Lajmet

Qeveria miraton disa nisma për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare

Qeveria i dha dritën e gjelbër edhe disa nismave për marrëveshje ndërkombëtare me shtetin e Luksemburgut.

Published

on

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi miratoi gjashtë vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme. Qeveria i dha dritën e gjelbër edhe disa nismave për marrëveshje ndërkombëtare me shtetin e Luksemburgut. Po ashtu miratuan plotësim-ndryshimin e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Krahas këtyre, emëruan Bislim Bislimin sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për një mandat katërvjeçar.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut për zhvillim të shkathtësive për punë të qëndrueshme do të lidh arsimin me punësim.

“Lidhja e arsimit me punësimin është një prej prioriteteve të qeverisë sonë. Ky projekt pritet të ketë një impakt pozitiv dhe rezultate konkrete. Në rrafshin socio ekonomik ky projekt do të kontribuoj me rritjen ekonomike të Kosovës përmes modernizimit dhe mbështetjes së sektorit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe reformave të tij”, tha ajo.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë identifikuar disa pengesa në marrëveshjen aktuale për ekstradim mes Kosovës dhe Italisë, andaj po i adresojmë përmes plotësim-ndryshimit të saj.

“Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar është dëshmuar vital në luftimin e krimit dhe sjelljen e të kërkuarve për vepra penale para organeve të drejtësisë. Ne me këtë ndryshim po synojmë të thellojmë këtë bashkëpunim. Në traktatin aktual kemi identifikuar disa sfida dhe pengesa andaj kemi adresuar përmes ndryshimit që po e prezantoj sot”, theksoi Haxhiu.

Kabineti qeveritar miratoi vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizmi i projektit “Ndërtimi i ndërtesës administrative për nevoja të Ministrisë së Financave, punës dhe transferove, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës”, në Prishtinë.

Qeveria gjithashtu ka miratuar kërkesën e Komunës së Dragashit, për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të dy parcelave me sipërfaqe prej 18 mijë e 600 metrash katror, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Këto prona do të shfrytëzohen për ndërtimin e pikës grumbulluese të mbeturinave komunale për nevoja të fshatit Restelicë.

Po ashtu miratoi edhe Projektligjin për mbrojtjen nga zjarri.

Lajmet nga UBT

Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA

Published

on

Fakulteti i Psikologjisë në UBT, nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi, organizoi me sukses një punëtori statistikore me ligjëruese të ftuar Besjana Krasniqi, kandidate doktorante në Psikologji Zhvillimore të Aplikuar në Universitetin e Maryland, Baltimore County (UMBC), ShBA, si dhe pjesë e Laboratorit për Zhvillimin e Fëmijëve, Familjes dhe Shkollës.

Punëtoria u zhvillua në kuadër të lëndës Metodologji e Avancuar Kërkimore dhe ishte i dedikuar për studentët e programit master në Psikologji. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte avancimi dhe praktikimi i njohurive statistikore, me fokus në përdorimin e modeleve parashikuese përmes analizave të regresionit.

Gjatë punëtorisë, studentët u angazhuan në mënyrë aktive përmes ndërveprimeve dinamike, shembujve konkretë nga kërkimi empirik, testimit të hipotezave kërkimore duke përdorur programin SPSS, si dhe interpretimit të rezultateve statistikore. Ky format praktik u mundësoi studentëve të lidhin teorinë me aplikimin real në kërkimin shkencor.

Ky aktivitet kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale të studentëve, duke promovuar njëkohësisht rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me studiues dhe profesionistë nga institucione prestigjioze. Punëtoria është në përputhje me planin strategjik të UBT-së për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore profesionale, si në nivel institucional ashtu edhe në atë kombëtar.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

Published

on

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve nis më 24 shkurt

Published

on

By

Gjykata Speciale ka njoftuar se seanca “vepra kundër administrimit të drejtësisë” ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të fillojë më 24 shkurt të vitit tjetër.

Tutje njoftohet se do të bëhet paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe procedura të tjera administrative.

Më 22 dhjetor 2025, pas marrjes së parashtrimeve nga palët, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi udhëzime mbi zhvillimin e gjykimit në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, që është planifikuar të fillojë më 24 shkurt 2026.Udhëzimet përcaktojnë rregulla praktike për aspekte si karakteri publik i procesit, nxjerrja e dokumenteve, paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve, si dhe aspekte të tjera procedurale që synojnë garantimin e një gjykimi të drejtë dhe efikas.”, thuhet në njoftim

Continue Reading

Lajmet

Pesë të lënduar nga aksidenti në rrugë Mitrovicë-Leposaviq, përfshihet vetura e policisë

Published

on

By

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes një veture të policisë dhe një veture me targa vendore në rrugën nacionale Mitrovicë-Leposaviq.

Në njoftimin e policisë thuhet se personat e lënduar janë duke marrë trajtim mjekësor.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një automjet civil me targa vendore dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës. Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar pesë (5) persona, tre (3) nga automjeti civil dhe dy (2) zyrtarë policorë, të cilët janë duke pranuar trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara