Lajmet

Një negociator i Harvardit shpjegon si duhet të debatojmë

Shapiro ka identifikuar tri barriera që duhet të kapërcejmë për të pasur debate më të mira dhe më produktive.

Published

on

Shumica e njerëzve duan që debatet të jenë konstruktive. Ata shqetësohen se politika është bërë shumë e polarizuar dhe se mediat sociale janë fushëbeteja më toksike e luftërave kulturore. Dhe në jetën e tyre personale, shqetësohen kur marrëdhëniet premtuese kanë vështirësi për të kapërcyer mosmarrëveshjet e rrënjosura.

Edhe Dan Shapiro, një ekspert për negociatat dhe zgjidhjen e konflikteve në Universitetin e Harvardit, e sheh konfliktin të papëlqyeshëm. Por siç thoshte ai në një intervistë, debatet janë një përvojë universale njerëzore. Ne nuk mund t’i shmangim dhe nëse i injorojmë, është në dëmin tonë. Pavarësisht se sa mund të mos na pëlqejë, duhet të jemi në gjendje të përfshihemi në debatet e jetës, pavarësisht nëse zgjidhen në favorin tonë apo jo. Problemi nuk është se ne kemi debate. “Problemi është se si.”

Në kërkimin dhe përvojën e tij, Shapiro ka identifikuar tri barriera që duhet të kapërcejmë për të pasur debate më të mira dhe më produktive.

Barriera e parë:

Një identitet ne – kundër atyre

Qëllimi i një debati ndryshon në momentin që identiteti juaj ngatërrohet në konflikt. Në atë pikë, ju nuk po përpiqeni më të zgjidhni një mosmarrëveshje ose të ballafaqoni idetë konkurruese. Po luftoni për ndjenjën që keni për vetveten. Tani je ti (si individ) ose ne (si fis) kundër atyre. Pasi të jeni në atë gjendje vetëmbrojtjeje, emocionet bëhen më të fuqishme dhe dëshira juaj për të gjetur gjuhën e përbashkët ia lë vendin nevojës për të fituar.

Fatkeqësisht, është tmerrësisht e lehtë që debatet të kalojnë në një sfidë “ne kundër atyre”. Në fakt, ndërsa ne bashkëpunojmë me anëtarët e grupit tonë, jemi gjithashtu natyrshëm fobikë jashtë grupit. Studimet tregojnë se kur njerëzit identifikohen fuqishëm me një ideologji, ata mund ta çnjerëzojnë grupin deri në pikën e nënvlerësimit të aftësisë së tyre për të patur ndjesitë themelore njerëzore, të tilla si etja dhe të ftohtit. Ata gjithashtu kanë më shumë gjasa t’i atribuojnë motivimet e palës tjetër si të liga dhe të urryera.

Ky është më shumë se arsyetim i dobët nga ana jonë. Mentaliteti ne- kundër atyre ka një bazë neurologjike në hormonin oksitocinë.

Oksitocina zakonisht vlerësohet si një hormon pro-social. Është një kontribuese e rëndësishme në sjellje të tilla si ndërtimi i besimit, rritja e bashkëpunimit dhe kujdesi social. Na bën më shprehës emocionalisht dhe përmirëson inteligjencën tonë emocionale. Madje i ndihmon nënat të lidhen me foshnjat e tyre dhe çiftet me njëri-tjetrin. Por studimet kanë treguar gjithashtu se oksitocina nuk është vetëm një hormon mbështetës. I njëjti hormon që nxit kohezionin brenda grupit mund të forcojë gjithashtu konkurrencën jashtë grupit. Ky rol i dyfishtë i të bërit dashuri dhe luftë quhet “paradoksi i oksitocinës”.

Siç e thekson Shapiro: “Duhet të dini se kush jeni dhe çfarë përfaqësoni. Cilat janë vlerat dhe besimet që më shtyjnë të luftoj për këtë qëndrim për këtë çështje? Sa më shumë të kuptoni se kush jeni, aq më shumë mund të përpiqeni të arrini qëllimin tuaj dhe të qëndroni të ekuilibruar, edhe kur tjetri kërcënon ato vlera dhe besime thelbësore.”

Sigurisht, askush nuk është i përsosur. Ne të gjithë do të humbasim ekuilibrin herë pas here.

Barriera Nr. 2: Të mos tregosh vlerësim

Pasi të shohim se si identiteti luan në mbrojtjen tonë emocionale, mund të punojmë për t’i ulur ato gardhe tek ne dhe tek të tjerët. Një mënyrë për ta bërë këtë dhe për të ndërtuar një lidhje më të mirë është përmes vlerësimit. Vlerësimi tregon se ju nuk e shihni debatin si një përleshje ideologjike rrënuese; humbja e tjetrit nuk është fitimi juaj. Përkundrazi, ju e shihni debatin si një mundësi për zgjidhje të mundshme, dhe edhe nëse kjo nuk mund të arrihet, rritje reciproke dhe mirëkuptim të ri.

Një qasje që rekomandon Shapiro është thjesht të dëgjoni në fillim të bisedës. Merrni parasysh vlerën që qëndron pas perspektivës së personit tjetër, arsyetimin e tyre dhe pse e kanë atë. Edhe nëse përfundimisht nuk jeni dakord, ka të ngjarë të gjeni diçka që vlerësoni për personin tjetër – qofshin këto vlerat, pasioni, njohuritë mbi temën ose një këndvështrim i nuancuar që nuk e kishit marrë parasysh.

 “Nuk ka asgjë më shumë në botë që na pëlqen sesa të ndihemi të vlerësuar. Njihni fuqinë tuaj për t’i vlerësuar ata.”

Një qasje më e formalizuar për të kapërcyer këtë pengesë njihet si rregullat e Rapoport. Të krijuara fillimisht nga psikologu matematicien Anatol Rapoport dhe më vonë të sintetizuara nga Daniel Dennett, këto rregulla ofrojnë një udhëzues hap pas hapi për të sjellë vlerësim në një debat.

Pasi të dëgjoni arsyetimin e palës tjetër, ndiqni këto hapa:

Shpjegoni qartë pozicionin e personit tjetër për të treguar se e keni dëgjuar dhe respektuar pozicionin e tij.

Përmendni çdo gjë që keni mësuar për t’i treguar personit tjetër se meriton të mësojë dhe se ju e vlerësoni mundësinë.

Rendisni pikat për të cilat jeni dakord si një mënyrë për të ulur ato gardhe vetëmbrojtjeje. Dhe tani, ofroni një kritikë ose përgënjeshtrim.

Duke u angazhuar ose në rregullat e Rapoport-it ose në rekomandimin e Shapiro-s, ju demonstroni jo vetëm vlerësim, por gjithashtu ndërtoni besim me personin tjetër. Dhe ju mund ta përdorni atë besim për t’ju shtyrë të kapërceni barrierën përfundimtare.

Barriera Nr. 3:

Injorimi i përkatësisë suaj

Siç e kemi parë, kur mendojmë për dikë si pjesë të grupit tonë, ne jemi më bashkëpunues dhe më të gatshëm ta mendojmë atë si partner dhe jo si pengesë ideologjike. Kur i shohim ata si një anëtar të grupit të jashtëm, ne i shohim si një kundërshtarë.

Por sipas Sapolskyt, ne manipulohemi lehtësisht kur bëhet fjalë për të caktuar se kush bën pjesë në ose jashtë grupit tonë. Besoni apo jo, ky është lajmi i mirë. Ne mund të lidhemi me njerëz të tjerë – t’i shoqërojmë ata si pjesë e fisit tonë – bazuar në tipare në dukje të parëndësishme. Mund të jetë aq e thjeshtë sa një hobi i përbashkët, një skuadër sportive e preferuar ose nëse ish shoku i dhomës i kushëririt të tyre të dytë është i diplomuar në Alma Mater. Edhe përkatësia më e dobët mund t’i hapë dyert krijimit të “neve” dhe të reduktojë gardhet duke lehtësuar besnikërinë fisnore.

“Kthejeni personin tjetër nga një kundërshtar në një partner, kështu që nuk do të jem më unë kundër jush, por ne të dy përballemi me të njëjtin problem të përbashkët”, thotë Shapiro.

Përkatësia gjithashtu nuk duhet të jetë e parëndësishme. Merrni parasysh debatin e imigracionit në politikën amerikane. Në shumë drejtime, këto debate janë të pazgjidhshme. Realitetet ekonomike janë komplekse, aspiratat humaniste mund të jenë të frikshme për t’u arritur dhe identitetet në çështje të tilla janë të rrënjosura thellë.

Megjithatë, të dhënat e sondazheve sugjerojnë se republikanët dhe demokratët në fakt bien dakord për shumë gjëra. Shumica e të dyja palëve thonë se siguria kufitare, lejimi i qëndrimit të fëmijëve pa dokumente dhe ndihma e refugjatëve civilë për t’i shpëtuar dhunës janë qëllime të rëndësishme. Dallimi është në shkallë dhe intensitet, gjë që zhvendos prioritetet kryesore për secilën palë. Megjithatë, është një gjë të thuash se ke një prioritet të ndryshëm sesa të thuash që të dyja palët nuk kanë fare lidhje me sfidën.

Si i tillë, tejkalimi i kësaj pengese të tretë mund të jetë po aq i thjeshtë sa t’u kujtosh të përfshirëve atë që kanë të përbashkët – qoftë kjo një vlerë, prioritet apo qëllim i përbashkët. Rregullat e Rapoport-it e bëjnë këtë duke renditur pikat e marrëveshjes përpara çështjeve të diskutueshme. Shapiro rekomandon gjithashtu t’i kërkoni personit tjetër të imagjinojë zgjidhje që përfshijnë sa më shumë vlera dhe prioritete të përbashkëta.

“Tani, nëse i vini në praktikë këto tre gjëra, kjo mund të transformojnë marrëdhëniet tuaja. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse do të fillonim një revolucion, por një revolucion pozitiv me mirëkuptim më të madh, vlerësim më të madh, përkatësi më të madhe, si mund ta transformonim politikën, si mund ta transformonim në fund të fundit, botën tonë. Unë besoj se është e mundur, por fillon me secilin prej nesh”, thotë Shapiro./business insider – bota.al

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara