Lajmet

Përplasje mes pozitës dhe opozitës për shkarkimin e Shemsi Hazirit në polici, arsyetohet drejtori Hoxha

Published

on

Mes tensioneve dhe përplasjeve të deputetëve të pozitës dhe opozitës është zhvilluar raportimi i drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje.

Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha ka pyetur drejtorin Hoxha për raportimet në media për ndryshimet e bëra tek Njësia e Hetimeve në Polici, lidhur me largimin e shefit të Task Forcës Antikorrupsion, Shemsi Haziri, duke e zëvendësuar këtë të fundit me Betim Berishën, i cili sipas Berishës, ‘vjen nga Konushefci, i cili gjendet shumë afër me fshatin e ministrit të punës së brendshme, Xhelal Sveçla’.

Berisha theksoi se nuk ka pozitë zëvendësdrejtor në atë njësi, dhe sipas tij, është krijuar pozita e veçantë që mos të mbetet në rrugë Haziri. Në këtë rast, Berisha përmendi hetimet ndaj Martin Berishajt.

“Majori Shemsi Haziri kishte qenë tri herë në takime, dy herë në Malin e Zi, dhe një herë në Slloveni për rastin e Martin Berishës. Dhe pas kthimit të majorit nga Mali i Zi, herën e fundit ka ndodhur transferimi. Ky paska qenë pikë kontakti e vetme me hetuesinë e Malit të Zi dhe ky për atë arsye është larguar nga Betimi. Pastaj I keni thënë ju drejtor, ‘ti duhet me u hequr prej këtu’. Nënkuptohet prej presionit politik, në fakt edhe kështu funksionon politika përmes drejtorit. Mirëpo, pse me u hequr ky (Haziri), kur iu paska pas ofruar hetimit dhe pa asnjë arsye. Tash kush është ky Shemsi Haziri, në bazë të strukturës organizative të policisë së Kosovës, nuk ka pozitë zëvendës drejtor, aty ku e keni quar. E ke krijuar pozitën, për me vendos dhe mos me qitë në rrugë, Shemsi Haziri. Me gradë është kapiten. Është shkuar zëvendës drejtor në Antidrogë aty ky është transferuar dhe në asnjë drejtori tjetër nuk paska zëvendësdrejtor”, theksoi Berisha.

Pas këtyre akuzave nga deputeti i AAK-së, deputeti nga partia në pushtet, Enver Dugolli theksoi se qasja e deputetit Berisha është e gabuar, dhe se akuzat ndaj policisë janë të rënda.

“Assesi nuk është në rregull që të keqpërdoret pozicioni i kryetarit të Komisionit, e komisioni ta humb komplet rolin për çka jemi të thirrur. Pra, unë nuk po e di tash momentalisht se a jemi në gjykatë, tashmë ‘prokurori’ por gjykatës nuk po shoh këtu. Po më vjen shumë keq, se e para herë që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës kur thirret një institucion kaq i lartë siç është drejtori i policisë, edhe i bëhen këso akuza, që nuk e di edhe prokurori a kishte me qenë në gjendje ta bënte një gjë të tillë me emra mbiemra e dyshime. Po ndihem keq si nënkryetar i Komisionit ndaj drejtorit të policisë për shkak se nuk është detyrë e komisionit të lëshohet në këtë nivel… Nuk është në rregull ne t’i tregojmë drejtorit të policisë edhe si vlerësohen policët. Është lëshuar akuza se po vlerësohen dobët dhe me nota të larta… Me këtë qasje nuk jemi duke i ndihmuar policisë e as atyre emrave që po I përmend ti. Ne jemi në vit të fundit të mandatit, zgjedhjet janë afruar, por jo ta dëmtojmë policinë, kjo nuk është politike e asnjë e partie. Kështu e kemi gjetëm dhe kështu do të duhej të vazhdojmë”, tha ai.

Për deklaratën e Berishes, ka reaguar edhe deputetja nga Vetëvendosje, Shqipe Selimi, e cila kërkoi fjalën, porse fillimisht iu refuzua nga kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha.

