Lajmet

A po e fiton luftën Hamasi?

Me masakrën e Hamasit në Izrael dhe me numrin e viktimave civile në rritje në Gaza, logjika e thellë e luftës, fshihet nga mjerimi i pamasë njerëzor që prodhon.

Published

on

Nga Yuval Noah Harari

Lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera. Shumë njerëz e recitojnë këtë mantra, por shumë pak i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme – veçanërisht në mes të luftës. Me masakrën e Hamasit në Izrael dhe me numrin e viktimave civile në rritje në Gaza, logjika e thellë e luftës, fshihet nga mjerimi i pamasë njerëzor që prodhon. Ndërsa trupat vazhdojnë të grumbullohen, kush do ta fitojë këtë luftë? Jo pala që vret më shumë njerëz, jo pala që shkatërron më shumë shtëpi dhe as pala që fiton më shumë mbështetje ndërkombëtare – por pala që arrin qëllimet e saj politike.

Hamasi e nisi këtë luftë me një qëllim politik specifik: të parandalonte paqen. Pas firmosjes të traktateve të paqes me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, Izraeli ishte në prag të firmosjes së një traktati historik paqeje me Arabinë Saudite. Kjo marrëveshje do të ishte arritja më e madhe e kryeministrit Benjamin Netanyahu, në të gjithë karrierën e tij. Do të kishte normalizuar marrëdhëniet midis Izraelit dhe pjesës më të madhe të botës arabe. Me insistimin e sauditëve dhe amerikanëve, kushtet e traktatit pritej të përfshinin lëshime të rëndësishme për palestinezët, që synonin të lehtësonin menjëherë vuajtjet e miliona prej tyre në territoret e pushtuara dhe të rifillonin procesin e paqes izraelito-palestineze.

Perspektiva e paqes dhe normalizimit ishte një kërcënim vdekjeprurës për Hamasin. Që nga themelimi i saj në vitin 1987, kjo organizatë fondamentaliste islamike nuk e njohu kurrë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, dhe u angazhua për luftë të armatosur pa kompromis. Në vitet ‘90, Hamasi bëri gjithçka që mundej për të prishur procesin e paqes në Oslo.

Për më shumë se një dekadë, qeveritë izraelite të udhëhequra nga Netanyahu braktisën të gjitha përpjekjet serioze për të bërë paqe me forcat më të moderuara palestineze, miratuan një politikë të një vije gjithnjë e më të ashpër në lidhje me pushtimin e territorit të diskutuar dhe madje përqafuan idetë mesianike të krahut të djathtë, mbi supremacinë e hebrenjve.

Gjatë asaj periudhe, Hamasi tregoi një përmbajtje befasuese në marrëdhëniet e tij me Izraelin dhe të dy palët dukej se po adoptonin një politikë shqetësuese, por gjithësesi funksionale të bashkëjetesës së dhunshme. Por më 7 tetor, pikërisht kur qeveria e Netanyahut ishte në prag të një përparimi të madh për paqen rajonale, Hamasi goditi me gjithë forcën e tij.

Hamasi vrau qindra civilë izraelitë, në mënyrat më të tmerrshme që mundej. Qëllimi i menjëhershëm ishte të prishte marrëveshjen e paqes izraelito-saudite. Synimi afatgjatë ishte të mbillte farat e urrejtjes në mendjet e miliona njerëzve në Izrael dhe në mbarë botën myslimane, duke parandaluar kështu paqen me Izraelin, për brezat që do të vijnë.

Hamasi e dinte se sulmi i tij do t’i bënte izraelitët të reagonin me zemërim nga dhimbja, dhe terroristët e dinin se Izraeli do të hakmerrej me forcë masive, duke u shkaktuar dhimbje të madhe palestinezëve. Emri i koduar që Hamasi i dha operacionit të tij flet shumë: al-Aqsa Tufan. Fjala “tufan” do të thotë përmbytje. Ashtu si përmbytja biblike që synonte të pastronte botën nga mëkati, edhe me koston e gatishmërisë së zhdukjes së njerëzimit, sulmi i Hamasit synonte të krijonte shkatërrim në një shkallë biblike.

A nuk i bëhet vonë Hamasit, për vuajtjet që kjo luftë u shkakton civilëve palestinezë? Ndërsa aktivistët e Hamasit, individualisht, me siguri kanë ndjenja dhe qëndrime të ndryshme, botëkuptimi i organizatës e tkurr mjerimin e individëve. Qëllimet politike të Hamasit diktohen nga fantazitë fetare.

Ndryshe nga ato të lëvizjeve laike si Organizata për Çlirimin e Palestinës, qëllimet përfundimtare të Hamasit nuk janë të kësaj bote. Për Hamasin, palestinezët e vrarë nga Izraeli janë martirë që gëzojnë lumturinë e përjetshme në parajsë. Sa më shumë të vrarë, aq më shumë dëshmorë.

Sa i përket kësaj bote, sipas pikëpamjeve të Hamasit dhe grupeve të tjera fondamentaliste myslimane, i vetmi objektiv i zbatueshëm për një shoqëri njerëzore në Tokë është respektimi i pakushtëzuar i standardeve qiellore të pastërtisë dhe drejtësisë. Për shkak se paqja përfshin gjithmonë kompromise mbi atë që njerëzit e konsiderojnë drejtësi, ajo duhet të refuzohet dhe drejtësia absolute duhet të ndiqet me çdo kusht.

Kjo, meqë ra fjala, shpjegon një fenomen të çuditshëm të kohëve të fundit në mesin e së majtës radikale në shumë demokraci perëndimore, duke përfshirë disa organizata studentore në Universitetin e Harvardit. Ata e çlirojnë Hamasin nga çdo përgjegjësi për mizoritë e kryera në Be’eri, Kfar Azza dhe fshatra të tjerë izraelitë, apo për krizën humanitare në Gaza.

Këto organizata ia vënë 100 për qind fajin Izraelit.

Lidhja midis të majtës radikale dhe organizatave fondamentaliste si Hamasi është besimi në drejtësinë absolute, e cila çon në një refuzim për të pranuar kompleksitetin e realiteteve në këtë botë. Drejtësia është një kauzë fisnike, por kërkesa për drejtësi absolute çon në mënyrë të pashmangshme në luftë të pafundme. Në historinë e botës, nuk është arritur asnjë traktat paqeje që nuk ka kërkuar kompromis, apo që ka siguruar drejtësi absolute.

Nëse qëllimet e luftës së Hamasit janë me të vërtetë të prishin traktatin e paqes izraelito-saudite dhe të shkatërrojnë të gjitha mundësitë për normalizim dhe paqe, ai po e fiton këtë luftë me nokaut. Dhe Izraeli po e ndihmon Hamasin, kryesisht sepse qeveria e Netanyahut duket që po e zhvillon këtë luftë pa qëllime të qarta politike.

Izraeli thotë se dëshiron të çarmatosë Hamasin dhe ka çdo të drejtë ta bëjë këtë për të mbrojtur qytetarët e tij. Çarmatosja e Hamasit është gjithashtu jetike për çdo shans për paqe në të ardhmen, sepse për sa kohë Hamasi mbetet i armatosur, ai do të vazhdojë të prishë çdo përpjekje. Por edhe nëse Izraeli arrin të çarmatosë Hamasin, kjo është vetëm një arritje ushtarake, jo politike. Në planin afat shkurtër, a ka Izraeli ndonjë plan për të shpëtuar marrëveshjen e paqes izraelito-saudite? Në planin afatgjatë, a ka Izraeli ndonjë plan për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse me palestinezët dhe për të normalizuar marrëdhëniet me botën arabe?

Duke qenë thellësisht i përfshirë në politikën izraelite gjatë vitit të kaluar, kam frikë se të paktën disa anëtarë të qeverisë aktuale të Netanyahut janë edhe vetë të fiksuar tek vizionet biblike dhe drejtësinë absolute, dhe kanë pak interes për kompromisin që sjell paqe.

Të gjitha palët e interesuara duhet të mos lejojnë që përmbytjen e lëshuar nga Hamasi të mbysë Izraelin dhe palestinezët, si dhe të shkatërrojë rajonin.  Vini re se lufta bërthamore është, teorikisht, ndoshta vetëm 24 orë larg – nëse Hezbollahu dhe aleatët e tjerë iranianë godasin Izraelin me dhjetëra mijëra raketa, siç po kërcënojnë të bëjnë, Izraeli mund të përdorë armët bërthamore për vetë-mbrojtje. Prandaj, të gjitha palët duhet të braktisin fantazitë biblike dhe kërkesat për drejtësi absolute dhe të përqendrohen në hapa konkretë për të shmangur konfliktin dhe mbjellë farën për paqen dhe pajtimin.

Pas ngjarjeve të dy javëve të fundit, pajtimi duket krejtësisht i pamundur. Familja dhe miqtë e mi sapo kanë parë nëpër skena që të kujtojnë tmerret e Holokaustit. Por tetë dekada pas Holokaustit, gjermanët dhe izraelitët janë miq të mirë. Hebrenjtë nuk morën kurrë drejtësi absolute për Holokaustin – si mundej? A mundet ndokush t’u kthejë viktimave britmat e dhimbjes në fyt, ta kthejë mbrapsht tymin në oxhaqet e Aushvicit dhe t’i kthejë të vdekurit nga krematoriumet?

Si historian, e di mirë që mallkimi i historisë është se ajo frymëzon dëshirën për të rregulluar të kaluarën. Kjo është përpjekje e pashpresë.

E kaluara nuk mund të shpëtohet. Përqendrohuni në të ardhmen. Lërini plagët e vjetra të shërohen në vend që të shërbejnë si shkak për lëndime të reja.

Në vitin 1948, qindra-mijëra palestinezë humbën shtëpitë e tyre në Palestinë. Si hakmarrje, në fund të viteve 1940 dhe në fillim të viteve 1950, qindra-mijëra hebrenj u dëbuan nga Iraku, Jemeni dhe vendet e tjera myslimane. Që atëherë, plagët janë grumbulluar mbi plagë, në një rreth vicioz dhune që ka çuar vetëm në më shumë dhunë. Ne nuk jemi të detyruar ta përsërisim këtë cikël përgjithmonë. Natyrisht, në mesin e kësaj lufte të tmerrshme, ne nuk mund të shpresojmë të ndalojmë ciklin njëherë e përgjithmonë. Ajo që na duhet tani është të parandalojmë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për këtë kërkojmë disa gjeste konkrete shprese.

Një iniciativë e propozuar kërkon që Hamasi të lirojë të gjitha gratë, fëmijët dhe foshnjat që mban peng, në këmbim të lirimit nga Izraeli të disa dhjetëra grave dhe adoleshentëve palestinezë që mbahen të burgosur. A do të ishte kjo drejtësi? Jo. Drejtësia kërkon që Hamasi të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë pengjet që mori. Por kjo nismë mund të jetë gjithsesi një hap drejt uljes së konfliktit.

Një nismë tjetër është që t’u mundësohet civilëve palestinezë të largohen nga Rripi i Gazës për siguri në vende të tjera. Egjipti, që ndan një kufi me Gazën, mund dhe duhet të marrë drejtimin për këtë. Por nëse Egjipti nuk arrin të ofrojë ndihmë, Izraeli mund të sigurojë strehë për civilët e zhvendosur të Gazës, në tokë izraelite.

Nëse asnjë vend tjetër nuk është i gatshëm të pranojë dhe mbrojë civilët palestinezë, atëherë pasi Kryqi i Kuq të ketë qasje te pengjet izraelite të mbajtur nga Hamasi dhe të ketë konstatuar gjendjen e tyre, Izraeli mund të ftojë Kryqin e Kuq dhe grupet e tjera humanitare ndërkombëtare që të krijojnë strehë të përkohshme për civilët e zhvendosur të Gazës në anën izraelite të kufirit. Këtu do të strehoheshin gra, fëmijë dhe të evakuuar nga spitalet e Rripit të Gazës, ndërsa lufta kundër Hamasit vazhdon, dhe në fund të luftimeve, Gazanët e zhvendosur do të ktheheshin në Rripin e Gazës.

Hedhja e një hapi të tillë do të përmbushte detyrën morale të Izraelit për të mbrojtur jetët e civilëve palestinezë dhe njëkohësisht do të ndihmonte Forcat Mbrojtëse të Izraelit të vazhdonin luftën kundër terroristëve të Hamasit, duke reduktuar numrin e civilëve të ngecur në zonën e luftimit.

A kanë mundësi të realizohen nisma të tilla? Nuk e di. Por e di që lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera, se qëllimi politik i Hamasit është të shkatërrojë çdo shans për paqe dhe normalizim, dhe se qëllimi i Izraelit duhet të jetë ruajtja e mundësisë për paqe. Ne duhet ta fitojmë këtë luftë, në vend që të ndihmojmë Hamasin të arrijë qëllimin e vet.

Yuval Noah Harari është autori i “Sapiens”, “Homo deus” dhe “Unstoppable us” dhe profesor i historisë në Universitetin hebraik të Jeruzalemit./Në shqip nga bota.al

Lajmet

Pesë të lënduar nga aksidenti në rrugë Mitrovicë-Leposaviq, përfshihet vetura e policisë

Published

on

By

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti mes një veture të policisë dhe një veture me targa vendore në rrugën nacionale Mitrovicë-Leposaviq.

Në njoftimin e policisë thuhet se personat e lënduar janë duke marrë trajtim mjekësor.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete, një automjet civil me targa vendore dhe një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës. Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar pesë (5) persona, tre (3) nga automjeti civil dhe dy (2) zyrtarë policorë, të cilët janë duke pranuar trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar nga njësitë kompetente për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

Punëtorët e KEK-ut protestojnë, demantojnë deklaratën e Kryeshefit për pagat

Published

on

Punëtorët e Sindikatës së RE të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në protestën e sotme para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, kanë lëshuar një deklaratë të Kryeshefit ku dëgjohet të thotë se paga mesatare në KEK është më e larta prej ndërmarrjeve publike.

“KEK vazhdimisht ka pasë një rritje të pagave çdo vit, por këtë vit e kemi më sfiduese mirëpo e dimë që edhe paga mesatare ne KEK është më e larta prej ndërmarrjeve publike”, dëgjohet të thotë kryeshefit.

E për këtë kryetari i Sindikatës së RE të KEK, Nexhat Llumnica ka thënë se ky është një mashtrim duke ironizuar se fjala e Kryeshefit nuk shkelet dhe se paga mesatare për ta duhet të jetë 1 mijë e 100 euro.

“Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës jo vetëm që nuk është i interesuar të zgjedh kërkesat e punëtorëve të KEK-ut por po na thotë që i keni pagat më të larta në Kosovës. Sigurisht se ai po e mendon shërbyes civil sikurse ndërmarrjet publike e aq më larg KEK që sot vdesin një për qind e stafit. Kreyshefi i KEK na tha që i keni mbi 1 mijë e diçka euro pagë mesatare. Ne sindikata e RE e KEK e dimë që mesatarja e pagës bazë është rreth 750 euro. Kam thënë që kam një surprizë, e ajo supreizë është mos me ia shkel fjalën Kryeshefit, pra nga këtu ne kërkojmë 1 mijë e 100 euro pagë mesatare. Për të mbetur kjo pagë mesatare 1 mijë e 100 euro, duhet të shtoheh edhe 350 euro për secilin punëtorë në bazë të pagës mesatare”, tha ai.

Llumnica ka thënë se nuk do të marrin pjesë në festën e fundvitit, meqë sic tha ai duan të festojnë bashkë dhe jo veçkryesia.

“Punëtorët e KEK-ut janë ata të cilët sfidojnë, rrezikojnë jetë dhe shëndet, janë ata të cilët kanë rrezikshmëri në punë dhe nuk iu paguhet. Janë ata që vdesin ën punë dhe nuk i merr parasysh askush, janë ata që gjithmonë sfidohen edhe për pajisje personale mbrojtëse, pro nuk e ndalin punën dhe prodhimin, dhe mos të kthesh kokën nga ta është keq. nuk na duhen ftesat për festë për fundvit sepse na dojna me festu të gjithë bashkë, dhe jo vetëm kryesia e Sindikatës. Prandaj, nga këtu iu bëjë me dije se ffesat që na kanë dërgu për fundvit për të festu, ne nuk do të festojmë dhe do të solidarizohemi me ju. O festojna bashkë, o asnjë”, tha ai.

Nënkryetari i Sindikatës, Selajdin Gashi, njëherit inxhinier në KEK ka thënë se dikush është ka vjedhë e ka mashtron me KEK, pasi që thotë se prodhimi bëhet njësoj sikurse ëshë bërë gjashtë vite më parë, por i njejtë nuk është dhe çmimi. Ai tregon se gjashtë vjet më parë fatura e rrymës për të ishte 35 euro, e sot 60 euro.

“Kemi dalë me protestu për shkak se menaxhmenti i KEK-ut na ka rrejt që një vit se ka me na rritë pagën. E pamë rrenën që e lëshuam dhe publikisht, marre duhet me iu ardhë. Këta punëtorë këtu janë punëtorë shembullor për shkak se KEk është kompania më profitabile në vend dhe për çdo vit KEK i jep Qevrisë  25 milionë euro për tantiemë, d.m.th. qymyrin që nxjerrim  për qytetarët, ne si Korporatë i japin 25 milioën euro. Kjo është marre për qeverinë, menaxhmentin dhe gjithë. Nëse shpronësohet një autostradë, krejt njerëzit publikë vrapojnë se ky është aset shtetëror. A nuk është aset shtetëror energjia elektrike? A nuk është aset shtetëror rivitalizimi i Bllokut A3 dhe i B1 që janë modernizuar blloku B2, turbinat dhe gjeneratorët. Krejt këtë punë e kanë bërë punëtorët. Marre që nuk rriten pagat. Që gjashtë vitet e fundit, pavarësisht kush ka qenë drejtor i KEK-ut dhe bordit, energjinë elektrike që ne  e prodhojmë ja japim KEDS me 29 euro e 50 cent, d.m.th. 60 për qind të prodhimit ne e falim për qytetarët e Kosovës, ndërsa 40 për qind shitet në 35 euro. Pse? E bëjmë me qëllim mos me ngarku qytetarin. Për gjashtë vitet në KEK paga është rritur veç 120 euro, pavarësisht është dhënë nga një bonus i vogël. Para gjashtë viteve faturën energjisë e kisha pasë 30 euro, fatura jem e fundit është 60 euro. D.m.th. e mu ka shtrenjtu energjia 100 për qind. Që gjashtë vjet energjinë e japim njejtë. Dikush qëtu është tu rrejt e edhe ja vjedhë”, tha ai./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

Shpërthim në Moskë, tre të vdekur, mes tyre dy policë

Published

on

Tre persona, përfshirë dy oficerë policie janë vrarë në një shpërthim në Moskë, thanë autoritetet ruse.

Dy oficerë të policisë rrugore panë një individ të dyshimtë pranë një makine policie në rrugën Yeletskaya të qytetit dhe kur iu afruan të dyshuarit për ta ndaluar, një pajisje shpërtheu, tha Komiteti Hetues i Rusisë.

Dy oficerët e policisë vdiqën nga plagët e marra, së bashku me një person tjetër që po qëndronte aty pranë.

Shpërthimi ndodhi pranë vendit ku një gjeneral i lartë rus u vra në një shpërthim me makinë-bombë në kryeqytet të hënën.

Gjeneral-lejtnant Fanil Sarvarov vdiq pasi një pajisje shpërthyese e cila ishte vendosur nën një makinë krisi.

Zëdhënësja e Komitetit Hetues Svetlana Petrenko tha në një deklaratë në Telegram se një çështje penale po hetohej në Moskë lidhur me një përpjekje për vrasjen e oficerëve të policisë rrugore.

Mediat ruse identifikuan oficerët si Ilya Klimanov, 24 vjeç dhe Maxim Gorbunov, 25 vjeç./S.K/EO/

 

Continue Reading

Lajmet

Ndërpritet seanca për sulmin në kanalin Ibër Lepenc, mbrojtja kërkoi përjashtimin e prokurorit

Published

on

Seanca fillestare për tre të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok është ndërprerë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesave të paraqitura nga palët mbrojtëse për përjashtimin e prokurorit të rastit.

Kërkesat u parashtruan me arsyetimin se gjatë fazës hetimore nuk janë ndërmarrë veprime të plota për mbledhjen dhe administrimin e provave të propozuara nga mbrojtja.

Sipas gjykatës, seanca është ndërprerë derisa të merret vendim nga Kryeprokurori kompetent lidhur me kërkesën për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu.

Avokati Nebojsha Vllajiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, deklaroi se ka vërejtje serioze ndaj mënyrës së veprimit të prokurorisë dhe se ka kërkuar zyrtarisht përjashtimin e prokurorit.

Ai tha se kërkesa për mbledhje të provave ishte parashtruar që më 6 dhjetor 2024, vetëm disa ditë pas arrestimit të të akuzuarit, por sipas tij asnjë nga provat e propozuara nuk është administruar.

Vllajiq theksoi se janë marrë vetëm disa incizime nga një kamerë dhe se ato janë paraqitur në mënyrë selektive, pa sqaruar kohën, e cila sipas tij është element thelbësor për rastin. Ai shtoi se mosveprimi i prokurorisë ka sjellë humbjen e disa provave përgjithmonë.

“Kam vërejtje ndaj prokurorit të kësaj çështjeje, të cilat, nëse më lejohet nga gjykata, do t’i arsyetoj. Dëshiroj të parashtroj kërkesë për përjashtim të prokurorit publik, Bekim Kodraliu. Nuk kam kërkuar shumë herë përjashtimin e prokurorit në këto raste, përjashtimin e prokurorit nuk e kam kërkuar asnjëherë, ndoshta punoj tri vite dhe ndihem pakëndshëm. Prokurori publik mos ta marrë këtë si personale. I pandehuri Jovan është arrestuar më 1 dhjetor 2024 dhe vetëm 6 ditë pas kësaj kam parashtruar kërkesë për mbledhje të provave, më 6 dhjetor. Ia kam parashtruar prokurorit publik, por ia kam parashtruar edhe gjyqtarit. Të dy provat ia kam dorëzuar të dyve. Prokurori i atëhershëm publik ka qenë Halim Burovci, por tani është zoti Kodraliu. Asnjë veprim nga provat që i kam propozuar nuk është ndërmarrë. Unë kam propozuar që të merren video-incizimet nga dy objekte dhe që të bisedohet edhe me katër persona. Që të bëhet analiza bazike e stacioneve telefonike. Që të vërtetohet në kohën kritike nëse Jovani ka pranuar sinjalin, kjo do të tregonte se ku ka qenë. Në asnjë mënyrë nuk është vepruar sipas kësaj. Janë marrë vetëm disa incizime të një kamere dhe na janë shfaqur në mënyrë selektive. Nuk është treguar koha, e cila është e rëndësishme”.

“Në këtë mënyrë, prokurori publik e ka shkelur dispozitën e procedurës penale, e cila thotë se është i obliguar t’i vërtetojë faktet që shkojnë në dobi apo në dëm të të pandehurit. Disa prova janë humbur përgjithmonë. Askush nuk është i obliguar t’i ruajë incizimet një vit, nëse dikush nuk ia urdhëron këtë. Për këtë ekzistojnë arsye të rëndësishme, të cilat nxisin dyshimin në paanshmërinë e prokurorit publik, sepse veprimi i deritanishëm nuk ka qenë i paanshëm. Në bazë të ligjit të procedurës, dispozitat për përjashtimin e gjyqtarit zbatohen konform edhe për përjashtimin e prokurorit. Gjyqtari, posa ta pranojë kërkesën për përjashtim, është i obliguar ta ndërpresë punën lidhur me lëndën. Kështu konsideroj se është edhe në këtë rast. Sipas interpretimit tim të ligjit për përjashtimin e prokurorit publik, vendos kryeprokurori. Kështu që unë këtë kërkesë dje ia kam dorëzuar me postë kryeprokurorit, ndërsa sot ia kam dorëzuar gjykatës dhe prokurorit Bekim Kodraliu. Konsideroj që ajo kërkesë është e bazuar dhe pas vendimit të gjyqtarit kompetent ne do të vazhdojmë me procedurën”, tha ai./S.K/EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara