Lajmet

NATO-ja i fillon stërvitjet në Finlandë, Norvegji dhe Suedi

Finlanda do të bëhet vendi i parë i ri i NATO-s me pjesëmarrjen më të madhe në një ushtrim të aleancës ushtarake.

Published

on

NATO-ja i ka nisur të hënën stërvitjet për ta mbrojtur territorin e vet nordik, të porsazgjeruar, ku do të marrin pjesë më shumë se 20.000 ushtarë nga 13 vende, në ushtrimet që zgjasin gati dy javë në rajonet veriore të Finlandës, Norvegjisë dhe Suedisë.

Finlanda merr pjesë me mbi 4.000 ushtarë në stërvitjen “Përgjigja Nordike 2024”, që nënkupton se ajo do të bëhet vendi i parë i ri i NATO-s me pjesëmarrjen më të madhe në një ushtrim të aleancës ushtarake, sipas ushtrisë finlandeze.

“Për herë të parë, Finlanda merr pjesë si anëtare e NATO-s në ushtrimin e mbrojtjes së përbashkët të të gjitha rajoneve të aleancës”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Finlandës në një komunikatë.

Forcat e Armatosura të Suedisë thanë se 4.500 pjesëtarë nga forcat ajrore, ushtria dhe marina e saj do të marrin pjesë në stërvitje, e cila po mbahet në kushte dimërore arktike.

Finlanda, e cila e ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë me Rusinë, iu bashkua NATO-s në prill 2023, pas një vendimi historik duke i dhënë fund neutralitetit ushtarak disa dekadësh. Fqinja e saj, Suedia është duke i përfunduar formalitet për t’u futur në aleancën ushtarake si anëtarja e 32-të, pasi kërkesa e saj për anëtarësim është ratifikuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s.

Suedia pritet që zyrtarisht të jetë pjesë e NATO-s gjatë këtij muaji.

Finlanda dhe Suedia kishin zhvilluar marrëdhënie të forta me NATO-n pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por opinioni publik kishte qenë fuqishëm kundër anëtarësimit të plotë, derisa Rusia e pushtoi Ukrainën më 2022.

Neutraliteti ushtarak shihej si mënyra më e mirë për t’i shmangur tensionet me Rusinë, fqinjin e tyre të fuqishëm në rajonin e Detit Baltik. Por, agresioni rus ia ndryshoi mendjen opinionit publik në të dyja vendet, dhe ato aplikuan për t’u bërë anëtare të NATO-s në maj 2022.

Për shumë vite – kjo stërvitje e NATO-s e mbajtur çdo dy vjet në ekstremet arktike në veri të Norvegjisë – është quajtur “Përgjigja e Ftohtë”.

Megjithatë, “falë zgjerimit të NATO-s me Finlandën dhe përfundimisht edhe me Suedinë, ne jemi tani duke i zgjeruar edhe ushtrimet në një Përgjigje Nordike”, thanë Forcat e Armatosura të Norvegjisë në një komunikatë.

Kjo stërvitje nordike është pjesë e Steadfast Defender 24, stërvitjeve më të mëdha të NATO-s në dekadat e fundit, ku do të marrin pjesë 90.000 trupa gjatë ushtrimeve disamujore që kanë për qëllim të dëshmojnë se aleanca mund t’i mbrojë të gjitha territoret e veta deri në kufi me Rusinë.

Vendet pjesëmarrëse në stërvitjen e tanishme, e cila mbahet nga 15 marsi, janë Belgjika, Britania, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Norvegjia, Spanja, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara./REL

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara