Lajmet

Raporti i Progresit i qorton Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve

Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.

Published

on

Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dy vendet, të cilat pritet të publikohen të mërkurën.

Radio Evropa e Lirë e ka parë një draft të raportit 150-faqesh, në të cilin vlerësohet përmbushja apo jo e kritereve nga ana e Kosovës, si dhe e rekomandimeve që ka dhënë KE-ja në raportet e mëhershme.

Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së. Ky është vlerësimi më i shpeshtë në Raportin të cilin KE-ja pritet ta miratojë pas takimit të Kolegjit të Komisionarëve.

Por, në raportet e këtij viti, si në atë për Kosovën, ashtu edhe në atë për Serbinë, një vëmendje e shtuar i është kushtuar përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit dhe në këtë çështje të dyja vendet qortohen për moszbatim e tyre.

Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vlerësuar me tekstin e njëjtë në të dyja raportet individuale të Progresit, për secilin vend përkatës pasi këto obligime janë pjesë e kritereve edhe për avancim në procesin e integrimeve evropiane.

Duke rikujtuar arritjen e marrëveshjes në Bruksel në shkurt dhe aneksit për zbatimin e saj një uaj më vonë në Ohër, raporti shpreh keqardhje që palët nuk kanë filluar ende t’i kryejnë obligimet e tyre.

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, akoma nuk e kanë filluar zbatimin e obligimeve të tyre përkatëse, të cilat dalin nga Marrëveshja, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese për palët dhe pjesë e rrugëtimit të tyre evropian. Palët duhet urgjentisht të nisin angazhimin më konstruktiv dhe të nisin implementimin pa vonesa të reja, apo parakushte”, thuhet në Raportin e Progresit.

Raporti nënvizon detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në këtë pikë, dokumenti thekson se drafti i parë i statutit të Asociacionit, i cili ishte paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut në muajin maj, e që praktikisht ishte draft i Serbisë “nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet relevante nga dialogu“.

Raporti tani kërkon që Asociacioni të themelohet në bazë të propozimit të fundit që palëve u është dhënë me 21 tetor.

“Nga Kosova pritet ta nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian, i cili u propozua para palëve me 21 tetor 2023 dhe nga Serbia kërkohet ta mbështesë këtë proces dhe paralelisht ta fillojë përmbushjen e obligimeve të veta kyçe nga Marrëveshja“, paralajmëron raporti, i cili bën thirrje që “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e progresit në zbatimit”.

Raporti e quan tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe bojkotin e tyre të zgjedhjeve lokale të prillit të vitit 2023 si “shkelje të obligimeve të Serbisë nga dialogu dhe paraqet kthim të madh mbrapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve nga marrëveshja e parë për parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe shkelje direkte e marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015“.

Ai i bën thirrje Serbisë t’i nxitë serbët e Kosovës “që menjëherë të kthehen në institucione”, ndërsa i bën thirrje Kosovës ta bëjë të mundur një gjë të tillë.

“Që nga nëntori i vitit 2022 asnjëra palë nuk e ka bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thuhet në raport.

Raporti përmend edhe disa obligime të tjera nga dialogu të cilat nuk janë zbatuar, përfshirë edhe hapja e urës në Mitrovicë, marrëveshja për energjinë etj. Serbia përmendet si palë e cila nuk zbaton as marrëveshjen për kadastrat dhe diplomat universitare.

Nga Serbia kërkohet të bëjë më shumë edhe në rifillimin e takimeve të rregullta për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit (IBM), për mbylljen e rrugëve ilegale për kalimin e vijës kufitare dhe ta zgjidhë çështjen e lëshimit të targave të veturave “pasi kjo çështje ka potencial të shkaktojë tensione në Kosovë”.

Kosovës dhe Serbisë i kërkohet të kenë “sjellje konstruktive” në nismat rajonale. Për më tepër, Serbisë i kërkohet t’i respektojë obligimet për pjesëmarrjen e Kosovës, ndërsa Kosovës të mos i mbajë të bllokuara proceset siç e bën, sipas këtij raporti, si në rastin e CEFTA-s.

Tensionet në veri të Kosovës

Raporti i Progresit i këtij viti i përshkruan me kujdes tensioneve në veri të Kosovës, duke ardhur në përfundim se të dyja palët kanë ndikuar që të ketë kriza të tilla për shkak të veprimeve të tyre. Kosova, sipas raportit, ka ndikuar në rritjen e tensioneve me praninë e shtuar të njësive speciale të Policisë dhe me ligjin për shpronësim në veri, ndërsa Serbia me tërheqjen e serbëve nga institucionet dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Në veçanti, raporti flet për ngjarjen më të rëndë që ka ndodhur në këtë periudhë; sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Megjithëse në deklaratat publike të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ky sulm është cilësuar si “terrorist“, në Raporti i Progresit i referohet atij vetëm si “sulm i dhunshëm“ ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa brenda në raport si një “operacion i madh i kontrabandës së armëve“.

“Kriza më serioze gjatë periudhës që përfshinë raporti ndodhi më 24 shtatorë të vitit 2023, kur Policia e Kosovës u sulmua nga individë të armatosur rëndë, të cilët u zunë në befasi gjatë një operacioni të madh të trafikimit të armëve, duke lënë një polic të vrarë dhe tre të plagosur. Gjatë operacionit sulmuesit morën peng disa pelegrin duke u barrikaduar në manastirin ortodoks serb në Banjskë, të cilët i lanë pas kur u larguan”, thuhet në raport.

Raporti i bën thirrje Serbisë për bashkëpunim të plotë në hetime dhe t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit.

“Sulmi nuk duhet të shërbejë si një arsyetim për cilëndo palë për largimin e vëmendjes nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekjet domethënëse për shtensionimin, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Përparimi i “kufizuar” i Kosovës

Sa i përket përparimeve që arritur Kosova në fushat që i mbikëqyr Komisioni Evropian, “përparim i kufizuar“ është arritur në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në lirinë e shprehjes. Në të shumtën e rasteve, raporti thekson se nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore.

Raporti vlerësoi se Kosova ka dështuar ta reformojë aministratën publike duke nënvizuar se “nuk ka pasur përparim“ në këtë fushë.

Situata politike në Kosovë vlerësohet si qëndrueshme, ku raporti e përmend faktin se Lëvizja Vetëvendosje gëzon një shumicë të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës e cila ia ka mundësuar të çojë përpara një agjendë ambicioze të reformave evropiane.

Kosova vlerësohet për reformën e ligjit zgjedhor. Tashmë si problem kronikë përmendet pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit, përkundër faktit se partia në pushtet ka shumicën e nevojshme në Kuvend. Problem i veçantë edhe në punën e Kuvendit, sipas raportit, është bojkoti i deputetëve serbë të cilët vinë vetëm sa për t’i ruajtur mandatet por vazhdojnë bojkotin.

Raporti ka dhënë disa vërejtje në fushën e lirisë së mediave. Ai përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike apo financiare, jo transparenca e pronësisë së mediave. Si shqetësim i veçantë në raport përmendet gjendja e lirisë së mediave në veri të Kosovës.

Të mërkurën, në takimin e Kolegjit të 27 Komisionarëve do të miratohet paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

Është hera e parë që raportet do të miratohen për 10 vende që janë në këtë proces. Janë gjashtë vende të rajonit të Ballkanit Perëndimorë, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i zi, Maqedonia e veriut dhe Serbia, pastaj Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, ndërsa akoma Raportet e Progresit bëhen edhe për Turqinë që vazhdon formalisht ta ketë statusin e vendit kandidat.

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara