Lajmet

Elshani: Hetimet në Banjskë do të zgjasin, policia s’pati qëllim të vrasë askënd

Ai foli edhe për ngjarjet e së dielës, ku terroristët serbë vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku.

Published

on

Hetimet në fshatin Basnjkë të Zveçanit nuk do të përfundojnë për një kohë të gjatë, deklaroi sot drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani. Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai tha se Policia e Kosovës nuk kishte synim të vriste askënd, dhe se viktimat janë pjesë e procesit të lirimit të territorit nga grupet kriminale.

Sot (e mërkurë) kur edhe u lirua për qëllim rruga që çon në Basnjkë, Elshani tha para mediave se zona përreth maleve nuk është e sigurt meqë janë gjetur një mori mjetesh të pashpërthyera e të cilat do të hetohen nga njësi të specializuara gjatë ditëve në vijim.

Ai foli edhe për ngjarjet e së dielës, ku terroristët serbë vranë rreshterin policor Afrim Bunjaku dhe plagosën dy të tjerë. Derisa bëri të ditur se sulmuesit kishin hedhur predha e minahedhës në distanca të mëdha në drejtim të Policisë së Kosovës.

“Unë mendoj se hetimet nuk kanë për të përfunduar edhe një kohë të gjatë sepse edhe për neve është interesant se pse ky vend të zgjedhet në këtë vend dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre njerëzve të armatosur me u vendos këtu. Është një fshat i mirë, turistik, njerëzit janë shumë të qetë. Ndoshta puna e kufirit sepse logjistika ka pasur mundësi të vijë nga ana e shtetit serb atje, mirëpo hetimet me siguri do të shkojnë më gjatë”, tha ai.

Siç tha ai, Policia e Kosovës ka kryer punën e saj në mënyrë profesionle dhe ka realizuar punën e saj “me sa më pak dëme” që ka qenë e mundur.

“Planifikimi prej policëve në vendin e ngjarjes këtu ka qenë shumë i mirë, konsideroj se ka qenë më e mira e mundshme që është arritur. Ne nuk kemi pasur qëllim të vrasim 30 njerëz, nuk kemi pasur qëllim të vrasim asnjë njeri. Qëllimi jonë është të marrim territorin tonë, që është i vendit tonë, të lirojmë këtë vend nga grupet kriminale që nuk duhet të jenë këtu. Dhe, nëse ka pasur viktima, ajo është pjesë e procesit. Ne konisderojmë që e kemi arritur misionin tonë që me sa më pak dëme të mbërrijmë pjesën tonë, atë që kemi dashur. Ajo që është shumë me rëndësi të theksohet është që në asnjë moment, fshatarët e këtij fshati nuk kanë qenë të lënduar, nuk ka pasur as dëme kolaterale dhe kjo është çudë. Ne i kemi bërë planifikimet tona si është më së miri, por është për ne është e çuditshme si nuk ka pasur dëme”, tha Elshani.

Sa i përket bastisjes, Elshani tha se do të vazhdojë rreth zonave malore, derisa pati një mesazh edhe për gazetarët, të cilëve sot për të parën herë që nga sulmi iu lejua hyrja në fshatin Banjskë.

“Bastisja, kontrolli, sa i përket zonës së banimit ka përfunduar. Ne i kemi bërë një kontroll goxha të mirë konsideroj edhe rrethit të malit, sidoqoftë nuk autorizohet lëvizja juaj nëpër këtë vend sepse ka mundësi që të kemi mjete të paeksploduara sepse kemi gjetur shumë nëpër mal. Sot dhe ditëve në vijim do të kemi njësi të tjera të specializuara ku në vende të caktuara do të bëjnë kërkime të ndryshme. Autorizimi për ju është bërë pas konsultimit me eprorët tanë, në mënyrë që të mos ketë terror informativ. Ju kemi lejuar të vini këtu por rreziku ende nuk ka kaluar”, tha drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës.

Ai theksoi se përgjatë këtyre ditëve, Policia e Kosovës ka hasur në armatim gjithandej fshatit, porse nuk u lëshua në detaje. Derisa tregoi sesi sulmuesit e armatosur kishin gjuajtur në drejtim të Policisë edhe me predha e minahedhës.

“Armatim ka pasur gjithandej… Nuk dua të lëshohem në detaje. Ka pasur shumë armatim. Në zonat jashtë, nëpër shtëpi. Ne kemi hyrë edhe nëpër shtëpi… Armatim ka pasur rreth shtëpive, ka pasur në shtëpinë këtu poshtë, ku ka qenë vendi kryesor. Ka pasur gjithandej, nuk po dua të lëshohem në detaje… Për hetimin e personit për të cilin po flisni (Radojçiqin) nuk mund të them asgjë. Në vend të ngjarjes janë marrë vendime shumë të shpejta dhe shumë të rëndësishme. Ka pasur gjuajtje me minahedhës 60 mm dhe 82 mm. Ju kah erdhët e patë një pompë të benzinës, aty ka pasur gjuajtje, ka pasur predha. Kështu që, prej këtu na kanë gjuajtur atje. Kështu, vendimet është dashur të jenë shumë të shpejta. Ne kemi pasur koordinim shumë të mirë me eprorët tonë në qendrën ‘Enver Zymberi’ dhe veprimet tona janë koordinuar shumë shpejt”, derisa nuk tregoi nëse shtëpia për të cilën foli është pjesë e manastirit apo jo.

Ai nuk mohoi mundësinë se grupe kriminale do të tentojnë të hyjnë sërish në Kosovë, porse tha se Policia e Kosovës është e përgatitur dhe ka komunikim të mirë me KFOR-in.

“Policia është institucion i zbatimit të ligjit dhe kriminelët në tjetrën anë planifikojnë sesi të gjejnë ndonjë hapësirë për të kryer pjesën e vet, bëjnë planifikime të ndryshme dhe nuk mund ta përjashtojmë një mundësi tjetër (që grupe të armatosura të hyjnë në Kosovë). Ne jemi goxha të përgatitur dhe kemi komunikim të mirë me KFOR-in dhe ndoshta ka mundësi që ky rast këtu, me të gjitha të këqijat e veta, me një polic të vrarë dhe tre të armatosur të vrarë, mendoj se ne kemi marr edhe mësim këtu”, tha Elshani.

I pyetur për largimin e terroristëve nga Manastiri i Banjskës, Elshani tha se videot veçse kanë qenë publike. Ai potencoi se Policia e Kosovës ka pasur bashkëpunim me EULEX-in dhe çdo gjë është bërë edhe në koordinim me ta. 

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara