Lajmet

​Subvencionet për familjet me asistencë sociale, ekspertët thonë se janë jo efektive

Published

on

Skema e re sociale për familjet me asistencë sociale, e prezantuar nga Qeveria e Kosovës, po vlerësohet si jo efektive nga njohës të ekonomisë, për çka thonë se po bëhet në kuadër të fushatës politike. Ndërkaq, ekspertë të punës sociale vënë në dyshim nëse kjo reformë do të mund të funksionojë siç është planifikuar.

Në kuadër të kësaj skeme, personat nga mosha 18 deri në 64-vjeç të aftë për punë do të subvencionohen me 70 për qind të pagës së tyre në bizneset ku ata do të punësohen për gjashtë muaj dhe të njëjtit nuk do të largohen automatikisht nga skema sociale.

Profesori i ekonomisë, Musafë Kadrijaj e quan të dështuar reformën në skemën sociale, pasi sipas tij ajo nuk mund të funksionojë në praktikë. Ai potencon se këto lloje të politikave sociale vetëm sa po e ulin mirëqenien e qytetarëve.

“Kjo qeveri është dëshmuar çdo ditë që me të vërtetë është shumë amatore dhe nuk është duke e kuptuar ekonominë e tregut. Pra, në vend të politikave zhvillimore, politika në nxitjen e fuqizimit të biznesit dhe ai natyrshëm e merr fuqinë punëtore. Por, jo me këto lloj politikash sociale, me pako sociale, sepse njerëzit nuk punojnë me “sustë”, nuk janë makinë roboti… Është diçka e pamundur, sepse të subvencionojë biznesin është diçka që në praktikë nuk funksionon. Në vend që qeveria aktuale të fokusohet në fuqizimin e bizneseve dhe t’i rritë urat e bashkëpunimit me biznese, që dihet se është ndër qeveritë, apo qeveria e vetme që më së shumti i ka prerë lidhjet me biznese, në vend të kontribuojë. Në këtë mënyrë këta po mundohen me këto pako sociale, që në vazhdimësi po tregojnë që janë të dështuar dhe në fakt, vetë kahja e kësaj qeverie që është marrë vazhdimisht me pako sociale nuk e ka rritur mirëqenien, në fakt e ka ulur mirëqenien dhe po ashtu e ka nxitur qytetarin e Kosovës të largohet nga vendi”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj thekson se Qeveria aktuale e ka bërë këtë reformë në kuadër të fushatës politike. Ai thotë se në vend të kësaj, duhet rritur paga minimale dhe të fuqizohen bizneset, në mënyrë që qytetarët të mos jenë të varur nga asistenca sociale.

“Po tenton në prag të zgjedhjeve kryeministri ta mbajë një pjesë të elektoratit, por këso lloj mbajtje është përfitim i paqes te një pjesë e qytetarëve të Kosovës që në një mënyrë ‘nuk iu lë të vdisni’, por të varfër do të mbesni’… Në momentin që qytetari si ta gjejë hapësirën, atë shtegun që mund merr (mjetet) dhe mund t’i ikë shtetit, nuk e rrit nivelin e ndërgjegjes që në fakt të largohet. Por, unë jam idhtar i asaj që të rritet paga minimale, të fuqizohen bizneset dhe në mënyrë të natyrshme të jenë pagat e larta… Në ekonomi të tregut kjo nuk funksionon … Biznesi absorbon fuqi punëtore kur ai e rrit aktivitetin ekonomik, por është ngulfatur aktiviteti ekonomik, qeveria tenton me këto subvencione që për biznesin nuk janë të rëndësishme”, potencon Kadrijaj.

Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku vënë në dyshim nëse kjo do të funksionojë, ngase sipas tij shumë prej përfituesve do të punojnë informalisht, vetëm që të mos eliminohen nga skema e ndihmë sociale.

Mujku thotë se qytetarët e aftë për punë, të cilët refuzojnë dy herë e më shumë punë nga zyrat e punësimit, duhet eliminuar nga skema për marrjen e ndihmës sociale.

Përveç kësaj, Mujku potencon se familjet të cilat janë dobët financiarisht dhe nuk kanë mundësi të punojnë për shkak të gjendjes shëndetësore, duhet të mbështeten edhe më shumë.

“Unë mendoj që më mirë është të zbatohet ligji, sepse ligji aktualisht e thekson mjaftë qartë që secilit punëkërkues të kategorisë së dytë duhet t’i ofrohet një vend pune dy herë dhe momentin që refuzohet të largohet nga puna. Shumica e këtyre që janë përfitues nga kategoria e dytë, mendoj që janë duke e bërë një punë informale vetëm që të mbesin përfitues të ndihmës sociale, sepse shuma e ndihmës sociale aktuale në Kosovë nuk i përmbushë për së afërmi nevojat e familjes, duke e pasur parasysh koston e jetës. Prandaj, në njërën anë e ka efektin e vet kjo skemë, por në anën tjetër, mendoj se nëse respektohet ligji në përpikëri atëherë kjo kategori është dashur të eliminohet deri më tani nga asistenca sociale. 05:38 Kurse familjet që me të vërtetë janë në gjendje të rëndë financiare dhe shëndetësore duhet të simulohen edhe më tej, sepse ato janë të paafta për punë dhe shuma aktuale është shumë e vogël për përmbushjen e nevojave të një familjeje. Posaçërisht tani në sezonin e dimrit kur shpenzimet rriten edhe më shumë, dhe ato familje mund të jenë në gjendje edhe më të rënduar”, potencon Mujku.

