Lajmet

Kosova ende pa vaksinat antiCOVID, fajësohet Ministria e Shëndetësisë

Published

on

Kanë mbetur edhe tri ditë deri në përfundim të muajit shkurt, muaj ky i cili ishte paralajmëruar si kohë e mundshme për arritjen e dozave të para të vaksinës anti-COVID në Kosovë. Por si duket edhe ky muaj do të kalojë e Kosova do të jetë vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka siguruar asnjë dozë vaksine.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në vazhdimësi kishte deklaruar se po angazhohen për sigurim të vaksinës anti-COVID, por ky institucion ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të mbërrijnë vaksinat e AstraZenecas dhe Oxfordit në Kosovë. Por vonesat në negociata për vaksinën dhe mungesa e transparencës po shihen si dy faktorë që kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë.

“Angazhimi ynë është maksimal për sigurimin e vaksinës COVID-19 në sasi të mjaftueshme për 75 përqind të popullatës sonë. Pres që sipas planit për vaksinim anti-COVID të hartuar nga Instituti të zbatohen nga të gjithë nivelet e përkujdesjeve shëndetësore duke filluar nga ajo primare. Puna jonë është transparente, e përqendruar dhe e pandalshme”, tha ai.

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovë ka deklaruar se mossigurimi i vaksinave për mbrojtje nga SARS-COV2, është një veprim i pafalshëm i institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, edhe mungesa e transparencës nga Ministria e Shëndetësisë karshi këtij procesi është një problem tjetër.

“Sigurimi i një doze të vaksinës është jashtëzakonisht problem për gjithë botën, megjithatë është e pafalshme që të gjitha vendet e rajonit kanë filluar t’i kenë dozat e para dhe t’i imunizojnë kategoritë e rrezikuara, ndërsa Kosova ende asnjë dozë të vetme nuk e ka. Problemi më i madh se kjo mendoj se është mostransparenca e këtij procesi. Ne vazhdimisht kemi pasur premtime se do vijnë në këtë datë apo në një tjetër dhe do të vijë kjo dozë apo ajo dozë, por ende nuk e kemi parë qartë se kush është furnizuese me vaksina, cili model i vaksinës, cila do të jetë sasia dhe data e saktë kur ato vaksina do të vijnë në Kosovë. Vazhdimisht kemi pasur premtime të pabazuara, të pa faktuara dhe të kanë shkaktuar një konfuzitet tek popullata”, deklaroi Kodra.

Sipas tij, çdo ditë e humbur pa vaksina e rëndon tutje gjendjen shëndetësore të pacientëve, por edhe të bizneseve në vend.

“Fakti që vendet e rajonit kanë arritur të sigurojnë doza të vaksinës ne nuk mund ta arsyetohemi se sa mungesë të vaksinave të treg dhe ne nuk kemi arritur t’i marrim ato ne e kuptojmë që është e vështirë, por të paktën një dozë e caktuar e vaksinave është dashur të vijë. Çdo ditë e humbur pa vaksinë për ne është shumë, si me thënë gjendja e pacientëve është e rënduar, gjendja ekonomike e qytetarëve është e rënduar, bizneset janë në prag të kolapsit të gjitha këto për faktin se ne kemi një virus brenda dhe nuk kemi një vaksinë për të mbrojtur nga ai virus. Prandaj, barra më e madhe po iu bie qytetarëve dhe bizneseve të cilët po bëjnë kompromiset më të mëdha për të mbrojtur njerëzimin nga COVID-i, përndryshe ne do të duhej të kishim vaksinat të cilat ato do e bënin këtë mbrojtje”, theksoi ai.

Vonesa për vaksinat anti-COVID për qytetarët e Kosovës i ka konsideruar si papërgjegjshmëri, ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri.

Haziri, i cili në legjislaturën e fundit ishte edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, thotë se premtimet se në muajin shkurt do nis vaksinimi në Kosovë janë shfrytëzuar nga LDK-ja për të grumbulluar vota.

“Kjo tregon se kjo qeveri përveç se ka qenë jolegjitime ka qenë edhe e papërgjegjshme karshi kësaj gjendjeje që jemi ballafaquar me pandeminë. Pra, këta me 10 shkurt kanë deklaruar se kemi siguruar 1.2 milionë vaksina, tash jemi në përfundim të muajit shkurt dhe ende nuk shihet asgjë. Ajo çfarë dihet gjatë historisë kjo vërehet që Lidhja Demokratike e Kosovës i ka shfrytëzuar fushatat dhe asnjëherë nuk i ka mbajtur premtimet të cilat i ka dhënë. Kjo tregon se ka qenë një fushatë prej tyre që të fitojë sa më shumë vota, por qytetarët janë ata që ia dhanë vlerësimin kësaj qeverie jo legjitime”, theksoi Haziri.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi zotimet se së shpejti në arrijnë në Kosovë vaksinat anti-COVID i ka quajtur mashtrime. Sipas tij, fakti që të njëjtat nuk janë porositur me kohë e këtyre vaksinave i ka lënë qytetarët në dorë të fatit. Ai thotë se me këtë ritëm që është duke u punuar për sigurim të vaksinës, Kosova rrezikon që deri në vitin 2022 të mos ketë imunizimi në nivel të duhur.

“Për fat të keq qytetarët e këtij vendi janë braktisur dhe janë lënë në mëshirë të fatit si nga Qeveria Kurti dhe Hoti të cilët e kanë administruar dhe menaxhuar çështjen e pandemisë në vend. Jo vetëm se këto dy qeveri kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe menaxhimin e pasojave të saj, por përkundrazi nuk janë kujdesur që t’i porosisin me kohë vaksinat për t’i imunizuar qytetarët e vendit, sidomos kategoritë që kanë qenë të ndjeshme doktorët, infermierët dhe kategoritë që kanë qenë në fron me luftën e pandemisë. Për fat të keq ne jemi i vetmi shtet, jo vetëm në rajon por ndoshta edhe në Evropë, që nuk i kemi imunizuar asnjë kategori të shoqërisë kundër koronavirusit. Ne jemi tepër vonë dhe do vazhdojmë të vonohemi me këtë hap siç ka bërë Qeveria Hoti, gjasat janë që edhe viti 2022 të na zë pa vaksina dhe imunizim të duhur ose le të themi pa imunizim në nivel të duhur të qytetarëve”, theksoi ai.

Madje, Bytyçi deklaron se me këto vonesa për vaksinim të qytetarëve Kosova rrezikon të ballafaqohet edhe me izolim të jashtëm.

“Mund të ndodh që përtej izolimit të brendshëm ne do kemi edhe izolim të jashtëm për arsye se në momentin kur shumica e vendeve në rajon dhe Evropë e kanë një përqindje të qytetarëve të imunizuar nga vaksina, ne do jemi i vetmi vend që jo do të jemi të izoluar për mos liberalizim të vizave, por edhe për shkaqe shëndetësore dhe pandemike, do të jemi të izoluar si shtet. Ky rezultat ka ardhur si rezultat i një mos pune dhe moskoordinimi nga dy qeveritë (Kurti dhe Hoti). Kosova ka dështuar në shumë kontekste, jo vetëm në bashkëpunimin rajonal, por edhe në atë evropian ku siç duket ne jemi mbetur i vetmi shtet që do të presë si në formë të ndihmave nga BE-ja dhe vendet e tjera se në rast iu teprojnë do i sjellin në Kosovë. Në këtë rast jo që ka munguar vetëm bashkëpunimi rajonal, sidomos me Shqipërinë, ne kemi dështuar që t’i porosisim vetë”, deklaroi Bytyçi.

KosovaPress ka tentuar në vazhdimësi të marrë një qëndrim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë se kur pritet të mbërrijnë vaksinat e premtuara për këtë muaj, por zyrtarët e këtij dikasteri nuk janë përgjigjur.

Derisa në Kosovë ende nuk ka arritur asnjë dozë e vetme e vaksinës kundër koronavirusit, vendet e rajonit tashmë kanë nisur vaksinimin e kategorive më të rrezikuara. Shqipëria veçse ka marrë kontigjentët e vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill në këtë shtet pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360 mijë dozave të vaksinës AstraZenecas. Ndërsa, edhe Serbia ka siguruar katër lloj vaksina dhe po ashtu i ka dhuruar disa doza edhe Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinës.

Kosova po vazhdon t’i pres 100 mijë e 800 vaksinat e AstraZenecas përmes programit të shpërndarjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë – COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Vendi

UBT feston fundvitin 2025 duke nderuar përkushtimin dhe sukseset e përbashkëta

Published

on

UBT organizoi ceremoninë tradicionale të fundvitit 2025, duke e shndërruar këtë ngjarje në një moment të veçantë mirënjohjeje dhe falënderimi për angazhimin dhe për të shënuar sukseset e përbashkëta të këtij viti akademik.

 “UBT është një institucion që ndërtohet mbi përkushtimin, inovacionin dhe besimin në dije. Çdo vit që përmbyllim është një dëshmi e rrugëtimit tonë të përbashkët dhe e guximit për të menduar përtej kufijve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e certifikatave të mirënjohjes për stafin që ka shërbyer me përkushtim për 10 dhe 20 vjet në UBT. Me duartrokitje të gjata, u nderuan profesionistët që për më shumë se një dekadë kanë kontribuar në ndërtimin dhe forcimin e institucionit, ndërsa një vlerësim i posaçëm iu nda Murat Retkocerit, për 20 vite angazhim dhe besnikëri institucionale.

Në mesin e të nderuarve për 10 vite përkushtim u përfshinë:
Alfred Marleku, Bekim Selimi, Beni Kizolli, Blerta Vula Rizvanolli, Blerton Abazi, Dafina Tmava, Ferid Selimi, Gent Hasimja, Gezim Radoniqi, Hysen Ahmeti, Ilir Zylfiu, Mirlinda Jashanica Gashi, Safete Veliu Rexhepi, Saranda Demolli, Sema Kazazi Karahoda, Valon Hoti dhe Visar Krelani.

Nën organizimin e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhmentit, studentët dhe profesorët e UBT-së sollën performanca të kuruara me profesionalizëm, duke dëshmuar talentin, kreativitetin dhe energjinë rinore që e karakterizon universitetin. Interpretimet muzikore dhe prezantimet artistike krijuan një atmosferë të veçantë festive, duke e shndërruar sallën në një hapësirë frymëzimi dhe gëzimi kolektiv.

Ceremonia e fundvitit 2025 u mbyll me mesazhe bashkimi, falënderimi dhe optimizmi për vitin që vjen, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së për të vazhduar rrugën e ekselencës akademike dhe inovacionit. Ky vit shënon gjithashtu një moment të rëndësishëm në historinë e institucionit, çerek shekulli nga themelimi i UBT-së, si dëshmi e qëndrueshmërisë dhe vizionit afatgjatë të tij.

Continue Reading

Lajmet

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Rajoni

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Të kërkuara