Lajmet

Pse duhet rilexuar sot Aristoteli?

Published

on

Nga Edit Holl

Që nga mesi i shekullit XVIII-të, bota perëndimore ka pasur mundësi të diskutojë publikisht mbi çështjet etike, pa iu referuar Krishterimit. Mendimi modern mbi moralin, që niset nga supozimi se perënditë nuk ekzistojnë, ose të paktën nuk ndërhyjnë, është në fillimet e veta.

Por grekët e lashtë dhe romakët, ndërtuan shkolla të fuqishme filozofike të mendimit etik për më shumë se një mijëvjeçar, nga agnostikët e parë të shpallur, si Protagora (shek. V P.E.S), tek mendimtarët e fundit paganë. Akademia e Platonit në Athinë, nuk u mbyll përfundimisht deri në vitin 529 E.S, nga perandori bizantin Justinian.

Kjo traditë e gjatë e filozofisë morale, është një trashëgimi e çmuar e qytetërimit të lashtë të Mesdheut. Ajo ka nxitur disa mendimtarë shekullarë bashkëkohorë, të ballafaquar me boshllëkun moral të krijuar pas rënies së Krishterimit që nga fundi i viteve 1960, të ringjallin shkollat e lashta të mendimit.

Më pak e njohur është receta e lumturisë (eudaimonia), e mbështetur nga Aristoteli. Në Liceun e tij në Athinë, ai zhvilloi një model për maksimizimin e lumturisë, që mund të zbatohej nga individë dhe shoqëri të tëra, dhe është ende i rëndësishëm sot.

Ajo u bë e njohur si “filozofia peripatetike”, pasi Aristoteli zhvilloi debate filozofike, teksa shëtiste në shoqërinë e me bashkëbiseduesit të tij. Parimi themelor i filozofisë peripatetike, është ky:qëllimi i jetës, është të maksimizojë lumturinë duke jetuar me virtyte, duke përmbushur potencialin tuaj si njeri, dhe duke u angazhuar me të tjerët – familjen, miqtë dhe bashkëqytetarët – në aktivitete me përfitime reciproke.

Njerëzit janë kafshë, dhe prandaj kënaqësia në përmbushjen e përgjegjshme të nevojave fizike (ngrënia, seksi), është një udhëzues për të jetuar mirë. Por, meqenëse njerëzit janë kafshë të avancuara, natyrisht që priren të jetojnë së bashku në komunitete të vendosura (poliset), ne jemi “kafshë politike” (zoa politika).

Njerëzit duhet të marrin përgjegjësinë për lumturinë e tyre pasi ‘Zoti’ është një entitet i largët, që mund të kontrollojë lëvizjen e gjithësisë, por s’ka asnjë interes për mirëqenien e njerëzve, dhe as ndonjë funksion providencial në shpërblimin e virtytit apo ndëshkimin e imoralitetit.

Megjithatë, imagjinimi i një jete më të mirë dhe më të lumtur, është i mundur pasi njerëzit kanë aftësi të lindura që u lejojnë atyre të promovojnë lulëzimin individual dhe kolektiv. Këto përfshijnë prirjet për të bërë pyetje rreth botës, për të menduar mbi veprimin dhe për të aktivizuar kujtimet e vetëdijshme.

Po çfarë donte të thoshte Aristoteli me “lumturi” ose eudaimonia ? Ai nuk besonte se ajo mund të arrihej nga akumulimi i gjërave të mira në jetë – duke përfshirë të mirat materiale, statusin apo të qënit një person publik – por ishte një gjendje e brendshme dhe private e mendjes. Megjithatë, as ai nuk besonte se ajo ishte një gjendje e vazhdueshme.

Për Aristotelin, eudaimonia kërkonte përmbushjen e potencialeve njerëzore, që nuk mund të arriheshin duke kënaqur nevojat fizike. Dhe as nuk besonte se lumturia përcaktohet nga proporcioni total i kohës sonë të kaluar duke përjetuar kënaqësi, siç bëri edhe studenti i Sokratit Aristipi nga Kirena.

Aristoteli këmbëngulte, se lumturia është e përbërë nga diçka më e madhe dhe e ndryshme, nga një grumbullim i përvojave të këndshme. Që të jemi të lumtur, ne duhet të mbështesim aktivitete konstruktive, të cilat ne besojmë se janë të orientuara nga qëllimi. Dhe kjo kërkon një analizë të ndërgjegjshme të qëllimeve dhe sjelljes sonë, dhe praktikimin e “etikës së virtytit”, dhe të “jetuarit mirë”.