“Mos me pengo, jam duke fol. A jam duke e folur unë fjalën. Mbylle pra”…”Raportimi i drejtorit të policisë ka qenë para një muaji dhe nuk kemi pas të marr në email që do të raportonte ai. Ndërsa, ju për gjysmë ore këtu keni bërë akuza duke akuzuar drejtorin e policisë, policinë, dhe ndërhyrjen në punën e policisë. Iu kisha sugjeruar ta bënit një konferencë për shtyp për t’i thënë të gjitha këto shqetësime, e jo ta keqpërdorni në këtë mënyrë me emra dhe mbiemra policinë e Kosovës në këtë mbledhje… Kjo mbledhje nëse vazhdon në këtë mënyrë mund të dështojë, sepse nuk e keni thirr me këtë qëllim që drejtori i policisë, përndryshe do të thërrisnim një mbledhje me dyer të mbyllura edhe i kishim sqaruar të gjitha këto. Nëse tentoni me bërë fushatë, urdhëroni, mirëpo nuk mund të keqpërdoret institucioni i Kuvendit”, deklaroi ai.

Ndërkaq deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni theksoi se nëse qëndrojnë gjitha këto akuza, duhet të shqetësohet edhe shteti.

“Unë pajtohem me ju, për të gjitha çështjet që ju i ngritët… Nëse këto qëndrojnë, me të vërtet është shqetësuese dhe do të duhej me u shqetësuar edhe kolegët e mi pa marrë parasysh se cilës parti politike i takojnë. Nuk mundemi me kaluar përtej këtyre pretendimeve dhe thjesht me hesht, sepse nëse këto qëndrojnë, nuk është vetëm problem i policisë, por është problem i shoqërisë dhe shtetëror, dhe dikush duhet me u marrë. Pas këtij takimi Prokuroria do të duhej me u marrë, ose për kryetarin për shpifje ose me drejtorin për të gjitha këto zhvillime”, tha ai.

Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, iu përgjigj Berishës duke thënë se nuk ka pasur asnjë largim të asnjë polici përveç majorit Haziri.

“Nga Njësia e Veçantë e Hetimeve nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici apo të asnjë eprori jashtë Njësisë përveç majorit Shemsi Hazirit, i cili është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qellim të arritjes së vizionit dhe objektivave të mia… Ju përmendët disa emra që kanë lëvizur nga kjo Njësi, unë ju garantoj se gjithë këto lëvizje janë bërë me kërkesën e policëve vet. Pra, asnjë polic nuk është larguar nga kjo njësi, as polic as eprorë. Janë katër polic të cilët janë larguar nga njësia, kurse të gjithë kanë bërë kërkesë për me u larguar. Nuk kanë pasur presion, ju garantoj shumica kërkesave kanë qenë për nevojat e tyre personale… Sa i përket asaj që ju theksuat se ‘dikush vjen nga Podujeva, dikush nga Drenica’, unë mendoj se Kosova është e vogël ne me i ndarë në këto lokalitete”, tha ai.

Ndërsa deputeti nga LVV, Mefail Bajqinovci ka pyetur drejtorin e policisë, Hoxha për shkeljet e mundshme në detyrë të Shemsi Hazirit dhe ndërhyrjet e tij në komuna dhe ministri.

“Në reformën e juaj, kam pyetje konkrete, a ka pasur shkelje Shemsi Haziri gjatë punës së vetë dhe a ka pasur shkelje gjatë Covidt 19… A ka familjarë të punësuar Shemsi Haziri gjatë punës së vetë në komuna, në Ministrinë e Shëndetësisë a ka marrë specializime familjarët e tij? A është punësuar dikush në Mitrovicë kur ka qenë duke u hetuar ndërmarrja “Iber Lepenci”, ka pyetur Bajqinovci.

Për këtë, Hoxha tha se nuk ka informacione.

“Nuk kam informacione të tilla”, tha shkurt Hoxha.

Mes tjerash, gjatë raportimit, Hoxha po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur zbehjen e aplikimit të femrave në polici. Sipas tij, ka rënë interesimi i tyre, porse ka shtuar se janë duke punuar në këtë drejtim.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara