Lajmet

Kurti thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me Osmanin për politikën e jashtme

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të premten se ka komunikim dhe bashkërendim të vazhdueshëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për politikën e jashtme, pas fjalimit të saj kritikues se marrëdhëniet e vendit me aleatët po vihen në rrezik.

Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve më 21 nëntor, Osmani bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën.

I pyetur rreth kësaj deklarate gjatë një ngjarjeje në Podujevë të premten, Kurti tha se “unë vazhdimisht kam qenë në komunikim dhe bashkërendim edhe me presidenten Osmani edhe kryeparlamentarin [Glauk] Konjufca edhe ministren e jashtme [Donika] Gërvalla sa i përket politikës së jashtme”.

Besoj që të arriturat i kemi të përbashkëta edhe kësisoj duhet të vazhdojmë. Nuk ka vështirësi dhe sfida të tilla që nuk i tejkalojmë”, tha Kurti.

Osmani theksoi se aleanca e Kosovës me vendet e tjera “është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.

Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr Kurti, është kritikuar dhe akuzuar nga Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i vendit, si dhe nga Bashkimi Evropian, për veprime të “njëanshme dhe të pakoordinuara” në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në 12 muajt e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe, duke ndaluar dinarin dhe duke ndërtuar stacione policore.

Kurti vazhdimisht këmbëngul se veprimet e Qeverisë së tij nuk janë të drejtuara kundër askujt, se ndjek Kushtetutën dhe ligjet e Kosovësdhe se marrëdhëniet me SHBA-në janë të mira, me gjithë mospajtimet për disa çështje.

Presidentja Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Osmanit filluan të pësojnë çarje gjatë verës së këtij viti, kur Presidenca e Kosovës tha në qershor se Qeveria nuk ishte konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Kurti kishte thënë asokohe se nuk kishte dallime të patejkalueshme me Osmanin.

Lista Guxo, e themeluar nga presidentja Osmani së bashku me ministren Gërvalla, pati garuar në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Guxo, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje, patën fituar mbi 50 për qind të votave.

Qeveria e re, në krye me Kurtin, u formua më 22 mars të vitit 2021.

Vjosa Osmani u zgjodh presidente pak ditë më vonë, më 4 prill 2021./REL/

Lajmet

Karriera e suksesshme nis me UBT-në – Përmbyllet Akademia Verore e Qendrës së Karrierës

Published

on

Pas dy ditësh të mbushura me ligjërata, punëtori dhe sesione frymëzuese, Akademia Verore e Karrierës, e organizuar nga Qendra e Karrierës në UBT, ka përmbyllur edicionin e saj të radhës me sukses të plotë.

Ky program, i cili bashkoi studentë, profesionistë dhe përfaqësues të kompanive lidere në Kosovë, u kthye në një platformë reale për zhvillim personal dhe profesional, duke ofruar mundësi konkrete për orientim në karrierë dhe ndërtim të rrjetit profesional.

Gjatë ditëve të Akademisë:

Studentët morën pjesë në ligjërata mbi zhvillimin e karrierës dhe shkathtësitë e buta, si dhe në sesione interaktive me ekspertë të fushës së HR dhe sipërmarrjes.

Kompani si Automita, e përfaqësuar nga Qendresa Shala dhe Tenton, e përfaqësuar nga Alban Sahiti – alumnus i UBT-së, ndanë rrugëtimet e tyre frymëzuese dhe mundësitë për të rinjtë.

Ndërkohë, përfaqësues nga Gjirafa, IPKO, KosovaJobs dhe kompani të tjera ndanë përvoja të drejtpërdrejta dhe këshilla për hyrjen e suksesshme në tregun e punës.

Në përmbyllje të këtij edicioni, u theksua roli kyç që Qendra e Karrierës në UBT luan në ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për ndërtimin e një karriere të qëndrueshme dhe inovative.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Në maj morëm informacione për veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim e ka bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.

Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.

I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.

Osmani i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.

Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.

Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.

Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal.

Megjithatë, KFOR-i nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit, duke thënë se për to duhet referuar te institucionet e Kosovës dhe ato të SHBA-së.

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka thënë një ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë./REL

Continue Reading

Lajmet

Osmani priti në takim Anu Prattipatin

Published

on

By

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë si dhe situatën me ngërçin politik.

Në takim u diskutua gjithashtu për zhvillimet e fundit në vend, me fokus në hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit në dritën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe për zhvillimet në fushën e sigurisë”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Sipas njoftimit, Osmani ka diskutuar me diplomaten amerikane edhe rreth vizitës së saj në Shtetet e Bashkuara si dhe takimet që presidentja i ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Me këtë rast, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, përfshirë hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit me SHBA-në, me theks të veçantë në fushat e ekonomisë dhe të mbrojtjes”, bëri të ditur institucioni i Presidencës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata e Prishtinës e dënon në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte një ish-pjesëtar të sigurimit serb

Published

on

By

Në një njoftim për media, Gjykata Themelore në Prishtinë tha se e gjeti fajtor të pandehurin, të cilin e identifikoi vetëm me inicialet S.F., për kryerjen e veprës penale krime lufte kundër popullsisë civile.

Prokuroria e akuzoi atë se, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të paidentifikuar, e kishin marrë me forcë në veturën e tyre një mjek me inicialet H.Sh në vitin 1998 në rrugën Drenas-Prishtinë, dhe e “kishin dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku e kishin rrahur e torturuar”.

Nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë”, sipas aktakuzës.

S.F., ka të drejtë të ankohet ndaj aktgjykimit të Themelores në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022. Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Megjithatë, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në shkurt të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza në mungesë, kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë është shqiptuar dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99 u vranë mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./REL

Continue Reading

Të kërkuara