

Lajmet
Shekullori Henry Kissinger: Leksionet e mëdha që ka lënë pas
Me mrekullitë e tij në fushën e diplomacisë, Kissinger la gjurmë në shekullin e XX-të.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiNga Ahmed Charai
Më 27 maj, Henry Kissinger festoi ditëlindjen e 100-të. Një jetë shumë e gjatë dhe me pasoja të jashtëzakonshme në dy botë shumë konkurruese të diplomacisë dhe ideve. Pasi u largua nga Gjermania naziste, Kissingeri mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1938 si një adoleshent i pasionuar pas librit, por pa ndonjë perspektivë të shpejtë në horizont.
Tridhjetë vjet më vonë, ai do të udhëhiqte politikën e jashtme të SHBA-së, fillimisht si këshilltar për sigurinë kombëtare, më pas si Sekretar Shtetit i 2 presidentëve, Richard M.Nixon dhe Gerald R. Ford.
Në vitin 1973, ai bashkëfitoi Çmimin Nobel për Paqe. Në katër vitet e tij si Sekretar i Shtetit, ai ndihmoi në dhënien fund të luftës më të diskutueshme të Amerikës, asaj të Vietnamit, e ndau Kinën nga Rusia dhe rishikoi kufijtë e disa shteteve-kombe. Librat e tij, të mbushur me kërkime të kujdesshme dhe argumente të përpunuara, vazhdojnë të jenë në krye të listës së më të shiturve dhe të tërheqin vëmendjen e liderëve dhe mendimtarëve anembanë botës. Edhe kur kanë kaluar disa dekada pas largimit nga detyra, ai vazhdon të konsultohet nga drejtorët ekzekutivë, kandidatët presidencialë apo analistët.
Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, e kryesuar nga një burrë tjetër i madh, një patriot dhe një nga njerëzit më të ndritur të establishmentit amerikan, John Hamre, organizoi një pritje për nder të Kissinger për të festuar arritjet e tij të jashtëzakonshme. Hamre e filloi fjalimin e tij duke analizuar historinë e dekadave të fundit dhe gjurmën që la Kissinger në të.
Së pari, ishte Lufta e Vietnamit, një konflikt që kishte hyrë në një ngërç. Viti nisi me ofensivën e madhe të Tet-it nga forcat e Vietnamit të Veriut, të cilën Shtetet e Bashkuara e mposhtën duke pësuar edhe vetë humbje serioze. Ne shtator të atij viti, Viet Kongu pushoi së ekzistuari si një forcë e veçantë luftarake, por kjo nuk do të thoshte asnjë fitore për Shtetet e Bashkuara.
Sepse ushtria e Vietnamit të Veriut po bëhej një forcë gjithnjë e më vdekjeprurëse, me divizionet e saj të tankeve që ishin në zgjerim e sipër dhe me avionët sovjetikë dhe raketa anti-ajrore që ishin gjithnjë e më efektive. Për sa kohë që BRSS dhe Kina e mbështetën Veriun, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mposhtnin kurrë atë.
Ai ngërç ishte i dukshëm dhe e përçau Amerikën. Protestat, si kundër luftës po ashtu edhe pro-luftës e ndanë kombin. Në televizor, amerikanët panë rrënojat e djegura në Saigon dhe djegien e kartave në Seattle. Publiku ishte i lodhur nga lufta. Dhe ishte Kissinger ai që udhëhoqi bisedimet e paqes. Është e vërtetë, që Vietnami i Jugut kapitulloi në vitin 1975. Por, 2 vjet më parë, ushtria amerikane ishte në gjendje të realizonte një tërheqje të sigurt dhe mbi të gjitha me dinjitet.
Ndërkohë ne i detyrohemi Kissinger për politikën e famshme të frenimit të Bashkimit Sovjetik. Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara dhe BRSS ranë dakord të ngadalësojnë ndjeshëm garën e armëve bërthamore. Për pasojë, disa konflikte rajonale u de-përshkallëzuan. Lufta bërthamore u shmang dhe u kursyen miliona jetë njerëzish në Azinë Juglindore, Afrikën Jugore dhe midis ishujve të Paqësorit, pra në çdo vend ku guerilët komunistë luftuan me shtetet pasuese të fuqive koloniale.
Për të forcuar pozicionin e Amerikës në Azi, administrata Nixon arriti një afrim diplomatik me Kinën kontinentale, nga e cila Shtetet e Bashkuara ishin distancuar që nga viti 1949, kur komunistët morën pushtetin. Për të vulosur marrëdhënien e re, Nixon zhvilloi një udhëtim spektakolar në Kinë në shkurt 1972.
Pas 6 tetorit 1973, zyrtarët izraelitë i telefonuan Kissinger për t’i thënë se po përballeshin me një pushtim. Forcat egjiptiane po sulmonin në Gadishullin e Sinait, ndërsa ushtria siriane ishte në veri të Izraelit. Sapo kishte nisur e ashtuquajtura Lufta e Katërt Arabo-Izraelite. Nixon e dërgoi Kissinger për të negociuar me Izraelin, Egjiptin dhe Sirinë, dhe ndodhi ajo që hyri në histori si “diplomacia e anijes kozmike”. Në fund pati një paqe të re dhe këtë herë të qëndrueshme. Ajo i shërbeu disa interesave të rëndësishme amerikane: ndaloi ciklin e pushtimeve, ndaloi embargon nga shtetet arabe eksportuese të naftës dhe krijoi terrenin për një traktat historik paqeje midis Izraelit dhe Egjiptit (Marrëveshja e Camp David e presidencës Carter).
Kissinger mund të jetë i vetmi fitues i çmimit Nobel për Paqe, që ka siguruar më shumë paqe pas fitimit të çmimit se sa më herët. Këto suksese e bëjnë atë një diplomat me një staturë historike. Intensiteti dhe shtrirja e këtyre nismave diplomatike dhe suksesi i tyre – në kuptimin që të gjitha prodhuan marrëveshje – nuk kanë asnjë paralele në historinë amerikane dhe ndoshta as në historinë e Izraelit.
Me mrekullitë e tij në fushën e diplomacisë, Kissinger la gjurmë në shekullin e XX-të. Ndërsa e pranon se profetët kanë “vizionin më të pasionuar”, Kissinger thotë se preferon më shumë shtetarët, pasi ata i njohin realitetet në terren dhe mund të shohin vlerë në përfitimet në rritje.
Mjerisht, klima politike aktuale nuk inkurajon shfaqjen e liderëve si Kissinger. Libri i tij kushtuar “udhëheqjes”, tregon rëndësinë që ka ndërtimi i konsensusit për çështjet kryesore. Një udhëheqës politik nuk mund të zhvillojë një vizion që i jep statusin e një burri shteti, duke postuar në Twitter apo Facebook.
Përkundrazi, siç shkruan Kissinger, udhëheqësit lindin nga studimi i kujdesshëm i historisë. Të gjitha demokracitë vuajnë nga e njëjta sëmundje: Një klasë politike e varfër intelektualisht, e cila është më e fiksuar pas sondazheve dhe rrjeteve sociale sesa nga një vizion për shoqëritë e tyre.
Por ky është një problem, të cilin duhet ta marrin në konsideratë edhe mendimtarët që mendojnë sot për nesër: Si mund të vazhdojë Amerika ta udhëheqë botën pa liderë që mund të kombinojnë teorinë e lartë dhe pragmatizmin e bazuar, siç bënte Kissinger?/“National Interest” – Bota.al
Kulturë
Trembëdhjetë vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja
Published
1 minute agoon
July 21, 2025By
UBT News
Poeti Ali Podrimja, më 21 korrik të vitit 2012, u gjet pa shenja jete në qytetin Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë, kurse u raportua i zhdukur nga familjarët dhe të afërmit e tij të cilët thanë se kishin humbur kontaktet më të që prej datës 18 korrik.
Denoncimi që alarmoi diplomacinë kosovare u bë më 20 korrik. Një ditë më vonë, policia franceze gjeti trupin e pajetë të poetit në afërsi të qytetit Lodve ku ai kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të poezisë.
Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja ka humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.
Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë.
Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005.
Histori
Pajisja e parë e ajrit të kondicionuar para 123 vjetësh
Published
7 minutes agoon
July 21, 2025By
UBT News
Willis Carrier më 21 korrik 1902, ka krijuar pajisjen e parë të kondicionimit të ajrit në Buffalo, New York.
Ideja e ftohjes artificiale mbeti e fjetur për disa vite derisa inxhinieri Willis Carrier mori një punë që do të rezultonte në shpikjen e njësisë së parë moderne elektrike të kondicionimit të ajrit.
Ndërsa punonte për Kompaninë Buffalo Forge në vitin 1902, Carrier u ngarkua me detyrën e zgjidhjes së një problemi me lagështinë në Brooklyn.
Përmes një serie eksperimentesh, Carrier krijoi një sistem që kontrollonte lagështinë duke përdorur spirale ftohëse dhe siguroi një patentë për “Aparatin e Trajtimit të Ajrit”. Ndërsa vazhdonte të testonte dhe përsoste teknologjinë e tij, ai shpiku dhe patentoi gjithashtu një sistem automatik kontrolli për rregullimin e lagështisë dhe temperaturës së ajrit në fabrikat e tekstilit.
Nuk kaloi shumë kohë para se Carrier të kuptonte se nga kontrolli i lagështisë dhe kondicionimi i ajrit mund të përfitonin shumë industri të tjera, dhe përfundimisht u nda nga Buffalo Forge, duke formuar Carrier Engineering Corporation me gjashtë inxhinierë të tjerë.
Në vitin 2007, korporata Carrier realizoi një shitje prej mbi 15 miliardë dollarësh duke punësuar rreth 45 mijë njerëz.
Aktualitet
Tentimi i 50-të për konstituim të Kuvendit
Published
25 minutes agoon
July 21, 2025By
UBT News
Deputetët e zgjedhur do t’i drejtohen edhe sot Kuvendit të Kosovës, në tentimin e tyre të 50 për ta konstituuar atë.
Gjatë fundjavës kryetari i VV-së, Albin Kurti u takua me homologun e tij të Nisma-s, Fatmir Limajn, takim ky që u spekulua që do ta zgjidh ngërçin institucional, megjithëse u tha se nga ky takim nuk doli gjë e frytshme.
Megjithëse nëse ka përparim në rrugën për të funksionalizuar kuvendin, do të kuptohet sot nga ora 11:00.
Aktualitet
IKD: Çdo vendim i “ministrave – deputetë” mund të shfuqizohet në gjykatë
Published
30 minutes agoon
July 21, 2025By
UBT News
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se ushtrimi i njëkohshëm i pozitave të ministrit dhe deputetit bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Supreme që bëri të qartë se nuk mund te jesh edhe ministër edhe deputet.
Melos Kolshi nga IKD-ja tha se çdo vendim i marrë nga 27 marsi e tutje nga ministrat në detyrë që janë njëkohësisht deputetë, mund të shfuqizohet në gjykatë, njësoj si rasti i udhëzimit administrativ të Ministrisë së Financave.
“Nuk mundet një individ të ushtrojë edhe pozitën e deputetit, edhe ministrit në detyrë, apo kryeministrit në detyrë, për arsye që këto bien ndesh njëra me tjetrën. Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme, duke thënë dhe duke ruajtur parimin e ndarjes së pushteteve: ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor, duke treguar se pushteti ekzekutiv dhe legjislativ nuk duhet të ushtrohen nga i njëjti individ”, tha Kolshi.
Ai shprehu shqetësim për komentet publike të zyrtarëve qeveritarë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme, duke i cilësuar ato si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Ai tha se nga institucionet, në këtë rast nga Qeveria në detyrë, pritet vetëm ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Trembëdhjetë vjet nga vdekja e poetit Ali Podrimja

Pajisja e parë e ajrit të kondicionuar para 123 vjetësh

Tentimi i 50-të për konstituim të Kuvendit

IKD: Çdo vendim i “ministrave – deputetë” mund të shfuqizohet në gjykatë

Të mërkurën fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për votim me postë

Lirimi i hapësirave publike, Edi Rama: Kush nuk e ka bërë ende me dëshirë, do e bëjë me gjobë

Kërkohet heqja e taksës ndaj SHBA-së: Dëmton ekonominë dhe marrëdhëniet diplomatike

Arrestohet një zyrtare policore e dyshuar për keqpërdorim të pozitës

Parashikimi i motit
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore