Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.
“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.
“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.
Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.
