Lajmet

Vrasja e gruas nga Dragashi, kërkohet nga kryeprokurori i shtetit që të iniciojë procedura disiplinore

IKD dhe organizata CLARD kanë kërkuar që Kuvendi të ndajë mjete të mjaftueshme për strehimoret.

Published

on

“Edhe Saime Domazeti vritet në duart e shtetit”, titullohet raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi për vrasjen e fundit të gruas nga Dragashi. IKD dhe organizata “Clard” kanë thënë se Prokuroria Themelore në Prizren nuk kishte iniciuar ndonjë kërkesë për caktimin e ndonjë urdhri mbrojtës të viktimës, ani pse ishte e njoftuar se e njëjta ishte dhunuar. Kjo e fundit ishte mbajtur në qilar nga familjarët e saj, ku në konferencën e sotme u tha se është cenuar dinjiteti i 67-vjeçares. Për më tepër, është kërkuar nga kryeprokurori i shtetit të iniciojë procedura disiplinore për të gjithë akterët e përfshirë. Po ashtu, nga Avokati i Popullit është kërkuar që të niset hetim në lidhje me këtë rast.

Arrita Rezniqi nga IKD në një konferencë për media ka thënë se rasti i dhunës në familje ishte raportuar ditë më parë, kur e njëjta nga familjarët ishte lënë jashtë në qilar.

“Ky rast e ka fillimin disa ditë më herët se sa nga data kur është raportuar për vdekjen e të njëjtës. Më saktësisht, në bazë të shkresave që IKD ka siguruar kemi arritur të kuptojmë që ky rast fillimisht është raportuar me datën 8 nëntor dhe për këtë nga policia është adresuar si dhunë në familje. Për shkak se e ndjera është evidentuar që është larguar nga shtëpia dhe është vendosur në një hapësirë jashtë shtëpisë, në oborrin e shtëpisë në qilar, ose shupë që njihet në gjuhë popullore. Duke cenuar kështu skajshmërisht dinjitetin e saj dhe rrjedhimisht duke përmbush elementet e veprës, dhuna në familje. Të pandehur në këtë rast për të cilët është ngritur aktakuzë janë familjarët e saj, gjegjësisht kunata dhe nipi i të njëjtës, të cilët kanë jetuar në një shtëpi së bashku me të. Policia pas rreth një jave, me 15 nëntor ka ngritur kallëzimin penal dhe e ka dorëzuar në prokurori, ku prokuroria me 21 dhjetor e ka ngritur aktakuzën për rastin dhunë në familje”, ka njoftuar Rezniqi.

Po ashtu, ajo shton se ka pasur mungesë të profesionalizimit dhe neglizhencë nga institucionet në trajtimin e 67-vjeçares nga Dragashi.

“Prej datës 8 nëntor kur është raportuar rasti për dhunë në familje e deri me datën 26 dhjetor kur është raportuar se e ndjera ka vdekur, e njëjta ka mbetur nën mëshirën e atyre të cilët kanë qenë të pandehur për dhunë në familje ndaj saj. Rrjedhimisht institucionet shtetërore nuk kanë ofruar siguri dhe mbrojtje për të njëjtën, përgjatë kësaj periudhe përkundër që kanë qenë në njohuri se e njëjta është viktimë e dhunës në familje. Pra, në këtë rast nga Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash ne kemi pranuar përgjigje që nuk ka pasur kërkesë për caktimin e urdhrit mbrojtës, nuk ka pasur kërkesë për masë sigurie nga prokuroria në një rast të tillë. Nga Qendra për Punë Sociale në Dragash kemi kuptuar se ky rast nuk është referuar në strehimore”, ka shtuar Rezniqi.

Më tej, ajo ka njoftuar se institucionet e kanë lënë në mëshirë të personave të cilët kanë pasur aktakuzë për dhunë në familje.

