Presidentja e Kosovës, Vjosa Omsani, ka thënë të enjten se Serbia ka pasur qëllim dhe ka ende qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në Kosovë, dhe se këtë vlerësim e ka bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme që i ka marrë nga institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.
“Më konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë pas marrjes së këtyre informacioneve kam pasur takime me institucionet e sigurisë të cilat më raportojnë si presidente. Jemi siguruar që çdo institucion në Kosovë ka mobilizim të duhur për mbrojtje të vendit”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Osmani ka thënë se një pjesë e informacioneve janë të klasifikuara, por që ato janë ndarë me aleatët për të ndalur përshkallëzimin e sigurisë.
Serbia i ka hedhur poshtë deklaratat e Osmanit ditë më parë, mirëpo presidentja e Kosovës i ka quajtur ato “pjesë të propagandës së tyre të vazhdueshme”.
“I siguroj qytetarët e Kosovës se nuk ka arsye, as për shqetësim dhe as për panik, sepse institucionet tona janë në krye të detyrës për mbrojtjen e kufijve dhe të sigurisë të të gjithë qytetarëve tanë. Kërcënimet nga Serbia janë të vazhdueshme, megjithatë institucionet tona kanë gjithçka në kontroll”.
Osmani i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pas kthimit nga disa vizita në Shtetet e Bashkuara dhe Letoni.
Përgjatë vizitës në Uashington javën e kaluar, presidentja i ka konfirmuar deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump se ai e ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë “në javët e fundit”.
Vetë Trump i ka përmendur Kosovën dhe Serbinë në disa raste në javët e fundit, duke thënë se ka parandaluar një konflikt mes tyre, por pa ofruar hollësi për periudhën kohore.
Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për sqarim lidhur me këto deklarata, por nuk ka marrë përgjigje.
Përgjigje nuk ka nisur as Qeveria në detyrë e Kosovës, kur është pyetur se për çfarë lloj përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Ballkani Perëndimor vazhdon të ketë rëndësi strategjike për aleancën dhe ajo është e përkushtuar për stabilitet rajonal.
Megjithatë, KFOR-i nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e fundit të Osmanit dhe Trumpit, duke thënë se për to duhet referuar te institucionet e Kosovës dhe ato të SHBA-së.
Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë i ka thënë një ditë më parë Radios Evropa e Lirë se nuk ka informacione për ndonjë përshkallëzim ushtarak të situatës mes Kosovës dhe Serbisë./REL