Përveç tjerash, Mujku vlerëson se në këtë rast kategoria e qytetarëve që marrin vetëm pagë minimale, mbeten të diskriminuar. Për këtë ai bënë krahasimin, se kategoria e dytë edhe subvencionohet nga Qeveria në pagë për gjashtë muaj me radhe dhe se në të njëjtën periudhë vazhdon të përfitojnë nga asistenca sociale.

“Çdo herë kemi lobuar që përfituesit nga skema e ndihmës sociale me theks të veçantë ata të kategorisë së dytë duhet të angazhohen në punë, duhet të jenë të punësuar dhe mos të jenë vartës të skemës së ndihmës sociale. Me vetë faktin që personat dhe familjet e kategorisë së dytë kriter bazë e kanë të jetë i aftë për punë dhe të ketë një fëmijë 5-vjeçar, që ka qenë një kriter diskriminues dhe i cili është eliminuar tani për tani. Unë mendoj se çdo herë ata është dashur të punojnë dhe të jenë të angazhuar në punë, me vetë faktin që në zyrat e punësimit në Kosovë, ka vende të mjaftueshme të punës sot, sepse janë rreth 6-7 mijë vende të lira pune në fusha të ndryshme. Mirëpo, ajo se çfarë është duke ndodhur është një lloj diskriminimi për kategoritë e tjera, të cilët vetëm punojnë. Për shembull ata që kanë pagë minimale qoftë pastrues, vozitës apo dikush tjetër, të cilët kanë pagë minimale dhe kësaj kategorie, kategorisë së dytë i mundësohet që për 6 muajt e ardhshëm edhe të marrin një pagë edhe të përfitojnë nga skema e ndihmës sociale”, tha Mujku.

Të premten, në Mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se kjo masë synon barazinë dhe nxitjen e punësimit. Ndërkaq, ministri i Financave Hekuran Murati potencoi se përmes kësaj skeme synohet inkurajimi i punësimit të anëtarëve të familjeve përfituese të asistencës sociale.

Aty u tha se persona nga 18 deri 64 vjet duhet të regjistrohen si punëkërkues dhe se secilit biznes që angazhon të punësuarit nga kjo skemë për 6 muajt e parë do të subvencionohet 70 për qind e pagës 350 deri në 500 euro pagë bruto, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë do të subvencionohet me 20 për qind.

Vendi

UBT feston fundvitin 2025 duke nderuar përkushtimin dhe sukseset e përbashkëta

Published

on

UBT organizoi ceremoninë tradicionale të fundvitit 2025, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment të veçantë mirënjohjeje dhe falënderimi për angazhimin dhe për të shënuar sukseset e përbashkëta të këtij viti akademik.

 “UBT është një institucion që ndërtohet mbi përkushtimin, inovacionin dhe besimin në dije. Çdo vit që përmbyllim është një dëshmi e rrugëtimit tonë të përbashkët dhe e guximit për të menduar përtej kufijve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e certifikatave të mirënjohjes për stafin që ka shërbyer me përkushtim për 10 dhe 20 vjet në UBT. Me duartrokitje të gjata, u nderuan profesionistët që për më shumë se një dekadë kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e institucionit, ndërsa një vlerësim i posaçëm iu nda Murat Retkocerit, për 20 vite angazhim dhe besnikëri institucionale.

Në mesin e të nderuarve për 10 vite përkushtim u përfshinë:
Alfred Marleku, Bekim Selimi, Beni Kizolli, Blerta Vula Rizvanolli, Blerton Abazi, Dafina Tmava, Ferid Selimi, Gent Hasimja, Gezim Radoniqi, Hysen Ahmeti, Ilir Zylfiu, Mirlinda Jashanica Gashi, Safete Veliu Rexhepi, Saranda Demolli, Sema Kazazi Karahoda, Valon Hoti dhe Visar Krelani.

Nën organizimin e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, studentët dhe profesorët e UBT-së sollën performanca të kuruara me profesionalizëm, duke dëshmuar talentin, kreativitetin dhe energjinë rinore që e karakterizon universitetin. Interpretimet muzikore dhe prezantimet artistike krijuan një atmosferë të veçantë festive, duke e shndërruar sallën në një hapësirë frymëzimi dhe gëzimi kolektiv.

Ceremonia e fundvitit 2025 u mbyll me mesazhe bashkimi, falënderimi dhe optimizmi për vitin që vjen, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së për të vazhduar rrugën e ekselencës akademike dhe inovacionit. Ky vit shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në historinë e institucionit, çerek shekulli nga themelimi i UBT-së, si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vizionit afatgjatë të tij.

Continue Reading

Lajmet

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Rajoni

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara