Lajmet

Nis mësimi pas Vitit të Ri, nxënësit dhe mësimdhënësit të pakënaqur me numrin e ditëve të pushimit

Nxënësit dhe mësimdhënësit vlerësojnë se do të ishte dashur të kenë më shumë ditë pushimi këtë fillim vit.

Published

on

Në ditën e katërt të Vitit të Ri, nxënësit iu janë kthyer bankave shkollore pas festave të fundvitit dhe procesi mësimor po zhvillohet normalisht në Prishtinë.

Megjithatë nxënësit dhe mësimdhënësit vlerësojnë se ishte dashur me pasur ditë pushimi më shumë këtë fillim vit sikur viteve paraprake. Për Vitin e Ri, festë zyrtare ishte të hënën dhe të martën.

Ministria e Arsimit me vendim ka ndryshuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, për shkak të 22 ditëve të pambajtura të mësimit gjatë muajit shtator 2022 si pasojë e grevës së mësimdhënësve.

Sipas kalendarit, gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të përfundojë më datë 27.01.2023. Ndërkaq, pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë më datë 30.01.2023 dhe mbarojë më 03.02.2023.

Përkundër që ka dalë në punë sot, mësimdhënësi i shkollës “Naim Frashëri”, Astrit Kasapolli thekson se pushimi pas Vitit të Ri do të duhej të vazhdonte edhe më gjatë në arsim.

“Ndoshta kishte qenë e arsyeshme me qenë pushimi më I gjatë, me nisë mësimi prej ditës së martë të javës së ardhshme, meqë të hënën është festë zyrtare. Por, është institucioni i arsimit që ka vendosur, dhe ne duhet me i përfillur vendimet dhe me vazhduar mësimin”, theksoi ai.

Edhe nxënësja Bulëza Bërnica tha se ka pasur dëshirë që për Vitin e Ri të kishte më shumë ditë pushimi.

“Pushimet, festat për fundvit kanë shkuar mirë. Kishim pasur dëshirë që pushimi të ishte edhe më i gjatë. Festat i kemi kaluar mirë me familje”, theksoi ajo.

Më shumë ditë pushimi ka kërkuar edhe Flandër Turjaka nxënëse në shkollën “Naim Frashëri”, në Prishtinë.

“Mendoj që për festat e fundvitit ishte dashur që pushimi me qenë më i gjatë për me i shijuar më shumë festat e fundvitit me familjarët tanë”, theksoi ajo.

Zëvendësdrejtoresha e shkollës “Naim Frashëri”, Drita Qorolli ka thënë se mësimi në këtë shkollë ka filluar normalisht dhe sot kanë marrë pjesë në mësime 99 për qind e nxënësve.

Fillimi i mësimit menjëherë pas Vitit të Ri, nuk e ka penguar zëvendësdrejtoreshën Qorolli, pasi që sipas saj moti i mirë këto ditë është në favor të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Pas festimit të këtyre ditëve festive mësime tek ne ka filluar normalisht, 99 për qind të nxënësve kanë ardhur sot në shkollë, edhe pse disa prindër kanë insistuar dhe sipas Këshillit të prindërve të Kosovës ka qenë kërkesë me vazhduar pushimi dimëror sikur viteve të tjera, mirëpo fëmijët sot kanë ardhur në shkollë dhe të përgatitur për mësim, me orar të rregullt vazhdohet mësimi sipas vendimit që është marrë nga Ministria e Arsimit për zëvendësimin e ditëve të humbura në grevë… Personalisht mua nuk më ka penguar, edhe pse ndoshta jemi mësuar me vite të tëra, pushimi dimëror ka qenë i planifikuar gjithmonë pas datës 31 dhjetor, dy javët e para të muajit janar. Por, megjithatë, edhe pse është koha e mirë, ta shfrytëzojmë për t’i kryer obligimet tona”, tha Qorolli.

Edhe zëvendësdrejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, Sofije Janova tha se si institucion po i respektojnë vendimet e Ministrisë së Arsimit për mbajtjen e mësimit.

“Po, sot kemi një fillim të mirë të vitit shkollor, nxënësit i janë përgjigjur mësimit. Sot të pranishëm në ciklin 6-9 janë rreth 98.8 për qind të nxënësve. Kështu që çdo gjë po funksionon mirë dhe po shkon mirë… Këtë vit ishte një specifikë tjetër, kështu që është e natyrshëm dhe i mjaftueshëm edhe ky pushim që kemi pasur dhe kemi nis mirë”, theksoi ajo.

Mësimdhënësi Fatos Ferizaj tha se shumica e nxënëseve kanë ardhur në shkollë dhe mësimi është duke u zhvilluar me rregull.

“Nga ajo që kemi parë sot, shumica e nxënësve kanë ardhur. Mësimi është zhvilluar me rregull pas një atmosfere festive dhe filloi çdo gjë mirë”, u shpreh Ferizaj.

Duket se pushimin sot e ka vazhduar drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, e cila nuk kishte dalë në punë.

Lajmet

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit për mosdeklarim të pasurisë

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë. Konkretisht, ai akuzohet se nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

Prokuroria bën të ditur se shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600 eurosh.

Rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Continue Reading

Lajmet

30 të dënuar përfundojnë me sukses programet rehabilituese në burgun e Smrekonicës

Published

on

By

Në burgun e Smrekonicës, kanë përfunduar me sukses dy programe rehabilituese për të burgosurit. Programi “Menaxhimi i Zemërimit” është ndjekur nga 20 të burgosur, ndërsa programi “Vendimmarrja Sociale” nga 10 të burgosur.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, thotë se programet janë zbatuar në përputhje me politikat rehabilituese, planprogramin institucional dhe standardet profesionale të trajtimit.

Sipas njoftimi të ShKK-së, fokusi ka qenë zhvillimi i aftësive psikosociale, rritja e vetëkontrollit emocional, përmirësimi i sjelljes ndërpersonale dhe forcimi i aftësisë për marrjen e vendimeve të përgjegjshme dhe të ligjshme.

Me rastin e përfundimit të programeve është organizuar edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, derisa gjatë eventit u theksua rëndësia e programeve rehabilituese në përmirësimin e sjelljes së të burgosurve dhe në zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.

Continue Reading

Lajmet

Prattipati takon kryetarët e komunave veriore, kërkon qeverisje transparente

Published

on

By

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Përmes një postimim, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë tha se Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Amerikës për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve.

“E ngarkuara me punë Anu Prattipati u takua sot me katër kryetarët e sapo inauguruar të Mitrovicës së Veriut, Zveçan, Zubin Potok, dhe Leposaviq dhe përfaqësues të shoqërisë civile serbe kosovare në veri të Kosovës. Ajo nënvizoi pritshmëritë e SHBA-së për qeverisje transparente, efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike të angazhuara në shërbim të të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Me ShBA-në diskutuam për rikthimin e dialogut strategjik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.

Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.

Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara