Lajmet

Nënshkruhet marrëveshja në vlerë mbi 12 milionë euro me KfW-në, ky është synimi

Published

on

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes një ceremonie ka nënshkruar marrëveshjen në vlerë mbi 12 milionë euro me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), për çka synohet përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan.

Ky projekt është kontribut i Bashkimit Evropian i implementuar nga KfW.

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati tha se kjo marrëveshja synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve duke garantuar një mjedisi më të pastër.

Ai theksoi se projekti ka për qëllim të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit si dhe të kontrollojë depozitimin e mbetjeve sipas strategjisë kombëtare për menaxhimin e mbetjeve.

Nënshkrimi i një marrëveshje tjetër që ka për synim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë përmes garantimit të një mjedisi më të pastër që njëkohësisht ndikon në përmirësimin e shëndetit publik. Marrëveshja në fjalë do të mundësojë ofrimin e infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan, e që është pjesë e programit më të gjerë për menaxhimin e mbetjeve të forta, pra faza dy deri në fazën katër…Projekti ka për qëllim të kontribuojë në menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve në përputhje me parimet e mbrojtjes së mjedisit si dhe të kontrollojë depozitimin e mbetjeve sipas strategjia kombëtare për menaxhimin e mbetjeve. Projekti synon të kontribuojë në mbrojtjen e burimeve natyrore…Sot do të nënshkruajmë marrëveshjen tjetër që kap vlerën e 12.6 milionë eurove që është kontributi i Bashkimit Evropian përmes fondeve IPA menaxhuar nga KfW. Këto mjete do të ofrohen pastaj te Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës”, tha Murati.

Ndërkaq, shefi i Departamentit të Evropës Juglindore të KfW, Klaus Muller derisa vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, theksoi se është urgjente që të merren veprime në këtë fushë.

Sipas tij, niveli lokal dhe ai qendror duhet të punojnë së bashku që të tejkalohen problemet me mbeturina dhe se ky projekt të përfundohet me kohë.

Gjermania 20 milionë euro i ka alokuar për këtë projekt më herët dhe tani kemi një fond të ri të IPA të BE. Të gjithë i dimë problemet që janë shumë prezent dhe ju e dini shumë më mirë se sa është urgjente që të merren veprime dhe mendoj sidomos në Prishtinë kemi deponinë në Mirash e cila është në kolaps dhe shkakton shumë rreziqe për mjedisin. Sepse imitimi i gazrve është shumë i lartë. Është me rëndësi që të veprohet me menjëherë. Kur jemi te deponitë, duke parë veprimet urgjente është më rëndësi që në nivelin lokal dhe qendror të punojmë së bashku që të tejkalojmë këto problem dhe të fillojmë me këtë projekt që të arrijmë në kohë të përfundojmë. Kosova drejt BE-së është duke punuar shumë në menaxhimin e deponive dhe janë duke u marrë shumë hapa në këtë drejtim”, tha Muller.

Drejtori gjeneral në Kompaninë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), Dardan Veliaj tha se ky projekt është qenësor për ndërmarrjen.

Ai theksoi se nëpërmjet këtij programi gjendja e deponive sanitare pritet të ndryshojë.

Për gjendjen e deponive nuk kemi nevojë të flasim shumë. Ka qenë vazhdimisht në media, ka qenë pikë e dobët e vendit tonë e paraqitur edhe në raportet e progresit në raportet e vendeve të Bashkimit Evropian në procesin integrues. Ky program është qenësor si për ndërmarrjen, si për vendin tonë. Nëpërmjet këtij programi gjendja e deponive sanitare pritet të ndryshojë drastikisht. Kemi pasur një keqmenaxhim të gjatë të këtij sektori, kemi pasur mungesë të planifikimit dhe investimeve adekuate, gjë që ka sjellë tek dëmet e mëdha që janë shkaktuar në ambient dhe rrethinën ku operojnë deponitë tona. Nëpërmjet këtij programi, ne do t’i shndërrojmë deponitë tona që sot operojnë pa lejet adekuate, pa respektimin adekuat të kritereve ambientale”, tha Veliaj.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara