

Lajmet
Kurti për situatën në veri: S’kam marrë ultimatum, nuk zgjidhet me trysni
Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar.
Published
2 years agoon
By
UBT newsKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se de-eskalimi i situatës në veri nuk mund të zgjidhet me trysni dhe përmendje pasojash. Ai pranoi se ka sfida në diskutimet me emisarët Lajçak dhe Escobar por u shpreh i bindur se do të mund t’i sqarojnë të gjitha paqartësitë, derisa shtoi se s’ka marrë asnjë ultimatum nga ata për zgjidhjen e situatës në veri.
Kurti, pasi mori pjesë në një aktivitet të xhudos në Mitrovicë, para mediave tha se u ka ofruar përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisarit të ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar mënyrën e sigurt se si të ketë një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës.
Ai tha se është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në veri, por me kushtin që fillimisht të ketë sundim të ligjit në atje dhe pastaj që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët evropian dhe amerikan për dy orë. Unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm dhe të grupeve kriminale… Pika e parë është sundimi i ligjit, s’ka qëndrueshmëri institucionale pa sundim të ligjit, një prej pikave themelore të demokracisë është ligji mbi politikën… E dyta, që në përputhje me largimin e këtyre grupeve dhe përfundimin e të gjitha trazirave të dhunshme të kemi zvogëlim të pranisë në ndërtesat komunale në tri komunat në veri dhe më pastaj do të mund të angazhoheshim në një proces fer, demokratik zgjedhor për zgjedhje të parakohshme, pasi jemi të vetëdijshëm se dalja ka qenë e ulët. Pra, po zgjedhje të reja, po zgjedhje të parakohshme, por pas sundimit të ligjit dhe përgatitjes së terrenit. Përgatitja e terrenit nënkupton se nuk mund të jenë zgjedhjet vetëm pa incidente zgjedhje tamam, por duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në njërën anë dhe anën tjetër një fushatë parazgjedhore që është e lirë dhe demokratike”, tha ai.
Kurti insistoi se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e ShBA-së janë të shkëlqyera.
Ai shtoi se kur vijnë për diskutime emisarët evropian dhe amerikan në Kosovë janë në cilësi të ndërmjetësuesit të dialogut dhe aty nuk është në pyetje BE-ja dhe ShBA-ja, por raporti i Kosovës me Serbinë.
“Nuk mendoj se këto gjëra zgjidhen me trysni dhe me përmendje pasojash dhe ndoshta edhe sanksionesh të shtetit më demokratik dhe më progresist në Ballkanin Perëndimor. Unë jam i bindur se do të mund t’i sqarojmë paqartësitë. Kemi sfida me emisarët edhe evropian dhe amerikan, por marrëdhëniet tona bilaterale me BE-në dhe ShBA-në janë të shkëlqyeshme. Kur vjen emisari evropian apo amerikan si ndërmjetësues atëherë këtu nuk është në pyetje Evropa apo Amerika, por është në pyetje raporti ynë me Serbinë, natyrisht kjo nuk është e njëjta gjë tani. Duhet të dalloni kërkesën që na bën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, p.sh. për t’i pranuar refugjatët nga Afganistani, 1893 i kemi pranuar të gjithë, menjëherë të gatshëm, 410 prej tyre ende janë në Kosovë. Kur ShBA-ja në kuadër të marrëdhënieve tona bilaterale kërkon diçka prej neve ne nuk kemi dilema të themi po. Por kur emisari amerikan kërkon diçka në raportin tonë me Serbinë ne duhet të mendojmë mirë dhe të jemi të vëmendshëm dhe kujdesshëm”, tha ai.
Sipas Kurtit, në këtë situatë është vendi për shkak të braktisjes së Listës Serbe të institucioneve. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 23 prill, ani pse i kishin premtuar atij pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit.
“Në këtë situatë jemi meqenëse Lista Serbe i braktisi institucionet me 5 nëntor dhe jo vetëm kaq, bojkotoi procesin zgjedhor dhe bëri thirrje që të bojkotohet procesi zgjedhor. Jo vetëm kaq, në ditën e heshtjes zgjedhore shkuan në Bajtanicë në ushtrimet ushtarake në vendin ku janë eksponuar 742 kufoma shqiptare dhe ku s’ka as pllakë përkujtimore. Natyrisht ne jemi të zhgënjyer që faktorët ndërkombëtar nuk kanë arritur të garantojnë pjesëmarrjen e serbëve siç na kanë premtuar neve. Me datën 16 mars ka skaduar afati për regjistrimin e partive politike për 4 komunat në veri. Presidentja e Republikës Vjosa Osmani, afatin e 16 marsit e ka zgjeruar deri 21 mars, pra e ka shtyrë për pesë ditë për me i kriju kohë shtesë partive serbëve. Mua më thoshin se porsa të bëhet marrëveshja e Ohrit serbët marrin pjesë, e bëmë marrëveshjen e Ohrit me 18 mars, kaloi afati me 21 mars dhe përsëri ata bojkot dhe vetëm bojkot. Krejt çka kemi mundur kemi bërë. S’kemi pas qare pa i bërë betimet dhe hyrjen e kryetarëve tonë në ndërtesat e komunave, pasi 28 maji ka qenë afati i fundit ligjor. Nuk janë këto vendime taktike të Qeverisë, përkundrazi janë obligime tona ligjore që ne i kemi respektuar në përpikëri”, tha ai.
Në anën tjetër, Kurti tha se Qeveria e Kosovës ende s’ka asnjë draft të shkruar për statutin e Asociacionit, ani pse emisari i ShBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, tha se ekzekutivi e ka të gatshëm draftin për Asociacionin por po e mban të fshehur.
“Draft-statut të Asociacionit, Qeveria e Kosovës s’ka shkruar. Qeveria ka shprehur gatishmërinë për një draft-statut për thellimin e mëtutjeshëm të draft-vizionit qysh në Ohër më 18 mars kur u refuzua një gjë e tillë. Gjithashtu e kemi shprehur në vazhdimësi gatishmërinë tonë kur të pajtohemi për parimet. Pasi nuk ka kuptim një tekst gjerë e gjatë nëse parimet bazë nuk janë të dakoorduara. Me ShBA-në kemi pajtueshmëri të plot sa i përket parimeve bazë dhe këtë ambasadori amerikan, Hovenier e ka thënë. Kur unë kam deklaruar në Ohër se e shkruaj draft-statutin me shtyllat siç janë qëndrimi evropian, letra e Mogerinit, qëndrimi amerikan i shprehur në tekstin e Chollet dhe Escobar dhe po ashtu kushtetutshmëria e vendit tonë, përfshirë edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ambasadori amerikan ka thënë gjithçka në rregull”, theksoi Kurti.
Gjatë kësaj jave në Kosovë qëndruan përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe emisari i Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët paraqitën tri kërkesa për Kosovën, deeskalimi i situatës në veri, organizimi i zgjedhjeve të reja në komunat veriore sa më shpejtë dhe rikthimi në dialog.
Lajmet
Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona
Published
24 minutes agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Igor Popoviq, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi u arrestua të premten në pikën kufitare të Bërnjakut.
Arrestimi i Popoviqit vjen pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e quajtur “organizatë terroriste” dhe duke krahasuar veprimet e saj me ato në Rripin e Gazës. Fjalimi u mbajt në një ceremoni përkujtimore.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ndaj Popoviqit është iniciuar procedurë për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mosdurimit”, ndërsa gjatë ndalimit i janë sekuestruar edhe dy telefona.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, deklaroi se “institucionet e sigurisë nuk do të tolerojnë ofendimet dhe shtrembërimet e historisë së Kosovës”, duke shtuar se ndaj Popoviqit do të veprohet në përputhje me ligjet në fuqi.
Ndërkohë, drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë”, Petar Petkoviq, reagoi duke e cilësuar arrestimin si “të padrejtë” dhe pretendoi se Popoviq “vetëm tha të vërtetën”./BetimipërDrejtësi
Lajmet
14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj
Published
25 minutes agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Policia e Kosovës ka ndaluar një të mitur 14-vjeçar në Ferizaj, nën dyshimin për armëmbajtje pa leje dhe posedim të sprejit, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Sipas njoftimit zyrtar, reagimi i policisë erdhi pas marrjes së një informacioni se një person i mitur po mbante me vete armë zjarri dhe sprej. Njësia policore ka ndërhyrë menjëherë, ka identifikuar të dyshuarin dhe e ka ndaluar në vendngjarje.
Gjatë kontrollit fizik, tek i mituri janë gjetur një armë zjarri pa fishekë dhe një sprej, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me urdhër të prokurorit kujdestar, 14-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të tillë për të garantuar sigurinë publik.
Lajmet
Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit
Published
28 minutes agoon
July 19, 2025By
UBTnews
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot për herë të dyzet e nëntë herë (49), në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë duke filluar nga ora njëmbëdhjetë.
Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj pesë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.
Aktualitet
UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI
Published
15 hours agoon
July 18, 2025By
Driton Iseni
Një sukses që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe vendos Kosovën në hartën globale të arsimit të lartë është rangimi i radhës i UBT-së, i cili ka arritur të renditet ndër universitetet më të mira dhe më inovative në botë, sipas rangimit prestigjioz të World University Rankings for Innovation (WURI 2025), duke u radhitur përkrah universiteteve prestigjioze si Harvard, MIT, Stanford, Oxford, e të tjera.
Në raportin zyrtar të publikuar nga WURI, UBT ka arritur pozicionime të larta në disa kategori kyçe, duke u radhitur në mesin e institucioneve lidere të arsimit të lartë në nivel global:
- Vendi i 10-të në kategorinë ESG Trend (B3) – për përkushtimin në mjedis, shoqëri dhe menaxhim të qëndrueshëm;
- Vendi i 14-të në kategorinë Funding for Sustainability (B5) – për sigurimin e burimeve për projekte që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm;
- Vendi i 5-të në kategorinë University Brand and Reputation (B8) – për ndërtimin e një identiteti të fuqishëm institucional dhe reputacioni ndërkombëtar në rritje;
- Dhe, vendi i 208-të në renditjen e përgjithshme ndër Global Top 400 Innovative Universities.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi këto arritje si një tregues i qartë i progresit të vazhdueshëm të institucionit.
“UBT po dëshmon se është një forcë lëvizëse e arsimit të lartë në botë. Rangimet e WURI janë pasqyrim i realitetit që po ndërtojmë çdo ditë: një universitet që promovon dijen, inovacionin, dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërkombëtarizimit”.
Ky sukses i radhës konfirmon rolin e UBT-së si një lider në fushën e inovacionit, teknologjisë dhe ndërkombëtarizimit, duke e vendosur Kosovën fuqishëm në hartën globale të arsimit cilësor dhe transformues.
Për më tepër, renditja e UBT-së në mesin e universiteteve më të mira dhe më inovative në botë sipas WURI 2025 përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme jo vetëm për institucionin, por për gjithë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë. Pozicionimi në vendin e 10-të për ESG Trend dëshmon angazhimin e UBT-së për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi ndaj mjedisit dhe shoqërisë, ndërsa vendi i 14-të në Funding for Sustainability tregon kapacitetin për të siguruar burime për projekte me ndikim afatgjatë. Veçanërisht i rëndësishëm është renditja në vendin e 5-të në University Brand and Reputation, që e vendos UBT-në si një nga institucionet me reputacion më të madh global, duke rritur besueshmërinë dhe vlerën e diplomës për studentët, si dhe mundësitë për bashkëpunime ndërkombëtare për stafin akademik.
Ky sukses e ngre më tej profilin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të arsimit, duke e bërë më tërheqëse për studentë, profesorë dhe partnerë strategjikë nga e gjithë bota dhe duke dëshmuar se institucionet kosovare mund të konkurrojnë denjësisht në nivel global.

Popoviq në mbajtje për 48 orë pas fjalimit kundër UÇK-së, i sekuestrohen dy telefona

14-vjeçari ndalohet me armë zjarri dhe sprej në Ferizaj

Trump nënshkruan projektligjin historik për kriptovalutat

Sot tentimi i 49-të për konstituimin e Kuvendit

Ligjëratë mbi Vëzhgimin Satelitor në kuadër të Akademisë Verore në Fakultetin e Sistemeve të Informacionit

Vizitë zyrtare dhe ligjërata akademike nga profesorët e University of Sannio në UBT

UBT vazhdon të vendosë standarde globale – përkrah universiteteve më prestigjioze në botë në rangimin e fundit global nga WURI

Qendra e Laboratorëve testues në UBT është qendra më e madhe në rajon

UBT dhe Binance bashkë në një ngjarje unike për Blockchain dhe sigurinë në kripto
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore