Lajmet

Turma të mëdha mblidhen në Teheran për ceremoninë e varrimit të Raisit

Published

on

Turma të mëdha njerëzish janë mbledhur në Teheran të mërkurën për të marrë pjesë në ceremonitë e varrimit të presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, dhe zyrtarëve të tjerë që humbën jetën nga rrëzimi i një helikopteri më 19 maj.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shpalli pesë ditë zie, i udhëhoqi ceremonitë, të cilat nisën në Universitetin e Teheranit në qendër të kryeqytetit, ku u mblodhën mijëra njerëz duke mbajtur në dorë portrete të Raisit.

“O Allah, nga ai pamë vetëm mirë”, tha Khamenei për Raisin. Njerëzit u afruan për t’i prekur arkivolet, afër të të cilave qëndronte presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhaber.

Arkivolet e Raisit dhe viktimave të tjera të rrëzimit të helikopterit u sollën në Teheran me nderime më 21 maj. Ato u mbështjellën me flamuj iranianë dhe mbi to u vendosën fotografitë e tyre. Mbi arkivolin e Raisit u vendos një çallmë e zezë për të shënuar gjoja prejardhjen e tij të drejtpërdrejt nga Profeti Muhamed.

Përveç liderëve kryesorë të Iranit, në ceremoni morën pjesë edhe disa personalitete të huaja, përfshirë kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe një delegacion nga udhëheqësit talibanë të Afganistanit, i udhëhequr nga ministri i Jashtëm, Amir Khan Mutaqqi.

Ismail Haniyeh, lideri i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u pa gjatë transmetimit drejtpërdrejt duke marrë pjesë në ceremoni gjithashtu.

Irani e ka armatosur dhe mbështetur Hamasin gjatë luftës së tanishme me Izraelin në Rripin e Gazës.

I pranishëm ishte edhe Sheik Naim Qassem, zëvendëslideri i Hezbollahut, grupit libanez që mbështetet nga Irani.

Raportohet se turma brohoriti “Vdekje Izraelit”.

Ceremonitë e varrimit nisën më 21 maj në qendrën klerikale shiite Kom dhe në Tabriz, kryeqytetin e Provincës Azerbajxhani Lindor të Iranit, ku u rrëzua helikopteri më 19 maj, ku morën pjesë mijëra njerëz.

Khamenei e emëroi Mohammad Mokhberin, i cili shërbeu si zëvendëspresident i Raisit, në detyrën e presidentit të përkohshëm.

Koha e tij si president do të jetë e shkurtër, pasi autoritetet kanë caktuar 28 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale.

Mokhber, së bashku me kryetarin e Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe kryetari i Gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, do t’i organizojnë zgjedhjet e reja.

Zëvendësministri i Jashtëm, Ali Baqeri Kani, u emërua ministër i Jashtëm në detyrë, sipas mediave iraniane.

Pasi televizioni shtetëror iranian raportoi më 20 maj se helikopteri ishte rrëzuar për shkak të motit të lig, ekipet për kërkim dhe shpëtim i gjetën trupat e Raisit dhe Amir-Abdollahian në vendin e ngjarjes në veriperëndim të Iranit.

Komunikimi kishte humbur derisa helikopteri po kthehej në Tabriz, pasi Raisi kishte marrë pjesë në përurimin e një dige me homologun e vet azerbajxhanas, Ilham Aliyev, në kufirin e tyre të përbashkët.

“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Amir-Abdollahian, dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit, nga rrëzimi i helikopterit në veriperëndim të Iranit”, tha Departamenti amerikan i Shtetit në një komunikatë.

“Teksa Irani emëron presidentin e ri, ne e ritheksojmë mbështetjen tonë për popullin iranian dhe luftën e tyre për të drejtat e njeriut dhe lirinë fundamentale”.

Por Shtëpia e Bardhë kishte fjalë të ashpra për Raisin.

Zëdhënësi për siguri kombëtare, John Kirby, tha për gazetarë se “nuk ka dyshim se ai ishte njeri i cili kishte shumë gjak në duart e tij” për shkak se mbështeste grupet ekstremiste në Lindjen e Mesme.

Raisi u zgjodh president më 2021 dhe prej atëherë i kishte ashpërsuar kufizimet ndaj iranianëve, përmes zbatimit të detyrueshëm të ligjeve të moralit dhe përmes një lufte të përgjakshme kundër protestave antiqeveritare, të cilat ishin nxitur nga vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor për gjoja shkeljen e ligjit për bartjen e shamisë së kokës.

Mijëra njerëz, përfshirë protestues, gazetarë, avokatë, atletë dhe artistë janë arrestuar dhe së paku 500 njerëz janë vrarë gjatë luftës brutale të Iranit kundër protestave.

Raisi gjithashtu kishte bërë përpjekje të mëdha në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore, duke e lejuar vendin e vet që njëkohësisht ta rrisë dukshëm edhe programin e vet për uranium të pasuruar./REL

Lajmet

Kurti mban konferencë për media në orën 15:00

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë një konferencë për media sot në orën 15:00, në ambientet e Qeverisë së Kosovës.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit.

Ende nuk është bërë e ditur tema e konferencës, por ajo vjen në një moment të ndjeshëm politik dhe institucional për vendin.

Continue Reading

Lajmet

Ndalohen katër të dyshuar për plagosjen në Doganaj të Ferizajt

Published

on

By

Pas plagosjes së dy personave në fshatin Doganaj, katër persona janë ndaluar të hënën, për shkak të dyshimit “vrasje në tentativë”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, katër (4) persona të dyshuar me inicialet: A.S., L.V., Sh.L., dhe L.K., për shkak të dyshimit të veprave penale ‘Vrasja në tentativë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Pjesëmarrja në rrahje’”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aty thuhet se, bazuar në informacionet e para, rasti ka ndodhur më 21.07.2025, rreth orës 00:52, në fshatin Doganaj të Komunës së Ferizajt, ku është raportuar një rast i gjuajtjes me armë zjarri, ku si pasojë dyshohet se dy persona janë lënduar me armë zjarri.

Dy personat e lënduar, njëri prej tyre zyrtar policor, pas dhënies së ndihmës së parë nga Emergjenca e Ferizajt janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura të dyshuara, dy armë, gjashtëmbëdhjetë (16) gëzhoja dhe një (1) predhë që dyshohet të jenë shkrepur nga armët e përdoruara në këtë rast.

Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Continue Reading

Lajmet

Kjo rutinë mund të ngadalësojë plakjen dhe të rikthejë forcën në trup

Published

on

Brishtësia, ose e ashtuquajtura sindroma e brishtësisë, prek midis 7 dhe 12 përqind të njerëzve mbi 65 vjeç, dhe ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre – dhe kjo ndodh çdo ditë.

Ekspertët nga Universiteti prestigjioz Johns Hopkins shpjegojnë se brishtësia diagnostikohet kur janë të pranishme të paktën tre nga këto simptoma:

humbje peshe e paqëllimshme
ulje e forcës muskulore
ndjenjë e vazhdueshme lodhjeje
nivel shumë i ulët i aktivitetit fizik
ecje e ngadaltë.

Lajmi i mirë është se jo gjithçka është e humbur. Një studim i ri i botuar në PLOS One sjell një zgjidhje të thjeshtë, por efektive: vetëm 14 hapa më shumë në minutë përmirësojnë funksionalitetin dhe gjendjen fizike tek njerëzit e moshuar që janë të dobët ose në rrugën e duhur për t’u bërë të tillë, shkruan Index.hr.

Ecja kundër dobësisë

“Ne zbuluam se njerëzit që ishin në gjendje të ecnin vetëm pak më shpejt – mesatarisht 14 hapa më shumë në minutë – treguan përmirësime të konsiderueshme në lëvizshmëri, forcë dhe qëndrueshmëri”, thotë Dr. Daniel Rubin, udhëheqës i studimit dhe profesor në Universitetin Amerikan të Çikagos.

Me fjalë të tjera, nuk keni nevojë për pajisje të shtrenjta, një palestër apo një trajner personal. Mjafton të zgjoheni në mes të ditës dhe të ecni – por me një ritëm pak më të shpejtë se zakonisht.

Pse është e rëndësishme kjo?

Njerëzit e dobët dhe para-dobësuar kanë vështirësi edhe me detyrat më themelore të përditshme: të shkojnë në dyqanin ushqimor, të ngjiten shkallët, të ngrihen nga shtrati. Ky nuk është vetëm kufizim fizik, por edhe një barrë psikologjike. Ngadalësimi çon në izolim, depresion dhe rënie më të shpejtë njohëse.

Ecja e rregullt zvogëlon rrezikun e paaftësisë deri 28 përqind, forcon kockat dhe muskujt, mbron nga diabeti dhe ul presionin e gjakut. Ecja përmirëson gjithashtu shëndetin mendor – mund të ngadalësojë plakjen e trurit dhe të zvogëlojë rrezikun e demencës.

Si e dini nëse po ecni mjaftueshëm shpejt?

“Një nga pyetjet më të zakonshme që marr është: sa shpejt duhet të ecni?” thotë Rubin. Ai shton se monitorimi i rrahjeve të zemrës ose të folurit gjatë ecjes nuk është më i sakti, veçanërisht për njerëzit e moshuar. Ecni për 30 minuta me ritmin tuaj natyror dhe matni hapat tuaj në minutë. Pastaj provoni ta rrisni atë numër me 5 deri në 10, shpjegon ajo. Muzika mund të ndihmojë, por vetëm nëse keni një ndjenjë të zhvilluar mirë të ritmit.

Një alternativë? Frymëmarrja ritmike – thithja me hundë, nxjerrja me gojë, gjë që ul më tej presionin e gjakut dhe qetëson trupin.

Qëndrimi i saktë dhe lëkundja e krahëve – një detaj shpesh i harruar

Shumë të moshuar ecin me shpinë të përkulur, gjë që ushtron presion shtesë në shpinë dhe e bën të vështirë frymëmarrjen. Është e rëndësishme të ecni drejt, duke parë përpara dhe duke lëkundur krahët lirshëm.

“Ecja nuk është një lëvizje e këmbëve, por e të gjithë trupit. Lëkundja e krahëve duhet të koordinohet me hapat, në mënyrë që krahu dhe këmba në anët e kundërta të lëvizin njëkohësisht”, këshillon Dana Santas, një eksperte e lëvizjes dhe lëvizshmërisë funksionale.

Nëse kohët e fundit ndjeni se jeni lodhur, jeni ngadalësuar e keni më shumë pasiguri gjatë ecjes, mos prisni që situata të përkeqësohet. Nuk keni pse të vraponi një maratonë ose të ngrini pesha. Një ecje më e shpejtë është e mjaftueshme – fjalë për fjalë 14 hapa më shumë në minutë.

Continue Reading

Lajmet

Samsungu me tre ekrane vjen në fund të vitit, çmimi astronomik

Published

on

Pas viteve me prototipe që kanë tërhequr vëmendjen në panaire teknologjike, Samsungu është gati të lansojë telefonin me tre ekrane të palosshme deri në fund të vitit 2025.

Shumëkush priste që pajisja të prezantohej gjatë ngjarjes “Unpacked” në New York këtë javë, por ajo nuk u përmend. Megjithatë, në një konferencë për media pas prezantimit të telefonave të rinj me ekran të palosshëm, Roh Tae-moon, drejtuesi i divizionit të pajisjeve konsumatore në Samsung, konfirmoi se kompania po punon intensivisht në këtë pajisje të re.

“Jemi duke punuar intensivisht për telefonin me tre ekrane të palosshme me synimin që ta lansojmë deri në fund të vitit. Jemi të përqendruar në funksionalitetin dhe përvojën e përdoruesit. Ende nuk kemi vendosur një emër përfundimtar”, ka thënë ai për “The Korea Times”.

Samsungu nuk ka dhënë më shumë detaje, por një rrjedhje e fundit e një animacioni softuerik nga versioni i ri One UI 8 ka ofruar pamjen e parë të mundshme të pajisjes, që shumë po e quajnë “Galaxy G Fold”.

Bëhet fjalë për një telefon me tre ekrane të lidhura që mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur ose të kombinohen në një sipërfaqe të vetme të madhe, të ngjashme me një tablet që futet në xhep. Ekspertët mendojnë se ky është hap logjik nga Samsungu përballë konkurrencës së Huaweit, që tashmë ka prezantuar modelin e vet me tre ekrane – Mate XT Ultimate Design.

Ashtu si Huawei, edhe telefoni i Samsungut pritet të ketë çmim të lartë fillestar, rreth 3 mijë dollarë. Kompania synon që në të ardhmen të ulë çmimin nën 2 mijë dollarë, me shpresën që telefonët me tri ekrane të bëhen standardi i ri.

Continue Reading

Të kërkuara