Lajmet

KMDLNj: Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme po bëhet për qëllim të përfitimeve elektorale

Published

on

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNj), e ka quajtur për qëllime elektorale Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Përmes një komunikate për media, KMDLNj ka kërkuar nga partitë opozitare që ta refuzojnë këtë propozim të MD-së, nëse nuk është në përputhje të plotë me kërkesën e opozitës dhe Kushtetutën e Kosovës.

Komunikata e plotë:

Ministrja e Drejtësisë, në një konferencë për media dje tha se janë bërë ndryshimet e nevojshme prandaj pritet që së shpejti të dërgohet në Kuvend për votim. Ky ligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese për faktin se ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ligji për Byronë ishte njëri ndër premtimet kryesore të partisë në pushtet andaj edhe po bëhen përpjekje maksimale që ky ligj të bëhet funksional. Ligji për Byronë në vendet fqinje ka siguruar një bazë ligjore për ta luftuar opozitën andaj ka hasur në shumë probleme.

Edhe në Kosovë partitë në pushtetit bënin përpjekje që përmes politizimit të Byrosë për Konfiskim të Pasurisë, ta luftojnë opozitën duke e kriminalizuar ende pa filluar hetimet për të cilat, në vend të provave do të merrej parasysh mënyra e jetesës dhe gjendja materiale e që paraqet non sens për një gjyqësor me integritet profesional dhe të pavarur. KMDLNj  vlerëson se ngutja e MD për miratim të këtij ligji po bëhet për qëllim të përfitimeve elektorale pasi zgjedhjet janë afër. Partitë opozitare duhet ta refuzojnë këtë propozim të MD, nëse nuk është në përputhje të plotë me kërkesën e opozitës dhe Kushtetutën e Kosovës.

Partitë opozitare, duke rënë në kurthën e pozitës pasi e votuan Marrëveshjen kriminale dhe raciste për burgje me Danimarkën duke e shkelur rëndë parimin kushtetues për barazinë e shtetasve të Kosovës dhe atyre që përkohësisht jetojnë në Kosovë. Ata, ne votimin e tyre në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën e Kosovës, në baza etnike dhe raciste diskriminuan të burgosurit dhe të dënuarit kosovarë duke privilegjuar të dënuarit e importuar nga Danimarka.

Të dënuarit kosovarë nuk duhet ta pranojnë këtë diskriminim dhe duhet ta kundërshtojnë me të gjitha mënyrat paqësore. Propozimi i MD është manipulim për të fituar vota në zgjedhjet e ardhshme andaj duhet të refuzohet nga opozita. Qeveria e ardhshme duhet ta rishikojë Marrëveshjen raciste për burgje me Danimarkën sepse shkelë sovranitetin e vendit, rrezikon integritetin territorial dhe diskriminon qytetarët në baza etnike, si ata të Kosovës ashtu edhe ata që kundër vullnetit të tyre do të sillen nga Danimarka.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara