Lajmet

Tasholli: Dhuna e policëve s’arsyetohet, vazhdimisht trajtohen se kur mund të përdoret forca

Published

on

Kohëve të fundit janë raportuar raste të shumta ku policët kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Me këto raste nuk po pajtohet Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Tasholli në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se pavarësisht çfarë vepre penale kryen qytetari në momentin kur ai dorëzohet në stacionin policor nuk mund të keqtrajtohet nga zyrtarët policorë.

“E kam parë atë skenë dhe ne jemi në mbrojtje të qytetarëve 24 orë, ai rast që e ka përdorë ai koleg e kanë gjykuar të gjitha instancat dhe është e papranueshme dhe duhet të merren masa ndaj tyre pavarësisht cilën shkalle e ka keqpërdorur. Pavarësisht veprës që e bënë qytetari kur dorëzohet në stacion më polici nuk ka të drejtë të shtron dhunë ndaj tij apo të vetëmbrohet. Po është i suspenduar sipas standardeve që i kemi ne edhe gjyqi është duke u marr me të”, deklaroi ai.

Mes tjerash ai ka shtuar se policët vazhdimisht trajnohen se si duhet të sillen me qytetarët dhe në cilat raste mund të përdoret forca.

“Së pari trajnimet që i bëjnë policët prej ditës së parë dhe ata e dinë saktë se ku mund ta përdorin forcën dhe çdo tejkalim i autorizimit zyrtar pavarësisht mënyrën kohën dhe vendin atëherë do të dënohen nga të gjitha organet tona. Ftojë qytetarët se nëse kanë asi raste ku polici kalon autorizimin zyrtar të denoncohen dhe të lajmërohen për sjelljen e policit ndaj atij qytetari. Por çka është evidente te ne është se ka një disiplinë të brendshme polici inspektohet nga shefi i ndërrimit, pastaj vjen drejtori dhe është inspektimi i brendshëm, janë standardet është inspektorati dhe të gjithë këto me rend e përcjellin policin për punën e tij të bërë”, ka thënë ai.

Mirëpo, ai ka përmendur raste ku polici është vetëmbrojtje, por i që i njëjti është dënuar. Ai më tej ka sqaruar se 12 zyrtarë policorë kanë vdekur si pasojë e infektimit me koronavirus.

“Kemi raste kur polici e përdor armën në vetëmbrojtje apo në mbrojtje të institucionit edhe aq merren masa ndaj tij që nuk mundesh me marr me mend, prapë polici ka hyrë në burg duke e mbrojtur kolegun e punës, dhe ai person që ka dal prej burgut kur në Kosovë nuk ka jetuar më. Polici nuk ka mbështetje aspak. Betejën e kanë humbur 12 policë nga Covidi, ndërsa të infektuar kemi afro 500. Tani orari është 8 orësh”, deklaroi ai.

Ndërsa sa i përket shtesave për policët, Tasholli thotë se ndaj tyre është bërë padrejtësi pasi që ata kanë kërkuar trajtim të barabartë si mjekët dhe mësimdhënësit.

“Sa i përket shtesave vërtet është bërë një padrejtësi ndaj policisë, kjo bisedë ka qenë me kryeministrin edhe me ministren e Financave, sepse në takimin që e kemi pasur ne kemi rënë dakord që të paguhemi si shëndetësia dhe ne kemi ndarje 1.6 milion ku paguhen 4 mijë policë, por tani edhe arsimin e përfshijnë në pako kur ne e dimë se si punon arsimi, ndërsa policët nuk kanë pasur 7 muaj pushim dhe nuk na japin përgjigje as kryeministri as ministrja e financave dhe as ministri i punëve të brendshme, dhe ne kemi paralajmëruar protesta mirëpo në këtë situatë që jemi tani nuk mundemi. Pakënaqësia jonë po mbetet në ajër ku nuk ka përgjegjësi nga shteti jonë. Ne kemi kërkuar shtesa prej 100 euro, kemi kërkuar 100 euro të paguhet krejt policia e Kosovës. Në bazë të asaj që po shihet fare, sepse tani janë zgjedhjet”, shtoi ai.

Continue Reading

Lajmet

​NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026

Published

on

Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.

Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.

Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, shkruan Anadollu Agency.

Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.

Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

50 vjet nga themelimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës

Published

on

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.

Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.

Në fillim veprimtarinë e saj ASHAK duhej ta zhvillonte në një bashkërenditje me universitetin në rritje, brenda të cilit vepronin institute e bërthama shkencore dhe hulumtuese në Fakultetin Filozofik/ më vonë të Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin Teknik, në Fakultetin Eko­no­mik, në Fakultetin Filozofik, me institutet e pava­rura nga Universiteti dhe nga Akademia – Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Instituti Hidrome­teorologjik, pastaj institutet që vepronin në kuadër/ ose të lidhura me kapacitetet industriale të Kosovës, si Instituti Teknologjik që vepronte në kuadër të Kom­binatit Trepça, Instituti i Hulumtimeve që vep­ronte në kuadër të Elektroekonomisë, Instituti Agroteknologjik në Pejë i lidhur me agroekonominë, dhe të institucioneve të tjera me interes në fushat e shkencës, të arteve dhe të kulturës.

ASHAK qysh në fillim duhej ta formësonte veprimtarinë e vet si insti­tucioni më i lartë i shkencave dhe i arteve dhe të merrte role të rëndësishme në fushat e shkencave dhe të arteve në suaza të organizimit shtetëror të Kosovës brenda Federatës së Jugosllavisë.

