Lajmet

Procesi i Berlinit: Dhjetë vjet në dhomën e pritjes së BE-së

Published

on

Procesi i Berlinit u krijua për të shoqëruar rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Por shumë prej vendeve e kanë rrugën të bllokuar për shkak të konflikteve me njëri-tjetrin.

Aleksandra Tomaniç drejton European Fund for the Balkans, një fondacion rajonal me seli në Beograd. Kur planifikon një aktivitet në Sarajevë, ajo duhet të mendohet dy herë, para se të ftojë edhe pjesëmarrës nga Kosova. “Për kosovarët, udhëtimi është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë, pasi ata duhet fillimisht të udhëtojnë në Shkup për të aplikuar për vizë. E njëjta gjë vlen edhe për boshnjakët që duan të udhëtojnë në Kosovë”, thotë Tomaniç pa e fshehur zhgënjimin që regjimi i vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës është ende në fuqi.

Ndërkohë që dy vjet më parë dukej se gjërat do të përmirësoheshin: Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia – nënshkruan tri marrëveshje mobiliteti, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur. “Kjo nuk është premtimi i vetëm i pambajtur i Procesit të Berlinit,” thotë Tomaniç.

Një nismë e improvizuar

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 me nismën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur më parë një “pauzë zgjerimi”. Merkel, e cila ishte e shqetësuar se kjo do të sillte destabilizimin e rajonit, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një konferencë në Berlin. Pjesëmarrës ishin gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dhjetë vende të BE-së: Përveç Gjermanisë, merrnin pjesë edhe Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia, si edhe Britania e Madhe, e cila ishte pjesë e BE-së.

Që nga viti 2014, janë mbajtur samite vjetore në qytete të ndryshme evropiane si Vjena, Londra, Parisi, Trieste, Poznani, Sofja, Berlini dhe së fundmi Tirana. Çdo vit, vendet pritëse shtonin nga një prioritet të vetin, i cili shoqërohej me nga një ministerial. Ndërkohë numri i ministerialeve dhe takimeve tematike është shumë i madh. Sot, organizohen ministeriale vjetore për bashkëpunim ekonomik, shkëmbime rinore, siguri, digjitalizim, energji të gjelbër, bujqësi, ministerial për romët dhe ministerial për çështjet gjinore. Takimi i dhjetë po mbahet sërish në Berlin. Samitit në zyrën e kancelarit Olaf Scholz, më 14 tetor, i kanë paraprirë një sërë takimesh në forume të ndryshme dhe në nivele të ndryshme ku janë diskutuar këto dhe tema të tjera.

Ruajtja e perspektivës së anëtarësimit në BE

Analisti gjerman nga Berlini, Bodo Weber, sheh një ndikim pozitiv nga takimet e përvitshme të këtij procesi. “Takimet e rregullta të liderëve dhe ministrave janë bërë normalitet,” thotë ai në një intervistë për DW. Kjo ka ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë. Por ai konstaton se Procesi i Berlinit nuk i ka stabilizuar marrëdhëniet rajonale në mënyrë të përhershme. “Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndjek ende një politikë agresive rajonale, e cila bazohet në konceptin e ‘Srpski svet’,” thotë Weber. Ky koncept nacionalist, që promovohet nga krahu nacionalist i udhëheqjes serbe, synon të bashkojë serbët në vende të ndryshme të Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.

Bilanci i Aleksandra Tomanic është kritik: “Dhjetë vjet pas themelimit të tij, Procesi i Berlinit lë ende një përshtypje të improvizuar,” thotë ajo. Edhe pse ka formate dhe takime të shumta, mungojnë rezultatet konkrete dhe shumë nga marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar. “Ngjashëm me procesin e zgjerimit të BE-së, dështimi më i madh mbetet dimensioni politik i bashkëpunimit, i cili është lënë pas dore,” thekson Tomanic.

Shumë probleme në Procesin e Berlinit nuk diskutohen për të arritur kompromise. “Në Serbi, strukturat demokratike vazhdojnë të degradohen dhe presidenti Vuçiç po përdor konfliktin me Kosovën për të forcuar kontrollin e tij politik,” kritikon Tomanic. Vuçiç nuk lejon që kritikët e regjimit nga vende të tjera të hyjnë në vend dhe ka dobësuar median dhe lirinë e shprehjes. Ajo është e zhgënjyer që pikërisht në Procesin e Berlinit nuk po diskutohen probleme të tilla: “Me rëndësi për liderët është të prodhojnë një tjetër ‘foto familjare’ që jep përshtypjen e suksesit.”

Projekte shembullore të bashkëpunimit rajonal: RYCO dhe Roaming

Por ka edhe suksese: Përveç heqjes graduale të tarifave të roaming-ut për internetin dhe thirrjet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, RYCO, Zyra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Rinor, konsiderohet një nga projektet shembullore të Procesit të Berlinit. Deri më sot ajo ka bashkuar 31.000 të rinj nga rajoni.

Veç kësaj, BE-ja, e cila është një nga partneret kryesore të Procesit të Berlinit, ka vënë në dispozicion të Ballkanit Perëndimor 30 miliardë euro, rreth gjysma e tyre janë investuar tashmë në projekte infrastrukture, energjie dhe digjitalizimi.

Por projekti kryesor i procesit të Berlinit: Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional. Shkak është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.

Marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA

Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj.

Pak para samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu nënshtrua presionit të të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, dhe hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe. Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023. Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se kësisoj donte të ndalte kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin. Por a do të implementohet marrëveshja CEFTA në të gjitha vendet e rajonit? “Letra është një gjë, por veprat janë diçka tjetër”, tha Baerbock para gazetarëve dhe shtoi se ” ne çdo ditë i vlerësojmë për këtë partnerët e këtij procesi”.

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara