Lajmet

Lista Serbe e akuzon KQZ-në se po ia mohon të drejtën për vëzhgim e kontroll në ditën e zgjedhjeve

Published

on

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka shprehur pakënaqësi për përbërjen e komisioneve zgjedhore për numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në vendvotime dhe në qendrat e numërimit të votave.

Ajo e ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se e ka dëmtuar atë, pasi në shumë komuna, Lista Serbe nuk ka anëtarë të vet për të “kontrolluar ligjshmërinë, legjitimitetin dhe karakterin demokratik të zgjedhjeve”.

Zyrtari i kësaj partie, Igor Simiq, tha në një konferencë për media se partia e Nenad Rashiqit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, është “favorizuar” dhe se, në disa raste, ka më shumë anëtarë në komisionet zgjedhore, edhe pse, sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2021 kjo parti mori dukshëm më pak vota.

Si shembull për pretendimet e tij, Simiq e mori komunën e Istogut, ku në zgjedhjet e vitit 2021 Lista Serbe mori 259 vota, por nuk ka asnjë kryesues apo anëtar në komisionin zgjedhor, në qendrën komunale të numërimit të votave ose në vendet për votimin me kusht.

Simiq theksoi se Lista Serbe, edhe pse parlamentare, ka më pak anëtarë në komisionet zgjedhore, madje edhe në komunat me shumicë serbe.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe si parti parlamentare ka 18 përfaqësues në vendvotime, përfshirë vetëm tre kryesues nga gjithsej 24 vendvotime dhe 15 anëtarë. Si rrjedhojë, mund të llogaritni vetë – në gjashtë vende ne nuk kemi përfaqësuesit tanë, që do të thotë se në gjashtë klasa me potencialisht 6.000 votues, nuk kemi kontroll mbi procesin zgjedhor, pasi nuk kemi anëtarë të cilët mund ta mbikëqyrin procesin”, tha Simiq.

Ai gjithashtu theksoi përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për të penguar Listën Serbe që të marrë pjesë në zgjedhje, duke deklaruar se kjo parti është “mburoja e mbrojtjes së interesave të serbëve dhe Serbisë në Kosovë”.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me akuzat e Listës Serbe për “shkeljen e rregullave zgjedhore”, por deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje.

Lista Serbe paraqiti ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kundër vendimit të KQZ-së për përbërjen e komisioneve zgjedhore.

Anëtarët e KQZ-së thanë gjatë një takimi të premten pasdite se nuk kanë shkelur ligjin duke zgjedhur përbërjet e komisioneve dhe shtuan se do ta presin vendimin e PZAP-së.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje bëri përpjekje ta ndalonte pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit duke kërkuar moscertifikimin e saj, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në dy raste mori vendime në favor të Listës Serbe.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, “Kosova dhe Metohia”.

Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

Ndërkohë, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje, pasi e konsideron atë “kundërshtarin më të madh”.

Lista Serbe u themelua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe që atëherë ka pasur mbështetje për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Deri më tani, në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë, kjo parti ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb, por Misioni Vëzhgues i BE-së, në raportin e saj të vitit 2021, ka përfunduar se Lista Serbe ka “monopolizuar jetën politike ndërmjet serbëve të Kosovës” dhe janë shënuar raste të frikësimit dhe presionit ndaj votuesve nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL/

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara