Lajmet

​DhTIK: Rritja e tatimit barrë shtesë për bizneset, kompanitë nuk përfitojnë nga “Superpuna”

Nga Dhoma e Tregtisë kanë reaguar ndaj Qeverisë edhe për mënyrën e implementimit të projektit “Superpuna”.

Published

on

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka ngritur shqetësimin e saj për rritjen e tatimin në pronën e paluajtshme.

Drejtues të kësaj dhome në një konferencë për media kanë theksuar se shtrenjtimi i tatimit në pronë do të jetë një goditje e rëndë për bizneset në vend.

Kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DhTIK), Skënder Krasniqi ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkëpunimit me bizneset sa i përket plotësimit ndryshimit të ligjeve në vend, veçanërisht atë për pronën e paluajtshme. Krasniqi ka theksuar se situata pas pandemisë COVID-19, dhe agresionit rus në Ukrainë, bizneset janë në situatë të vështirë.

Përkitazi me këtë, ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesë të bashkëpunimit nga ana e Qeverisë me bizneset. Madje, ai ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të jenë më pran komunitetit të biznesit.

Përveç kësaj, Krasniqi ka reaguar ndaj Qeverisë edhe për mënyrën e implementimit të projektit “Superpuna”.

“Ne si Dhomë e Tregtisë duam të shprehim shqetësim publik për mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e Kosovës në lidhje me situatën jo të mirë të të bërit biznes në Kosovë dhe situatën jo të mirë në përgjithësi në botë dhe ndryshimet e mëdha që po ndodhin sidomos gjatë këtyre tre vjetëve nga pandemia COVID, lufta në Ukrainë dhe për nevojë të jashtëzakonshme që kemi ndryshime dhe reagime më të shpejta të qeverisë. Ftojmë kryeministrin, Albin Kurti, ministrat, e sidomos ministrin e Financave, Hekuran Murati që të na vizitojë dhe të diskutojmë më shumë para se të marrin vendime të tilla ose propozime për ndryshimin e ligjeve ose plotësim ndryshimin e ligjeve të cilat po shkojnë pa e pas një reagim ose bashkëpunim të mjaftueshëm me biznese”, tha Krasniqi.

Sekretari i përgjithshëm në DhTIK, Shyqiri Bytyqi theksoi se rritja e tatimit në pronë do të pengojë në zhvillimin e bizneseve.

“Marrë parasysh këto rrethana, rritja e barrës tatimore do të pengojë zhvillimin e këtyre bizneseve. Kjo na detyron neve si do të reagojmë me kohë që të tërheqim vëmendjen publikisht që këto gjëra të mos ndodhin, por të bëhen angazhime në krijimin e një klime të favorshme për biznese, në mënyrë që ta tejkalojnë krizën që është shkaktuar dhe vazhdon të shkaktohet. Pra, bizneset tona nga kriza që ka ekzistuar deri më tani akoma nuk janë këndellë dhe nuk janë ato biznese që kanë një siguri në qëndrueshmërinë e tyre”, theksoi Bytyqi.

Ish-ministri i Arsimit, Bytyqi ka thënë po ashtu se ri-vlerësimi i pronave për rezidentët nuk janë vlerësime reale. Ai tha se me plotësim-ndryshimin e Ligjit në pronë që pritet të ketë shkallë progresive dhe rritje të tatimit në pronë, do të ndikon tepër negativisht në zhvillimin e qëndrueshmërisë së bizneseve në Kosovë.

“Nga informacionet që tashmë ne kemi ajo që ka ndodhur në rivlerësimin e pronave për rezidentët, është parë që është rritur një vlerë e madhe e pronave duke u bazuar në çmimin e tregut ashti siç kanë dalë me deklarim Ministria e Financave. Ne e kemi tërheq vërejtjen për tregun prapë, sepse këto rivlerësime kanë ndodhë për shkak të rritjes së çmimeve si pasojë e krizës dhe nuk janë vlerësime reale. Sepse brenda një periudhe me stabilizimin e krizës këto çmime mund të bien, dhe i bie që edhe kostoja e pasurive mund të ndryshojë. E njëjta gjë do të pritet në vlerësimin e pronave komerciale me formën teknike që janë zbatuar tek prona rezidente ku do të ndikonte edhe në rritjen e vlerës së pronave të bizneseve. Dhe rrjedhimisht nga plotësim ndryshimi i ligjit në pronë që pritet të ketë shkallë progresive dhe rritje të tatimit në pronë do të ndikon shumë negativisht në zhvillimin e qëndrueshmërisë së bizneseve në Kosovë. Nga propozimi i draft plotësimit të ligjit pritet që shkalla progresive për tatimin në pronë të kenë një rritje nga 0.10 që është shkalla minimale deri në 0.50, që i bie që të ketë një rritje pothuajse 50 për qind e tatimit në pronë si shkallë tatimore, por jo si vlerë”, theksoi ai.

Bytyqi po ashtu ka shpjeguar rritjen e tatimit në pronë nga 200 mijë në 700 mijë euro.

“Në analizën që ne kemi bërë një biznes, i cili aktualisht në Kosovë mund të ketë një metrazh diku rreth 60 mijë metra katror e që tashmë në Prishtinë tatimi në pronë është rreth 200 mijë euro, me futjen, nëse miratohet kështu si është draft propozim ligji për plotësim ndryshimin e ligjit të tatimit në pronë do të ketë një rritje të barrës të tatimit në pronë rreth 700 mijë euro. Pra, shihet se 300 për qind kemi rritje të menjëhershme vetëm me futjen e shkalles progresive pa e futur edhe mundësinë e rritjes së vlerës së aseteve. Dhe kjo barrë e rëndë padyshim se do të ndikojë shumë negativisht tek bizneset. Barra e rëndë tatimore jo vetëm që do të krijojë jostabilitet, por do të jetë një pengesë e madhe në investimet e planifikuara. Do të fillojnë që të ndërpriten investimet e planifikuara, do të ketë rrezik të shkurtimit të vendeve të punës, dhe falimentimit të bizneseve. Është shumë e arsyeshme reagimi me kohë që derisa është ende në Parlament t’i bëjmë ftesë deputeteve ta shqyrtojnë me kujdes këtë plotësim ndryshim të ligjit dhe mos të dëmtohen bizneset, sepse me këto shkallë dëmtimi më i madh do të jetë për bizneset më të mëdha”, tha Bytyqi.

Në këtë konferencë për media, kryetari i Bordit, Krasniqi theksoi po ashtu se janë të shqetësuar edhe për mënyrën e zbatimit të projektit “SuperPuna”. Ai theksoi se po kushtëzohen bizneset për të përfituar nga ky projekt, që sipas tij, shumica e bizneseve nuk po arrijnë të marrin mbështetjen nga “SuperPuna”.

“Ne si Dhomë e Tregtisë kemi shprehur shqetësimin tonë edhe për projektin e punësimit “Superpuna” dhe për metodat që qeveria ka bërë për mënyrën e përfitimit, ku për këtë nuk ka mjaftueshëm kërkesa për punësim ose shumica e bizneseve nuk po i plotësojnë kërkesat, për shkak se detyrimi që së pari biznesi të paguaj dhe pastaj shteti të alokojë mjetet te biznesi, është një ngarkesë, sepse sikur biznesi të kishte mundësi financiare, ne i kishim punësuar dhe nuk kishte pasur nevojë me marrë përkrahje prej shtetit. Prandaj, kjo pagesë do të duhej që automatikisht të kalojë te biznesi apo te punëtori dhe të mos pritet një apo dy muaj të dalin ato mjete”, theksoi Krasniqi.

Edhe Arsim Selmonmusaj nga DhTIK tha se nëse qeveria e Kosovës vazhdon me këto politika fiskale, ekziston rreziku që bizneset të ikin nga vendi.

“Deri më tani e dimë se një pjesë e madhe e rinisë dhe një pjesë e profesionistëve kanë ikur nga Kosova dhe çdo ditë po vazhdon ky trend. Nëse vetëm vazhdohet me këto politika fiskale dhe me këto trendë të rritjes dhe vështirësive te të bërit biznes në Kosovë, atëherë dhe biznesi fillon që të largohet në një ambient më të favorshëm sesa këtu”, tha Selmonmusaj.

Projektligji për tatimin në pronën paluajtshme është në Kuvendin e Kosovës, i cili ka kaluar në lexim të parë në Komisionin për Buxhet. Shtrenjtimi i tatimit në pronë mbi 100 për qind e në disa raste edhe mbi 700 për qind ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti, i cili është kundërshtuar nga qytetarët, opozita dhe bizneset. 

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara