Lajmet

Pensionet me rritje për tre muaj

Published

on

Pensionet që janë nën vlerën 100 euro do të rriten për 30 euro më shumë për tre muajt e ardhshëm. Kështu ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, derisa ka prezantuar masat e miratuar nga Qeveria e Kosovës për zbatimi ne Programit për Rimëkëmbje Ekonomike për këtë vit.

Ndër të tjera, Avdullah Hoti ka thënë se 6 milionë euro do të shpërndahen për të vet-punësuarit, duke zbatuar kriteret që do të nxjerren nga Qeveria e Kosovës. E kjo do të jetë pagesa e parë që në Qeveri u tha se do të fillojë me ekzekutimin e saj brenda disa ditësh.

Mbi 222 milionë është shuma që do të ndahet nga Qeveria në detyrë e Kosovës, për të ndihmuar qytetarët, sektorin e shëndetësisë dhe bizneset, pas dëmeve të shkaktuara nga pandemia me Covid-19.

“Kemi ndarë 50 milionë euro për shëndetësi, prej të cilave 40 shkojnë për blerjen e vaksinës dhe 10 milionë për blerjen e aparateve të tjera mjekësore për menaxhim të pandemisë. Në masën e gjashtë kemi ndarë 11 milionë euro për shtesë nën pagë për sektorë që bartin barrën kryesore në menaxhimin e pandemisë”, ka thënë kryeministri në detyrë në një konferencë për media.

Ndër masat e aprovuara nga ekzekutivi janë 6.5 milionë euro për të vet-punësuarit dhe 13.5 milionë euro për rritje të pensioneve që janë nën vlerën 100 euro.

Sa i përket masës për të vet-punësuarit, ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami bëri të ditur se nuk do të ketë aplikim për të përfituar nga masat, por do të bëhen publike kriteret nga Ministria e Financave.

“Besoj që në ditët në vijim, nga java e tjetër do të fillojë ekzekutimi, nuk ka nevojë për aplikim. Ne qysh i kemi të dhënat janë diku rreth 17 deri në 21 mijë të cilët do të jenë përfitues të kësaj mase, nuk ka nevojë për aplikim. Tek masa për rritje të pensioneve është ndarë shuma prej 13.5 milionë euro, bëhet fjalë për rritjen prej 30 euro për secilin pension më pak se 100 euro, nëse dikush sot e ka pensionin 90 euro, në tre muajt në vazhdim do të marrë këtë shtesën prej 30 euro”, tha ajo.

Gjithashtu u bë e ditur se do të vazhdohet mbështetja për skemat sociale me dyfish të skemave, sipas tij faza parë do të nisë menjëherë me 10 milionë euro që përfshin personat që e kanë humbur vendin e punës gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë.

Ndërsa gastronomët do të përkrahen me një shumë prej 3 milionë euro, që sipas Hotit, janë sektori më i prekur nga vendimet e Qeverisë për menaxhim të pandemisë.

”Kemi ndarë një shumë tjetër prej 3 milionë euro në bazë të premtimit tonë në sektorin e gastronomisë, pasi është sektori që është prekur më së shumti nga vendimet e Qeverisë për menaxhim të pandemisë, një shumë prej 3 milionë euro për t’u ndarë gastronomëve, hoteleve, sallave të dasmave, sallave të sportit, qendrave rehabilituese e të ngjashme. Kjo shumë do të shpërndahet sa më parë që është e mundur në përputhje me një listë të kritereve që do të përgatitet shpejt në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, tha Hoti.

Ndër masat e parapara nga Qeveria e Kosovës është edhe ajo për Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, për të cilën janë ndarë 5 milionë euro me qëllim të organizimit të mësimit në kushte të pandemisë.

Gjithashtu, janë ndarë 12 milionë euro për Ministrinë e Tregtisë, për të subvencionuar kompanitë që eksportojnë dhe produktet e qumështit.

Masa e nëntë mbështetë komunat e Kosovës me shumën prej 7.9 milionë euro për të menaxhuar situatën me pandeminë.

Ndërsa masa e tjetër parasheh stimulim të aktivitetit banesor dhe për të rritur kredinë është paraparë të rritet fondi kosovar për garanci kreditore me 40 milionë euro, gjithashtu të mbulohet kosto e tarifës së këtij fondi në shumë prej 4.5 milionë euro.

Ekzekutivi ka vendosur të ndajë edhe 21 milionë euro ndihmë për ndërmarrjet publike, 1 milion për ndërmarrësi dhe 16 milionë për Ministrinë e Ekonomisë.

Ndërsa 1 milion euro janë paraparë për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, 2.5 milionë euro për aktivitetet kulturore e sportive, dhe 1 milion për të fuqizuar pozitën e gruas në shoqëri, përmes biznesit.

Kryeministri në detyrë tha veprimet e ndërmarra me Programin e për Rimëkëmbje janë pjesë e obligimeve ligjore e kushtetuese, pavarësisht që Qeveria është në detyrë dhe vendi një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Rajoni

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Vendi

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Lajmet

Ambasada amerikane e quan sukses të madh ushtrimin e përbashkët me Policinë

Published

on

By

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e ka cilësuar si një sukses të madh ushtrimin e javës së kaluar për reagim ndaj krizave të realizuar në koordinim mes Ambasadës së SHBA-së dhe Policisë së Kosovës.

Në këtë ushtrim kanë qenë të përfshirë rreth 800 oficerë të Policisë së Kosovës bashkë me njësite të tjera speciale, përfshirë forenzikën dhe KFOR-in.

Për këtë ushtrim të përbashkët janë përdorur edhe qentë, dronët e automjete tjera taktike.

Ushtrimi i përbashkët i reagimit ndaj krizave i javës së kaluar ishte një sukses i madh — duke reflektuar koordinimin e shkëlqyer midis Ambasadës së SHBA-së dhe Policisë së Kosovës. Gati 800 oficerë të PK-së — së bashku me zjarrfikësit dhe emergjencat dhe njësitë e specializuara duke përfshirë njësitë SIU, SOU, EOD, UAS/Kundër-UAS, Forenzikë dhe Çështje Publike — morën pjesë, me mbështetje të vlefshme nga RSO, MSG, PD, INL, ICITAP, MED, KFOR, LGF dhe PSU. Nga qentë dhe dronët te automjetet taktike dhe ekipet e emergjencës, ky ushtrim nxori në pah bashkëpunimin tonë ndëragjencor, gatishmërinë operacionale dhe angazhimin e përbashkët ndaj sigurisë”, shkruan Ambasda në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara