Lajmet

Në Kosovë përdoren bombola gazi të vjetra rreth 40 vjet

Published

on

Shpërthimi i bombolës së gazit në Ferizaj, i cili la të lënduar dhjetëra qytetarë, ngriti shqetësimin për shkak të përdorimit të madh të tyre në vend.

I gjithë problemi del të jetë te mungesa e laboratorëve të gazit dhe kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit, e të cilat në Kosovë janë afër gjysmë shekulli të vjetra.

Udhëheqësi i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe njohës të rrethanave emergjente tregojnë për KosovaPress sesi duhet të jetë e rregulluar çështja e mbikëqyrjes së shfrytëzimit të bombolave të gazit.

E kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani thotë për KosovaPress se duhet të autorizohen disa kompani që të kalibrohen bombolat në mënyrë që siguria të jetë më në nivel.

“Fjala bombolë tregon se ajo është një bombë. Në mëshirën e Zotit janë qytetarët prej bombolave të gazit sepse ne nuk kemi laboratorë të gazit, tek ne nuk kalibrohen bombolat, nuk certifikohen bombolat, çka do të thotë se kjo rrezikshmëri është gjithmonë tek qytetarët. Unë apeloj tek institucionet tona që sa më parë të autorizohen kompanitë, të cilat kalibrojnë, certifikojnë, asnjë bombolë të mos jetë e pacertifikuar, që do të thotë të jetë në trupin e saj shenja që është e certifikuar dhe është e lejuar të mbushet me gaz ose të shitet ai gaz. Tek ne kjo nuk ekziston. Prandaj, apelojmë që sa më parë këto gjëra të jenë sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, tha Berjani.

Sipas tij, mungesa e licencimit të kompanive që bëjnë certifikimin e bombolave të gazit ka bërë që në rastin e shpërthimeve të tyre të mos merr përgjegjësi askush.

“Naftëtarët janë të licencuar për shitjen e gazit, shumë normale, me standarde të BE-së duhet të jenë të licencuar në mënyrën më profesionale. Dhe, kur të vjen qytetari, bëhet mbushja e bombolës por bombola nuk është e certifikuar, nuk është e kalibruar, dhe këtu është problemi. Sepse nëse një bombolë certifikohet dhe kalibrohet, ajo kompani që e ka certifikuar e ka përgjegjësinë, e kështu përgjegjësinë nuk po e ka askush”, tha ai.

E udhëheqësi i Inspektoratit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Hysni Komoni ka bërë të ditur për KosovaPress se javën e ardhshme do të dalin me raport të inspektimit.

“Në rastin e Ferizajt nuk mundem me dhënë të dhëna sepse është hetuesia duke punuar. Prej të hënës do të dalim me raport të hetimit dhe do të tregojmë pse ka ardhë, qysh ka ardhë deri tek shpërthimi. Ajo është detyrë e jona. Por, hetuesia e kryen punën e vet, unë nuk dua me ndërhy në punët e Hetuesisë. Por, sa i përket shkaqeve teknike javën tjetër do të dalim me raport të inspektimit, i cili nuk do të jetë i msheftë, për të gjithë ata që dojnë me e pa”, tha ai.

Komoni bëri të ditur se bashkë me ministritë përkatëse, atë të Ekonomisë dhe Ambientit dhe Ministrinë e Tregtisë, do të lansojnë një fushatë informuese në mënyrë të vetëdijësimit të qytetarëve lidhur me këtë çështje. Ai e pranon se në Kosovë ka bombola që janë në përdorim e që janë të vjetra rreth 40 vjet.

“Ne kemi bombola që janë qe 30-40 vjet, ato nuk bënë me u përdorë. Ka rregullore, ka ligj, çdo gjë është e rregulluar”, shtoi ai.

Në rast se nuk ndërmerren masa konkrete për mbikëqyrjen e shfrytëzimit të gazit, shpërthime të ngjashme në të ardhmen paralajmëron drejtori Ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), Tahir Ahmeti.

Sipas tij, nevojitet hetim i hollësishëm i rasteve, në mënyrë që të dihet saktësisht shkaktari. Teksa thekson se janë tre parametra që mund të çojnë deri tek shpërthimi i bombolave.

“Janë tre parametra të cilët mund të çojnë deri tek shpërthimi i bombolave: cilësia e vet bombolave, instalimi i tyre nëpër objekte apo vendet ku përdoren, si dhe në fund, përdorimi i tyre. Gjithashtu duhet ditur se kah kanë hyrë këto bombola, a kanë hyrë përmes rrugëve legale apo kanë hyrë të kontrabanduara nëpër rrugë të ndryshme. Gjithashtu, duhet shikuar a i kanë të kryera A testet, të cilat duhet t’i kenë, dhe kontrollet periodike që duhet të iu bëhen këtyre bombolave”, tha ai.

Ahmeti apelon që të gjithë operatorëve që nuk plotësojnë kushtet e lartpërmendura t’u ndalohet shfrytëzimi i bobolave të gazit, deri ën përmbushjen e standardeve të nevojshme.

“Ato vende apo ato lokale të cilat nuk i plotësojnë këto kritere duhet t’u ndalohet përdorimi i tyre (bombolave të gazit) derisa t’i plotësojnë këto kushte sepse vërtetë është për keqardhje kjo që ka ndodhur dhe në të ardhmen mund të kemi ndonjë tragjedi edhe më të madhe me humbje edhe të jetës së njerëzve”, tha ai.

Ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në një përgjigje për KosovaPress thotë se cilësia e gazit inspektohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa kontrolli i bombolave bëhet nga Trupat e autorizuara për ekzaminimin dhe mbushjen e bombolave të GLN ose gazrave teknike.

“Importuesi apo përfaqësuesi i autorizuar janë përgjegjës për vënien në treg të pajisjeve nën presion të cilat duhet t’i plotësojnë kushtet themelore të sigurisë. Importuesi apo përfaqësuesi i autorizuar është i obliguar që të prezantojë certifikatën e konformitetit dhe dokumentacionin përcjellës të pajisjes nën presion. Ju njoftojmë se gjatë një viti janë bërë gjithsej 130 inspektime të pajisjeve nën presion. Inspektimet bëhen në baza të rregullta periodike, me kërkesë dhe në rast të aksidenteve. Ministria për Ekonomi dhe Ambient ka një inspektor për pajisje nën presion, i cili bën mbikëqyrjen administrative të zbatimit të ligjit për Pajisjet nën presion dhe akteve nën ligjore që dalin nga ky ligj”, thuhet në përgjigjen e MEA.

Në Ligjin për Pajisjet nën Presion 06/L-031, në nenin 10 përcaktohet se “Shfrytëzuesi i pajisjes dhe instalimit nën presion është plotësisht përgjegjës për punën e sigurt gjatë përdorimit të pajisjes dhe instalimit nën presion si dhe për kryerjen e kontrollit dhe shqyrtimit të tyre”.

Nga shpërthimi i bombolës që ndodhi gjatë së martës në një lokal në Ferizaj u lënduan mbi 40 persona. Ndërkohë që shpërthime të tilla në vend ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar, duke lënë dhjetëra të lënduar.

Continue Reading

Lajmet

Ndërroi jetë Ali Sadriu, ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës

Published

on

By

Ka ndërruar jetë Ali Sadriu. Ai ishte ministri i parë i financave i Kosovës së pasluftës. Në periudhën kur Kosova ndërtoi sistemin financiar të vetin.

Njoftimin për vdekjen e tij e ka bërë bashkëpunëtori i tij, Besnik Osmani.

Postimi i plotë i Osmani në Facebook:

Paska ndërruar jetë Ali Sadriu.

Aliu nuk ishte vetëm ministri i parë i financave, por edhe themeluesi i institucioneve fiskale dhe financiare të Republikës së Kosovës.

Në kohët më të vështira, Aliu ishte lis që nuk rrëzohej kurrë dhe mendje që ecte përpara, me qëllime, ide dhe bindje të qarta.

Periudha e pasluftës ishte jashtëzakonisht e vështirë – jo vetëm për t’u përgjigjur nevojave urgjente të rindërtimit, por edhe për të mbrojtur vlerat liridashëse dhe shtetndërtuese të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Trim i madh, burrë i vendosur, i qartë në ideale dhe në vizion.

Me drejtimin tënd dhe me ndihmën e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, u themelua buxheti i parë i shtetit. U siguruan rrogat e para për mësuesit dhe mjekët. U ndërtuan institucionet më të rëndësishme financiare: Thesari, Buxheti, Administrata Tatimore dhe Doganore e Kosovës.

Nuk mund të harrohet gëzimi yt – edhe pse i përmbajtur, për shkak të natyrës sate – kur vendose doganën e parë në pikën kufitare të Merdarës.

As momenti kur, mbi një filxhan porcelani kafeje, u shënua shifra e parë e buxhetit të shtetit: 213 milionë euro.

U prehsh në paqe, Ali Sadriu.

Kontributi yt do të mbetet gur themeli i shtetit të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

The Guardian shkruan për përmbytjet në Kosovë

Published

on

By

Kosova është përballur këtë javë me reshje të gjata dhe të dendura shiu, të cilat kanë shkaktuar përmbytje të gjera. Qytete, qyteza dhe fshatra u përmbytën ndërsa lumenjtë dolën nga shtrati i tyre. Komunitetet u izoluan dhe shërbimet emergjente shpëtuan persona të bllokuar në shtëpitë e tyre. Banorët humbën furnizimin me ujë, si dhe energjinë elektrike në komunat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit, pasi uji i përmbytjeve depërtoi në nënstacionet elektrike, ka shkruar mediumi britanik “The Guardian” për situatën me përmbytjet në Kosovë.

Stacione individuale të motit në të gjithë jugperëndimin e vendit regjistruan më shumë se 50 mm brenda 24 orëve të martën dhe të mërkurën, me disa stacione lokale që regjistruan rreth 80 mm në komunën e Malishevës.

Kjo pasoi reshjet e dendura të mëparshme nga e shtuna deri të hënën, gjatë të cilave stacionet zyrtare të motit në Junik dhe Gllogjan në perëndim të vendit regjistruan përkatësisht 231.5 mm dhe 151.6 mm shi brenda dy ditësh. 130 mm të tjera ranë në rajonin e Junikut të martën, duke përkeqësuar përmbytjet me rrëshqitje të dheut.

The Guardian njoftoi edhe për motin e përkeqësuar në gjithë Europën, duke thënë se Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar lëshoi ​​një paralajmërim të kuq për erëra të forta nga ora 16:00 deri në 23:00 të enjten në të gjithë Kornuoll dhe Ishujt Scilly, ndërsa Stuhia Goretti përshkoi Kanalin. Ndërsa jugperëndimi i largët i Anglisë pati erëra ekstreme me shpejtësi afër 100 mph, ishte Meteo-France ajo që i dha emrin stuhisë, pasi Franca veriperëndimore pritej të pësonte goditje të forta. U parashikuan erëra shkatërruese mbi 80 mph, me erëra prej 132 mph të vërejtura në Normandi dhe 94 mph në gjatë natës. Vende deri në brendësi të Parisit patën erëra shumë të forta gjatë natës, me erëra që arritën në 65 mph.

Paralajmërime për përmbytje bregdetare ishin gjithashtu në fuqi në Francën veriperëndimore; brigjet veriore të Brittany ishin nën paralajmërime për valë 6-9 metra, me valë stuhie prej 1.5 metrash gjatë baticës së lartë.

Stuhia Goretti do të vazhdojë të lëvizë drejt lindjes në Europën kontinentale gjatë fundjavës, dhe ndërsa erërat e forta do të lehtësohen disi ndërsa kjo ndodh, kushtet e stuhisë së borës mund të jenë një kërcënim. Reshje të konsiderueshme bore mund të bien në të gjithë Gjermaninë dhe rajonin e Beneluksit.

Continue Reading

Lajmet

Vërshimet në veri: Mbyllet një urë shkaku i dëmtimeve, evakuohen katër familje që iu përmbytën shtëpitë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dalë me përditësim lidhur  me situatën në veri të vendit, pas vërshimeve që u shkaktuan si pasojë e reshjeve të shiut.

Një urë në fshatin Beluçe të Leposaviqit është mbyllur përkohësisht meqë është vlerësuar se përbën rrezik për sigurinë, shkaku i dëmtimeve që ka pësuar nga vërshimet, shkruan Reporteri.net.

Policia ka bërë me dije se janë evkauuar edhe katër familje në Mitrovicë, shkaku që shtëpitë e tyre janë përmbytur.

Vërshime janë evidentuar në qytetin e Zveçanit dhe në Mitrovicë Veri. Ndërkaq, më datë 08.01.2025, Policia e Kosovës ka pranuar informatë se në fshatin Beluçe te Leposaviqit, si pasojë e vërshimeve, një urë ka pësuar dëmtime, ku njëra këmbë e urës është dëmtuar. Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar zyrtarët komunal të Leposaviqit si dhe përfaqësuesit nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se, për shkak të rrezikut për sigurinë, ura duhet të mbyllet. Si rezultat, ura është mbyllur përkohësisht deri në një vendim të radhës. Po ashtu, gjatë këtyre ditëve, në qytetin e Mitrovicës së Veriut janë evakuuar katër (4) familje, pasi shtëpitë e tyre janë përmbytur si pasojë e vërshimeve”, thuhet në njoftim.

Situata thuhet se aktualisht është e menaxhueshme.

Policia e Kosovës po vazhdon monitorimin e gjendjes në terren. Qytetarët për çdo vështirësi apo rast emergjent mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente kur vendi përballet me rreziqe natyrore”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Lajmet

​Këta janë 120 deputetët e legjislaturës së 10-të

Published

on

By

Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shprehur gatishmërinë që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë.

Megjithatë, para shpalljes së rezultateve përfundimtare, duhet të përfundojë periudha e paraparë për ankesa, të cilat partitë politike mund t’i paraqesin në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Sipas rezultateve preliminare:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 51.11% të votave dhe do të ketë 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës;

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 20.19% dhe do të ketë 22 ulëse;

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 13.23% (15 ulëse);

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5.5% (6 ulëse).

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV): Albin Kurti; Glauk Konjufca; Albulena Haxhiu; Hekuran Murati; Donika Gërvalla-Schëarz; Xhelal Sveçla; Hajrulla Çeku; Avni Dehari; Mimoza Kusari-Lila; Ejup Maqedonci; Shqipe Mehmeti Selimi; Andin Hoti; Arben Vitia; Saranda Bogujevci; Edona Llalloshi; Alban Bajrami; Mefail Bajqinovci; Nezir Kraki; Armend Muja; Rufki Suma; Adriana Matoshi; Jeta Statovci; Ardian Gola; Haxhi Avdyli; Adelina Grainca; Blerim Gashi; Albena Reshitaj; Fatos Geci; Agim Bahtiri; Taulant Kelmendi; Artane Rizvanolli Berisha; Fitore Pacolli Dalipi; Dimal Basha; Arbër Rexhaj; Labinotë Demi Murtezi; Arbëreshë Kryeziu Hyseni; Artan Abrashi; Arjeta Fejza; Hysen Durmishi; Arbërie Nagavci; Enver Haliti; Liza Gashi; Valon Ramadani; Adnan Rrustemi; Jeton Raka; Fatmire Kollçaku; Arsim Ademi; Drita Pajaziti; Rozeta Hajdari; Salih Zyba; Fitim Haziri; Fjolla Ujkani; Ilir Kërçeli; Sylejman Meholli; Vigan Qorrolli; Valon Hoti; Naim Bardiqi.

Deputetët e PDK-së: Bedri Hamza; Arian Tahiri; Përparim Gruda; Uran Ismaili; Sala Jashari; Vlora Çitaku; Enver Hoxhaj; Arben Mustafa; Nait Hasani; Rrahman Rama; Ganimete Musliu; Eman Rrahmani; Kujtim Gashi; Elmi Reçica; Artan Behrami; Xhavit Haliti; Besa Kabashi-Ramaj; Mergim Lushtaku; Ferat Shala; Blerta Deliu-Kodra; Ariana Musliu-Shoshi; Arbnore Salihu.

Deputetët e LDK-së: Lumir Abdixhiku; Hykmete Bajrami; Ukë Rugova; Avdullah Hoti; Doarsa Kica-Xhelili; Kujtim Shala; Anton Quni; Armend Zemaj; Lutfi Haziri; Jehona Lushaku-Sadriu; Janina Ymeri; Besian Mustafa; Adelina Thaçi-Meta; Fadil Hadergjonaj; Ermal Sadiku.

Deputetët e AAK-së: Ramush Haradinaj; Daut Haradinaj; Besnik Tahiri; Bekë Berisha; Time Kadrijaj; Albana Bytyqi.

Deputetët e Listës Serbe: Slavko Simiq; Igor Simiq; Liljana Stefanoviq; Milan Kostiq; Nemanja Bishevac; Zlatan Elek; Miljana Nikoliq; Srdjan Popoviq; Verica Çeraniq.

Deputeti i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”: Nenad Rashiq.

Deputetët e komuniteteve tjera joserbe: Fikrim Damka; Fatma Taqi; Rasim Demiri; Emilija Rexhepi; Elbert Krasniqi; Duda Balje; Veton Berisha; Artan Asllani; Adem Hoxha; Erxhan Galushi.

Continue Reading

Të kërkuara