Botë

FBI: Kemi gjetur 2400 dosje të reja që lidhen me vrasjen e Presidentit Kennedy

Published

on

Byroja Federale e Hetimeve tha të martën se ka zbuluar 2400 dosje të reja që lidhen me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy, ndërsa agjencitë federale punojnë për të përmbushur urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump muajin e kaluar për të publikuar mijëra të dhëna. FBI-ja tha se po punon për transferimin e të dhënave tek Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve për t’u përfshirë në procesin e deklasifikimit.

Në vitin 1992, Kongresi kishte urdhëruar që të gjitha dosjet e mbetura sekrete në lidhje me hetimin për vrasjen e ish Presidentit Kennedy duhet të hapeshin plotësisht për publikun përmes Arkivave Kombëtare pas 25 vjetësh, më 26 tetor 2017, me përjashtim të atyre që presidenti autorizoi të mbaheshin ende sekret.

FBI-ja nuk tha se çfarë të dhënash përmbajnë dosjet e zbuluara. Në vitin 2020, Byroja Federale e Hetimeve hapi një qendër për dokumentacionin, duke filluar përpjekjet shumëvjeçare për grumbullimin dhe inventarin elektronik të çështjeve të mbyllura nga zyrat e saj në të gjithë vendin.

Agjencia tha se një inventar më gjithëpërfshirës i të dhënave dhe teknologjia e përparuar mundësuan gjetjen e dokumenteve në fjalë.

Jefferson Morley, nënkryetar i Fondacionit Mary Ferrell, një depo për dosjet që kanë lidhje me vrasjen e Presidentit Kennedy, e vlerësoi zbulimin e dokumenteve nga FBI-ja.

Kjo tregon se FBI është serioze për të qenë transparente”, tha zoti Morley, i cili është gjithashtu redaktor i blogut “JFK Facts”. Ai shtoi se ky veprim shërben si shembull që edhe agjencitë e tjera të ofrojnë dosjet që nuk janë dorëzuar ende pranë Arkivave Kombëtare.

Urdhri i Presidentit Trump muajin e kaluar udhëzon drejtorin e zbulimit kombëtar dhe prokuroren e përgjithshme që të hartojnë një plan për të publikuar të dhënat sekrete që kanë lidhje me atentatin ndaj Presidentit Kennedy.

Një zëdhënës i Zyrës së Drejtorit të Zbulimit Kombëtar tha plani për publikimin e të dhënave ishte dorëzuar në bazë të urdhrit, por nuk dha detaje apo afate kohore për publikimin e dokumenteve.

Gjatë mandatit të parë, Presidenti Trump tha se do të lejonte publikimin e të gjitha dokumenteve të mbetura, por siç duket për arsye të sigurisë kombëtare disa dosje nuk u publikuan. Ndërsa disa dosje vazhduan të publikoheshin gjatë administratës së Presidentit Biden, disa nuk e kaluan pragun.

Vrasja e Presidentit Kennedy nxiti teori konspirative për dekada me radhë. Presidenti Kennedy u qëllua për vdekje në qendër të qytetit të Dallas-it nga atentatori 24-vjeçar Lee Harvey Oswald. Dy ditë pas vrasjes së presidentit, Jack Ruby, pronar i një klubi nate, qëlloi të vdekje atentatorin Lee Harvey Oswald ndërsa ky i fundit po transferohej drejt burgut.

Komisioni Warren, i ngritur nga Presidenti i atëhershëm Lyndon B. Johnson për të hetuar atentatin ndaj presidentit, arriti në përfundimin se Lee Harvey Oswald veproi i vetëm dhe se nuk kishte prova për komplot. Por ky përfundim nuk i dha fund një serie teorish të ndryshme gjatë dekadave.

Dosjet e publikuara gjatë viteve të fundit kanë ofruar detaje mbi mënyrën se si funksiononin shërbimet e zbulimit në atë kohë, dhe përfshijnë kabllograme dhe memorandume të CIA-s që diskutojnë vizitat e Oswald-it në ambasadat sovjetike dhe kubane gjatë një udhëtimi në kryeqytetin e Meksikës vetëm disa javë para atentatit. Ish marinsi amerikan kishte dezertuar më parë duke u vendosur në Bashkimin Sovjetik përpara se të kthehej në Teksas pranë familjes.

Urdhri ekzekutiv që Presidenti Trump nënshkroi muajin e kaluar synon gjithashtu të publikojë dosje sekrete në lidhje me vrasjen e senatorit Robert F. Kennedy, vëllait të presidentit të ndjerë dhe udhëheqësit të drejtave civile Martin Luther King Jr.

Presidenti Trump ka emëruar nipin e Presidentit Kennedy, Robert F. Kennedy Jr., për postin e Sekretarit të Shëndetësisë në administratën e tij të re. Zoti Kennedy, babai i të cilit, Robert F. Kennedy, u vra në vitin 1968 ndërsa kërkonte emërimin si kandidat demokrat për president, është shprehur se nuk është i bindur se një person i armatosur ishte përgjegjësi i vetëm për vrasjen e xhaxhait të tij, Presidentit Kennedy, në vitin 1963.

Lajmet

BE-ja miraton një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Published

on

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh pasi nuk arritën të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.

Marrëveshja, e cila sipas udhëheqësve do të përmbushte nevojat ushtarake dhe ekonomike të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, erdhi pas më shumë se një dite bisedimesh në një samit në Bruksel.

“Ne u zotuam, ne e përmbushëm premtimin”, shkroi shefi i BE-së, Antonio Costa, në X, ndërsa njoftoi marrëveshjen për të siguruar një kredi të mbështetur nga buxheti i përbashkët i bllokut.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kishte kërkuar udhëheqësve të përdornin 200 miliardë euro nga asetet e ngrira ruse, por Belgjika, ku mbahet pjesa më e madhe e parave të gatshme, kërkoi garanci për ndarjen e përgjegjësisë, gjë që rezultoi shumë e vështirë për vendet e tjera./S.K/KP/BBC/

Continue Reading

Lajmet

Tre të arrestuar për djegien e një elefantit të egër në Sri Lanka

Published

on

Policia në Sri Lanka ka arrestuar tre burra për dyshimin se kanë djegur një elefant të egër me pishtarë flakësh ndërsa përpiqeshin ta largonin, raportuan mediat lokale.

Një video e incidentit, e cila ndodhi në një fshat në veri të vendit, shkaktoi reagime të ashpra ndërsa qarkulloi në mediat sociale këtë javë.

Pavarësisht se mori trajtim nga veterinerët, elefanti mashkull ngordhi të martën.

Të dyshuarit, të cilët u arrestuan të enjten, janë të moshës midis 42 dhe 50 vjeç, raportuan mediat lokale./S.K/KP/BBC/

Continue Reading

Lajmet

​NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026

Published

on

Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.

Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.

Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, shkruan Anadollu Agency.

Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.

Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Hakohet Ministria e Brendshme e Francës

Published

on

Ministria e Brendshme e Francës ka qenë shënjestër e një sulmi të madh kibernetik që zgjati disa ditë, gjatë të cilit llogaritë e email-it të punonjësve u kompromentuan dhe u qasen dosjet e ndjeshme të policisë, njoftoi sot ministri i Brendshëm Laurent Nunez.

Në një intervistë me Franceinfo, ministri Nunez tha se një hetim gjyqësor është duke u zhvilluar me qëllim gjetjen shumë të shpejtë të autorit të krimit.

Sipas tij, sulmuesit arritën të qasen në disa kuti profesionale email-i dhe kështu të marrin kode aksesi. Kjo u lejoi atyre të kërkonin në një numër bazash të dhënash të rëndësishme të policisë, duke përfshirë Sistemin e Përpunimit të të Dhënave Penale (TAJ) dhe Regjistrin e Personave të Kërkuar (FPR).

Edhe pse sulmi është konfirmuar, shkalla e saktë e dëmit është ende e paqartë.

Ministria, e cila punëson pothuajse 300,000 njerëz, nuk ka marrë asnjë kërkesë për shpërblim. Nunez ia atribuoi shkeljen “neglizhencës” së individëve brenda ministrisë, pavarësisht paralajmërimeve të rregullta në lidhje me procedurat e sigurisë.

“Duhen disa individë për të mos ndjekur këto rregulla,” tha ai.

Javën e kaluar, media raportoi për aktivitet të dyshimtë në serverë të ministrisë, pas së cilës grupi i hakerëve pretendoi, pa dhënë prova, se kishte qasje në të dhënat e më shumë se 16 milionë njerëzve.

“Kjo është e rreme,” tha Nunez duke shtuar se Komisioni Kombëtar për Informatikë dhe Liri (CNIL) është informuar për gjithçka, dhe Zyra Franceze për Luftimin e Krimit Kibernetik (OFAC) po udhëheq hetimin./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara