

Lajmet
Hoti: Serbia ka shtuar paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, s’i pranojmë
Sipas Hotit, Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiKryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti deklaroi se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili pretendohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të dialogut të Brukselit. E në këtë formë, ky draft është i papranueshëm thotë Hoti, sipas së cilit, Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.
Muajin që shkoi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi bëri të ditur se nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka pranuar një draft të dokumentit, i cili synohet të nënshkruhet për çështjen e të pagjeturve.
Bislimi kishte deklaruar se dokumenti, për të cilin thuhej se mund të nënshkruhej gjatë muajit janar në Bruksel, nëse do të ketë takim të nivelit të lartë, do të shqyrtohet fillimisht nga Andin Hoti.
Lidhur me këtë, Hoti thotë se sa herë afrohet mundësia për nënshkrimin e një dokumenti për të pagjeturit, Serbia vendosë kërkesa të reja që janë të paarsyeshme.
Sipas tij, një dokument i tillë, me kërkesat e reja të Serbisë, e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, kanë shti një apo dy paragrafë të tjerë Serbia, e thash vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty tashmë ekziston aty, nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranoj të tilla dhe besoj që nëse largohen ato uroj të nënshkruhet, nuk e di nëse do të nënshkruhet… (Paragrafët) janë të panevojshëm, janë jashtë realitetit me atë çka ka ndodhur në Kosovë, nuk preket realiteti në Kosovë dhe janë të paarsyeshëm që do të na fuste më një rrugë tjetër që e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë të luftës së fundit në Kosovë”, thotë ai.
Hoti bën të ditur se Kosova është e gatshme të nënshkruaj dokumentin, por pa kërkesat e reja të Serbisë. Ai thotë se kanë hartuar opinionin të cilin pret që ta shqyrtojë Lajçak apo të diskutohet në takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Nuk e di nëse do të nënshkruhet tani, pas asaj të gushtit Serbia për me prolongu këtë proces, me prolongu këtë deklaratë, ka qit kërkesa të reja, ka qit paragrafë të rinj, që për ne janë të papranueshme. Unë në diskutim me zotin Bislimi, e kemi hartuar opinionin tonë që kërkesat e reja që kanë dalë pas asaj janë komplet të panevojshme dhe besoj që ato do të shqyrtohen nga zoti Lajçak ose në takimin e radhës kur do ta kenë, dhe nëse do të ketë tash në janar një takim në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, nëse do të nënshkruhet pa to, do të nënshkruhet, me to nuk besoj që do të nënshkruhet”, shton ai.
Një përpjekje për të nënshkruar një deklaratë për të pagjeturit ishte bërë edhe në gusht të vitit 2022, me ndërmjetësimin Bashkimit Evropian.
Serbia kishte shfaqur kundërshtim sa i përket termit “persona të zhdukur me forcë”, për të cilin pala kosovare nuk ka hequr dorë.
Kryetari i Komisionit për Personat e zhdukur, Andin Hoti thotë se ky term është i vetmi që bazohet në konventë ndërkombëtare të OKB-së dhe që e bën obliguese deklaratën edhe në anën juridike.
Gjithashtu, në deklaratë përfshihet paragrafi ku shtetet zotohen për hapjen e të gjitha dokumentacioneve që i kanë nga lufta e fundit në Kosovë, edhe ato të klasifikuara.
Hoti thotë se hapja e arkivave në Beograd, do të lehtësonte procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
“Edhe në vitin 2022, edhe në vitin 2021 ne kemi pasur disa dëshmitarë që na kanë treguar për lokacione të ndryshme, ata kanë filluar edhe të largohet, për shkak të frikësimeve të ndryshme që po hasin prej Serbisë, po do të jetë goxha më sfiduese por çka mundet me lehtësu procesin dhe ne çka aludojmë që do lehtësojë në masë të madhe, nuk do ta përfundojë çështjen e personave të zhdukur, do ta lehtësojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, janë pikërisht dokumentet që i kam përmend më herët, arkivat në Beograd, arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe, ato që janë të klasifikuara dhe që ne nuk po arrijmë me i marr ende, Serbia nuk po i jep”, thotë ai.
Megjithatë, Serbia nuk duket e interesuar për ndonjë dakordim, marrë parasysh tensionet që i provokoi në veri të Kosovës kohët e fundit.
Prej 10 dhjetorit, disa grupe të serbëve në veri të vendit për 20 ditë kishin vendosur 14 barrikada në rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë.
Gjithashtu barrikada ishin vendosur edhe pranë pikës kufitare në Merdare, në territorin e Serbisë.
Krejt ato zhvillime ndikojnë edhe në procesin e personave të pagjetur, thotë i biri i veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hotit.
“Unë jam familjar përveç që jam kryetar i komisionit, dhe ne sikur po na kthehet viti 1999, sikur po e shohim edhe një herë luftën në Kosovë në vitin 1999, është i njëjti Vuçiq që ka qenë edhe në atë kohë bashkë me Millosheviqin. Ne edhe pas 23 vitesh po vazhdojmë të kërkojmë eshtra, apo njerëzit në çfarëdo lloj forme, të zhdukur pikërisht nga këto forca, pas 23 vitesh, presidenti i Serbisë Vuçiq del dhe kërcënon prapë me futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, me një formë thotë kemi me iu vra, ne vazhdojmë me i kërku eshtrat para 23 vitesh, ai kërcënon me na vra prapë, natyrisht që ndikon, natyrisht që humb besueshmëria, kjo është indirekt, por edhe direkt ndikon sepse ne gjatë muajit dhjetor takimet e parapara që i kemi pasur me palën serbe nuk kemi mundur me i mbajt, mes grupeve punues”, thotë Hoti.
Kosova vazhdon t’i kërkojë edhe mbi 1 mijë e 600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Lajmet
Chelsea kryeson garën për shërbimet e Xavi Simons
Published
13 minutes agoon
July 22, 2025By
UBT News
Chelsea raportohet se ka filluar bisedimet zyrtare me RB Leipzig për transferimin e Xavi Simons, me ofertë deri në 70 milionë euro për mesfushorin holandez, i cili ka kontratë deri në 2027.
Ekipi synon ta zëvendësojë Christopher Nkunku-n nëse ai largohet, dhe Simons konsiderohet si prioritet për projektin e tyre sulmues.
Përveç Chelseat, edhe Arsenal dhe Manchester United janë përmendur si klube me interes të fortë, por edhe ato nuk kanë bërë ende oferta zyrtare.
Bayern Munich dhe Barcelona mbeten të interesuar gjithashtu për lojtarin, por operacionet e tyre janë dukshëm më pak konkrete. Barcelona ka pasur një takim eksplorues me agjentët e Simons, por çmimi i lartë e bën një marrëveshje të vështirë.
Xavi Simons preferon një hap në Premier League pasi Leipzig nuk iu kualifikua për kompeticione evropiane sezonin e ardhshëm.
Agjenti Ali Barat, i lidhur ngushtë me pronarë në Angli, po e përfaqëson aktivisht në negociata me ekipet angleze.
Lajmet
Ardon Jashari rikthehet në stërvitje me Brugge
Published
27 minutes agoon
July 22, 2025By
UBT News
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Ardon Jashari, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në merkaton e verës. Ai është rikthyer në stërvitje me ekipin e tij, Club Brugge, megjithatë jo ende në seanca të plota me grupin, por në një program të personalizuar. Kjo pritet të shërbejë si një fazë tranzicioni, ndërkohë që e ardhmja e tij mbetet e paqartë thuhet sipas portalit belg “Het Laatste Nieuws”.
Ndërkohë, AC Milan vazhdon ta ketë në krye të listës së dëshirave. Pas raportimit ku u zbulua për herë të parë interesimi konkret i kuqezinjve për mesfushorin 21-vjeçar, kontakti mes palëve nuk është ndërprerë. Milan shpreson që Brugge të jetë i gatshëm të negociojë, edhe pse deri tani nuk është dhënë asnjë sinjal zyrtar për pranimin e një oferte.
Një sinjal domethënës për situatën e pazgjidhur të Jasharit është mungesa e tij në listën e skuadrës për ndeshjen e Superkupës belge kundër Union Saint-Gilloise, e zhvilluar këtë fundjavë. Edhe trajneri Nicky Hayen, në deklaratat për media pak ditë më parë, nuk e përfshiu mesfushorin në planet e menjëhershme, ndërsa nuk e mohoi mundësinë e një largimi të tij.
Situata pritet të qartësohet në ditët në vijim, ndërsa Club Brugge duhet të vendosë nëse do të lejojë largimin e një prej lojtarëve më të talentuar të brezit të ri zviceran.
Aktualitet
Refugjatët ndajnë përvojat e tyre jetësore me studentët e UBT-së në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë
Published
56 minutes agoon
July 22, 2025By
Driton Iseni
Në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë, UBT mirëpriti një aktivitet të veçantë, në të cilin studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të dëgjojnë rrëfime autentike nga persona që kanë përjetuar realitetin e të qenurit refugjatë.
Të ftuarit, të cilët ishin pjesë e programit mbështetës të organizatës JRS (Jesuit Refugee Service), ndanë historitë e tyre personale – duke folur për vendet prej nga vijnë, për sfidat dhe vështirësitë me të cilat janë përballur gjatë rrugëtimit të tyre për të gjetur siguri, si dhe për përvojën e tyre me JRS që nga momentet e para të largimit nga vendlindja.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur, të ngrohtë dhe miqësore, ku zërat e refugjatëve u dëgjuan me vëmendje, ndjeshmëri dhe respekt të thellë nga ana e studentëve dhe stafit të UBT-së. Përmes këtij dialogu të drejtpërdrejtë, pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë më thellë aspektet humanitare, psikologjike dhe sociale të krizave të migrimit dhe sigurisë globale.
Ky aktivitet kontribuoi në ndërtimin e empatisë, ndërgjegjësimit ndërkulturor dhe edukimit qytetar, duke shërbyer si një platformë e fuqishme për të nxitur reflektim mbi përgjegjësinë kolektive për të mbështetur të drejtat dhe dinjitetin e çdo individi.
Fotografitë e huazuara nga: JRS Kosovo
Lajmet
Bildt: Kriza politike e ka dëmtuar besueshmërinë e shtetit të Kosovës
Published
1 hour agoon
July 22, 2025By
UBTnews
Pamundësia për të ecur përpara e ka dëmtuar besueshmërinë e Kosovës, tha ish-kryeministri suedez, Carl Bildt derisa ka komentuar vonesën e formimit të institucioneve të reja.
“A do të ketë ndonjëherë Kosova një qeveri të re? Pamundësia për të ecur përpara dëmtoi besueshmërinë e vendit. Dhe kjo është keq për të gjithë”, ka shkruar ai në X.
Kosova është futur në krizë politike si pasojë e mungesës së formimit të institucioneve të reja. Vendi ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt por ka ngecur të konstituimi i Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje – partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhje, e ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit por e njëjta gjashtë herë me radhë nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e nevojshme në votim të hapur.
Partitë që deri më tash ishin në opozitë e kundërshtojnë emrin e Haxhiut për këtë pozitë, duke e konsideruar figurë të papranueshme.
Pas dështimeve në votim të hapur, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa, kanë kërkuar që votimi i kryetarit të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Kjo nuk është pranuar nga partitë e tjera parlamentare.
Të hënën, më 21 korrik, është bërë tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit ndërkohë që po afrohet përfundimi i afatit të Gjykatës Kushtetuese e cila ka urdhëruar që legjislatura e nëntë të formohet deri më 26 korrik.
Megjithatë, Kushtetuesja nuk ka treguar nëse do të ketë pasoja nëse një gjë e tillë nuk ndodh.

E papritur, Trump po e largon SHBA-në nga UNESCO-ja

Chelsea kryeson garën për shërbimet e Xavi Simons

Regjistrimet në Shkollën Fillore të UBT-së vazhdojnë – Interesim i madh nga prindërit për një arsim inovativ dhe cilësor

Ardon Jashari rikthehet në stërvitje me Brugge

“Emily në Paris”: Ky është vendi i xhirimit të sezonës së re

Profesoresha e UBT-së, Jeta Kiseri-Kubati bashkautore në një artikull shkencor me studiues nga Meksika

Granit Xhaka zgjedh skuadrën e re

Refugjatët ndajnë përvojat e tyre jetësore me studentët e UBT-së në kuadër të Akademisë Verore të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë

Bildt: Kriza politike e ka dëmtuar besueshmërinë e shtetit të Kosovës
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT1 month ago
UBT organizon debat rreth zgjerimit të BE-së dhe ruajtjes së vlerave evropiane
-
Lajmet nga UBT3 months ago
Profesori, Arsim Hajdari, doktoron me temën “New Perspective of Biological Therapy in Treatment of Age-Related Macular Degeneration”
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT – Institucioni privat me më së shumti programe të akredituara nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës
-
Lajmet nga UBT2 months ago
UBT rilicencohet nga MAShTI për ofrimin e arsimit profesional në katër drejtime të rëndësishme shëndetësore