Botë

Trump ndalon dyfishimin e tarifës për metalet kanadeze

Published

on

Kërcënimi i Presidentit Trump për dyfishimin e tarifave të planifikuara prej 25% për importin e aluminit dhe çelikut kanadez, bëri që qeveria provinciale e Ontarios të pezullojë tarifat e planifikuara për energjinë elektrike që i shet Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për tregtinë Peter Navarro, tha se si rezultat i kësaj Presidenti Trump tërhoqi vendimin për dyfishimin e tarifave për çelikun dhe aluminin. Ai tha se qeveria federale ende ka në plan që të vendosë një tarifë prej 25% për këto importe duke filluar nga e mërkura.

Zhvillimet e së martës sollën një fitore për Presidentin Trump, ndërsa janë shtuar shqetësimet mbi tarifat, çka është vënë re tek rënia e bursës amerikane dhe zërat për recesion. Kritikët thonë se lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë mund të ndikojë tek ekonomitë e të dy vendeve.

Presidenti Trump shkroi të martën në mëngjes në rrjetin “TruthSocial” se kishte udhëzuar Sekretarin e Tregtisë që të vendosë një tarifë shtesë prej 25% për çelikun dhe aluminin kanadez, që do të hynte në fuqi të mërkurën në mëngjes. Vendimi ishte reagim ndaj qëndrimit të provincës së Ontarios, që vendosi një tarifë 25% për energjinë elektrike që Kanadaja eksporton në disa shtete amerikane.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford tha të martën pasdite se kishte marrë një telefonatë nga Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, dhe pas një bisede me të kishte rënë dakord që të hiqte tarifën shtesë për energjinë elektrike. Zoti Ford tha se ishte i bindur që presidenti amerikan do të anulonte gjithashtu dyfishimin e tarifës për çelikun dhe aluminin kanadez.

Presidenti Trump sugjeroi të martën se tarifat ishin kritike për ndryshimin e ekonomisë amerikane, pavarësisht rënies së bursës. Udhëheqësi amerikan i ka përsëritur gjithashtu thirrjet që Kanadaja të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, çka ka zemëruar udhëheqësit kanadezë.

E vetmja gjë që ka kuptim është që Kanadaja të bëhet shteti ynë i dashur i 51”, shkroi Presidenti Trump të martën. “Kjo do të bënte që të gjitha tarifat dhe gjithçka tjetër të zhdukeshin plotësisht”.

Kryeministri i ardhshëm kanadez, Mark Carney, ka thënë se qeveria e tij do t’i mbajë në fuqi tarifat derisa amerikanët të tregojnë respekt dhe të angazhohen për tregtinë e lirë, pasi Presidenti Trump tha se Kanadanë e priste një shkatërrim financiar historik.

Zoti Carney i konsideroi tarifat e reja amerikane si sulm ndaj punëtorëve, familjeve dhe bizneseve kanadeze.

Qeveria ime do t’i mbajë në fuqi tarifat tona derisa amerikanët të tregojnë respekt dhe të angazhohen në mënyrë të besueshme për tregti të lirë e të ndershme”, shkruante zoti Carney në një postim në mediat sociale.

Kanadaja po planifikon tarifa hakmarrëse në përgjigje të tarifave specifike të Presidentit Trump ndaj çelikut dhe aluminit kanadez. Ato pritet të shpallen të mërkurën.

Lajmet

BE-ja miraton një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Published

on

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh pasi nuk arritën të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.

Marrëveshja, e cila sipas udhëheqësve do të përmbushte nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, erdhi pas më shumë se një dite bisedimesh në një samit në Bruksel.

“Ne u zotuam, ne e përmbushëm premtimin”, shkroi shefi i BE-së, Antonio Costa, në X, ndërsa njoftoi marrëveshjen për të siguruar një kredi të mbështetur nga buxheti i përbashkët i bllokut.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kishte kërkuar udhëheqësve të përdornin 200 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse, por Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e parave të gatshme, kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë, gjë që rezultoi shumë e vështirë për vendet e tjera./S.K/KP/BBC/

Continue Reading

Lajmet

Tre të arrestuar për djegien e një elefantit të egër në Sri Lanka

Published

on

Policia në Sri Lanka ka arrestuar tre burra për dyshimin se kanë djegur një elefant të egër me pishtarë flakësh ndërsa përpiqeshin ta largonin, raportuan mediat lokale.

Një video e incidentit, e cila ndodhi në një fshat në veri të vendit, shkaktoi reagime të ashpra ndërsa qarkulloi në mediat sociale këtë javë.

Pavarësisht se mori trajtim nga veterinerët, elefanti mashkull ngordhi të martën.

Të dyshuarit, të cilët u arrestuan të enjten, janë të moshës midis 42 dhe 50 vjeç, raportuan mediat lokale./S.K/KP/BBC/

Continue Reading

Lajmet

​NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026

Published

on

Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.

Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.

Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, shkruan Anadollu Agency.

Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.

Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Hakohet Ministria e Brendshme e Francës

Published

on

Ministria e Brendshme e Francës ka qenë shënjestër e një sulmi të madh kibernetik që zgjati disa ditë, gjatë të cilit llogaritë e email-it të punonjësve u kompromentuan dhe u qasen dosjet e ndjeshme të policisë, njoftoi sot ministri i Brendshëm Laurent Nunez.

Në një intervistë me Franceinfo, ministri Nunez tha se një hetim gjyqësor është duke u zhvilluar me qëllim gjetjen shumë të shpejtë të autorit të krimit.

Sipas tij, sulmuesit arritën të qasen në disa kuti profesionale email-i dhe kështu të marrin kode aksesi. Kjo u lejoi atyre të kërkonin në një numër bazash të dhënash të rëndësishme të policisë, duke përfshirë Sistemin e Përpunimit të të Dhënave Penale (TAJ) dhe Regjistrin e Personave të Kërkuar (FPR).

Edhe pse sulmi është konfirmuar, shkalla e saktë e dëmit është ende e paqartë.

Ministria, e cila punëson pothuajse 300,000 njerëz, nuk ka marrë asnjë kërkesë për shpërblim. Nunez ia atribuoi shkeljen “neglizhencës” së individëve brenda ministrisë, pavarësisht paralajmërimeve të rregullta në lidhje me procedurat e sigurisë.

“Duhen disa individë për të mos ndjekur këto rregulla,” tha ai.

Javën e kaluar, media raportoi për aktivitet të dyshimtë në serverë të ministrisë, pas së cilës grupi i hakerëve pretendoi, pa dhënë prova, se kishte qasje në të dhënat e më shumë se 16 milionë njerëzve.

“Kjo është e rreme,” tha Nunez duke shtuar se Komisioni Kombëtar për Informatikë dhe Liri (CNIL) është informuar për gjithçka, dhe Zyra Franceze për Luftimin e Krimit Kibernetik (OFAC) po udhëheq hetimin./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara