Bota

Diplomatët e BE-së kundërshtuan propozimin e Borrelit për t’i dhënë fund dialogut me Izraelin

Published

on

Borrell u shkroi ministrave përpara takimit në Bruksel, duke përmendur “shqetësime serioze për shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza”.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian refuzuan të hënën propozimin për pezullimin e dialogut politik me Izraelin të paraqitur nga kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell, duke përmendur shqetësimet për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut në luftën në Gaza, transmeton Fena.

Borrell u shkroi ministrave përpara takimit të së hënës në Bruksel, duke përmendur “shqetësime serioze për shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Gaza”.

Si Borrell ashtu edhe zyrtarë të tjerë thanë, megjithatë, se ministrat nuk e kishin miratuar masën.

Shumica e vendeve anëtare besojnë se është shumë më mirë të vazhdohen marrëdhëniet diplomatike dhe politike me Izraelin,” tha Borrell në një konferencë shtypi pas takimit.

Sidoqoftë, unë vendosa në tryezë të gjithë informacionin e prodhuar nga organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që punojnë në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe në Liban, për të vlerësuar mënyrën se si po zhvillohet lufta, po kryhet”, tha ai.

Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski u tha gazetarëve:

Ne e dimë se ka ngjarje tragjike në Gaza, viktima të mëdha civile, por nuk harrojmë se kush e filloi ciklin aktual të dhunës.”

Dialogu politik përfshihet në një marrëveshje më të gjerë për marrëdhëniet midis BE-së dhe Izraelit, duke përfshirë lidhjet e gjera tregtare, e cila hyri në fuqi në qershor 2000.

Pezullimi i tij do të kërkonte miratimin e të 27 vendeve anëtare të BE-së.

Në një postim në blog javën e kaluar, Borrell akuzoi Izraelin se në mënyrë të përsëritur nuk i dëgjoi lutjet e BE-së për të respektuar ligjin ndërkombëtar në Gaza.

Izraeli ka hedhur poshtë akuzat se po shkel ligjin ndërkombëtar në enklavë.

Ai pretendon se forcat e tij dallojnë civilët nga luftëtarët dhe se ushtria izraelite vepron në mënyrë proporcionale me çdo kërcënim.

BE-ja po përpiqet të gjejë një pozicion të fortë të unifikuar për luftën në Gaza, e cila u ndez nga sulmet ndaj Izraelit nga luftëtarët palestinezë nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Bashkimi i bëri thirrje Hamasit që të lirojë të gjithë pengjet izraelitë dhe nga të dyja palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar.

Shërbimet shëndetësore në Gaza pretendojnë se pothuajse 44,000 njerëz janë vrarë në fushatën izraelite, raporton Reuters.

Bota

Raportohet për të paktën 26 të vrarë në Gazë

Published

on

By

Agjencia për mbrojtje civile në Gazë tha më 19 korrik se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 26 persona dhe kanë lënë të plagosur më shumë se 100 të tjerë pranë dy qendrave të ndihmës në jug të territorit palestinez.

Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Basal i tha AFP-së se 22 persona u vranë pranë një qendre të ndihmës në jugperëndim të Han Junisit, ndërkaq katër të tjerë afër një qendre në veriperëndim të Rafahut, duke fajësuar “sulmet izraelite” për të dyja rastet.

Ushtria izraelite tha se po heton këto pretendime.

Për shkak të kufizimeve të vendosura ndaj mediave ndërkombëtare, raportimet për numrin e viktimave dhe detajet për sulmet e raportuara nga agjencia për mbrojtje civile dhe palë të tjera nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Lufta në Gazë, që u nxit nga sulmi i Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, ka shkaktuar një krizë të rëndë humanitare në enklavën palestineze.

Mbi 2 milionë persona që jetojnë në Gazë po përballen me mungesë të furnizimeve ushqimore dhe furnizimeve të tjera elementare, teksa mjekët kanë raportuar për rritje të madhe të rasteve të kequshqyerjes.

Raportimet për sulmet ndaj personave që kërkojnë ndihma pranë qendrave të shpërndarjes janë ditore, teksa autoritetet palestineze fajësojnë Izraelin për këto raste.

