Lajmet
Von Cramon ia dorëzon Parlamentit Evropian draft-raportin për Kosovën
Në këtë draft-raport, Parlamenti Evropian “mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiRaportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon – Taubadel, ka dorëzuar draftin e raportit të saj vjetor për Kosovën, për të cilin do të diskutohet fillimisht në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërsa më vonë gjatë vitit edhe në seancë plenare.
Ky tekst përmban pikat e përgjithshme, ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë.
Në këtë draft-raport, Parlamenti Evropian “mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, kur Çekia kryesonte bllokun, ndërsa tash Presidenca suedeze është duke u konsultuar me vendet anëtare për hapat e mëtejmë.
Në draft thuhet, po ashtu se “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”.
Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vite që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt.
Në fund të vitit 2022, vendet anëtare të BE-së më në fund kanë arritur pajtueshmëri për të finalizuar procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ky vendim pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024.
Thirrja për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të BE-së – që Parlamenti Evropian e përsërit secilin vit në raportet për Kosovën – është përfshirë në tekst edhe kësaj radhe.
“Ftohen vendet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet sovran, që ta bëjnë një gjë të tillë”.
Sa i përket situatës në Kosovë thuhet se vendi ka pasur një periudhë të stabilitetit politik pas zgjedhjeve të vitit 2021, dhe në draft u bëhet ftesë autoriteteve të Kosovës që të ndërmarrin më shumë veprime për t’u përballur me sfidat në rrugëtimin evropian.
Edhe këtu përsëritet se “dinamika e procesit të integrimit do të varet nga progresi në sundimin e ligjit, të drejtave themelore, dhe normalizimin e raporteve me Serbinë”.
Parlamenti Evropian përshëndet përshtatjen e Kosovës me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, sidomos dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Ky institucion mbështet edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe planin e vendit për t’u përfshirë në programin e Partneritetit për paqe të NATO-s.
Në këtë tekst përshëndetet, po ashtu, përkushtimi për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por shprehet shqetësim për gjendjen e gjyqësorit në Kosovë që, sipas tekstit, “vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjes së panevojshme politike”.
Në raport shprehet keqardhje për ndikimin negativ që ka pasur atmosfera e polarizimit politik në punën e Kuvendit, dhe u bëhet ftesë deputetëve të opozitës që t’i japin fund praktikës së abstenimit.
Sa i përket lirisë së shprehjes në Kosovë, në tekst thuhet se në Kosovë “ka një mjedis të gjallë pluralist medial”, por ka shqetësim për fushata të sulmeve ndaj gazetarëve hulumtues. Në veçanti shqetësim shprehet për mungesën e lirisë së shprehjes në veri të Kosovës dhe dënohen ashpër sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore.
Në tekst bëhet thirrje edhe për një angazhim të sinqertë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një dialog, i cili do të forconte besimin e ndërsjellë.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përsëritet thirrja që të dyja shtetet të angazhohen në frymën e kompromisit për të arritur “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve të bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Po ashtu bëhet thirrje edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri me tani në dialog, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
Tutje, në tekstin e draft-raportit për Kosovën dënohen edhe tensionet në veri të vendit. Por, mirëpritet pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe përshëndeten edhe marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nga BE kërkohet që të dinamizohet procesi i zgjerimit, duke e quajtur këtë si politikën më të suksesshme të BE-së për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në Evropë.
Deputetët e Parlamentit Evropian do të kenë mundësi që të paraqesin amendamentet e tyre në këtë raport. Pas kësaj, do të votohet edhe për amandamentet edhe për raportin në tërësi./REL
Lajmet
NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026
Published
35 minutes agoon
December 18, 2025By
UBT News
Aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për buxhetet e tyre të financuara nga të dyja palët për vitin 2026, duke miratuar shpenzime në rritje që synojnë forcimin e gatishmërisë dhe aftësive ushtarake të aleancës.
Sipas marrëveshjes, buxheti civil i NATO-s për vitin 2026 është caktuar në 528.2 milionë euro (623 milionë dollarë), ndërsa buxheti ushtarak do të arrijë në 2.42 miliardë euro.
Vendimi u mor të martën në një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
NATO tha në një deklaratë se buxhetet e financuara nga të dyja palët për vitin 2026 do të mbështesin aftësitë kritike dhe do të promovojnë gatishmërinë, duke ndihmuar në bërjen e aleancës më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse, shkruan Anadollu Agency.
Buxheti do të kontribuojë në përshtatjen ushtarake të NATO-s, do të përmirësojë ndërveprimin midis forcave aleate dhe do të mbështesë parandalimin dhe menaxhimin e krizave, si dhe sigurinë bashkëpunuese, thuhet në deklaratë.
Financimi do të vazhdojë gjithashtu për Strukturën e Komandës së Integruar të NATO-s, trajnimet dhe ushtrimet e udhëhequra nga NATO, operacionet dhe misionet e aleancës dhe mbështetjen për ndërtimin e kapaciteteve për vendet partnere./S.K/EO/
Lajmet
50 vjet nga themelimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës
Published
47 minutes agoon
December 18, 2025By
UBT News
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.
Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978.
Në fillim veprimtarinë e saj ASHAK duhej ta zhvillonte në një bashkërenditje me universitetin në rritje, brenda të cilit vepronin institute e bërthama shkencore dhe hulumtuese në Fakultetin Filozofik/ më vonë të Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Mjekësisë, në Fakultetin Teknik, në Fakultetin Ekonomik, në Fakultetin Filozofik, me institutet e pavarura nga Universiteti dhe nga Akademia – Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Instituti Hidrometeorologjik, pastaj institutet që vepronin në kuadër/ ose të lidhura me kapacitetet industriale të Kosovës, si Instituti Teknologjik që vepronte në kuadër të Kombinatit Trepça, Instituti i Hulumtimeve që vepronte në kuadër të Elektroekonomisë, Instituti Agroteknologjik në Pejë i lidhur me agroekonominë, dhe të institucioneve të tjera me interes në fushat e shkencës, të arteve dhe të kulturës.
ASHAK qysh në fillim duhej ta formësonte veprimtarinë e vet si institucioni më i lartë i shkencave dhe i arteve dhe të merrte role të rëndësishme në fushat e shkencave dhe të arteve në suaza të organizimit shtetëror të Kosovës brenda Federatës së Jugosllavisë.
Ajo po ashtu duhej ta harmonizonte punën me Unionin e Akademive të Shkencave dhe të Arteve të Jugosllavisë, ku bënte pjesë si anëtare e barabartë dhe në një mandat (1985-1987) qe Kryesuese e Unionit dhe qendër e selisë së tij. Përmes atij Unioni ASHAK e zhvillonte dhe veprimtarinë ndërkombëtare.
ASHAK asokohe kishte Seksionin e Shkencave Shoqërore, Seksionin e Shkencave të Natyrës dhe Seksionin e Gjuhësisë, të Letërsisë dhe të Arteve.
Më 1985, Kuvendi i ASHAK mori vendim për themelimin e Arkivit të Akademisë e të Institutit të Arkeologjisë dhe të Etnografisë. Arkivi dhe Biblioteka, që ishin funksionalizuar, u shkatërruan pas ndërhyrjes së policisë serbe në selinë e Akademisë më 1994, çka pamundësoi punën e saj më tej në atë ndërtesë.
Instituti i Arkeologjisë dhe i Etnografisë nuk arriti të themelohej për shkak të trysnive politike dhe tendencave drejt rrëgjimit të Akademisë pas vitit 1985 dhe për arsye edhe buxhetore më vonë.
Qysh në diskutimet për ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, Kuvendi i ASHAK-ut doli me angazhimet publike së pari me Deklaratën Kushtetuese, pastaj me angazhimet dhe veprimtaritë e tjera në favor të mbrojtjes së të drejtave që po shkeleshin në mënyrë drastike.
Përveç angazhimit bashkë me mekanizmat e tjerë të rezistencës në drejtim të organizimit të Referendumit për pavarësi, në drejtim të organizimit e të hartimit të dokumenteve themelore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës./S.K/KP/
Lajmet
Sot shënohet dita ndërkombëtare e emigrantëve
Published
49 minutes agoon
December 18, 2025By
UBT News
Dita Ndërkombëtare e Migrantëve (IMD) festohet më 18 dhjetor, duke riafirmuar nevojën për sisteme migrimi më të sigurta, më gjithëpërfshirëse dhe më të drejta në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Më 4 dhjetor 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mori vendim për të vlerësuar mundin dhe përpjekjet e të pambrojturve, duke marrë parasysh numrin e madh në rritje të tyre në mbarë botën.
Tema e këtij viti është “Historia Ime e Madhe: Kulturat dhe Zhvillimi”, thekson se si lëvizshmëria njerëzore nxit rritjen, pasuron shoqëritë dhe ndihmon komunitetet të lidhen, të përshtaten dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Në vitin 2025, ky mesazh është më urgjent se kurrë, pasi migrimi vazhdon të formësojë ekonomitë, komunitetet dhe zhvillimin global.
Pavarësisht përfitimeve të tij të provuara, migrimi mbetet i pa kuptuar dhe sistemeve shpesh u mungojnë investimet, partneritetet dhe provat e nevojshme për t’iu përgjigjur realiteteve të sotme.
Migrimi është një forcë përcaktuese e shekullit tonë dhe parashikohet që remitancat në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të arrijnë 685 miliardë dollarë amerikanë, dhe migrantët janë thelbësorë për adresimin e mungesës së fuqisë punëtore, nxitjen e inovacionit dhe mbështetjen e stabilitetit demografik.
Megjithatë, këto kontribute mund të maksimizohen vetëm kur migrimi është i sigurt, i rregullt dhe i qeverisur me përgjegjësi.
Migrimi i menaxhuar mirë është një aset strategjik: ai forcon qëndrueshmërinë, nxit prosperitetin dhe mbështet kohezionin social.
Nga dokumentacioni dhe njohja e aftësive deri te integrimi dhe kthimi dinjitoz, sistemet efektive sigurojnë që migrantët të gjejnë stabilitet, të mbështesin familjet e tyre dhe të ndërtojnë të ardhme të reja, duke i ndihmuar njëkohësisht komunitetet të përshtaten dhe të lulëzojnë.
Në këtë IMD, IOM bën thirrje për politika më të zgjuara, bashkëpunim më të fortë dhe një angazhim të ripërtërirë për ta bërë migrimin të funksionojë për të gjithë./S.K/KP/
Lajmet
Hakohet Ministria e Brendshme e Francës
Published
49 minutes agoon
December 18, 2025By
UBT News
Ministria e Brendshme e Francës ka qenë shënjestër e një sulmi të madh kibernetik që zgjati disa ditë, gjatë të cilit llogaritë e email-it të punonjësve u kompromentuan dhe u qasen dosjet e ndjeshme të policisë, njoftoi sot ministri i Brendshëm Laurent Nunez.
Në një intervistë me Franceinfo, ministri Nunez tha se një hetim gjyqësor është duke u zhvilluar me qëllim gjetjen shumë të shpejtë të autorit të krimit.
Sipas tij, sulmuesit arritën të qasen në disa kuti profesionale email-i dhe kështu të marrin kode aksesi. Kjo u lejoi atyre të kërkonin në një numër bazash të dhënash të rëndësishme të policisë, duke përfshirë Sistemin e Përpunimit të të Dhënave Penale (TAJ) dhe Regjistrin e Personave të Kërkuar (FPR).
Edhe pse sulmi është konfirmuar, shkalla e saktë e dëmit është ende e paqartë.
Ministria, e cila punëson pothuajse 300,000 njerëz, nuk ka marrë asnjë kërkesë për shpërblim. Nunez ia atribuoi shkeljen “neglizhencës” së individëve brenda ministrisë, pavarësisht paralajmërimeve të rregullta në lidhje me procedurat e sigurisë.
“Duhen disa individë për të mos ndjekur këto rregulla,” tha ai.
Javën e kaluar, media raportoi për aktivitet të dyshimtë në serverë të ministrisë, pas së cilës grupi i hakerëve pretendoi, pa dhënë prova, se kishte qasje në të dhënat e më shumë se 16 milionë njerëzve.
“Kjo është e rreme,” tha Nunez duke shtuar se Komisioni Kombëtar për Informatikë dhe Liri (CNIL) është informuar për gjithçka, dhe Zyra Franceze për Luftimin e Krimit Kibernetik (OFAC) po udhëheq hetimin./S.K/EO/
NATO bie dakord për një buxhet ushtarak prej gati 3 miliardë dollarësh për vitin 2026
50 vjet nga themelimi i Akademisë së Shkencave të Kosovës
Sot shënohet dita ndërkombëtare e emigrantëve
Hakohet Ministria e Brendshme e Francës
Ursula von der Leyen: Në fillim të vitit të ardhshëm lëshojmë 205 milionë euro për Kosovën
PSG fiton Kupën Ndërkontinentale 2025, Safonov pret katër penallti
Deputetja britanike Kearns: Milan Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të përballen me drejtësinë
LDK thërret konferencë për media
Albanese njofton masa të ashpra kundër gjuhës së urrejtjes pas të shtënave në Bondi
Të kërkuara
-
Aktualitet2 months agoProfesoresha e UBT-së, Marigona Bekteshi-Ferati, fituese e bursës prestigjioze Fullbright Visiting Scholar, Profesor Vizitor dhe Post Doktoraturë
-
Lajmet3 months agoPolicia, FSK-ja dhe Shërbyesit Civilë përfitojnë bursë 20 për qind në programet Master Shkenca Politike dhe Studime të Sigurisë në UBT
-
Rajoni3 months agoUBT shpall thirrjen për Konferencën Ndërkombëtare të Gjuhës dhe Kulturës 2025
-
Vendi3 months agoNë UBT diplomon ushtaraku i FSK-së, Major Vilson Musaj