“Gjatë analizimit të shkresave të lëndës, është tmerrësisht shqetësuese të shihet mosserioziteti i prokurorisë në trajtimin e këtij rasti në hartimin e aktakuzës të këtij rasti. Ajo çfarë është shumë shqetësuese është fakti që përmbajtja e gjithë aktakuzës, në përfundim të saj shihet një pjesë ku në aktakuzë përmendet komplet person tjetër, komplet rrethana të tjera të rastit, i pandehur tjetër dhe dëshmi që nuk lidhen fare me rastin. Kjo dëshmon shumë mirë se sa joserioz kanë qenë në trajtimin e rastit Prokuroria Themelore në Prizren. Sepse këtë aktakuzë të dhunës në familje e ka ngritur me shumë gjasë, duke përdorur shabllon të aktakuzave të tjera, për çka ka mbetur një përfundim në fund të aktakuzës”, vijon ajo në konferencë për media.

Edhe Gzim Shala nga IKD tha se rasti i Samie Domazetit është tipik kur tregon se shteti ka qenë i informuar për rrezikun e viktimës.

“Shteti e ka ditur, ose është dashur ta dijë se Saime Domazeti është në një rrezik për jetën e saj. Gjykata e Strasburgut në aktgjykime të ndryshme, në vendimet e ndryshme që i ka nxjerrë, ka potencuar se shteti përpos obligimeve që të përmbahet nga cenimi i të drejtës në jetë, ka po ashtu obligime pozitive për mbrojtjen e së drejtës në jetë nga palët e treta. Për tu konstatuar se në një rast sipas Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kemi të bëjmë me shkelje të së drejtës në jetë, kërkohet që të vërtetohet se autoritetet shtetërore e dinin ose është dashur ta dinin për rrezikun ekzistencial së një qytetari dhe që të kenë kujdes të shtuar për ato veprime të cilat arsyeshëm besohet se do ta parandalonin kryerjen e vrasjes”, ka thënë Shala.

Për më tepër, ai tha se për personat e përfshirë duhet të merren masa.

“Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit në përputhje me ligjin duhet të iniciojë procedura disiplinore të gjithë akterët e përfshirë në këtë rast, përfshirë edhe kryeprokurorin e prokurorisë themelore në Prizren, Admir Shala. Për mos referim të rastit në strehimore duhet të mbahet përgjegjës Qendra për Punë Sociale. IKD dhe CLARD kërkojnë nga institucioni i Avokatit të Popullit që të nis një hetim nga ky rast dhe të dal me rekomandime konkrete për të gjitha institucionet”, deklaroi Shala.

Anton Nrecaj nga organizata CLARD tha se kohëve të fundit në Kosovë janë shënuar raste të rënda të vrasjeve në duart e shtetit.

“Kohët e fundit kemi pasur raste shumë të rënda, të cilat viktimat e dhunës në familje kanë përfunduar me fatalitet, në duart e shtetit. Në duart e institucioneve të shtetit dhe si pasojë ne si organizata në kuadër të projekteve, të cilat mbështetën nga donatorët nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe nga UNMIK-u, ju kemi ftuar për të bërë një reagim bashkë me një analizë të rastit të fundit të zonjës Domazeti, e cila vritet në duart e institucioneve të shtetit”, ka thënë ai.

IKD dhe organizata CLARD kanë kërkuar që Kuvendi të ndajë mjete të mjaftueshme për strehimoret për trajtimin e rasteve kur viktimat kanë probleme me shëndetin mendor. 

Rajoni

Ujërat e Kosovës: Sfida dhe zgjidhjet e qëndrueshme sipas Profesor Hazir Çadrakut

Published

on

Profesor i UBT-së, Hazir Çadraku, ishte mysafirë i radhës në podcastin tonë, ku foli për gjendjen aktuale të ujërave në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm dhe parandalimit të krizave të mundshme ujore në të ardhmen.

Sipas Profesor Çadrakut, sfidat që përballet Kosova janë të dyfishta: ndikimet klimatike dhe aktiviteti i pakontrolluar i njeriut.

Institucionet arsimore dhe kërkimi shkencor, sipas Profesor Çadrakut, luajnë një rol kyç në parandalimin e krizave ujore. Ai nënvizoi rëndësinë e punës intensive kërkimore në terren dhe publikimeve ndërkombëtare për të siguruar vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe fakte shkencore.

Për më shumë ndiqni podcastin: PODCAST

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori bullgar Dimitar Keranov ligjëroi në UBT mbi të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përvojën e Bullgarisë

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ligjëratave tematike me ekspertë ndërkombëtarë, UBT ka mirëpritur Dr. Dimitar Keranov, politolog dhe ekspert i sigurisë ndërkombëtare, i cili mbajti ligjëratën me temën “Kosova’s European Future: What Bulgaria’s Experience Can Offer”, para studentëve të programit të Studimeve të Sigurisë.

Ligjërata u fokusua në rrugëtimin evropian të Kosovës, sfidat e integrimit, si dhe mësimet që mund të nxirren nga përvoja e Bullgarisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë theks të veçantë në çështjet e sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe përballjes me kërcënimet hibride.

Në këtë aktivitet akademik ishin të pranishëm edhe dekania e Fakultetit, Hajdi Xhixha, si dhe prodekani Arian Kadriu, të cilët vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së ekspertëve ndërkombëtarë në procesin mësimor dhe në zgjerimin e perspektivës akademike të studentëve të UBT-së.

Dr. Dimitar Keranov është anëtar i Bordit Drejtues të Bulgarian Institute for International Politics (BIIP) dhe njihet si një nga zërat e rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Fushat e tij të specializimit përfshijnë kërcënimet hibride, reziliencën demokratike dhe sigurinë ndërkombëtare, me fokus të veçantë në vendet që përballen me presione gjeopolitike.

Ai ka një përvojë të pasur profesionale në institucione prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë German Marshall Fund of the United States dhe Institut für Europäische Politik në Berlin, ku ka kontribuar në analiza politike dhe kërkime shkencore mbi zgjedhjet, ndikimin e huaj dhe qeverisjen demokratike.

Publikimet dhe analizat e Dr. Keranov janë cituar nga media ndërkombëtare me ndikim të madh, si The New York Times dhe Euronews, duke e bërë atë një referencë të rëndësishme në debatet bashkëkohore mbi sigurinë dhe demokracinë. Ai është gjithashtu anëtar i American Political Science Association dhe flet rrjedhshëm më shumë se dhjetë gjuhë, çka i mundëson një qasje krahasuese dhe ndërkombëtare ndaj sfidave globale të sigurisë.

Ligjërata u prit me interes të veçantë nga studentët, të cilët patën mundësi të diskutojnë drejtpërdrejt me ligjëruesin për rolin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë, sfidat aktuale rajonale dhe rëndësinë e përgatitjes akademike për profesionistët e ardhshëm të kësaj fushe.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë profilin e tij ndërkombëtar dhe të ofrojë një arsim cilësor, të lidhur ngushtë me zhvillimet aktuale globale dhe me praktikat më të mira akademike dhe profesionale.

Continue Reading

Vendi

Zgjerimi urban i Prishtinës analizohet shkencërisht në një temë masteri nga studentja e UBT-së, Eglantina Buja

Published

on

Prishtina ka qenë në fokus të një analize të thelluar shkencore mbi zhvillimin dhe zgjerimin e saj urban, përmes temës së masterit të kandidates nga UBT, MSc. Eglantina Buja, e cila u mbrojt me sukses në kuadër të studimeve pasuniversitare.

Tema me titull “Analizë sasiore e shtrirjes dhe zgjerimit urban në Prishtinë për periudhën 1990–2024” u prezantua para komisionit profesional, i përbërë nga Prof. Dr. Egzon Bajraktari (kryetar), Prof. Dr. Edon Maliqi (mentor) dhe Dr. sc. Elvida Pallaska (anëtare).

Studimi trajton transformimet urbane të kryeqytetit gjatë një periudhe 34-vjeçare, duke përfshirë kohën e okupimit, periudhën e pasluftës dhe zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përmes përdorimit të të dhënave të hapura dhe metodave bashkëkohore shkencore, tema ofron një pasqyrë të qartë dhe të matshme të zgjerimit urban të Prishtinës.

Analiza është realizuar mbi bazën e imazheve satelitore Landsat 5 TM dhe Landsat 8 OLI, të përpunuara përmes klasifikimit të mbikëqyrur (Supervised Classification) në platformën Google Earth Engine, si dhe përmes analizave hapësinore me sisteme GIS. Si rezultat, janë gjeneruar harta tematike dhe produkte vizuale që dokumentojnë ndryshimet urbane ndër vite.

Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të sipërfaqes së ndërtuar në Prishtinë – nga 437.5 hektarë në vitin 1990 në mbi 1,410 hektarë në vitin 2024, që përfaqëson një zgjerim urban mbi 220%, një ritëm që tejkalon dukshëm rritjen e popullsisë. Ky zhvillim ka ndikuar në kalimin nga një strukturë urbane kompakte drejt një forme më të shpërndarë dhe të fragmentuar, duke sjellë sfida serioze për planifikimin hapësinor, infrastrukturën dhe përdorimin efikas të tokës.

Studimi identifikon gjithashtu zonat kryesore të zgjerimit urban dhe vë në pah ndikimin e ndërtimeve informale dhe mungesës së planifikimit të qëndrueshëm urban. Në përfundim, tema ofron rekomandime konkrete për vendimmarrësit, duke theksuar nevojën për zhvillim kompakt, forcim institucional dhe përdorim sistematik të teknologjive gjeohapësinore në monitorimin urban.

Me rastin e diplomimit, kandidatja u vlerësua për qasjen serioze akademike, rigorozitetin metodologjik dhe kontributin e vlefshëm në studimet e zhvillimit urban të Prishtinës.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor dhe formimit të kuadrove profesionale që kontribuojnë drejtpërdrejt në analizën dhe zgjidhjen e sfidave zhvillimore të vendit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, bëhet zyrtarisht anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave

Published

on

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi bëhet anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, në bazë të kontributit të tij të jashtëzakonshën në shkencë dhe teknologji, si dhe duke u bërë i vetmi dhe i pari shkencëtar nga Kosova që i bashkohet këtij institucioni prestigjioz. Diploma e anëtarësimit iu dorëzua gjatë një ceremonie solemne nga Kryetari dhe Nënkryetari i Akademisë, në Qendrën Evropiane për Shkencë (CERN) në Gjenevë, Zvicër.

Ky anëtarësim përfaqëson një njohje ndërkombëtare për kontributin e Rektorit Hajrizi në avancimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë, si dhe forcon lidhjet e vendit me komunitetin akademik evropian dhe botëror.

“Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe komunitetin tonë shkencor. Anëtarësimi im në Akademinë Evropiane të Shkencës hap dyert e kësaj akademie prestigjioze për vendin tonë dhe për gjeneratat e reja të shkencëtarëve kosovarë,” ka thënë Rektori Hajrizi.

Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë dhe domethënien e këtij anëtarësimi, duke shprehur falënderimet e tij dhe duke ndarë vizionin për të ardhmen.

“Ky anëtarësim përfaqëson vlerësimin e punës sime mbi 30-vjeçare në fushën e shkencës dhe teknologjisë, dhe më jep një motiv shtesë për të vazhduar angazhimin në forcimin e arsimit cilësor, avancimin e kërkimit shkencor dhe lidhjen e institucioneve akademike të Kosovës me rrjetet evropiane të dijes dhe inovacionit. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kontribuan në nominimin dhe vlerësimin tim. Një falënderim i veçantë shkon për familjen time dhe për kolegët e mi, për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin profesional gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave është e njohur për promovimin e ekselencës shkencore, kërkimit ndërdisiplinar dhe inovacionit, duke përfshirë në radhët e saj studiues me reputacion të lartë ndërkombëtar, përfshirë edhe laureatë të Çmimit Nobel.

Nën udhëheqjen e Prof. Dr. Edmond Hajrizi, UBT është pozicionuar si një institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, inovacionin dhe sipërmarrjen në rajonin e Evropës Juglindore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe institucionet partnere.

Continue Reading

Të kërkuara