Një ditë më parë, agjencia për mbrojtje civile në Gazë raportoi se nëntë persona u vranë pranë qendrës për shpërndarjen e ndihmës në veriperëndim të Rafahut.

Fondacioni Humanitar për Gazën – që mbështetet nga SHBA-ja dhe Izraeli – mori përsipër shpërndarjen e ndihmës në Gazë në fund të majit. Ky fondacion tha se të mërkurën 20 persona vdiqën në Han Junis. Por, për vdekjen e tyre fondacioni fajësoi “personat e armatosur të lidhur me Hamasin” që pretendoi se shkaktuan “skena katoike dhe të rrezikshme” dhe “qëlluan drejt personave që kërkonin ndihma”.

Më herët gjatë javës, Kombet e Bashkuara thanë se kanë regjistruar 875 të vrarë në Gazë, të cilët po tentonin të merrnin ndihma, përfshirë 674 “në afërsi të qendrave të Fondacionit Humanitar për Gazën” që kur ky fondacion nisi operacionet për shpërndarjen e ndihmës./REL

Continue Reading

Bota

Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të premten legjislacionin historik për kriptovalutat, duke vendosur kuadrin e parë rregullator federal për stablecoin-et.

Trump, një ish-skeptik ndaj kriptovalutave, është përpjekur të riformulojë veten si një mbrojtës i kriptovalutave në mandatin e tij të dytë, duke shtyrë përpara miratimin e legjislacionit për të forcuar pozicionin e SHBA-së në tregun dixhital.

Këtë pasdite, ne bëjmë një hap gjigant për të çimentuar dominimin amerikan të teknologjisë globale të kriptovalutave, ndërsa nënshkruajmë Aktin historik GENIUS në ligj. Pra, urime të gjithëve. Është një gjë e madhe“, tha ai në një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë me anëtarë të industrisë së kriptovalutave të pranishëm.

Unë u zotova se do të rikthenim lirinë dhe lidershipin amerikan dhe do ta bënim Shtetet e Bashkuara kryeqytetin e kriptovalutave në botë, dhe kjo është ajo që kemi bërë. Dhe nën administratën Trump, kjo vetëm sa do të shkojë më tej, do të bëni shumë mirë“, shtoi ai.

Akti Udhëzues dhe Vendosës Kombëtar i Inovacionit për Monedhat Stablecoin të SHBA-së (GENIUS) u miratua nga Senati muajin e kaluar, por iu drejtua tavolinës së Trump për t’u nënshkruar si ligj pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi 308-122 për të miratuar legjislacionin në baza dypartiake të enjten.

Ligji ua lehtëson bankave emetimin e monedhave stablecoin, ose kriptovalutave të lidhura me një aset si dollari amerikan. Ai gjithashtu synon të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e tregut të monedhave stablecoin.

Continue Reading

Aktualitet

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI

Published

on

Një sukses që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe vendos Kosovën në hartën globale të arsimit të lartë është rangimi i radhës i UBT-së, i cili ka arritur të renditet ndër universitetet më të mira dhe më inovative në botë, sipas rangimit prestigjioz të World University Rankings for Innovation (WURI 2025), duke u radhitur përkrah universiteteve prestigjioze si Harvard, MIT, Stanford, Oxford, e të tjera.

Në raportin zyrtar të publikuar nga WURI, UBT ka arritur pozicionime të larta në disa kategori kyçe, duke u radhitur në mesin e institucioneve lidere të arsimit të lartë në nivel global:

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi këto arritje si një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të institucionit.

“UBT po dëshmon se është një forcë lëvizëse e arsimit të lartë në botë. Rangimet e WURI janë pasqyrim i realitetit që po ndërtojmë çdo ditë: një universitet që promovon dijen, inovacionin, dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërkombëtarizimit”.

Ky sukses i radhës konfirmon rolin e UBT-së si një lider në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe ndërkombëtarizimit, duke e vendosur Kosovën fuqishëm në hartën globale të arsimit cilësor dhe transformues.

Për më tepër, renditja e UBT-së në mesin e universiteteve më të mira dhe më inovative në botë sipas WURI 2025 përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për institucionin, por për gjithë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Pozicionimi në vendin e 10-të për ESG Trend dëshmon angazhimin e UBT-së për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi ndaj mjedisit dhe shoqërisë, ndërsa vendi i 14-të në Funding for Sustainability tregon kapacitetin për të siguruar burime për projekte me ndikim afatgjatë. Veçanërisht i rëndësishëm është renditja në vendin e 5-të në University Brand and Reputation, që e vendos UBT-në si një nga institucionet me reputacion më të madh global, duke rritur besueshmërinë dhe vlerën e diplomës për studentët, si dhe mundësitë për bashkëpunime ndërkombëtare për stafin akademik.

Ky sukses e ngre më tej profilin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të arsimit, duke e bërë më tërheqëse për studentë, profesorë dhe partnerë strategjikë nga e gjithë bota dhe duke dëshmuar se institucionet kosovare mund të konkurrojnë denjësisht në nivel global.

Continue Reading

Bota

Irani u kërkon evropianëve të heqin dorë nga kërcënimet për rikthimin e sanksioneve

Published

on

By

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, u ka bërë thirrje fuqive evropiane t’i ndalin kërcënimet ndaj Teheranit, përfshirë paralajmërimet për rivendosjen e sanksioneve të OKB-së.

Diplomati kryesor i Teheranit shkroi të premten në X se u tha homologëve të vet nga Britania, Franca, Gjermania, si dhe shefes së politikës së jashtme të BE-së, gjatë një bisede të përbashkët telefonike se Evropa “duhet të veprojë me përgjegjësi” dhe të heqë dorë nga “politikat e shteruara kërcënuese dhe të trysnisë”.

Ai tha se BE-ja dhe grupi evropian i quajtur E3 nuk kanë “asnjë bazë morale apo ligjore” për të aktivizuar “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve të OKB-së kundër Iranit.

Ditë më parë, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, u tha ministrave të tjerë të BE-së se E3-ja është e gatshme t’i rivendosë sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, nëse Teherani nuk shpreh “angazhim të fortë, të dukshëm dhe të qartë”.

Evropianët përsëritën të njëjtin qëndrim gjatë bisedës me Araqchin, sipas një burimi diplomatik francez të cituar nga Reuters, i cili tha se Irani nuk u përball me trysni për të arritur një marrëveshje “të verifikueshme dhe të qëndrueshme” me Shtetet e Bashkuara.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 – Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) – kufizimet e afatgjatë të OKB-së ndaj shitjes së armëve, ndaj bankave dhe teknologjisë bërthamore, u hoqën 10 vjet më parë.

Qeveritë evropiane mund ta përdorin akoma mekanizmin e marrëveshjes për “rikthimin e menjëhershëm” të sanksioneve para afatit të 15 tetorit.

Irani pezulloi bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i bombarduan objektet e tij bërthamore muajin e kaluar.

Evropianët po ushtrojnë trysni për të rikthyer punën e inspektorëve bërthamorë të OKB-së në Iran, duke synuar ta parandalojnë Teheranin nga riorganizimi i programit të tij bërthamor pas dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, Kina dhe Rusia – mbështetës të kamotshëm të Iranit në këto negociata – nuk mund të vënë veto për rikthimin e sanksioneve.

Megjithëse dritarja formale për aktivizimin e mekanizmit mbyllet në tetor, qeveritë evropiane mund të zgjedhin ta shtyjnë këtë hap pas këtij afati për të mbajtur derën hapur për bisedime të mëtejshme.

Negociatorët iranianë dhe amerikanë ishin planifikuar të takoheshin në Oslo javën e kaluar, por takimi u shty, dhe duket se nuk është caktuar një datë e re.

Çdo rund i ri bisedimesh është i mundur vetëm kur pala tjetër është e gatshme për një marrëveshje të drejtë, të balancuar dhe të dobishme bërthamore për të dyja palët”, shkroi Araqchi në X.

Gjatë një konference për shtyp këtë javë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ndërsa Irani dëshiron të angazhohet në bisedime, ai nuk është “për ngut” për t’u takuar, duke theksuar se “ne i shkatërruam objektet e tyre” në sulmet e 22 qershorit mbi objektet bërthamore në Fordo, Isfahan dhe Natanz./REL

Continue Reading

Të kërkuara