Lajmet

​Mungon ministri Aliu, deputetët përplasen në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike

Në anën tjetër, deputetët e mazhorancës e arsyetuan mosprezencën e ministrit Aliu.

Published

on

Mungesa e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu për raportim në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka bërë që deputetët e pozitës dhe opozitës të përplasen në mbledhjen e së martës. Anëtarët e komisionit nga opozita e konsideruan papërgjegjësi të madhe mungesën e ministrit Aliu, siç thanë për të dytën herë radhazi, derisa e vlerësuan si shqetësues, madje ftuan prokurorinë të hetojë kontratat njëburimore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në anën tjetër, deputetët e mazhorancës e arsyetuan mosprezencën e ministrit Aliu, megjithatë potencuan se nëse i njëjti nuk vjen javën e ardhshme, raportin do të dërgojnë për shqyrtim në seancë plenare.

Kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se edhe në bazë të Raportit për Vendin nga BE-ja është vënë në pah se mbi 20 për qind të kontratave të prokurimit publik janë më tender një burimor.

“Unë po i referohem raportit të vendit të Komisionit Evropian, i cili është publikuar në fund të vitit 2023 dhe thotë se 20 për qind e kontratave të prokurimit publik nga qeveria, janë pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo nënkupton se janë tender njëburimor apo tender të negociuar”, tha ajo.

Megjithatë, deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha se raporti i auditimit është i rëndësishëm dhe duhet të diskutohet në praninë e ministrit Aliu.

“Nuk është e vërtet se nuk iu është përgjigjur ftesave të komisionit tonë. E dyta, mendoj se është një raport i rëndësishëm për shkak se diskutohet për projekte që kanë filluar qysh në vitin 2018-2019, siç është rruga Plavë-Deçan, rruga Dollc-Gjakovë që është shumë me rëndësi me u përfundua. Do të kemi shumë pyetje për këto çështje sepse janë të rëndësishme dhe këto projekte duhet njëherë e përgjithmonë të përfundojnë. Po ashtu një çështje tjetër që është evidente në raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit tek komentet e kam pa se ka shumë mospajtime nga ministria në lidhje me të gjeturat, që janë kontestuar në një masë të madhe”, theksoi ajo.

Më kritik u shfaq deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se në bazë të raportit shihen qartazi dobësitë në sistem sa i përket menaxhimit të punimeve në ndërtimin e rrugëve si dhe, siç tha legjitimitetit që po i bëhet keqpërdorimit të parasë publike.

“Është një papërgjegjësi e madhe e ministrit, pikërisht për shkak të arsyeve që përdorët ju edhe kryetarja, por edhe deputeti Korenica. Realisht kur ofrohen mundësitë për disa data të takimit dhe konfirmohet nuk mund të flasim për asnjë gjë tjetër, përveç se një dështim i ministrit që të jetë këtu. Ai mund të ketë arsye dhe takime të tjera, por çdo ministër e ka për obligim që t’i formalizojë agjendat në bazë të mbledhjes së komisionit…Raporti në mënyrë të qartë tregon praktikën që është duke u bërë, sidomos për çështjen e rrugëve që ndërtohen të reja, për dobësitë në sistem sa i përket menaxhimit të punimeve dhe një legjitimim që i bëhet keqpërdorimit parasë publike”, deklaroi Qalaj.

Në anën tjetër, deputeti tjetër i LVV-së, Halil Thaçi kërkoi që mos t’i bëhet gjyqi publik ministrit Aliu, mirëpo të pritet javën e ardhshme kur të jetë ai prezentë të sqarohen të gjitha paqartësitë.

“Unë jam ardhur këtu me shqyrtua raportin e auditimit, jo me ia bërë gjyqin ministrit. Jo me ia bërë gjyqin”, theksoi Thaçi, deputet i mazhorancës.

Mirëpo, atij i reagoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili ftoi prokurorinë ta marrë këtë raport dhe siç tha t’ia bëjnë gjyqin ministrit Aliu për të gjitha keqpërdorimet në dikasterin që drejton.

“Unë nuk jam me ia bërë gjyqin ministrit. Por nëse ky raport shkon në prokurori. Fatmirësisht se pushtetet janë të ndara dhe jam shumë optimist se ky raport ka me shkua në prokurori dhe ftoj të merren me këtë raport dhe jam optimist se gjyqin kanë me ia bërë ata që duhet me ia bërë”, tha ai.

Pas debatit, anëtarët e komisionit u pajtuan që ta ftojnë sërish ministrin Aliu për raportim me datën 27 shkurt.

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Lajmet

Numërohen 31.58% e votave me kusht

Published

on

By

Pas përfundimit të numërimit të votave me postë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e numërimit të votave me kusht.

Që nga e hëna mbrëma, kur ka filluar ky proces, janë numëruar 18 nga gjithsej 57 kuti të votimit, apo 31.58 për qind e tyre.

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.81 për qind të votave, respektivisht 1,313 vota. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.45 për qind ose 539 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 11.65 për qind apo 307 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.95 për qind, përkatësisht 236 vota.

Nga rezultatet e përmbledhura të të gjitha votave të numëruara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 50.67 për qind të votave, duke siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend. Si rezultat, kjo parti parashihet të ketë 57 deputetë, një më shumë sesa 56 sa ishin paraparë në rezultatet preliminare.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës zbret në 22 ulëse nga 23 sa kishte sipas projeksioneve fillestare, me 20.43 për qind të votave.

Continue Reading

Lajmet

​Kolona të gjata në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

Published

on

By

Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës.

Continue Reading

Lajmet

​Rreziku nga përmbytjet, Komuna e Prishtinës apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Published

on

By

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për rrezik nga përmbytjet duke apeluar për kujdes të shtuar, pas reshjeve të shumta të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës thuhet se si pasojë e reshjeve qytetarët mund të hasin në vështirësi në qarkullimin rrugor, mbipopullim të kanalizimeve dhe ujërave atmosferikë, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime si dhe rrezik për rrëshqitje të ujit në zona urbane dhe nënkalime.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

“Institucionet përkatëse të kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në komunikatë.

Continue Reading

Të kërkuara