Arsenali ka finalizuar njërën nga lëvizjet më të bujshme të këtij afati kalimtar veror, duke siguruar shërbimet e sulmuesit suedez Viktor Gyökeres nga Sporting Lisbonë.
Të gjitha dokumentet mes dy klubeve janë miratuar, ndërsa lojtari ka marrë edhe lejen zyrtare për të udhëtuar drejt Londrës, ku brenda 24 orëve pritet të kryejë testet mjekësore dhe të prezantohet si përforcimi më i ri i “Topçinjve”.
Marrëveshja mes Arsenalit dhe Sportingut është mbyllur për një shumë totale prej 63.5 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse, që mund ta çojnë koston përfundimtare të transferimit në rreth 73.5 milionë euro. Pritet që kontrata e sulmuesit 26-vjeçar të firmoset brenda ditëve të ardhshme, pas kalimit me sukses të kontrolleve mjekësore.
Gyökeres, i cili sezonin e kaluar shkëlqeu në Portugali me gola dhe asistime vendimtare, shihet nga trajneri Mikel Arteta si një përforcim kyç për fazën ofensive të Arsenalit në prag të sezonit të ri të Premier Ligës dhe Ligës së Kampionëve.
Ky transferim pritet të sjellë konkurrencë të madhe në sulm, duke u shtuar emrave si Gabriel Jesus dhe Kai Havertz. Tifozët londinezë kanë pritur me entuziazëm këtë lajm, duke shpresuar se suedezi do të ndihmojë ekipin në luftën për trofe këtë sezon.