Ajo po ashtu duhej ta harmonizonte punën me Unionin e Akademive të Shkencave dhe të Arteve të Jugo­sllavisë, ku bënte pjesë si anëtare e barabartë dhe në një mandat (1985-1987) qe Kryesuese e Unionit dhe qendër e selisë së tij. Përmes atij Unioni ASHAK e zhvillonte dhe veprimtarinë ndërkombëtare.

ASHAK asokohe kishte Sek­sionin e Shkencave Shoqërore, Seksionin e Shken­cave të Natyrës dhe Seksionin e Gjuhësisë, të Letër­sisë dhe të Arteve.

Më 1985, Kuvendi i ASHAK mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Arkivi dhe Biblioteka, që ishin funksionalizuar, u shkatërruan pas ndërhyrjes së policisë serbe në selinë e Akademisë më 1994, çka pamundësoi punën e saj më tej në atë ndërtesë.

Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të the­melohej për shkak të trysnive politike dhe tenden­cave drejt rrëgjimit të Akademisë pas vitit 1985 dhe për arsye edhe buxhetore më vonë.

Qysh në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, Kuvendi i ASHAK-ut doli me angazhimet publike së pari me Deklaratën Kushtetuese, pastaj me angazhimet dhe veprimtaritë e tjera në favor të mbrojtjes së të drejtave që po shkeleshin në mënyrë drastike.

Përveç angazhimit bashkë me mekanizmat e tjerë të rezistencës në drejtim të organizimit të Referendumit për pavarësi, në drejtim të organizimit e të hartimit të dokumenteve themelore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Sot shënohet dita ndërkombëtare e emigrantëve

Published

on

Dita Ndërkombëtare e Migrantëve (IMD) festohet më 18 dhjetor, duke riafirmuar nevojën për sisteme migrimi më të sigurta, më gjithëpërfshirëse dhe më të drejta në një botë që ndryshon me shpejtësi.

Më 4 dhjetor 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mori vendim për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.

Tema e këtij viti është “Historia Ime e Madhe: Kulturat dhe Zhvillimi”, thekson se si lëvizshmëria njerëzore nxit rritjen, pasuron shoqëritë dhe ndihmon komunitetet të lidhen, të përshtaten dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Në vitin 2025, ky mesazh është më urgjent se kurrë, pasi migrimi vazhdon të formësojë ekonomitë, komunitetet dhe zhvillimin global.

Pavarësisht përfitimeve të tij të provuara, migrimi mbetet i pa kuptuar dhe sistemeve shpesh u mungojnë investimet, partneritetet dhe provat e nevojshme për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme.

Migrimi është një forcë përcaktuese e shekullit tonë dhe parashikohet që remitancat në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të arrijnë 685 miliardë dollarë amerikanë, dhe migrantët janë thelbësorë për adresimin e mungesës së fuqisë punëtore, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e stabilitetit demografik.

Megjithatë, këto kontribute mund të maksimizohen vetëm kur migrimi është i sigurt, i rregullt dhe i qeverisur me përgjegjësi.

Migrimi i menaxhuar mirë është një aset strategjik: ai forcon qëndrueshmërinë, nxit prosperitetin dhe mbështet kohezionin social.

Nga dokumentacioni dhe njohja e aftësive deri te integrimi dhe kthimi dinjitoz, sistemet efektive sigurojnë që migrantët të gjejnë stabilitet, të mbështesin familjet e tyre dhe të ndërtojnë të ardhme të reja, duke i ndihmuar njëkohësisht komunitetet të përshtaten dhe të lulëzojnë.

Në këtë IMD, IOM bën thirrje për politika më të zgjuara, bashkëpunim më të fortë dhe një angazhim të ripërtërirë për ta bërë migrimin të funksionojë për të gjithë./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Hakohet Ministria e Brendshme e Francës

Published

on

Ministria e Brendshme e Francës ka qenë shënjestër e një sulmi të madh kibernetik që zgjati disa ditë, gjatë të cilit llogaritë e email-it të punonjësve u kompromentuan dhe u qasen dosjet e ndjeshme të policisë, njoftoi sot ministri i Brendshëm Laurent Nunez.

Në një intervistë me Franceinfo, ministri Nunez tha se një hetim gjyqësor është duke u zhvilluar me qëllim gjetjen shumë të shpejtë të autorit të krimit.

Sipas tij, sulmuesit arritën të qasen në disa kuti profesionale email-i dhe kështu të marrin kode aksesi. Kjo u lejoi atyre të kërkonin në një numër bazash të dhënash të rëndësishme të policisë, duke përfshirë Sistemin e Përpunimit të të Dhënave Penale (TAJ) dhe Regjistrin e Personave të Kërkuar (FPR).

Edhe pse sulmi është konfirmuar, shkalla e saktë e dëmit është ende e paqartë.

Ministria, e cila punëson pothuajse 300,000 njerëz, nuk ka marrë asnjë kërkesë për shpërblim. Nunez ia atribuoi shkeljen “neglizhencës” së individëve brenda ministrisë, pavarësisht paralajmërimeve të rregullta në lidhje me procedurat e sigurisë.

“Duhen disa individë për të mos ndjekur këto rregulla,” tha ai.

Javën e kaluar, media raportoi për aktivitet të dyshimtë në serverë të ministrisë, pas së cilës grupi i hakerëve pretendoi, pa dhënë prova, se kishte qasje në të dhënat e më shumë se 16 milionë njerëzve.

“Kjo është e rreme,” tha Nunez duke shtuar se Komisioni Kombëtar për Informatikë dhe Liri (CNIL) është informuar për gjithçka, dhe Zyra Franceze për Luftimin e Krimit Kibernetik (OFAC) po udhëheq hetimin./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara