Lajmet

Faktet kryesore që duhet t’i dini rreth femicidit

Në Kosovë, në pesë ditët e fundit u vranë dy gra.

Published

on

Afër 45.000 gra dhe vajza u vranë në mbarë botën më 2021 nga partnerët e tyre, sipas UN Women.

Kjo organizatë e Kombeve të Bashkuara vlerëson se kjo shifër tregon se “bota po dështon të ndalë vrasjet që do të mund të shmangeshin përmes intervenimit të hershëm”.

Në Kosovë, në pesë ditët e fundit u vranë dy gra, dhe që të dyja dyshohet se janë vrarë nga bashkëshortët e tyre.

Ngjarja e parë ndodhi në orët e hershme të 25 nëntorit në Prishtinë, kur një burrë u dorëzua në Polici, pasi dyshohet se vrau gruan e tij 63-vjeçare me sëpatë. Vrasja e dytë ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit, kur në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës u qëllua për vdekje një grua shtatzënë. Dorasi dyshohet se është bashkëshorti i viktimës, dhe nga të shtënat humbi jetën edhe fëmija i palindur.

Por, këto nuk janë rastet e para, e as të vetme të vrasjes së grave. Në Kosovë, sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010 janë vrarë 50 gra nga burrat, teksa dhuna në familje po ashtu ka shënuar rritje në vitet e fundit.

Vrasjet e lidhura me gjininë, femicid apo feminicide, përkufizohen si manifestimi më brutal dhe ekstrem i dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë, UN Women, femicidi përkufizohet si vrasje e qëllimshme që lidhet me gjininë, që mund të jetë e nxitur nga rolet e stereotipizuara gjinore, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, raportet e pabarabarta të pushtet midis grave dhe burrave apo normave të dëmshme shoqërore.

Të dhënat e Policisë së Kosovës për vitin 2021 flasin për 2.456 raste të evidentuara të dhunës në familje me 2.486 viktima.

Kurse, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.

Agjencia UN Women, më 25 nëntor, kur ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore” – që po organizohet edhe në Kosovë – ka publikuar pesë gjetjet kryesore të një raporti lidhur me atë pse vriten gratë dhe vajzat:

1. Gratë dhe vajzat më së shumti ka të ngjarë të vriten nga personat e tyre të afërt

Sipas UN Women, afër 45.000 gra dhe vajza në mbarë botën u vranë më 2021 nga partnerët e tyre apo nga anëtarët e familjes (përfshirë nga prindërit, xhaxhallarët dhe vëllezërit).

Kjo i bie që mesatarisht mbi pesë gra dhe vajza janë vrarë çdo orë nga ndonjë anëtar i familjes së tyre. Partnerët aktualë dhe ish-partnerët intimë, sipas gjetjeve, janë autorët më të shpeshtë të femicideve, pasi përbëjnë rreth 65 për qind të të gjitha rasteve që lidhen me vrasjet nga partnerët dhe pjesëtarët e familjes.

Numri i lartë i rasteve të vrasjeve nga bashkëshortët apo partnerët nënkupton se “bota po dështon të ndalë vrasjet që do të mund të shmangeshin përmes intervenimit të hershëm”, tha UN Women.

2. Femicidi është problem universal

Sikurse të gjitha format e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave, femicidi është problem që prek çdo shtet në mbarë botën. Sipas raportit të UN Women, më 2021, Azia shënoi numër rekord të vrasjeve të grave nga partnerët e tyre dhe nga anëtarët e familjes, me rreth 17.800 viktima, pasuar nga Afrika me 17.200 viktima, 7.500 viktima u regjistruan në Amerikë, 2.500 në Evropë dhe 300 në Oqeani.

Nëse llogaritet popullsia e përgjithshme, të dhënat tregojnë se më 2021, 2.5 gra dhe vajza në 100.000 banorë janë vrarë nga parterët e tyre apo anëtarët e familjes në Afrikë, krahasuar me 1.4 në Amerikë, 1.2 në Oqeani, 0.8 në Azi dhe 0.6 në Evropë.

3. Shkalla e vërtetë e femicidit ka të ngjarë të jetë shumë më e lartë

Përderisa UN Women tha se të dhënat e prezantuara janë jashtëzakonisht të larta, ato mund të mos jenë shifra reale, pasi shumë viktima të femicidit nuk regjistrohen. Sipas raportit, gjatë vitit 2021 katër në dhjetë vrasje ku viktima ishin gratë dhe vajzat, por që nuk ka pasur të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar nëse këto vrasje ishin të bazuara me gjininë.

Në shumë raste, vetëm vrasjet e grave dhe vajzave të kryera nga partnerët e tyre dhe familjarët klasifikohen si femicid. Por, agjencia e OKB-së tha se vrasjet e lidhura me gjininë ndodhin në shumë kontekste që shkojnë përtej sferës private. Ato mund të lidhen me dhunimin apo dhunën seksuale nga dikush që viktima nuk e ka njohur, mund të jenë të lidhura nga praktikat e dëmshme sikurse gjymtimi i organeve gjenitale femërore ose nga të ashtuquajturat vrasje të “nderit”.

Po ashtu, mund të ketë raste të femicidit që janë shkaktuar si rezultat i krimeve të urrejtjes të lidhura me orientimin seksual apo identitetin gjinor, por edhe me krime të kryera në konflikte të armatosura, apo nga bandat apo krime të kryera gjatë trafikimit me qenieve njerëzore.

4. Gratë dhe vajzat e margjinalizuara përballen me rreziqe më të mëdha

Sa i përket grupeve të margjinalizuara, UN Women tha se ka më pak të dhëna. Për shembull, organizata për të drejtat e grave MundoSur ka analizuar të dhënat e ueb-faqeve të lajmeve në 12 shtete të Amerikës Latine dhe ka gjetur se vetëm njëri nga këto 12 shtete mbledh të dhëna nëse viktimat kanë qenë shtatzëna, dy shtete të tjera kanë mbledhur të dhëna për etninë e viktimave dhe tri shtete kanë të dhëna nëse viktima ka qenë migrante.

Por, pavarësisht të dhënave të kufizuara, të dhënat e ofruara nga Kanadaja dhe Australia sugjerojnë se gratë e grupeve indigjene janë shumëfish më të prekura nga vrasjet e lidhura me gjininë. Sipas të dhënave, vrasjet e grave dhe vajzave në Kanada më 2021 ishin pesë herë më të larta në mesin e grupeve indigjene.

OKB-ja porositi se për të parandaluar femicidin, mbledhja e të dhënave nga autoritetet është thelbësore, pasi kështu mund të identifikohen gratë dhe vajzat që janë më në rrezik dhe më pas autoritetet mund të krijojnë mekanizma më të mirë të parandalimit dhe të mbrojtjes së viktimave.

5. Femicidi mund dhe duhet të parandalohet

OKB tha se vrasja e grave dhe vajzave, por edhe krimet e tjera të lidhura me gjininë mund të parandalohen, pikë së pari përmes nismave parandaluese që përqendrohen në transformimin e normave të dëmshme shoqërore dhe të përfshirjes së komunitetit që të ketë zero tolerancë për dhunën ndaj grave. UN Women po ashtu tha se vlerësimet e rrezikut dhe intervenimet e hershme, por edhe mbikëqyrja policore dhe sistemi gjyqësor mund të parandalojnë këto krime.

Përvoja e Afrikës së Jugut, për shembull, sugjeron se ulja e rasteve të femicidit mund të arrihet përmes ligjeve dhe politikave gjithëpërfshirëse që synojnë parandalimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave, ligjeve për kontrollin e armëve të zjarrit dhe aktivizmin për të drejtat e grave, tha OKB.

Megjithatë, UN Women tha se duhet më shumë hulumtim për të kuptuar se pse po rriten rastet e femicidit. Megjithatë, në raport u tha se organizatat për të drejtat e grave dhe vajzave luajnë rol në parandalimin e këtyre rasteve, pasi që nxisin ndryshimin e politikave, mbajnë përgjegjës qeveritë dhe ofrojnë shërbime kritike për të mbijetuarat e dhunës. Po ashtu, rritja e mbështetjes financiare e këtyre organizatave, sipas UN Women, do të ndikonte në uljen dhe parandalimin e rasteve të femicidit./REL

Lajmet

REL: Kurti: Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet

Published

on

By

Kosova dhe Serbia duhet t’i “normalizojnë” marrëdhëniet mes vete, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Megjithatë, ai tha se ky proces është i vështirë.

Kurti është në pushtet që nga viti 2021 dhe dy vjet pasi mori pushtetin, arriti Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin e zbatimit të saj, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.

“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë”, tha Kurti. “Por, normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar dhe që nuk të njeh, dhe po ashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë”, shtoi ai.

Tensionet mes dy vendeve vazhdimisht janë të larta dhe një rikthim i trazirave do t’i ofronte Rusisë mjete për ta destabilizuar Kosovën.

“Ne kemi një marrëveshje për normalizim”, tha Kurti duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2023, të arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes shteteve, të paktën njohje de facto”.

Kjo marrëveshje, me 11 nene, veç tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Por, për të rinisur dialogu, Serbia “duhet ta dorëzojë Millan Radoiçiqin”, tha Kurti, duke iu referuar ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë më 2023.

Kurti tha se shpreson që “BE-ja, Franca dhe Gjermania do t’i bëjnë presion” Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin, ndaj të cilit dhe disa personave të tjerë Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin në Banjskë.

Që nga shtatori i vitit 2023, disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë, nuk është mbajtur asnjë rund i nivelit të lartë në Bruksel, teksa bisedimet në nivel kryenegociatorësh kanë vazhduar, por nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje.

Serbia po ashtu nuk ka ndërprerë raportet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe Beogradi varet nga energjia ruse.

“Ka shumë lidhje” mes dy shteteve, tha Kurti, dhe nëse Rusia vendos ta destabilizojë rajonin, “në marshin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të llogarisë në Serbinë si aleat. Dhe, kjo është shqetësuese për shtetin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”.

Kosova, që shpreson t’i bashkohet NATO-s, së voni ka hequr tarifat ndaj produkteve amerikane dhe është pajtuar që të pranojë deri në 50 migrantë nga shtetet e treta që do të dëbohen nga SHBA-ja. Deri më tani, në Kosovë ka arritur vetëm një migrant.

“Nuk po kërkojmë asnjë ndihmë financiare në këmbim”, tha Kurti. “Ne po e bëjmë këtë për të ndihmuar SHBA-në, që është partnerja, aleatja dhe mikja jonë”, shtoi Kurti, i cili nuk e përjashtoi mundësinë e arritjeve të marrëveshjeve të ngjashme edhe me vendet evropiane.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA

Published

on

Fakulteti i Psikologjisë në UBT, nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi, organizoi me sukses një punëtori statistikore me ligjëruese të ftuar Besjana Krasniqi, kandidate doktorante në Psikologji Zhvillimore të Aplikuar në Universitetin e Maryland, Baltimore County (UMBC), ShBA, si dhe pjesë e Laboratorit për Zhvillimin e Fëmijëve, Familjes dhe Shkollës.

Punëtoria u zhvillua në kuadër të lëndës Metodologji e Avancuar Kërkimore dhe ishte i dedikuar për studentët e programit master në Psikologji. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte avancimi dhe praktikimi i njohurive statistikore, me fokus në përdorimin e modeleve parashikuese përmes analizave të regresionit.

Gjatë punëtorisë, studentët u angazhuan në mënyrë aktive përmes ndërveprimeve dinamike, shembujve konkretë nga kërkimi empirik, testimit të hipotezave kërkimore duke përdorur programin SPSS, si dhe interpretimit të rezultateve statistikore. Ky format praktik u mundësoi studentëve të lidhin teorinë me aplikimin real në kërkimin shkencor.

Ky aktivitet kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale të studentëve, duke promovuar njëkohësisht rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me studiues dhe profesionistë nga institucione prestigjioze. Punëtoria është në përputhje me planin strategjik të UBT-së për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore profesionale, si në nivel institucional ashtu edhe në atë kombëtar.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

Published

on

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.

Continue Reading

Lajmet

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve nis më 24 shkurt

Published

on

By

Gjykata Speciale ka njoftuar se seanca “vepra kundër administrimit të drejtësisë” ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të fillojë më 24 shkurt të vitit tjetër.

Tutje njoftohet se do të bëhet paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe procedura të tjera administrative.

Më 22 dhjetor 2025, pas marrjes së parashtrimeve nga palët, Gjykatësi i Vetëm Kristofer Gosnell miratoi udhëzime mbi zhvillimin e gjykimit në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, që është planifikuar të fillojë më 24 shkurt 2026.Udhëzimet përcaktojnë rregulla praktike për aspekte si karakteri publik i procesit, nxjerrja e dokumenteve, paraqitja e provave, marrja në pyetje e dëshmitarëve, si dhe aspekte të tjera procedurale që synojnë garantimin e një gjykimi të drejtë dhe efikas.”, thuhet në njoftim

Continue Reading

Të kërkuara