Historikisht, shumë filozofë, si Egoistët, kanë pyetur nëse virtyti është në thelb i dëshirueshëm. Por, që nga mesi i shekullit XX-të, të tjerët rehabilituan etikën e virtytit dhe u përqendruan intensivisht mbi idetë e Aristotelit.

Filozofi i njohur grek, thotë se nëse lumturia nuk është e dërguar nga Zoti, atëherë ajo “vjen si rezultat i një mirësie, së bashku me një proces mësimi dhe përpjekje”. Çdo qenie njerëzore, mund të praktikojë një mënyrë jetese që do ta bëjë atë më të lumtur.

Sipas tij, lumturia është shumë më e vështirë të mbërrihet se sa kënaqësia. Por nuk është e pamundur. Ju nuk keni nevojë për pasuri materiale, forcë fizike apo një pamje shumë simpatike, për të filluar ushtrimin e mendjes tuaj sipas parimeve të Aristotelit, pasi mënyra e jetesës që ai mbron ka të bëjë me një përsosmëri morale dhe psikologjike, më shumë sesa një gjë që shtrihet tek pasuria materiale apo përsosmëria trupore.

Ai e pranon se ka edhe pengesa më të vështira:pasja e fëmijëve apo miqve që të zhgënjejnë plotësisht. Një tjetër është problemi më i vështirë me të cilin përballet çdonjeri prej nesh: humbja e fëmijëve, dhe miqve nëpërmjet vdekjes.

Megjithatë, është sërish e mundur që të jetohet mirë edhe pas fatkeqësive të tilla. Në këtë kuptim, Aristoteli është një optimist moral. Ai ka meritën, se pa shumë kohë përpara Sigmund Frojdit, se instinktet tona biologjike janë më të natyrshme se sa të sjellurit në mënyrë të moralshme.

Kjo e bën etikën e tij, të pajtueshme me psikoanalizën moderne. Një ide inovative aristoteliane, është se emocionet që supozohet të dënueshme, madje edhe zemërimi dhe hakmarrja, janë të domosdoshme për një psikikë të shëndoshë.

Në këtë drejtim, filozofia e Aristotelit kontrastron me pikëpamjen stoike sipas së cilës zemërimi është irracional dhe një formë e çmendurisë së përkohshme, që duhet të eliminohet.  Vetëm se sipas tij emocionet e tilla duhet të jenë të pranishme në sasinë e duhur, “mesatare” ose “të kuptueshme”.

Zemërimi është gjithashtu thelbësor për një personalitet që ecën në jetë. Një individ apatik që nuk zemërohet kurrë, që nuk ngre zërin për veten ose vartësit e tij kur duhet, dhe nuk mund të arrijë lumturinë. Megjithatë, zemërimi i tepërt apo i njerëzve, është diçka e gabuar dhe shihet prej tij si një ves.

Ndërkohë Aristoteli është një utopik. Ai imagjinon mundësinë që të gjithë njerëzit do të jenë një ditë të aftë të kuptojnë potencialin e tyre, dhe ta shfrytëzojnë plotësisht atë. Ai parashikoi një botë futuristike, në të cilën përparimet teknologjike, do ta bënin të panevojshme punën e njeriut.

Edhe teoria politike e Aristotelit ishte fleksibël.

Ju mund të jeni një kapitalist apo socialist, një biznesmen apo një punonjës humanitar, të votoni për thuajse çdo parti politike, dhe të jeni sërish jeni një aristotelian i qëndrueshëm. Aristoteli e dinte se njerëzit konfliktohen mes tyre, kur të mirat materiale janë të pakta:”Varfëria është prindi i revolucionit dhe krimit”.

Falë këmbënguljes së tij për të bazuar teorinë politike mbi nevojat themelore të njerëzimit, Aristoteli krijoi idetë më të avancuara ekonomike që u shfaqën ndonjëherë në kohën e tij, dhe kjo ishte arsyeja se pse e admironte Karl Marksi.

Një mohues i ndryshimit të klimës, nuk mund të gjente asnjë inkurajim tek Aristoteli. Ai do të ngrinte që atë kohe alarmin për dëmet që njeriu po i shkaktonte mjedisit. Për shkak të aftësisë së unike mendore, Aristoteli, thotë që një njeri i keq mund të bëjë 10.000 herë më shumë dëm, sesa një kafshë.

Burimi: “Aeon.co”

Në shqip nga bota.al

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara