 2020.
Indeksi S&P 500 i Wall Street humbi më shumë se 10 për qind të vlerës së tij në tri ditë tregtimi, dhe tregjet aziatike gjithashtu kanë pësuar rënie të theksuara.
Këto shitje vazhduan edhe pas njoftimit të Kinës më 9 prill, me indeksin FTSE 100 të Londrës dhe Dax-in e Frankfurtit që regjistruan humbje të mëdha.
Përshkallëzimi më i fundit SHBA-Kinë ndodhi vetëm disa orë pasi zyrtarët e Bashkimit Evropian miratuan tarifa për mallra amerikane në vlerë të rreth 21 miliardë eurove, si përgjigje ndaj tarifave prej 25 për qind të vendosura nga Trump për çelikun dhe aluminin që eksporton BE-ja.
Më 9 prill, shumica e 27 shteteve anëtare të BE-së votuan në favor të tarifave të reja, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 15 prill./REL/
Botë
Trump thotë se është bërë përparim në bisedimet për Ukrainën, por mbeten
Published
1 day agoon
December 29, 2025By
UBTnews
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky thanë se ishte bërë përparim për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë bisedimeve në Florida, por udhëheqësi amerikan shtoi se mbetën “një ose dy çështje shumë të vështira”.
Ndërsa të dy presidentët e SHBA-së dhe Ukrainës i përshkruan bisedimet si “të shkëlqyera”, Trump përsëriti se një pikë kyçe ngërçi ishte çështja e territorit. Rusia më parë ka kërkuar që Ukraina të dorëzojë më shumë tokë.
Duke iu drejtuar gazetarëve në Mar-a-Lago, Zelensky tha se ata kishin arritur një marrëveshje për “90%” të një plani paqeje prej 20 pikash, ndërsa Trump tha se një garanci sigurie për Ukrainën ishte “afër 95%” e përfunduar.
Zelensky më vonë tha se ekipet amerikane dhe ukrainase do të takohen javën e ardhshme për bisedime të mëtejshme mbi çështjet që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.
Lajmet
Shpërthim në Moskë, tre të vdekur, mes tyre dy policë
Published
6 days agoon
December 24, 2025By
UBT News
Tre persona, përfshirë dy oficerë policie janë vrarë në një shpërthim në Moskë, thanë autoritetet ruse.
Dy oficerë të policisë rrugore panë një individ të dyshimtë pranë një makine policie në rrugën Yeletskaya të qytetit dhe kur iu afruan të dyshuarit për ta ndaluar, një pajisje shpërtheu, tha Komiteti Hetues i Rusisë.
Dy oficerët e policisë vdiqën nga plagët e marra, së bashku me një person tjetër që po qëndronte aty pranë.
Shpërthimi ndodhi pranë vendit ku një gjeneral i lartë rus u vra në një shpërthim me makinë-bombë në kryeqytet të hënën.
Gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov vdiq pasi një pajisje shpërthyese e cila ishte vendosur nën një makinë krisi.
Zëdhënësja e Komitetit Hetues Svetlana Petrenko tha në një deklaratë në Telegram se një çështje penale po hetohej në Moskë lidhur me një përpjekje për vrasjen e oficerëve të policisë rrugore.
Mediat ruse identifikuan oficerët si Ilya Klimanov, 24 vjeç dhe Maxim Gorbunov, 25 vjeç./S.K/EO/
Lajmet
The Telegraph: “Rusia humbi më shumë ushtarë sesa kishte në total para pushtimit”
Published
6 days agoon
December 24, 2025By
UBT News
Sipas shifrave të fundit nga inteligjenca ushtarake britanike, në vitin 2025, Rusia pësoi viktima masive në Ukrainë, me rreth 400,000 ushtarë të vrarë ose të plagosur, dhe kjo e çon numrin total të viktimave ruse që nga fillimi i pushtimit në rreth 1,118,000, më shumë sesa kishte Moska para luftës.
Forcat ruse vazhdojnë të këmbëngulin në taktikat e ashtuquajtura “mish për top”, duke sakrifikuar një numër të madh ushtarësh në sulme masive për të pushtuar territorin në Ukrainën lindore, metër pas metri.
Shkalla e viktimave ka qenë veçanërisht e lartë gjatë përpjekjeve të këtij viti për të pushtuar qytetin strategjikisht të rëndësishëm të Pokrovskut, i cili ende nuk është plotësisht nën kontrollin rus.
Sipas vlerësimeve të “The Economist”, Rusia mund të ketë humbur deri në një përqind të popullsisë së saj mashkullore të aftë për luftë që nga fillimi i konfliktit. Megjithëse Moska i mban humbjet e saj ushtarake një sekret të ruajtur mirë, deri në verën e vitit 2025 ato mendohej të ishin rreth 15 herë më të larta se humbjet e pësuara gjatë luftës dhjetëvjeçare të Bashkimit Sovjetik në Afganistan.
Për ta mbajtur luftën larg elitës urbane, Moska është akuzuar se përdor stimuj bujarë financiarë për të joshur burra nga rajone më të varfra. Bonuset e nënshkrimit të njëhershëm mund të arrijnë në vlerën e pagës mesatare të disa viteve, duke joshur grupet e cenueshme në radhët e ushtarëve me kontratë.
Të martën herët në mëngjes, vetëm një ditë pasi një makinë-bombë në Moskë vrau gjenerallejtënant Fanil Sarvarov, Rusia nisi një sulm masiv ajror në Ukrainë. Sulmet me dronë dhe raketa kanë vrarë të paktën tre persona, të gjitha në mes të një raundi të ri bisedimesh për paqe.
Sulmi masiv, që përfshinte më shumë se 650 dronë dhe rreth tre duzina raketash, shënjestroi infrastrukturën energjetike në Ukrainën perëndimore, duke shkaktuar ndërprerje të përhapura të energjisë elektrike. Moska ka shtuar sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës që nga tetori, duke e çuar atë në prag të kolapsit./S.K/EO/
Botë
Ushtria amerikane godet një anije në Paqësorin Lindor
Published
1 week agoon
December 23, 2025By
UBTnews
SHBA-të kryen një sulm të hënën ndaj një anijeje të profilit të ulët që dyshohet se ishte e përfshirë në trafik narkotikësh në Oqeanin Paqësor Lindor, sipas Komandës Jugore të SHBA-së.
Thuhet se operacioni u zhvillua nën drejtimin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth dhe u ekzekutua në ujëra ndërkombëtare nga Task Forca e Përbashkët Southern Spear.
“Inteligjenca konfirmoi se anija me profil të ulët po kalonte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut të drogës në Paqësorin Lindor dhe ishte e angazhuar në operacione të trafikut të drogës. Një narko-terrorist mashkull u konfirmua i vrarë gjatë këtij aksioni. Asnjë forcë ushtarake amerikane nuk u lëndua“, tha kompania amerikane e mediave sociale X./AA
Numërohen 100% e votave të rregullta
Komuna e Prishtinës thërret seancë të jashtëzakonshme
Zhduket një vajzë dhe një i mitur në Fushë Kosovë
Sot Dita e Veteranit të UÇK-së
Kallas thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve në Kosovë
OVL-UÇK organizon nesër homazhe për Ditën e Veteranit
Verifikimi i rezultateve dhe numërimi i votave për deputet – Elezi jep detaje
Haradinaj: Rezultati i zgjedhjeve e zgjidh ngërçin institucional, por kam frikë se nuk i zgjidh problemet
Hamza uron Vetëvendosjen: Kemi pritur rezultat më të mirë, nuk fshehem nga përgjegjësitë
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Rajoni2 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Lajmet3 months agoUBT hap thirrjen për punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare MBE 2025
-
Vendi3 months agoPunimi shkencor i profesoreshës së UBT-së, Miranda Sejdiu Abazi dhe bashkëautorëve botohet në Georgian Medical News
